17 nënNamazi: Koha e namazit, kusht i namazit

Ky artikull është pjesa 5 nga 18 pjesë, në serinë e artikujve nga tema: Namazi

Autor: Jusuf ZIMERI

4. Kohët e namazit (Mevakitu Es-salat)
Namazi është ibadet i cili patjetër duhet të kryhet në kohën e tij të cilën e ka caktuar All-llahu xh.sh. Falja e namazit në kohën e caktuar quhet eda, kurse falja e namazit pas kalimit të kohës quhet kaza. Personi i cili nuk e falë namazin në kohën e vet, pa arsyetim islam, jo vetëm që asnjëherë nuk mundë të arrijë vlerën e tij, por ai konsiderohet edhe mëkatar, sepse ruajtja e kohës së namazit është obligative – farz.All-llahu xh.sh ka thënë:

إِنَّ الصَّلاَةَ كَانَتْ عَلَى المُؤْمِنِينَ كِتَابًا مَوْقُوتًا.
“Namazi është obligim (
për kohë) i caktuar për besimtarët.”[1]

Koha është shkak për obligueshmërinë e kryerjes së namazit. Fillimi dhe përfundimi i kohëve të namazit, është përcaktuar nga All-llahu xh.sh.. Në hadithin e transmetuar nga Ibni Abasi dhe Xhabiri r.a. tregohet se Xhibrili Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme për t’ia mësuar Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme kohët e namazeve i ishte bërë Imam Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme dy ditë rresht. Ditën e parë e kishte falur namazin në fillimin e kohës së çdo namazi, kurse ditën tjetër para mbarimit të kohës së namazit, dhe kështu kishte definuar fillimin dhe përfundimin e kohëve të namazit..

Kohët e namazit njihen me pesë gjëra, që janë:
- me anë të orës së saktë, e cila është e sistemuar për përcaktimin e saktë të kohës,
- me zbardhjen e qiellit,
- me kalimin i diellit nga zeniti dhe hija që lëviz pas zenitit,
- me perëndimin e diellit, dhe
- me errësirën e qiellit.

 Koha e sabahut
Koha e namazit të sabahut fillon me lindjen e mëngjesit të vërtetë,[2] dhe zgjatë deri në lindjen e diellit. Është e preferuar që namazi i sabahut të falet para lindjes së diellit në një kohë saqë nëse ndihet nevoja të mund të pastrohet njeriu dhe të falë namazin e sabahut, ose të përsërisë namazin nëse ka nevojë.

Koha e drekës
Koha e namazit të drekës fillon menjëherë me kalimin e diellit nga zeniti (zevali), dhe vazhdon derisa hija e çdo sendi të dyfishohet. Namazi i drekës gjatë kohës së verës kur mbretëron temperaturë e lartë, është mirë pak të vonohet, kurse dimrit të falet në fillimin e kohës.

Koha e iqindisë
Koha e namazit të iqindisë fillon kur hija e sendeve e kalon dyfishimin dhe përfundon me perëndimin e diellit.

Koha e akshamit
Namazi i akshamit fillon pasi që dielli të humbë të gjitha rrezet e tija dhe përfundon me humbjen e skuqjes së qiellit.

Koha e jacisë
Koha e namazit të jacisë fillon me errësimin e plotë të qiellit dhe përfundon me lindjen e mëngjesit të vërtetë.
Namazi nuk mund të falet para kohe, kurse falja e namazit pasi ti ketë kaluar koha është kaza, dhe duhet shoqëruar me teuvbe (pendim).

Bashkimi i namazeve në një kohë
Sa i përket çështjes së bashkimit të dy namazeve fillimisht të theksojmë se dijetarët islam-fukahatë nuk kanë qëndrim unik në këtë çështje. Dijetarët e medhhebit hanefij[3] janë të mendimit se bashkimi i dy namazeve farze në një kohë si psh bashkimi mes namazit të drekës dhe iqindisë, apo namazit të akshamit dhe jacisë, pavarësisht se bashkimi bëhet në kohën e namazit të parë që në terminologjinë e fikhut njihet “Xhem’u takdim” ose në kohën e namazit të dytë “xhem’u te’hir” dhe pavarësisht se bëhet fjalë për udhëtim apo në vend ose mungesë kohe është veprim i pa lejuar, me përjashtim të haxhive në Arefat të cilët e falin namazin e drekës dhe iqindisë e falin në kohën e drekës me një ezan dhe dy kiamete si dhe bashkimin mes namazit të akshamit dhe jacisë në Muzdelife në kohën e jacisë me një ezan dhe një ikamet.

Argumenti ku dijetarët e medhhebit hanefij e mbështesin mendimin e tyre është ajeti Kur’anor i cili obligon që namazi të falet në kohën e përcaktimit të tij, e që sqarohet nga hadithi i Ibni Abasit r.a. dhe hadithi i Xhabirit r.a. të dëgjuar nga Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ku tregon se i ka ardhur Xhibrili a.s. dhe ia ka mësuar fillimin dhe fundin e kohës së çdo namazi. Në anën tjetër kanë për mbështetje edhe thënien e Ibni Mes’udit r.a. k u ka thënë: Pasha atë që nuk ka Zot tjetër përveç Tij, i dërguari i Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme. asnjëherë nuk ka falur namaz jashtë se në kohën e vet, me përjashtim të dy namazeve, ka bashkuar mes drekës dhe iqindisë në Arefat dhe mes akshamit dhe jacisë më Muzdelife.

Anadaj si përfundim i tërë kësaj, dijetarët islam kanë sjellë një sugjerim që është: edhe pse lejohet bashkimi i namazeve gjatë udhëtimit, më e preferuar është të mos praktikohet dhe atë për dy arsye që janë:
- Për shkak se i dërguari i Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme nuk e ka vepruar gjithherë këtë veprim, e sikur bashkimi të kishte qenë më i mirë dhe më i preferuar sigurisht se i dërguari i Allahut do ta kishte vepruar rregullisht, dhe
- Arsyeja tjetër është për shkak të mos krijimit të përçarjes mes myslimanëve, andaj namazi falet ashtu si është ligjësuar në esencë, pra në kohën e vet.

Kohët në të cilat nuk vlenë namazi
Dijetarët islamë janë unikë në mendimet e tyre se kohërat në të cilat nuk vlenë falja e asnjë namazit farz apo vaxhib që kanë ngelur si obligim nga më parë, e që janë:
- Në momentin e lindjes së diellit e deri në ngritjen e tij për një ose dy shtiza, ose afër 45 minutave pas lindjes
- Kur dielli është në zenit, derisa të kalon zeniti.
- Në momentin kur dielli zverdhet[4] deri në perëndim të tij, me përjashtim të namazit të iqindis së asaj dite[5].

Në këto tri kohë, nuk mund të falet asnjë namaz eda e as kaza, me përjashtim të namazit të iqindisë eda për shkak të ekzistimit të shkakut, kurse dispozita mekruhi tahrimen është për shkak të vonimit deri në atë kohë. Gjithashtu nuk mund të falen as vaxhibet të cilat janë obliguar më parë, por nëse vaxhibi është obliguar në atë kohë, atëherë lejohet me mekruhi tenzihen siç është sexhdeja e leximit të Kur’anit. Në këtë kohë mund të falet edhe namazi i premtuar, pra që është premtuar se do të falet në këtë kohë, porse ky namaz shoqërohet me mekruhi tahrimen, e nëse namazi i premtuar nuk ndërlidhet me kohën, atëherë nuk lejohet të falet në këtë kohë. Gjitashtu urrehet falja e namazit nafile, qoftë edhe namazi tehijjetu-l-mesxhid që falet për nderë të xhamisë.

Sa i përket namazit të xhenazes, është më mirë që të falet në këtë kohë se sa të vonohet. Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ka thënë:
”Tri gjëra nuk vonohen.
1) xhenazja kur përgatitet,
2) borxhi kur ka mundësi të paguhet dhe
3) beqari kur gjen ekuivalentin e tij”.

Gjithashtu pengimi i faljes së namazit është vërtetuar edhe në dy kohë tjera, që janë:

Koha pas faljes së farzit të sabahut dhe iqindisë
Koha mes namazit të sabahut dhe lindjes së diellit si dhe koha mes namazit të iqindisë dhe zverdhjes së diellit lejohet të falen të gjitha namazet farze pa kurrfarë urrejtje, me përjashtim të namazeve nafile qofshin nafile të forta (muekede) apo jo të forta (gajri muekede), si dhe dy reqatet e tavafit[6]. Gjithashtu nuk lejohet kompensimi i sunetit të cilin e ka filluar të falë e pastaj e ka prishur[7], si dhe premtimeve. Të gjitha këto janë të urrejtura (mekruhi tahrimen).

Po ashtu urrehet falja e namazit nafile gjatë ligjërimit (nasihatit), gjatë hutbeve qoftë të xhumasë, apo bajramit, gjatë leximit të Kur’anit etj, me përjashtim nëse bëhet fjalë për ndonjë namaz të mbetur për personin që është sahibu tertib.

Gjithashtu është mekruh falja e namazit në momentin kur prezanton ushqimi dhe në këtë moment ai e humb koncentrimin e namazit duke mbajtur mendjen te ushqimi.

 Referencat
[1] En Nisa: 103.
[2] Në literaturë përmendet edhe mëngjesi i rrejshëm, ku mes mëngjesit të rrejshëm dhe mëngjesit të vërtetë ka tri shkallë, kurse çdo shkallë ka nga 3 minuta.
[3] Dijetarët tjerë, përveç Hanefijve, lejojnë bashkimin e namazeve duke qenë në udhëtim, por jo për shkak të mungesës së kohës. Edhe ky mendim ka mbështetje në disa hadithe të pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme që lejojnë bashkimin e tyre në udhëtim, por megjithatë gjithnjë kanë diskutuar për detaje që përshkruhen në librat e fikut.
[4]Dobësimi i diellit saqë ka mundësi që njeriu ta shikoj diellin direkt. Merakil fel-lah.
[5] Namazi i iqnidis mund të falet për arsye të ekzistimit të shkakut që ndërlidhet me kohën. Mrakil Felah.
[6] Kjo vërtetohet me atë që e transmeton imam Tahaviu në veprën el Athar nga Muadh b. Afrai se vërtetë ai kishte bërë tavafin pas namazit të iqindisë ose pas namazit të sabahut dhe nuk kishte falur dy reqate të tavafit. Për këtë veprim është pyetur, e ai ka thënë: I dërguari i Allahut s.a.v.s. ndaloi faljen e namazit pas namazit të sabahut derisa të lind dielli dhe nga namazi pas iqindisë derisa të perëndoj dielli. Ibni Abidin.
[7] Nëse personi ka filluar të falë një namaz nafile dhe duke e falur e prish për ndonjë arsye, ai ka për obligim ripërsëritjen e këtij namazi, por nuk lejohet ripërtëritja në kohën e kerahetit.

Seritë<< Namazi: Drejtimi kah kibla dhe nijetiNamazi – Mbulimi i avretit (Setru-l-avreti) kusht i namazit >>
Shpërndaje
Fjalëzat: , ,
Nuk ka përgjigje

Komento

Mbushni fushat dhe komentoni më poshtë.
Emri:
Posta:
Faqja:
Komenti: