Shkruan: Jusuf ZIMERI

Drejtësia, drejtësia, drejtësia, këtë fjalë e dëgjon çdokush gjithkund nga çdokush, por askund të vërehet, të shijohet apo përjetohet. A thua drejtësia është vetëm një fenomen abstrakt ose imagjinatë e paramenduar nga aristokratët, apo ndoshta është një virtyt për të liruar shtresën shoqërore pikërisht nga aristokracia. Sipas të gjitha gjasave, së paku në nënqiellin ballkanik, gjithnjë e më shumë po thellohet bindja se strukturat udhëheqëse të shoqërisë ballkanike kanë rënë në pragmatizëm dhe assesi nuk po arrijnë të lirohet nga kjo përgjumësi e të kuptuarit të drejtësisë. Doemos duhet theksuar se në shoqërinë tonë drejtësia po kuptohet dhe definohet vetëm si qëndrim joparimor duke shkelur mbi të vërtetën objektive për të përfituar interesat e çastit.

Kur të flasim për nocionin “drejtësi” në aspektin religjioz me automatizëm nënkuptojmë se flasim për një virtyt të njeriut të devotshëm dhe të sinqertë, virtyt ky i cili me xhelozi kultivohet dhe ruhet te njerëzit e mençur. Implementimi i drejtësisë në shoqërinë religjioze konsiderohet shenjtëri dhe adhurim, të cilin Profeti Muhamed a.s. e ngriti në nivelin e adhurime detyrimore të përditshme të besimtarit islam. Në kontekst të kësaj drejtësia trajtohet si kusht i domosdoshëm i udhëheqjes, paqes, qetësisë, harmonisë dhe stabilitetit në shoqërinë njerëzore.

Kur flasim për nocionin “drejtësi” në aspektin legjislativ, nënkuptojmë një sërë aktesh normative të cilat garantojnë ruajtjen dhe implementimin e të drejtave të çdo individ në shoqërinë njerëzore.

Kur sot flasim për nocionin “drejtësi” në shoqërinë tonë aktuale, qytetarit tonë menjëherë i shkon mendja te strukturat politike që janë fatlumtur e që në emër të drejtësisë luajnë me fatin e qytetarëve dhe përcaktojnë kriteret e drejtësisë sipas standardeve të shumëfishta. Menjëherë i kujtohet ministria e punëve të brendshme dhe aksionet e tyre famoze, i kujtohen gjykatat dhe vendimet për paraburgime të përgatitura nga elita politike e të nënshkruara dhe vulosura nga gjykatësit që drejtësinë e kanë mësuar në institucionet partiake, etj etj.  Ky është realiteti faktik, perceptimi si e kupton opinioni i gjerë drejtësinë, kurse me gjuhën e realitetit kësaj gjendje i thonë krim i organizuar institucional i mbuluar me petkun e drejtësisë.

Pse ndodhë kështu ?

Edhe pse për ti dhënë një përgjigje të saktë kësaj pyetje nuk është aq lehtë, megjithatë unë jo vetëm që mendoj, por jam thellë i bindur se në shoqërinë tonë ekziston forcë adekuate intelektuale për shkoqitjen e këtij fenomeni, dhe për të dhënë përgjigje ekzakte. Mendoj se problemi nuk qëndron këtu, por kjo çështje është shumë më e ndërlikuar, më e thellë se sa që duket dhe ekspozohet!

Megjithatë ne po bëjmë përpjekje të deshifrojmë disa faktorë që ndihmojnë kultivimin e drejtësisë hipokrite me standarde të shumëfishtë, që janë:

  • Ø Zhveshja e individit si anëtar i barabartë i shoqërisë nga komponenti shpirtërorë, respektivisht diferencimi nga gjysma e identitetit individual dhe shoqëror në kompensim të ndërtimit të sistemit të rrejshëm demokratik, i cili servohet nga kuzhinat komuniste-sekulariste.
  • Ø Mos funksionimi i parimit të lirisë së barabartë në shoqërinë tonë, respektivisht ujitja e parimit dy arshinësh sepse ekziston populli i cili gjithnjë duhet të aktrojë rolin e lypësit   dhe përballë tyre elita e popullit e cila në dorën e tyre ka helikën për të lëshuar sasi të konsiderueshme të ajrit që të mos vdesë populli. Ata pretendojnë se kanë në dorën e tyre, pushtetin, drejtësinë, lirinë, ekonominë e çka jo. Andaj ai që dëshiron të mbijetojë, patjetër duhet t’i nënshtrohet kësaj elite, përndryshe do të viktimizohet si viktima e qengjit para ujkut të tërbuar.
  • Ø Servilizmi i pa kushtëzuar për përfitime mediokre vetjake, klanore e grupore në kurriz të atyre që i dhanë besimin për të menaxhuar me të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me identitetin dhe sovranitetin e një populli.
  • Ø Eliminimi dhe zhdukja e tërësishme e kriterit të vlerësimit të vlerave dhe etikës, dhe vënia në funksion të parimit se vlera është vetëm ajo që unë e vlerësoj si të tillë, pavarësisht nga realiteti racional shkencor e fetar.
  • Ø Pa gatishmëria e elitës që së paku të dëgjojë klithmat e atyre mbi të cilët kanë venduar çizmet e hekurta të një diktature moderne të quajtur demokraci liberale. Për këtë nuk nevojiten shumë analiza dhe argumente, ngase vërteton vetë fakti kur krerët dhe liderët e partive politike “demokratike” që shpalosin veten e tyre si “yje” të demokracisë, asnjëherë nuk pranuan në që zgjedhjen e tyre së paku të kenë kandidat formal nëse jo serioz. Kjo së paku na përkujtonte sistemin monist – demokratik, kur na e jepnin listën e votimit ku thuhej: Zgjedh nga dyzet, dyzet”. A nuk është demokraci kjo, kur lideri i partisë politike, vendos nga Tetova dhe Reçica, se kush duhet të kandidoj për deputet dhe kryetar komune në të gjitha njësitë zgjedhore, e pastaj popullit i thuhet, urdhëro, keni të drejtë demokratike të votoni dhe të zgjedhoji bukën, ose bukën, sepse po të ishte kulaçi sërish do kishte një demokraci minimale? Nejse për këtë do flasim herëve tjera.
  • Ø Krijimi i miteve nga figurat e veçanta, me imunitet të shkallës së lartë të paprekshmërisë, mite këto para të cilëve jo vetëm që duhet heshtur çdo kush, por edhe përkulur, identik sipas mitit të xhaxhit Enver, sepse çdokush që flet para tyre etiketohet me cilësinë tradhtarit të kombit dhe fesë. Këto mite që po i krijojmë ne, respektivisht që po i imponohen popullit të shkretë po shndërrohet në idhuj të pavdekshëm dhe fati i tërë popullit po lidhet me dy apo tre persona. Mirëpo këto mite me rrezet e para të diellit të pranverës po fillojnë të përshurren ndërveti e pastaj fajtor është dielli, më falni populli i shkretë që po kërkon së paku dielli ti ngrohë dhe tua lirojë eshtrat nga diktatura e ftohët politike-demokratike ngase kjo është shpresa e fundit.

Për të mos e zgjatur më shumë, këto janë vetëm disa faktorë që po masakrojnë popullin ditën përmes gjobave e natën përmes arrestimeve.

Unë mendoj se populli shqiptar në Maqedoni detyrimisht duhet ti marrë çështjet dhe fatin e tyre në duart veta dhe t’u thotë STOP këtyre që në kurrizin dhe dëmin tonë po ndërtojnë jetë luksoze, këtyre që besën tonë po e shesin për pesë para. Populli duhet të flasë një ditë, dhe sigurisht se do flasë, sepse këtë e ka dëshmuar historia, por duhet që ky popull tani më mos tu besoj atyre që na e shitën besën në monstrum, në Sopot, në Gostivar, në Shkup, në Brodec, në Radushë e gjetiu. Mendoj se ka ardhur koha kur popullata shqiptare dhe ajo islame përfundimisht të injorojë këta njerëz që për ca lekë të pa vlerë na e shitën besën. Injorimi ndaj tyre është vetëm tërheqja e besimit ndaj tyre, tërheqja e votave, të bojkotohen votimet në shenjë injorimi derisa në skenë të dalin njerëzit me vlera të larta kombëtare, fetare, politike, shkencore etj.

Padëgjueshmëria qytetare ndaj subjekteve dhe institucioneve tona është bërë obligim qytetar i çdo shqiptari, derisa të përmirësohet gjendja dhe drejtësisë ti thonë drejtësi e krimit krim, pavarësisht nga kush kryhet. Nuk kemi më forcë për të paguar faturat e aventuristëve që keqpërdorin djersën dhe kafshatën e bijve dhe bijave tona.

Shkrime të ngjashme