Autor: Jusuf ZIMERI

Me që kafshët padyshim konsiderohen pasuri, atëherë s’ka dilemë se edhe për to jepet zeqatë. Për dhënien e zeqatit të kafshëve ekzistojnë shumë hadithe, por më të njohurit janë, hadithi i Ebu Bekrit[1] që përshkruan sasinë e dhënies së zeqatit të deveve, dhe hadithi i Muadhit i cili përshkruan nisabin e zeqatit të lopëve. Juristët islamë, për dhënin e zeqatit të kafshëve parqitn këto kushte:

– Kafsha për të cilë jepet zeqati duhet të jetë kafshë shtëpiake, pra të mos jetë kafshë e egër. Sipas dijetarëve të medhhebit hanefij, nëse kafsha që e kemi në pronësi është e lindur nga nëna që është shtëpiake, për to obligohet zeqati, sepse te kafshët fëmija ndërlidhet me nënën e saj.

– Kafsha të jetë Saime. Kafsha Saime konsiderohet ajo kafshë e cila gjendet në kullosë shumicën e vitit, apo më shumë se gjashtë muaj. Në këtë përfshihen kafshët të cilat nuk janë të përcaktuara për tregti, ngase kafsha e përcaktuar për tregti, nuk ka nevojë të plotësojë këtë kusht.

– Të plotësohet nisabi i kafshëve, i cili është i ndryshëm varësisht nga lloji i kafshëve.

– Kafsha të plotësojë vitin që është në pronësinë e tij, sepse plotësimi i vitit është kusht, i përfituar nga hadithi i transmetuar nga Ibni Omeri se Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ka thënë: Nuk ka zeqat në pasurinë pa e plotësuar vitin”[2]

– Kafsha e cila ruhet të që pronari i saj me të të ketë për qëllim shtimin e tyre, ngase nëse janë kafshë për hipje apo bartje d.m.th. për punë nuk jepet zeqatë.

Llojet e kafshëve për të cilat jepet zeqatë janë, devetë, lopët, përfshirë edhe buallicat, dhentë dhe dhitë,[3] andaj në vazhdim do flasim për secilën në veçanti

 II.1. Nisabi i zeqatit në Lopë

Argumenti për obligueshmërinë e dhënies së zeqatit të lopëve është hadithi i Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme kur e dërgoi Muadhin në Jemen dhe e urdhëroi që për çdo 30 lopë të merr zeqatë nga një shtjerrë që ka mbushur një vjet, kurse për çdo 40 lopë të merr zeqatë nga një viç që ka mbushur 2 vite.

Nga ky hadith i Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme përveç asaj që nënkuptohet obligueshmëria e zeqatit të lopëve, gjithashtu është argument edhe për nisabin e lopëve. Në këtë kategori përfshihen edhe buallicat. Nisabi i lopëve është si vijon:

Prej 30 deri 39 lopë apo buallica, jepet zeqatë një shtjerrë (viç) që ka mbushur një vit,

Prej 40 deri 59 lopë apo buallica jepet zeqatë një shtjerrë (viç) që ka mbushur dy vite

Prej 60 deri 79 lopë apo buallica, jepet zeqatë një shtjerrë (viç) që ka mbushur një vit, dhe një që ka mbushur 2 vite.

– Prej 80 deri 89 lopë apo buallica jepen zeqatë dy shtjerra që kanë mbushur nga dy vite.

– Prej 90 deri 99 jepen zeqatë tri shtjerra që kanë mbushur nga një vit,

100 Dy shtjerra që kanë mbushur nga një vit dhe një që ka mbushur 2 vite

Duke vepruar sipas hadithit të Muadhit, përfitohet rregulli se; në çdo tridhjetë lopë jepet zeqatë nga një shtjerrë (viç) që ka mbushur një vit, dhe në çdo 40 krerë jepet zeqatë nga një shtjerrë (viç) që ka mbushur 2 vite. Ky është rregulli që praktikohet për dhënien e zeqatit te lopët dhe buallicat.

Sipas mendimit të nxënësve të Ebu hanifes, Imam Ebu Jusufit dhe Imam Muhamedit dhe sipas mendimit të tyre jepet edhe fetvaja në medhhebin hanefij, për tepricën prej 40 lopëve deri sa të plotësohen 60 nuk jepet asgjë, e kur të plotësohet ky numër, atëherë jepet zeqatë një shtjerrë prej 2 viteve.

Zeqati në kuaj, mushka dhe gomarë

Nëse kuajt, mushkat apo gomarët janë për tregti, atëherë ato radhiten në mallra tregtarë dhe për to jepet zeqatë. Imam Ebu Hanifja është i mendimit se nëse këto kafshë janë Saime dhe të përzier meshkuj dhe femra ose vetëm femra dhe ruhen për shtimin e tyre, atëherë pronari i tyre obligohet me zeqatë. Pronari i tyre në këtë rast ka të drejtë të zgjedhë, nëse dëshiron për çdo kali jep zeqatë nga një dinar, e nëse jo atëherë i shndërron në vlerë dhe për çdo 200 dërhem jep zeqatë nga pesë dërhem ngjashëm si zeqati në mallra tregtie. Argument ku mbështet ky mendim është hadithi i tarnsmetuar nga Xhabiri r.a. ku ka thënë: “Për çdo kali që është Saim jepet një dinar ose dhjetë dërhem”[4]

Për kundër mendimit të Imam Ebu Hanifes, dy nxënësit e tij Imam Muhamedi dhe Imam Ebu Jusufi, janë të mendimit se për kuaj, gomar dhe mushka nuk jepet zeqat fare, me përjashtim nëse ato janë për mallra tregtie, andaj edhe fetvaja në medhhebin hanefij jepet sipas mendimit të tyre.

 


[1] Ky hadith është i regjistruar te Buhariu, Ahmedi, Nisaiju, Ebu Davudi me transmetim nga Enesi.

[2] Ebu Davudi, Termidhiu

[3] Ky është mendimi i Imam Ebu Jusufit dhe Imam Muhammedit, kurse Imam Ebu Hanifja është i mendimit se zeqati jepet edhe për kuaj, mirëpo fetvaja në medhheb jepet sipas mendimit të nxënësve të tij, me përjashtim nëse kujat janë të dedikuar për tregti.

[4] Bejhekiu dhe Darulkutni

Shkrime të ngjashme