Kujdes nga kush e merrni fenë tuaj !

Shkruan: Jusuf ZIMERI

 Dijetarët e mëdhenj që kanë venduar themelet e diturisë dhe shkencave të ndryshme, siç janë Muhamed b. Sirini, Imam Malik b. Enesi dhe shumë të tjerë kanë thënë: “Dituria (shkenca) është fe, andaj kujdes nga kush e merrni fenë tuaj” Të njëjtën thënie e ka cituar edhe Imam Muslimi në hyrjen e Sahihut të tij.

Edhe pse kjo thënie nuk është e kohës së sotme, sigurisht se mesazhi i saj vjen në shprehje sot më shumë se kurdoherë më parë. Sot kur po pretendojmë se po jetojmë në shekullin e civilizimit, elektronikës, kulturës, diturisë, shkencës dhe teknologjisë, kur po pretendojmë se njerëzit janë më të ngritur në sferën e arsimimit dhe shkollimit, pikërisht në këto rrethana stimuluese gjithnjë e më shumë po ulet interesimi dhe dashuria rreth fjalës së shkruar apo më saktësisht rreth librit. Sa më shumë po materializohet bota njerëzore, aq më shumë po rritet kriza e vlerave dhe kriza morale, e me përdhosjen e këtyre dy vlerave, realisht përdhoset vetë qenia njeri.

Pas kësaj thënie mendoj se fshehët edhe një mesazh shumë i rëndësishëm, që ne shumë pak e kemi kuptuar. Ky mesazh zbërthehet nga përpilimi semantik i fjalisë kur thotë: “Dituria-shkenca është fe”, që nënkupton dy çështje thelbësore, që janë: dituria e mirëfilltë gjithmonë është në harmoni me fenë – islamin, kurse devijimet dhe keqinterpretimet nuk përkojnë as me shkencën e as me islamin, dhe çështja tjetër që nënkuptojmë është se: se çdo gjë që lexohet nuk është dituri e shkencë e as fe.

Interneti & libri !

Sot jemi dëshmitarë se po dominon elektronika, e me theks të veçantë interneti, kurse interesimi i leximit të librit gjithnjë e më shumë po zbehet. Ndoshta dikush këtë do ta arsyetonte me dinamikën e kohës, andaj këtë e quan lehtësi e përparim, por dikush do ta quante edhe djallëzi. Të arsyetuarit e të metave dhe defekteve tona me elementin kohë, është karakteristikë e njerëzve të marrë, të cilët nuk kanë gatishmëri që asnjëherë të korrigjohen nga të metat e tyre. Andaj Imam Shafiu ka thënë: Po e fajësojmë kohën, e faji është tek ne, koha nuk ka asnjë faj tjetër përveç nesh”.

Të larguarit nga leximi i librit dhe marrja e informatave drejtpërdrejtë nga interneti që është medium i pa kontrolluar me informata të pa verifikuara as shkencërisht e as fetarisht është shndërruar në një epidemi sociale në shoqërinë tonë, që ka kaluar në metastazë te të gjitha kategoritë e njerëzve në shoqërinë tonë, si te të paarsimuarit, të arsimuarit, mësuesit, profesorët, studentët, gazetarët hoxhallarët etj. Formimi i bindjes mbi bazën e informatat të pa verifikuara dhe plasimi i tyre në shoqëri, sjell pasoja të pa parashikuara te shoqëria njerëzore. Rinia jonë nuk po brumoset dhe nuk po formohet me librin e shkruar, nga i cili jo vetëm që lexohet dhe mësohet por edhe e ndien në shpirt prekjen e tij, por po brumoset dhe formohet me internetin dhe mediume tjera.

Ne, me këtë nuk po sulmojmë internetin, sepse ky medium elektronik le të shërbejë si mjet i cili përshpejton arritjen deri te një informatë apo e dhënë shkencore, por kjo nuk guxon të jetë burim i diturisë, shkencës dhe fesë, pa u verifikuar, siç po ndodhë sot. Andaj si pasojë e keqpërdorimit të këtij mediumi, shpeshherë vërejmë se njerëzit pa nguruar fare, duke lexuar disa informata të pakontrolluara nga interneti, apo duke parë dhe dëgjuar disa Youtube  nga njerëz jo kompetent nëpër internet, shpejtojnë të japin vlerësime e pse jo edhe konkluza për shumë çështje fetare e shkencore. Pastaj për të qenë ironia edhe më e madhe, është se konkluzat të pa verifikuara dhe të gabuara i mbrojnë me fanatizmin më të madh, dhe kështu ulin imazhin e fesë dhe shkencës në njërën anë, dhe në anën tjetër shkaktojnë përçarje dhe fitne mes n jerëzve.

Ne edhe më tutje ngelim të paluhatshëm në qëndrimin se, mësuesi dhe libri janë elemente bazë në formimin e personalitetit fetar dhe shkencor të individit. Dituria pa fundament dhe pa zinxhirë, pra pa mësues dhe pa libër, është sikur fëmija që nuk i dihen prindërit e tij, dhe nuk mund të verifikosh gjenezën e tij. Islami duke kuptuar mirë vlerën e diturisë, rolin dhe rëndësinë e saj, duke qenë i bindur se injoranca luftohet vetëm me dituri dhe errësira vetëm dritë, metodologjisë së bartjes së diturisë dhe shkencës nga gjenerata në gjeneratë i përkushto vëmendje të veçantë duke përcaktuar kritere dhe filtra të veçantë, që ruajnë vlerën dhe integritetin e fesë dhe shkencës, sepse feja dhe shkenca pa kritere dhe filtra janë jo vetëm të pa vlefshme, por edhe të dëmshme, ngase çdo kush do të fliste çfarë të dojë dhe njëkohësisht të thirret në emër të fesë apo shkencës, siç po ngjanë sot.

Islami dhe dijetarët eminent islamë nëpër shekuj, qartë na e kanë bërë të ditur se dituria është e shenjtë, kurse e vetmja rrugë për të arritur deri te dituria është leximi, andaj jo rastësisht edhe fjala e parë e shpallur te Muhamedi a.s. ishte Lexo. Lexo sepse vetëm përmes leximit mund të arrish deri te e vërteta, vetëm përmes leximit mund ta luftosh injorancën, errësirën, vetëm përmes leximit mund ta luftosh robërinë ndaj krijesave dhe ti përkushtohesh Krijuesit, vetëm përmes leximit mund ta njohësh vetveten tënde, fenë tënde, realitetin tënd, gjenezën tënde, vetëm përmes leximit mund ta ndërtosh ardhmërinë tënde jo vetëm në jetën e kësaj bote, por edhe të botës tjetër-Ahiretit.

Kështu e kishin kuptuar dijetarët eminent islam rolin dhe rëndësinë e diturisë, për këtë arsye ata shpëtimin e shihnin vetëm te leximi. Andaj njëri nga nxënësit e Ebu Hanifes Hasen b. Zijad El-Lu’luij duke e kuptuar vlerën e leximit, kishte thënë: kaluan dyzet vite, që unë as nuk jam kam fjetur e as nuk jam zgjuar pa pasur librin në gjoksin tim. Pra libri është sinonim dhe burim i diturisë, e Imam Evzaiju ka thënë: Humbja e diturisë bëhet atëherë kur humbin burimet (zinxhiri) i diturisë”

 Unë mendoj kështu !!

Në kohën tonë gjithnjë e më shumë po paraqitet një dukuri e çuditshme që mbështetje po gjen kinse në lirinë e të shprehurit dhe të menduarit. Kjo dukuri është shprehja “unë mendoj kështu” dhe kam të drejtë të mendoj, sepse është e drejtë e imja.

Po e vërteta është se çdokush ka të drejtë të mendoj, sepse është qenie njeri dhe me këtë dallohet ka krijesat tjera, por duhet ditur një fakt, se mes mendimit dhe konkluzës ekziston dallim shumë i madh. Në anën tjetër, islami pikërisht kërkon nga njeriu që të angazhojë mendjen për të menduar dhe logjikuar. Kjo është nxitje islame, por duhet pasur kujdes se të menduarit pa e angazhuar logjikën nuk të ngritë në nivel, përkundrazi të zbret nën nivelin e krijesave tjera. Të menduarit për një çështje të caktuar pa e lodhur mendjen është më e dëmshme se mos mendimi për të. Dijetari i shekujve Imam Maliku ka thënë: Nëntëmbëdhjetë vite mendova për një çështje, hulumtova lexova e studiova, dhe akoma nuk formulova bindjen deri më tani. E ne, me të dëgjuar një video në Yutube, apo me të lexuar një punim të pakonfirmuar në internet, menjëherë ndërtojmë qëndrimin dhe shpalosim atë duke thënë: ”Unë mendoj kështu”.

Imam Ibni Hazmi rahimehull-llah  në librin e tij “ Mudavatu en-nufus” thotë: “Nuk ka sakatosje më të madhe për shkencën, diturinë dhe dijetarët, se sa ndërhyrja në dituri e atyre që nuk janë nga shkenca. Ata janë të pa dijshëm (xhahila) kurse mendojnë se janë dijetarë, ata shkatërrojnë e masakrojnë por pretendojnë se po vendojnë rend dhe po bëjnë reforma”.

Dijetari Malik b. Nebiji, në librin e tij “Shurutu en-nehdati –kushtet e renesancës” përshkruan këtë dukuri duke thënë: “Në të kaluarën ne kishim një sëmundje që shërimi ishte i mundur, e që ishte analfabetizmi, por sot, po shohim shumë sëmundje bashkëkohore moderne që ndërlidhen me mësimin, apo më mirë thuaj me devijimin e të mësuarit dhe shkencës, e kjo është shumë më vështirë të mjekohet.

Është shumë interesantë fakti se këta të vetëshpallurit dijetarë, që marrin tituj e licenca nëpër podrume të ndryshme sepse në të shumtën e rasteve janë të përjashtuar nga qendrat shkencore për shkak të dobësisë së tyre, në të shumtën e rasteve kur dëshirojnë të shpallen si dijetarë eminent ngacmojnë pika më alergjike të Islamit. Ngacmojnë ato pika ku dijetarët islamë kanë kundërthënie mes veti, që në lëmin e fikhut njihen me termin mesail ihtilafije. Është e vërtetë se dijetarët nuk janë pajtuar në të gjitha çështjet islame, por në ato që janë të dorës së dytë, dhe këtu fshehët urtësia e mëshirës mes dijetarëve islam, sepse ata asnjëherë nuk u nënçmuan, por kur në këto çështje u futën jodijetarët, respektivisht xhahilat shkaktuan turbullira dhe përçarje në opinion, pikërisht për shkak të mbrojtjes së mendimit të tij me fanatizëm. Dijetari islam Kulthum Itabiju në librin e tij Mu’xhemul udeba thotë:”Sikur të heshtnin ata që nuk dinë, sigurisht se nuk do të kishte as përçarje”. Kurse Imam Ebu Hamid El Gazali thotë: Sikur të heshte ai që nuk din, do të pakoheshin dallimet

Ndalen në këto pika sepse duan të shpallen më dijetarë se dijetarët, duan që me pavlerat e veta të rrënojnë vlerat e dijetarëve, dhe në fund të fundit të ndalin hovin që myslimanët të mos ecin me kohën, por të kthehen prapë. Po, këto vlera islame i kanë shtjelluar dijetarët islam shekuj me radhë, e nuk kanë lënë vend për “dijetarët” që vetëm brenda disa javëve apo muajve e shpallën veten dijetar, dhe me plotë gojën pa kurrfarë turpi thënë :”Unë mendoj kështu”. Kjo i përngjet shembullit të atij që ishte bërë hoxhë për tri ditë !

Imam Ibni Tejmije Rahimehull-llah në mexhm,ual fetave ka thënë: Më së shumti që e shkatërrojnë këtë botë janë: gjysmë dijetari që flet shumë, gjysmë fekihu, gjysmë mjeku, gjysmë gramaticienti. Këta i prishin fetë, prishin shtetet, prishin organizmat dhe prishin edhe gjuhën”

Në fund po përfundoj me thënien i Abdullah b. Mes’udit r.a. i cili apelon dhe thotë: “O ju njerëz, kush pyetet për një çështje shkencore le të tregojë nëse ka dituri, e nëse jo le të thotë: All-llahu e din, sepse nga shenjat e dijetarit është që të thotë për atë që nuk e din, All-llahu e din.

Shkrime të ngjashme