Kur’ani, për të gjallët apo për të vdekurit

Autor: Jusuf ZIMERI

Kur’ani është fjala e Allahut xh.sh. që i është zbritur Muhamedit s.a.v.s, në gjuhën arabe, i shkruar në Mus’haf i ruajtur gjeneratë pas gjenerate në mënyrë të sigurt, leximi i tij konsiderohet adhurim dhe është mrekulli në çdo sure, ajet dhe shkronjë.

Nga ky përkufizimi i Kur’anit nënkuptojmë se bëhet fjalë për shpalljen e fundit që Allahu xh.sh. me te e gradoi Muhamedin a.s. si i dërguar i fundit. Edhe pse garanci për ruajtjen e Kur’anit nga devijimet eventuale për të cilat ishin, janë dhe do të ngelin të interesuar mjaft njerëz është në kompetencat e Allahut xh.sh., në drejtim të kësaj kontribut të madh kanë dhënë edhe myslimanët gjeneratë pas gjenerate duke sakrifikuar çdo gjë në interes të ruajtjes së Kur’anit.

Kur’ani është fundamenti kryesor nga i cili përfitohen normat dhe dispozitat jo vetëm ato etike dhe apologjetike, por edhe normat praktike të legjislacionit Islam. Si i tillë, Kur’ani konsiderohet si sistem i përcaktuar nga Ligjvënësi suprem për sistemimin dhe koordinimin e veprimtarisë së njeriut në jetën e kësaj bote. Pra, Kur’ani përmban të gjitha parimet dhe koncepcionet, përpunimi teknik dhe zbatimi i të cilëve u është lënë njerëzve. Përderisa Kur’ani ka qenë lëndë e zbatimit në praktikë dhe përderisa është jetuar sipas udhëzimeve të tij, ideja e tij ka qenë e gjallë dhe te myslimanët ka prezantuar fuqi lëvizëse.

Roli i Kur’anit përmes normave dhe udhëzimeve që ngërthen në vete gjithherë ka qenë dhe do të jetë që qenien e dobët njeri ta ndihmojë dhe ta udhëzojë në rrugën e vërtetë, që njeriun ta ngre në piedestalin më të lartë të krijesave dhe përmes mësimeve të tija ta mësoj njeriun që të shfrytëzojë gjithçka që është rreth tij dhe në interes të tij. Këtë e vërteton edhe ajeti Kur’anor ku Allahu xh.sh. thotë: “Ne ta shpallëm ty (Kur’anin) që me urdhërin e Zotit t’i nxjerrish njerëzit prej errësirave në dritë..”( Ibrahim :1) Me këtë ajet kur’anorë nënkuptohet kontinuiteti i përhershëm i rolit të Kur’anit në shoqërinë njerëzore, ngase e vërteta dhe drita e Allahut është vetëm një, kurse errësirat jo vetëm që janë shumë në numër por edhe nga llojet dhe metodat janë nga më të ndryshmet.

Nëse njeriu dëshiron të shpëtojë nga këto errësira dhe të jetë i udhëzuar në rrugën e vërtetë, që gjithmonë të jetë në dritën e besimit dhe prosperimit, që të arrijë qëllimin e tij final në jetën e dy botrave patjetër duhet të praktikojë normat dhe udhëzimet e Kur’anit dhe të sunetit, ashtu, siç është i obliguar ngarendësi i makinës t’i përmbahet udhëzime të komunikacionit nëse dëshiron të arrijë në vendin kua ai dëshiron. Në të kundërtën, do të jetë i gjykuar me humbje dhe humnerë, jo vetëm në jetën e kësaj por edhe botës tjetër. Gjeneratat e para kësaj çështje i kushtuan kujdes të madh, dhe me plotë sakrifica arritën që të përmbushin amanetin e tyre të marrë mbi supe, që ishte ruajtja e Islamit dhe komunikimi i mësimeve Islame.

Nga kjo që u tha deri më tani, gjithmonë duhet  pasur parasysh realitetin se Kur’ani është libër i shpallur nga Allahu xh.sh.për t’i udhëzuar të gjallët e jo të vdekurit, ngase njeriu ka përgjegjësi për veprimtarinë e tij para vdekjes, sepse me vdekjen e tij përfundon e veprimtaria e tij. Andaj, ata që ditën të respektojnë dhe të veprojnë sipas normave, parimeve dhe udhëzimeve të  Kur’anit janë edhe absorbuesit e dobive të tija si në këtë jetë ashtu edhe në jetën e botës tjetër(Ahiret), ndërsa ata të cilët kur’anin nuk e njohën si shpallje të Allahut xh,sh. si sistem Hyjnor i përcaktuar për njerëzit që të praktikojnë dispozitat e tija në këtë jetë, dhe nuk kanë shijuar shijen e tij në këtë jetë, vështirë se do të shijojnë edhe aromën e tij në jetën e botës tjetër.

Para se të shtjellojmë dobitë që mund t’i ketë i vdekuri nga leximi i Kur’anit, vlen të përkujtojmë një dukuri negative që kohëve të fundit dita ditës rritet. Një numër i konsiderueshëm i besimtarëve Islam në trevat tona Kur’anit thuajse i kanë dhënë një tretman krejtësisht jashtë përcaktimeve të tij. Mendojnë se Kur’ani është vetëm për të vdekurit, andaj edhe kanë bërë si traditë që ai të këndohet vetëm për të vdekurit.! Vlenë të theksohet se kjo ide është e përgatitur në kuzhinat antislame me qëllim që myslimanët derisa të jetojnë të gjallë të mos kenë lidhje me Kur’anin.

Natyrshmëria e njeriut është që shpeshherë mundohet t’u ndihmojë edhe të vdekurve të tij, përmes përkujtimeve dhe dërgimit të sevapeve atyre. Në kontekst të kësaj natyrshmërie flasin edhe argumente Islame. Shumica dërmuese e dijetarëve Islam duke u mbështetur në argumente nga hadithet e Pejgamberit a,s. janë të mendimit se te i vdekuri arrijnë sevapet e dhuruara nga leximi i Kur’anit që i dhuron i gjalli dhe ai nga to ka dobi I vdkuri. Ky mendim mbështet në hadithin e Pejgamberit a.s. ku ka thënë:

2714ِ عَنْ مَعْقِلِ بْنِ يَسَارٍ قَالَ قَالَ النَّبِيُّ صَلَّى اللَّه عَلَيْهِ وَسَلَّمَ اقْرَءُوا يس عَلَى مَوْتَاكُمْ

Transmetohet nga Ma’kil b. Jesari i cili ka thënë. Pejgamberi s.a.v.s ka thënë:” Lexoni për të vdekurit tuaj suren Jasin” (Ebu Davudi)

Gjithashtu në hadith e regjistruar nga  Darkutni në koleksionin e tij thotë: Transmetohet nga Aliu r.a. se vërtetë Pejgamberi a.s. ka thënë:Kush kalon pran varrezave dhe e ka lexuar “Kul huvall-llahu ehad” njëmbëdhjetë herë, e pastaj sevapin e leximit ia dhuron të vdekurve, atij i jepet sevap sa numri i të vdekurve në atë vend.

Nga këto dy hadithe nënkuptohet se sevapet e dhuruara nga leximi i Kur’anit arrijnë te i vdekuri dhe prej tyre ka dobi i vdekuri por me kusht që të jetë besimtarë. Gjithashtu dijetarët për argument kanë edhe hadithin e Pejgamberit s.a.v.s ku ka thënë: “Vërtetë i vdekuri ndëshkohet me qarjen -vajtimin e anëtarëve të familjes së tij”. Mënyra e argumentimit nga ky hadith është se derisa i vdekuri dënohet për qarjen e anëtarëve të familjes së tij, atëherë shpërblimi me sevape të dhuruara nga leximi i Kur’anit është më prioritar.

Në konteks të kësaj disa nga dijetarët islam kanë thënë se për arritjen e sevapeve te i vdekuri nga leximi i Kur’anit që dhurohen nga i gjalli ekziston koncenzus i fukahave islam. Andaj edhe ibni Kudame thotë: Për arritjen e sevapeve nga leximi i Kur’anit te i vdekuri ekziston koncenzus i myslimanëve, sepse ata në çdo kohë dhe vend lexojnë Kur’an dhe sevapet e fituara ua dhurojnë të vdekurve të tyre.

Për formën e dhurimit të sevapeve Ibni Abidini thotë:” Nijeti për dërgimin e sevapeve mund të bëhet në fillim të leximin, e gjithashtu mund të bëhet pasi që të ketë lexuar ate.

Megjithate në vazhdim do të kisha sqaruar metodën më të preferueshme të përfitimit të sevapeve nga nga leximi i Kur’anit. Pejgamberi a.s. në një hadith ka thënë:

2494 عَنْ أَبِي هُرَيْرَةَ أَنَّ رَسُولَ اللَّهِ صَلَّى اللَّه عَلَيْهِ وَسَلَّمَ قَالَ إِذَا مَاتَ الْإِنْسَانُ انْقَطَعَ عَنْهُ عَمَلُهُ إِلَّا مِنْ ثَلَاثَةِ أَشْيَاءَ مِنْ صَدَقَةٍ جَارِيَةٍ أَوْ عِلْمٍ يُنْتَفَعُ بِهِ أَوْ وَلَدٍ صَالِحٍ يَدْعُو لَهُ

Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. se vërtetë i Dërguari i Allahut s.a.v.s ka thënë:“ Kur njeriu të vdesë, veprimtaria e tij ndërpritet me përjashtm të tri gjërave, sadekaja e rrjedhshme, dituria nga e cila shërbehen njerëzit dhe fëmiu i mirë që bënë lutje për te.”(Ebu Davudi).

Nga ky hadith nënkuptohet se me këto tre veprime gradohet vetëm personi i cili gjatë jetës së tij ka njohur, resepektuar dhe ka praktikuar normat e Kur’anit, andaj edhe dobia e tyre nuk ndërpritet me vdekjen e tij por ajo vazhdon edhe më pas. Pastaj hadithi tjetër ku Pejgamberi a.s. ka thënë:

2599 قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ مَنْ سَنَّ سُنَّةَ خَيْرٍ فَاتُّبِعَ عَلَيْهَا فَلَهُ أَجْرُهُ وَمِثْلُ أُجُورِ مَنِ اتَّبَعَهُ غَيْرَ مَنْقُوصٍ مِنْ أُجُورِهِمْ شَيْئًا وَمَنْ سَنَّ سُنَّةَ شَرٍّ فَاتُّبِعَ عَلَيْهَا كَانَ عَلَيْهِ وِزْرُهُ وَمِثْلُ أَوْزَارِ مَنِ اتَّبَعَهُ غَيْرَ مَنْقُوصٍ مِنْ أَوْزَارِهِمْ

“Ai që ligjëzon (bënë tradit) një tradit (metod) të mirë, dhe ajo ndjeket, ai që e ka bërë tradit do të shpërblehet për atë, por do të shpërblehet siç shpërblehen ata të cilët e ndjekin (atë tradit), duke mos paksuar nga shpërblimet e tyre asgjë dhe ai i cili bënë  një tradit të keqe, ai për atë do të ketë mëkat (ndëshkohet) dhe ai do të ketë mëkat gjashm me ata të cilët e ndjekin atë tradit, duke mos paksuar mëkatet e tyre”,(Termidhiu)

Nga ky hadith qartazi vehet në pah se njeriu i cili është shkaktar që të hapë një rrugë të mirë, ai do të shpërblehet për te jo vetëm sa të jetë gjallë, por edhe pas vdekjes së tij përderisa ajo vepër të punohet.  Këtu përfshihet edhe mësimi dhe leximi i Kur’nit, sepse ai i cili do të jetë shkaktar që dikujt t’ia mësoj Kur’anin në rastin më konkret prindi dhe mësuesi,shpërblehen për veprën e tyre, por ky shpërblim vazhdon edhe pas vdekjes së tyre, sepse atij që ia mësuan Kur’anin saherë që ai të lexoj Kur’an, ata marrin shpërblimet e tyre në varr.

Pra të nderuar vëllezër forma më e mirë e përfitimit të sevapeve nga leximi i Kur’anit është kjo formë, e jo ajo që praktikohet tek ne. Për të realizuar këtë formë prindi detyrimisht duhet të kujdeset për fëmijën e tij, që t’ia mësoj leximin e Kur’anit, ta udhëzoj fëmijën për në Mekteb dhe të ulet para Mual-limit dhe të mësoj Kur’anin nëse dëshiron të arrijë gradën e atyre që shpërblimi i tyre pason edhe pas vdekjes, apo thënë troç nëse donë të jetë i gjallë edhe pas vdekjes. Në konteks të kësaj përkujtojmë hadithin e Muhamed Mustafas s.a.v.s ku ka thënë:

1241 أَنَّ رَسُولَ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ قَالَ مَنْ قَرَأَ الْقُرْآنَ وَعَمِلَ بِمَا فِيهِ أُلْبِسَ وَالِدَاهُ تَاجًا يَوْمَ الْقِيَامَةِ ضَوْءُهُ أَحْسَنُ مِنْ ضَوْءِ الشَّمْسِ فِي بُيُوتِ الدُّنْيَا لَوْ كَانَتْ فِيكُمْ فَمَا ظَنُّكُمْ بِالَّذِي عَمِلَ بِهَذَا *

“Kush lexon Kur’anin dhe vepron me atë që përmban Ai, (All-llahu xh.sh. ) do t’ia vesh prindërit e tij me kurorë ditën e Kiametit, drita e së cilit është më e mirë se sa drita e diellit në këtë botë, sikur të ishte (dielli) në mesin  tuaj, ç’mendoni se si do të jetë për atë që ka vepruar me të (Kur’anin)”.(Ebu Davudi)

Andaj, duke u mbështetur në këto argumente dhe shumë argumente tjera të pa theksuara në këtë temë qartë konstatohet se besimtari Islam nuk guxon të ketë bindje tjetër jashta asaj se Kur’ani është udhërrëfyes për të gjallit, dhe normat dhe udhëzimet e tija duhet praktikuar në mënyrë detyrimore në jetën e kësaj bote, dhe vetëm në këtë formë mund të kemi shpërblime edhe pas vdekjes.

Në fund lusim Allahun xh.sh. që të na bëjë pjestar të asaj kategorie të njerëzve për të cilët Pejgamberi a.s. ka thënë: “Më i miri nga ju është ai i cili e mëson Kur’anin dhe ua mëson të tjerëve.”

Shkrime të ngjashme