Jurisprudencë, Shkrime Autoriale

Të drejtat që ndërlidhen me pasurinë e lënë

Shkruan: Jusuf ZIMERI

Të drejtat që ndërlidhen me pasurinë e lënë nga i vdekuri janë të natyrave të ndryshme dhe vijojnë që nga përgatitja dhe varrimi i kufomës, shpagimi i borxheve, ekzekutimi i institucionit të testamentit, e deri tek ndarja e trashëgimisë mes trashëgimtarëve.

 Përgatitja dhe varrimi i kufomës

Këtu përfshihen të gjitha obligimet e nevojshme duke u nisur nga pastrimi i kufomës, qefini, bartja, namazi, dhe varrimi. Shpenzimet rreth përgatitjes së kufomës bëhen nga pasuria e lënë nga i vdekuri pa ndonjë shpenzim por edhe pa ndonjë kursim të madh. Në këtë kontekst Pejgamberi Alejhis-selam ka thënë:

يكَفَّنُ عَلَى قَدْرِالتَّرِكَةِ مِنْ غَيْرِ تَقْتِيٍر وَ لَا تَبْذِيرٍ

(i vdekuri varroset) mbështillet me qefin, varësisht nga pasuria e tij pa kursim por edhe pa shpenzim”[1]

Mbështjellja e të vdekurit me qefin, në bazë të sunnetit të Pejgamberit a.s. bëhet në atë mënyrë që mashkulli të mbështjellët me tri pjesë të qefinit kurse femra me pesë pjesë. Në rast se i vdekuri nuk ka lënë fare pasuri, ose ka lënë pasuri të pakët që nuk mjafton për shpenzimet e tij, atëherë shpenzimet i paguan i afërmi i cili ka pasur për obligim të kujdeset për të gjatë jetës, e nëse ky nuk ekzistoni ose nuk ka mundësi, atëherë shpenzimet bëhen nga arka shtetërore e muslimanëve.

Duhet pasur parasysh faktin se në kohën bashkëkohore, në përgatitjen e xhenazes janë shpikur disa risi (bidate) të cilat nuk kanë bazë në parimet e sheriatit Islam. Këto risi janë përgatitjet e ceremonive të ndryshme, dhënia e të hollave që të këndohet diç për të vdekurin, pastaj shpenzimet rreth kelime i tevhidit, pastaj zbukurimet e varrezave, etj. që nënkupton se shpenzimet e tilla nuk bëjnë pjesë në përgatitjen e xhenazes, që do të thotë se nëse shpenzon diç nga pasuria e të vdekurit në kësi lloj ceremonish duhet kompensuar shpenzimet trashëgimtarëve nga pasuria e tij e veçantë nëse shpenzuesi është nga trashëgimtarët.

Shpagimi i borxheve

Pasi që të jenë bërë të gjitha përgatitjet e duhura rreth përgatitjes së kufomës, atëherë menjëherë duhet të paguhen borxhet të cilat kërkohen nga njeriu. Së pari paguhen ato borxhe të cilat janë marrë duke qenë i shëndoshë, e pastaj borxhet që janë marrë duke qenë i sëmurë. Borxhi është i rëndë për besimtarin islam, andaj edhe i jepet përparësi, sepse Pejgamberi a.s. ka thënë:

نَفْسُ الْمُؤْمِنِ مُعَلَّقَةٌ بِدَيْنِهِ حَتَّى يُقْضَى عَنْهُ *

“Shpirti i besimtarit është i lidhur me borxhin e tij, derisa të paguhet për atë.”[2]

Sa i përket borxheve që janë e drejtë e All-llahut xh.sh. siç janë Zeqati, Kefaretet, Fidja etj, ato bien nga obligueshmëria me vdekjen e tij, me përjashtim nëse ato paguhen në baza vullnetare ose nëse për te i vdekuri ka lënë testament dhe trashëgimtarët e zbatojnë testamentin nga 1/3 e pasurisë së lënë.

E drejta civile në kohën bashkëkohore, bëri dallimin mes dy borxheve, që janë borxhi i rëndomtë dhe borxhi superior. Prioritet i dhanë pagimit të borxhit të rëndomtë, e pastaj atij superior, ngjashëm si veproi shkolla juridike Hanefij në radhitjen e borxheve të marra duke qenë i shëndoshë, e pastaj borxhet e marra duke qenë i sëmurë. Në borxhet superiore sipas ligjit është mehri i bashkëshortes i cili duhet të paguhet para se t’u ndahet pasuria trashëgimtarëve[3]

Ekzekutimi i institucionit të testamentit

Realizimi i testamentit me dhënien e 1/3 së pasurisë së mbetur, bëhet, pasi të paguhen shpenzimet e kufomës dhe borxhet. Testamenti u lihet personave të cilët nuk kanë të drejtë trashëgimie, kurse maksimumi i lënies së testamentit është 1/3 e pasurisë. Nëse testamenti u lihet personave që trashëgojnë, atëherë kushtëzohet që për zbatimin e këtij testamenti të japin pëlqimin të gjithë trashëgimtarët.

Ndarja e pasurisë mes trashëgimtarëve

Me plotësimin e të gjithë këtyre obligimeve që janë më prioritete nga trashëgimtarët, atëherë mund të bëhet dhe ndarja e pasurisë së lënë trashëgimtarëve



[1] Darimiu

[2]  Muslimi

[3] Dr. El Kurdij Ahmed El Haxhi – El Ehvalu shahsijeti faqe: 241-242 – Damask 1983.

Lini një Përgjigje

Maqedonisht