Jurisprudencë, Shkrime Autoriale

E drejta trashëgimore islame

Shkruan: Jusuf ZIMERI

E drejta trashëgimore si institut socio-juridik është i lidhur ngushtë me të drejtën civile, reale dhe familjare. Nga kjo nënkuptohet se e drejta e trashëgimore ka të bëjë me të drejtën subjektive dhe ekonomiko – pronësore.

Në terminologjinë e së drejtës Islame, e drejta e trashëgimore njihet me emrin “علم الميراث Ilmul Mirath” Shkenca e trashëgimisë. Kjo shkencë definohet si: shkenca e cila merret me studimin e dispozitave juridike për bartjen e pasurisë pas vdekjes fizike të trashëgimlënësit (dekojuesit) dhe gjendjen e suksesorëve (trashëgi-mtarëve).

Nocioni “Mirath” الميراث në aspektin gjuhësor ka dy kuptime; lënie, mbetje dhe bartje e një sendi nga një person te personi tjetër, ose nga një popull te populli tjetër[1].

Me nocionin “Mirath”الميراث  në terminologjinë e së drejtës Islame nënkuptohet:

مَا خَلّفَهُ الْمَيِّتُ مِنَ الاَمْوَالِ وَالحُقُوقِ الَّتِي يَسْتَحِقُّهَا بِمَوْتِهِ الوَارِثُ الشَّرْعِي

“Atë që e ka lënë i vdekuri (dekujuesi) nga pasuria dhe të drejtat, që me vdekjen tij juridikisht i trashëgon trashëgimtari juridik-legjitim “.

Juristët Islamë të drejtën e trashëgimisëعلم الميراث    e defi­nojnë kështu:

 قَوَاعِدٌ فِقْهِيَّةٌ وَ حِسَابِيَّةٌ يُعْرَفُ بِهَا نَصِيبُ كُلَّ وَارِثٍ مِنَ التَّرِكَةِ

Përmbledhja e normave juridike dhe matematikore përmes së cilave njihet procesi i sasisë që i takon çdonjërit prej trashëgimtarëve nga pasuria e lënë.”

Të drejtën e trashëgimore, Kur’ani famëlartë e ka quajtur edhe me termin “Feridaten”, ndërsa sunneti i Pejgamberit Salall-llahu alejhi ve sel-leme  edhe juristët Islamë këtë disiplinë juridike e quajtën me emrin “Ilmul Feraid” علم الفرائض për arsye se merret me çështjet të cilat kanë të bëjnë me sasinë obligative të trashëgimisë.

Nga kjo që u tha më lartë, del se e drejta e trashëgimore është një disiplinë juridike e cila ka të bëjë me raportet dhe normat të cilat rregullojnë bartjen e pasurisë së një personi me rastin e vdekjes së tij fizike, te personi tjetër i cili juridikisht paraqitet si trashëgues (suksesor).

Kjo përmbledhje normash dhe rregullash, në legjislacionin Islam, nuk është produkt i mendjes së njeriut, por është ligjësuara nga Allahu xh.sh, kurse për metodologjinë e tyre ka sqaruar i Dërguari i All-llahut xh.sh. Muhamedi Salall-llahu alejhi ve sel-leme. Sipas normave juridike Islame, sasia (kuota) që i takon trashëgimtarit, dhe mënyra e marrjes së asaj që i takon janë relative, varësisht nga pozita dhe gjendja e tij pas vdekjes së trashëgimlënësit.

Vlera dhe rëndësia e njohjes së kësaj disipline

Kjo disiplinë juridiko-shkencore Islame mundëson përvetë­simin e njohurive më të dobishme dhe më me vlerë Për shkak të rëndësisë që ka kjo shkencë. Pejgamberi Salall-llahu alejhi ve sel-leme jo vetëm që na nxiti në mësimin e kësaj lëmie, por edhe obligon që t’ua mësojmë edhe të tjerëve duke thënë:

  عَنْ أَبِي هُرَيْرَةَ قَالَ قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ يَا أَبَا هُرَيْرَةَ تَعَلَّمُوا الْفَرَائِضَ وَعَلِّمُوهَا فَإِنَّهُ نِصْفُ الْعِلْمِ وَهُوَ يُنْسَى وَهُوَ أَوَّلُ شَيْءٍ يُنْزَعُ مِنْ أُمَّتِي

Mësojeni shkencën e Feraidit, dhe mësojani të tjerëve, sepse vërtetë ajo është gjysma e diturisë dhe më së shumti harrohet, ajo është dituria e parë e cila do të ngritët nga njerëzit”[2]

Në hadithin tjetër Pejgamberi a.s. ka thënë :

   عَنْ أَبِي هُرَيْرَةَ قَالَ قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ تَعَلَّمُوا الْقُرْآنَ وَالْفَرَائِضَ وَعَلِّمُوا النَّاسَ فَإِنِّي مَقْبُوضٌ

“Mësojeni Kur’anin dhe Feraidin dhe mësojani njerëzve, sepse vërtetë unë jam njeri i cili vdes sikur të tjerët.”[3]

Themelues i kësaj shkence është vet Ligjdhënësi (Allahu xh.sh.) përmes shpalljes, kurse qëllimi nga kjo shkencë është që çdokush të marrë atë që e meriton.

(teksti është shkëputur nga libri; E drejta trashëgimisë në sheriatin islam” nga autor ; Jusuf Zimeri, botuar 1999.)



[1] Sabuni, Muhamed Alij – El Mevarithu fish-sheriati El Islamijeti fi Dav’il kitabi ves-suneti- Darul hadith- Kairo.

[2]  Ibni Maxheh

[3]  Ibni Maxheh

Lini një Përgjigje

Maqedonisht