I.2. Argumentet për lejimin e Mevludit

Dijetarët islamë të cilët u morën me studimin e çështjes së Mevludit në historinë e islamit janë të shumët, e në mesin e tyre ka edhe shumë vepra që janë shkruar në këtë lëmi. S’do mend se studimet e tyre për përcaktimin e dispozitës së manifestimit të lindjes Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, – mevludit, u mbështetën në argumentet autentike burimore islame, andaj përfundimet e tyre ishin se manifestimi i lindjes së Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme nuk ëshstsë çështje që e dëmton parimin islam, por përkundrazi është çështje që ndihmon zhvillimin e jetës islame dhe afron njerëzit drejt dashurisë së Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme e veçanërisht gjeneratën e re.

Para se të lëshohemi në argumentet ku dijetarët islamë mbështeten mendimet e tyre, për të mos formuar huti te lexuesi, patjetër duhet të theksojmë se në mesin e këtyre dijetarëve që lejuan manifestimin e mevludit, ka të tillë që nuk pranojnë teorinë se Mevludi është Bidat, por këtë e shohin si një sunnet të mirë(rrugë të mirë), kurse disa prej tyre, janë të mendimit se Mevludi vërtetë është një bidat, por është nga bidatet –risi, sepse në aspektin gjuhësorë nuk mund ta quajmë ndryshe, por në aspektin terminologjik të sheriatit islam është veprim i mirë që duhet vepruar, ngase nuk ka asnjë argument të shëndoshë që ndalon këtë veprim. Andaj në esencë të gjithë pajtohen për ligjësimin e mevludit, porse si duket këta kanë dallime mes veti vetëm në mënyrën e manifestimit të lindjes së Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, e këtë do ta vërejmë më poshtë gjatë argumentimit. Argumentet ku këta dijetarë mbështesin mendimin e tyre për lejimin e mevludit janë nga Kur’ani, Sunneti, Ixhmai, Kijasi dhe nga disa argumente sekundare apo të dorës së dytë. Në vazhdim do të sjellim argumentet e tyre.

I.3. Argumentet nga Kur’ani Fisnik

Dijetarët Islamë shpalosjen dhe demonstrimin e gëzimit dhe haresë për lindjen e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, jo vetëm që e mbështesin në argumentet autentike islame, por këtë çështje e paraqitën edhe si çështje të kërkuar dhe imperativ Kur’nor, duke u mbështetur në ajetin kur’anor ku Allahu xh.sh. thotë:

قُلْ بِفَضْلِ اللَّهِ وَبِرَحْمَتِهِ فَبِذَلِكَ فَلْيَفْرَحُوا هُوَ خَيْرٌ مِمَّا يَجْمَعُونَ

 “Thuaj: “Vetëm mirësisë së All-llahut dhe mëshirës së Tij le t’i gëzohen, se është shumë më e dobishme se ajo që grumbullojnë ata[1]”.

Nga ky ajet qartë vërehet se Allahu xh.sh na urdhëroi që t’i gëzohemi begative dhe mëshirës së Tij, sepse përmes gëzimit ekspozohen simptomat e falënderimit ndaj Allahut xh.sh.. Përderisa porosia profetike është që besimtari islam edhe në rastet kur merr pjesë në ndonjë gëzim të vëllait të tij të shpalosë shenjat e gëzimit, edhe nëse në vete ka shqetësime, dhe në të kundërtën kur të marrë pjesë në ndonjë pikëllim të vëllait të tij, duhet ti paraqes shenjat e dëshpërimit, edhe nëse ai vetë është i gëzuar, atëherë do të ishte më me përparësi që shenjat e gëzimit të shpalosen dhe demonstrohet në çështjet që ndërlidhen drejtpërdrejtë me të.

Meqë ajeti Kur’anor, në mënyrë imperativi na urdhëron të gëzohemi për begatitë dhe mëshirën e Allahut xh.sh., dhe në anën tjetër nuk ka dilemë mes dijetarëve islamë se, i Dërguari i Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, është begatia dhe mëshira më e madhe jo vetëm për muslimanët por për mbarë njerëzimin dhe, jo vetëm kaq, por është mëshirë për të gjitha botët, botën njerëzore, botën e xhinëve, botën bimore, botën shtazore etj, pra për të gjitha krijesat. Tërë kjo vërtetohet me ajetin Kur’anor ku Allahu xh.sh. thotë:

وَمَا أَرْسَلْنَاكَ إِلاَّ رَحْمَةً لِّلْعَالَمِينَ

E Ne të dërguam ty (Muhammed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat[2]

Këtë e përforcon edhe komentuesit më i njohur i Kur’anit, zotëriu jonë Abdullah b. Abasi r.a.[3] i cili në shpjegimin e ajetit thotë: “Mirësia e Allahut xh.sh. është dituria, kurse mëshira e Tij është i Dërguari i Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme,,”. Në shpjegimit e këtij ajeti mbështetet edhe komentuesi i njohur i Kur’anit Imam Alusi[4] i cili në tefsirin e tij lejon manifestimin e lindjes së Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme. Nga kjo përfitohet fakti se gëzimi për të Dërguarin e Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme është çështje e kërkuar në çdo kohë, për çdo begati dhe për çdo mirësi, por ky gëzim shtohet çdo ditë të hënë, çdo vit në muajin Rebiul Evvel, për shkak të rastit që shënonë koha. Dijetari i famshëm Imam Muhamed Muteveli Sha’raviu, i nxitur nga kuptimi i këtij ajeti thotë: “është fakt se njerëzit janë gëzuar për lindjen e Pejgamberit Alejhis-selam në këtë botë, pastaj janë gëzuar edhe krijesat e ngurta për lindjen e tij, u gëzuan edhe bimët, u gëzuan edhe kafshët për lindjen e tij, u gëzuan edhe xhinët për lindjen e tij, atëherë, pse po na e ndaloni që edhe ne të gëzohemi për lindjen e tij”

Në kontekst të kësaj dijetari i famshëm hafidh Shemsudin Es-Sehavi thotë një thënie shumë të fuqishme që është: Sikur prej kësaj dite të mos kishte asnjë të mirë tjetër përveç britmës dhe hidhërimit të djallit, si dhe gëzimit të besimtarëve dhe muslimanëve, do të mjaftoje manifestimi për këtë ditë.[5]

Shejh Shemsudin El Xhezriju shpjegon ngjarjen e Ebu Lehebit, duke thënë:[6] Është parë Ebu Lehebi në ëndërr, dhe ishte pyetur: Si është gjendja jote o Ebu Leheb?. Ai kishte thënë:Unë jam në zjarr të xhehenemit, mirëpo ndëshkimi i zjarrit më lehtësohet çdo të hënë mbrëma në atë mënyrë që e freskoj trupin tim duke thithur nga këto dy gishtërinj (gishti tregues dhe gishti i madh). Është interesant se shkaku i lehtësimit të zjarrit të xhehenemit apo i freskimit të trupit të Ebu Lehebit, njeri ky për të cilin ka zbritur Kur’an dhe është vërtetuar ndëshkimi i tij, ndërlidhet pikërisht gëzimin e lindjes së Pejgamberit Alejhis-selam ku nga hareja dhe gëzimi që pati për lindjen e Muhamedit liroi robëreshën e tij Thuvejben. Këtë e vërteton edhe Imami i Shamit Hafidh Shemsudin Nasirudin Ed-Dimeshkiju në veprën e tij “Mevridu Es-sadij fi mevlidil hadij” i cili vërteton se Ebu Lehebit i lehtësohet ndëshkimi për shkak të gëzimit të tij ndaj lindjes së Pejgamberit Alejhis-selam, ashtu edhe Ebu Talibit që këtë ditë transferohet nga një dënim më i rëndë, në një dënim më të lehtë. Këtë tregim e ka komentuar edhe imam Buhariu në Sahihun e tij në kapitullin “En-Nikah” nëntitulli “nënat tuaja që ju kanë dhënë gji” me transmetim nga Urvete. Gjithashtu këtë ngjarje e ka komentuar edhe Imam El Bejhekiu. Imam Abdurrezak Es-San’ani në musanifin e tij me transmetim Ma’meri e ky nga Zuhriju i cili ka thënë: Më ka informuar Urvete për të njëjtën ngjarje. Përderisa disa dijetarë siç është Es-Suhejliju thonë se këtë ëndërr e kishte parë Abbasi r.a. xhaxhai i Pejgamberit Alejhis-selam Pra, nëse për shkak të manifestimit të gëzimit të lindjes së Pejgamberit Alejhis-selam Allahu xh.sh. i lehtësoi një jomuslimani, atëherë çka mund të thuhet për gëzimin dhe harenë që e manifeston një besimtarë islam me rastin e lindjes së Pejgamberit Alejhis-selam!

Allahu xh.sh. thotë:

وَذَكِّرْهُمْ بِأَيَّامِ اللَّهِ إِنَّ فِي ذَلِكَ لَآيَاتٍ لِّكُلِّ صَبَّارٍ شَكُورٍ

“..dhe përkujtoju atyre ditët e Allahut (të mirat e All-llahut që u dhuroi), se vërtet në ato (përkujtime) ka argumente për secilin që është shumë i durueshëm dhe shumë falënderues”.[7]

Ibni Kethiri na e bënë të ditur se me nocionin përkujto “ditët e Allahut” ka për qëllim begatitë dhe mirësitë e Allahut xh.sh. Në një hadith të transmetuar nga Abdullah b. Imam Ahmed b. Hanbeli në Musnedin e babait të tij ku ka thënë: Më ka treguar Jahja b. Abdullahi i liruari i fisit beni Hashim, na ka treguar Muhamed b. Eban El Xha’fiju nga Ebu Is’haki, ky nga Seid b. Xhubejri, ky nga Ibni Abbasi, ky nga Ubeje b. Ka’bi e ky nga Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, se në shpjegimin e ajetit “dhe përkujtoju atyre ditët e Allahut (të mirat e All-llahut që u dhuroi)” janë për qëllim “begatitë e Allahut të Lartëmadhërishëm”[8] Ibni Abasi thotë se nocioni “bi ej-jamil-lahi” janë për qëllim begatitë dhe fitoret sepse begatitë në gjuhën arabe mund të quhen ndryshe edhe me nocionin “Ejam” që në kuptimin bukval don të thotë ditë. Pra nga kjo nënkuptohet se besimtarët islamë janë të detyruar të përkujtojnë ditët në të cilat kanë ndodhur ngjarje të mëdha dhe të rëndësishme për besimtarët.[9]

Ngjashëm sqaron edhe Imam Ibni Xherir Et-Taberiu në tefsirin e tij Tefsiru Et-Taberij ku thotë: të këtij mendimi janë Fudejl b. Ijadi me transmetim nga Lejthi e ky nga Muxhahidi i cili ka thënë, se me nocionin “ejamul-lah” janë për qëllim begatitë e Allahut. Përveç transmetimit të Lejthit këtë mendim të Muxhahidit e përforcon edhe transmetimi i Ubejd el Mektubit, transmetimi i Husejnit, transmetimi i Ebu Nuxhejhit dhe transmetimi i Ebu Xhurejxhit.

Imam Muhamed Et-Tahir Ibni Ashuri, në tefsirin e tij “Et-tahriru vet-tenvir” duke shpjeguar ajetin në fjalë citon se nocioni “përkujtoju atyre – dhek-kirhum” nënkupton fshirjen e harresës dhe i bënë vërejtje besimtarëve islamë që të mos anashkalojnë përkujtimin e begative dhe mëshirës së Allahut xh.sh.

Ato ngjarje janë të shumta, në jetën e Pejgamberit Alejhis-selam, siç janë ngjarja e Isras dhe Miraxhit, hixhreti, fillimi i zbritjes së Kur’anit, pra nata e Kadrit etj, por ajo që është më e rëndësishmja dhe lokomotiva e tërë këtyre ngjarjeve është lindja e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme sepse pa lindjen e tij, nuk do të kishin ndodhur asnjë nga këto që i përmendëm. Meqë lindja e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme është nga begatitë më madhështore për Ummetin islamë, atëherë në këtë ajet gjendet imperativi që ti përkujtojmë njerëzit me begatitë e Allahut dhe me mëshirën e Tij, nënvizohet qartë se manifestimi i mevludit përfshihet brenda këtij imperativi.

All-llahu xh.sh. thotë:

Pasha jetën tënde (Muhammed), s’ka dyshim se ata (populli i Lutit) ishin të humbur në dehjen e tyre”[10].

Në tefsirin e imam Kurtubiut,, gjejmë e Kadi Ebu Bekr El Arabij, i cili thotë se ekziston konsensus mes komentuesve të Kur’anit Fisnik, se me këtë betim Allahu xh.sh. betohet në jetën e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, dhe atë në shenjë nderi dhe respekti që Allahu xh.sh. e ngriti atë. Se betimi i Allahut xh.sh. ishte një respekt i veçantë ndaj Pejgamberit Alejhis-selam vërteton edhe Ebu el Xhevzai i cili thotë, se, Allahu xh.sh. asnjëherë nuk është betuar në jetën e askujt tjetër, përveç në jetën e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme [11]

Ibni Kethiri në tefsirin e tij, këtë e argumenton me transmetimin nga Amr b. Malik En-Nekriju nga Ebu El Xhevzai, ky nga Ibni Abbasi se vërtetë ai ka thënë: All-llahu nuk krijoi e as nuk shumoi apo pastroi ndonjë shpirt më fisnik se sa ai i Muhamedit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, dhe nuk kam dëgjuar që Allahu të jetë betuar në jetën e dikujt tjetër përç në jetën e tij dhe tha: Pasha jetën tënde (Muhammed), s’ka dyshim se ata (populli i Lutit) ishin të humbur në dehjen e tyre” Transmeton Ibni Xheriri

Nga ky ajet shihet qartë se sa e rëndësishme ishte jeta e pejgamberit Alejhis-selam sa e pëlleshme dhe sa profitabile ishte jo vetëm për muslimanët, por për mbarë botën njerëzore, sepse po të mos ishte kështu, atëherë edhe betimi i Allahut xh.sh. në jetën e Pejgamberit do të ishte i pa vlerë. Neve mirë e dimë, se jeta e njeriut fillon me lindjen e tij në këtë botë, dhe përfundon me vdekjen e tij, respektivisht me kalimin e tij në jetën e përhershme. Andaj për derisa jetën e Pejgamberit Alejhis-selam e madhëroi Allahu xh.sh. përmes betimit të Tij, atëherë edhe nga ne është obligim të respektojmë dhe madhërojmë ditët e jetës së Pejgamberit Alejhis-selam duke filluar nga dita e lindjes së tij, dhe kështu i ngritim shenjat dhe simbolet islame.

I.4.Argumentet nga Sunneti i Pejgamberit Alejhis-selam

Në Sahihun e Imam Muslimit gjejmë hadithin e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ku thotë:

وحَدَّثَنِي ابْنُ أَبِي عُمَرَ ، حَدَّثَنَا سُفْيَانُ ، عَنْ أَيُّوبَ ، عَنْ عَبْدِ اللَّهِ بْنِ سَعِيدِ بْنِ جُبَيْرٍ ، عَنْ أَبِيهِ ، عَنِ ابْنِ عَبَّاسٍ رَضِيَ اللَّهُ عَنْهُمَا ، أَنّ رَسُولَ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ قَدِمَ الْمَدِينَةَ ، فَوَجَدَ الْيَهُودَ صِيَامًا يَوْمَ عَاشُورَاءَ ، فَقَالَ لَهُمْ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ : ” مَا هَذَا الْيَوْمُ الَّذِي تَصُومُونَهُ ؟ ” ، فَقَالُوا : هَذَا يَوْمٌ عَظِيمٌ ، أَنْجَى اللَّهُ فِيهِ مُوسَى وَقَوْمَهُ ، وَغَرَّقَ فِرْعَوْنَ وَقَوْمَهُ فَصَامَهُ مُوسَى شُكْرًا ، فَنَحْنُ نَصُومُهُ ، فَقَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ : ” فَنَحْنُ أَحَقُّ وَأَوْلَى بِمُوسَى مِنْكُمْ ، فَصَامَهُ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ ، وَأَمَرَ بِصِيَامِهِ “

Më ka treguar Ibni ebu Omer, na ka treguar Sufjani nga Ejjubi, ky nga Abdullah b. Seid Xhubejri, ky nga babai i tij, e ky nga Ibni Abbasi r.a., se vërtetë i Dërguari i Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme  kur kishte emigruar në Medinen e ndritshme, atje kishte gjetur çifutët duke e agjëruar ditën e Ashuras (dita e dhjetë e muajit Muharrem). Kur vërejti se ata agjëronin këtë ditë, çifutëve iu drejtua duke u thënë: “Çka është kjo ditë që po e agjëroni ?” Ata iu përgjigjën: kjo është ditë madhështore, këtë ditë All-llahu e shpëtoi Musanë dhe popullin e tij (nga Faraoni) dhe këtë ditë e fundosi Faraonin dhe popullin (ushtrinë) e tij, andaj këtë ditë e agjëroi Musa Alejhis-selam në shenjë falënderimi ndaj Allahut xh.sh., e edhe ne e agjërojmë këtë ditë. I Dërguari i Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme tha: “Ne kemi më shumë të drejtë dhe më shumë prioritet se ju për Musan Alejhis-selam, andaj këtë ditë e agjëroi i Dërguari i Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme dhe i urdhëroi shokët e tij ta agjërojnë këtë ditë”[12]

 Ibni Haxher El Askalani gjatë studimeve të tija shkencore që i bënë në përpjekjen e tij për të ardhur deri te dispozita e Mevludit, tregon qartë se ka përfunduar në faktin se Mevludi ka bazë në argumentet autentike islame, pikërisht duke u mbështetur në hadithin e lartpërmendur të regjistruar te Buhariu dhe Muslimi.

Nga hadithi në fjalë në mënyrë të qartë dhe decide tregohet motivi i agjërimit të çifutëve ditën e ashuras, andaj kur Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, u informua për motivin dhe arsyen e agjërimit, jo që nuk e kontestoi këtë agjërim, por për kundrazi iu përgjigj çifutëve duke thënë: “Se ne kemi më shumë prioritet se ju për Musan Alejhis-selam” sepse ai ishte Pejgamberi i Alllahut xh.sh., misioni i tij dhe i Muhamedit Alejhis-selam në esencë ishin të njëjtë. Përderisa Muhamedi Alejhis-selam nuk demantoi këtë lloj të manifestimit të tyre që kishin për Musan Alejhis-selam, por e përvetësoi për veten e tij dhe për muslimanët duke agjëruar vetë ai personalisht dhe duke urdhëruar shokët e tij të agjërojnë këtë ditë. Muhamedi Alejhis-selam e kishte të qartë motivin, se kjo ditë ishte ditë madhështore, sepse kur Musait a.s. iu shkëputën të gjitha mundësitë që ndërlidhen me shkaqet, kur para vete kishte detin dhe pas veti armikun – Faraonin, në këto momente Allahu xh.sh. intervenon me mëshirën e Tij, duke e shpëtuar Musanë Alejhis-selam dhe shokët e tij, dhe duke ngulfatur Faraonin dhe ushtrinë e tij. Këtë ditë, kur u shpëtua thirrja islame, thirrja në besimin në Allahun një, i Dërguari i Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, e kuptoi e kuptoi si ditë madhështore, si ngjarje të rëndësishme në historinë e Islamit, andaj e arsyetoj agjërimin e çifutëve dhe e vlerësoi se për këtë ngjarje të rëndësishme ia vlen edhe agjërimi i tij dhe i muslimanëve për hir të Allahut në shenjë falënderimi për këtë intervenim të drejtpërdrejtë të mbinatyrshëm për shpëtimin e Musait Alejhis-selam. Nëse a marrim parasysh faktorin kohë të ngjarjes së këtij rasti, pra të thënies së këtij hadithi, atëherë vërejmë se në këtë kohë agjërimi si adhurim i veçantë i ummetit të Muhamedit Alejhis-selam nuk ishte ligjësuar, që nënkupton agjërimi i ditës së Ashuras ishte thjeshtë për hir të ngjarjes madhore ditën e shpëtimit të Musait Alejhis-selam.

Dijetarët islamë për të argumentuar legjitimitetin juridik të ceremonisë së së Mevludit, duke u mbështetur në motivin e përbashkët mes këtyre dy ngjarjeve që nuk mund të kontestohet nga askush, tërhoqën paralele mes ceremonisë së Mevludit dhe ngjarjes së Musait Alejhis-selam përmes argumentit të Kijasit – analogjisë.[13] Nëse vetë Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, u pajtua se shpëtimi i Musa Alejhis-selam ishte ngjarje madhështore që duhet përkujtuar, atëherë ngjarja e lindjes së Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, është edhe më madhështore. Nëse ditën e Ashuras e shënoi Pejgamberi Alejhis-selam me agjërim për shkak se Allahu e shpëtoi Musan dhe popullin e tij, atëherë motivi për agjërim dhe shënim të ditës së lindjes së Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, është edhe më i fuqishëm, sepse me lindjen e Muhamedit Alejhis-selam u bë shpëtimi i mbarë njerëzisë, përfshirë këtu edhe popullin e Musas Alejhis-selam [14]

Pejgamberi Alejhis-selam. ka thënë:

 

عَنْ أَبِي هُرَيْرَةَ ، رَضِيَ اللَّهُ عَنْهُ ، قَالَ : قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ : ” اطْلُبُوا الْخَيْرَ دَهْرَكُمْ كُلَّهُ ، وَتَعَرَّضُوا لِنَفَحَاتِ رَحْمَةِ اللَّهِ ، فَإِنَّ لِلَّهِ عَزَّ وَجَلَّ نَفَحَاتٍ مِنْ رَحْمَتِهِ يُصِيبُ بِهَا مَنْ يَشَاءُ مِنْ عِبَادِهِ ، وَسَلُوا اللَّهَ عَزَّ وَجَلَّ أَنْ يَسْتُرَ عَوْرَاتِكُمْ وَيُؤَمِّنَ رَوْعَاتِكُمْ “

Transmetohet nga Ebu Hurejreja r.a. i cili ka thënë: I Dërguari i Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, ka thënë: “ Kërkoni të mirat në të gjitha kohët tuaja, por ekspozohuni (në kërkimin e të mirave) atëherë kur shpërndahet mëshira e Allahut, sepse vërtetë Allahu xh.sh. në disa momente shpërndanë mëshirën e Tij, e përfshinë atë që e përfshinë nga robërit e Tij dhe kërkoni nga Allahu që t’ua mbulojë të metat tuaja dhe t’ua qetësojë (sigurojë) nga frikët tuaja”[15]

Imam Taberaniu në veprën e tij El Kebir dhe El Evsat regjistron edhe hadithin tjetër me transmetim nga Muhamed b. Mesleme El Ensariju i cili ka thënë: I Dërguari i Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme  ka thënë: “Vërtetë Zoti i juaj gjatë ditëve të kohës suaj shpërndanë mëshirë, andaj ekspozohuni këto ditë, sepse ndoshta ju godet mëshira e saj, dhe më kurrë nuk do të goditeni me fatkeqësi”.

Nga këto hadithe të Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, në mënyrë të qartë na bëhet me dije se besimtari islam në kontinuitet në çdo kohë dhe moment duhet të kërkojë mëshirën e Allahut xh.sh., por vërejmë se kërkimi i mëshirës së Allahut xh.sh. në kohë dhe momente të caktuara është imperativ i Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme,.

Në kontekst të kësaj Imam Ibni Rexhebi në veprën Fet’hul Bari thotë: ky hadith vërteton se një punë jo shumë e mirë shndërrohet në punë shumë të mirë nëse kryhet në një kohë të mirë, saqë bëhet më e preferuar dhe më e mirë se sa punët tjera të mira, për shkak të vlerës së kohës që është kryer.

Pra, meqë e kuptuam se imperativi i Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, është që besimtari islam të shtojë nivelin e lutjeve dhe veprave të mira siç janë leximi i Kur’anit, agjërimi, salevatet mbi Pejgamberin Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme,, shtimin e dhikrit etj etj në disa kohë të mira, sigurisht ne nuk do të gjenim kohë më të mira për shtimin e veprimtarive tona se koha në të cilën lindi i Dërguari i Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, si mëshirë për të gjitha botët. Pra ky hadith është edhe një argument shtesë për lejimin e manifestimit të lindjes së Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme.

  عَنْ أَبِي قَتَادَةَ الأَنْصَارِيِّ ، عَنِ النَّبِيِّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ ، أَنَّهُ قَالَ لَهُ رَجُلٌ : يَا رَسُولَ اللَّهِ صَوْمُ يَوْمِ الاثْنَيْنِ ؟ ، قَالَ : ” فِيهِ وُلِدْتُ ، وَفِيهِ أُنْزِلَ عَلَيَّ الْقُرْآنُ.

Transmetohet ebu Katadete El Ensariju, nga Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme  i kishte thënë: O i Dërguari i All-llahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, pse agjëron ditën e hënë? Tha: ”Në këtë ditë kam lindur dhe në këtë ditë më ka zbritur Kur’ani”[16]

Dijetari i famshëm Muhamed b. Muhamed Ebu Abdullah Ibn Haxhi El Fasi ElMalikij (v737h) në librin e tij “El med’hal an ta’dhimi shehri Rebiul evvel” shtjellon çështjen e lindjes së Pejgamberit Alejhis-selam dhe i nxitë besimtarët islamë që të shtojnë adhurimet e tyre dhe veprat e mira ditën e hënë, për arsye se këtë ka lindur Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme,. Këtë duhet ta bëjnë në shenjë falënderimi ndaj Allahut xh.sh për begatitë e mëdha që i dhuroi Allahu xh.sh. këtij ummeti.

Dijetari i famshëm i hadithit Prof. Dr. Omer Hashim, ish kryetar i Universitetit të Az’harit, i ndikuar nga ky hadith mohon se manifestimi i lindjes së Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, të jetë bidat, porse ai këtë çështje e sheh si çështje të ligjësuar dhe atë argumentuar me sunnet pikërisht përmes këtij hadithi.

Në anën studiuesi i jonë i kësaj çështje Mr. Taxhedin Bislimi në sesionin shkencor me temën “Mevludi tek shqiptarët” mbajtur më 22 prill 2009 në Prishtinë,[17] nën patronazhin e BIK, demonstron një elaborim të hollësishëm të çështjes së mevlud nga dijetari bashkëkohor Prof. Dr. Muhamed Seid Ramadan El Buti, i cili duke u mbështetur në argumente shumë të fuqishme autentike, vërteton se Mevludi si risi nuk përfshihet në kategorinë e bidateve, porse kjo risi konsiderohet si risi e mirë e hapur në interes të Islamit dhe të muslimanëve. Argumenti ku mbështet ky mendim është hadithi i Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme i cili ka thënë: “çdo bidat është në humbje (dalalet)Mënyra e argumentimit që zbaton Buti për të ardhur te vlerësimi se çdo risi nuk është bidat, është fakti se Pejgamberi Alejhis-selam ka përdorur shprehjen “Kul-lu” gjë që dijetarët e Usili fikhut janë unik se kjo shprehje është gjithëpërfshirëse pa asnjë përjashtim, që nënkupton se çdo veprim që klasifikohet si bidat, me automatizëm vlen dispozita e humbjes nga rruga e vërtetë (dalalet). Risit që klasifikohen në radhët e bidateve janë ato risi të cilat kanë të bëjnë me çështjet esenciale të besimit islam apo të shtyllave fundamentale islame që konsiderohen pjesë përbërëse të islamit. Kurse veprat, sjelljet dhe risitë tjera që burojnë nga njeriu dhe nuk perceptohen e as që mendohet e besohet se këto veprime janë pjesë përbërëse të islamit apo shtyllave të tij, porse përmes tyre synohet arritja dhe realizimi i qëllimit të caktuar që është në interesin e përgjithshëm shoqërorë, qoftë nga jeta fetare nuk konsiderohen bidate. Tërë këtë dijetari në fjalë e vërteton me hadithin ku Pejgamberi Alejhis-selam ka thënë:” Kush hap një rrugë të mirë në Islam, ai ka shpërblimin e tij për këtë rrugë si dhe shpërblimin e atyre që pasojnë të veprojnë në këtë rrugë, pa iu pakësuar shpërblimi”.[18]

Nga hadithi në fjalë vërejmë se i Dërguari i Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme i kishte kushtuar kujdes të veçantë kësaj dite, kurse edhe motivin që e nxiti që ti përkushtoj kujdes kësaj dite e bëri të qartë duke thënë: “Këtë ditë kam lindur dhe këtë ditë më ka ardhur shpallja”. Pra Pejgamberi Alejhis-selam në mënyrë decide dhe të prerë shpjegoi motivin e gëzimit të tij këtë ditë. Përderisa Pejgamberi Alejhis-selam këtë ditë, pra ditën që lindi e festoj me adhurim të agjërimit për të sqaruar madhështinë e kësaj dite, kjo nënkupton se manifestimi i kësaj dite mund të bëhet edhe me adhurime tjera, siç është leximi i Kur’anit, shpërndarja e sadekave, bile qoftë edhe me tubime ku tregohen pjesë dhe historia e Pejgamberit Alejhis-selam.

Nga hadithet që Imam Sujutiu mbështetë mendimin e tij për lejimin e mevludit është edhe hadithi i transmetuar nga Enes b. Maliki r.a. i regjistruar te Imam Bejhekiju ku thotë se i Dërguari i Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, pas pejgamberllëkut të tij kishte therur një kurban (Akika) për veten e tij, edhe pse ekziston transmetim se gjyshi i tij në ditën e shtatë kishte therur Akika për Pejgamberin Alejhis-selam. Në anën tjetër dihet mirë fakti se therja e Kurbanit Akika, nuk përsëritet dy herë në jetën e besimtarit islam, e kjo komentohet nga dijetarët se i Dërguari i Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, kishte përsëritur këtë akt për të shpalosur falënderimin e Tij ndaj Allahut xh.sh. që e lindi atë, si mëshirë për të gjitha botët. Në bazë të kësaj imam Sujuti konstaton se edhe për ne është e preferuar të shpalosim falënderimin tonë ndaj Allahut xh.sh. për lindjen e Pejgamberit Alejhis-selam.[19]

Ata të cilët ndaluan mevludin, u shprehën se hadithi me të cilin argumenton imam Sujutiu është i pa bazë, nga arsyeja se hadithi është i dobët apo mevdu (apokrif).

Dijetarët islamë thanë se, edhe nëse hadithi është transmetuar nga Enesi është i dobët (daif), këtë hadith e përforcon transmetimi tjetër nga Aisheja r.a. që është hadith Sahih, ku Pejgamberi a.s. kishte urdhëruar që: “Për lindjen e djalit të theren kurban (akika) dy dele, kurse për vajzën një dele[20]

Në anën tjetër i Dërguari i Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme kishte shprehur gëzimin e tij publikisht dhe kishte manifestuar atë me rastin e lindjes së nipave të tij, Hasanin dhe Husejnin. Kjo përforcohet me hadithin e transmetuar nga Ibni Abbasi r.. ku thotë se: Pejgamberi a.s. kishte therur për Hasanin dhe Husejnin nga dy nga dy desh!”[21] Me këtë vepër i Dërguari i Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, për Umetin e tij kishte bërë ligj manifestimin e lindjes së fëmijëve të tyre meshkuj a femra kurse manifestimi për lindjen e Pejgamberit a.s. është edhe më i rëndësishëm dhe një sunnet i ndershëm.[22]

Përveç argumenteve që i paraqitëm nga Kur’ani dhe sunneti që përforcojnë ligjshmërinë e manifestimit të mevludit, ky manifestim përforcohet edhe përmes konsensusit të dijetarëve islamë. Dijetari i parë i cili i cili tha se manifestimi i Mevludit është Bidat është Imam Muhamed ibn Abduselam (El Izzu Abduslam) i cili ka vdekur vitin 660 h. dhe Imam Shatibiu i cili ka vdekur vitin 790h.

Mirëpo atë që duhet pasur parasysh është fakti se historianët janë të mendimit se manifestimi i mevludit në këtë formë ka filluar në kohën e Fatimive, d.m.th. në gjysmën e parë të shekullit të katërt hixhrij. Gjithashtu vërtetohet se manifestimi i mevludit ka qenë edhe në kohën e halifëve Abasit. Nëse marrim parasysh këto të dhëna, nënkuptojmë se mevludi është përdorur më shumë se dy shekuj para se të lindë El Izzu Abduselami i cili thotë se mevludi është bidat. Para tij kishte dijetarë që jetuan bashkërisht me mevludin dhe askush nuk e kishte thënë se ky veprim është bidat, e kjo nënkupton se ishte formuar Ixham Sukuti (konsesus në heshtje), kurse mendimi i Abduselamit është kundërshtim me konsensusin (ixhmain). Disa dijetarë janë të mendimit se Abduselami dhe Imam Shatibiu, me kontestimin e tyre të mevludit duke e cilësuar si bidat, nuk kishin për qëllim kontestin esencial, porse veprimet e ndaluara që e shoqëronin mevludin.

Manifestimi i mevludit si formë që organizohet sot, pra manifestim zyrtar ka filluar të zbatohet që nga shekulli i shtatë islam, andaj nëse marrim parasysh një periudhë kohore prej disa shekujve ku ceremoninë e mveludit e kanë festuar me mija e mija dijetarë islamë bashkë popullatën e tyre, dhe të konstatojmë se ky veprim i tyre ka qenë jo ligjor, veprim i ndaluar dhe dalalet, atëherë biem ndesh me hadithin e pejgamberit s.a.v.s. të transmetuar nga Enes b. Maliki ku thotë: “Ummeti im nuk bashkohet në çështje të humbura- dalalet, e nëse shihni mospajtime, atëherë shkoni me turmën më të madhe,[23]

Nëse këtë hadith e shkoqisim përmes disiplinave shkencore të shkencës së Usuli Fikhut, atëherë përfundojmë se hadithi shprehimisht (mefhumul muvafik) nënklupton se Ummeti im, që ka për qëllim dijetarët e Ummetit nuk bashkohen në gjëra të humbura, kurse rezultati i së kundërtës (mefhumul muhalef) nënkupton se Umeti im beshkohet vetëm në punë të lejuara nga pikëpamja islame. Andaj do të ishte jo korrekte dhe jo islame dhe aq më pak racionale që të akuztoheshin dijetarët e shtatë shekujve bashkë me popullin e tyre për veprime jo islame dhe veprime të ndaluara sipas dispozitave islame[24]. Mendoj se kjo është një përgjegjësi e madhe islame dhe morale, që njeriu i ditur asnjëherë nuk do ta kishte marrë mbi supe.

Në anën tjetër, tërë këtë e përforcon edhe thënia e Abdullah b. Mes’udit r.a. ku thotë:“Atë që muslimanët e shohin se është vepër e mirë, që duhet të bëhet dhe All-llahu xh.sh e konsideron si të mirë. Atë që muslimanët e shohin si të keqe, që duhet të mos veprohet dhe All-llahu xh.sh. e konsideron si të keqe”[25]

Në kremtimet tona të quajtura mevlude, përveç leximit të Kur’anit dhe dërgimit të salevateve mbi pejgamberin, shpeshëherë lexohen dhe këndohen poezi nga autorë të ndryshëm të cilët kanë thurur vargje dhe poezi për lindjen dhe biografinë e Pejgamberit a.s. që shpeshëherë janë pre e sulmeve nga at që tentojnë ta ndalojnë mevludin. Shpalosja e biografisë së Pejgamberit a.s. përmes vargjeve poetike është një art i veçantë artistikë që Pejgamberi s.a.v.s. jo që nuk e ka ndaluar por, përkundrazi e ka inkurajuar. Për qëndrimin e Islamit dhe të pejgamberit s.a.v.s. reth poezisë dhe poetëve që mënyrë të qartë flet edhe Imam Ebu hamid El gazali në veprën e tij “Ihja Ulumud-din” në pjesën e tretë, kurse ne për të argumentuar se Pejgamberi a.s. ka inkurajuar poetët për thurjen e këtyre vargjeve është edhe hadithi ku Pejgamberi a.s. ka thënë: “poezia është një gjë që të bukurën e bënë të bukur dhe të keqen e bënë të keqe”[26]

Pejgamberi a.s. shpeshëherë në mexhlsin e tij në xhami recitoheshin poezi nga poetë të ndryshëm që pejgamberi a.s. i ndëgjonte me vëmendje dhe dhe kishte qëndrim afirmativ ndaj tyre. Këtë e vërteton një sahabij me emrin Xhabir Bin Semrete i cili kishte thënë: “kam ndenjur me Pejgamberin a.s. më shumë se 100 herë e shokët e tij citonin poezi në xhami dhe rrëfime nga periudha e injorancës (para islamit), ndërsa Pejgamberi a.s. buzëqeshte (në shenjë miratimi)[27]

Pejgamberi a.s. kishte dëgjuar poezi nga shumë poetë siç ishte Ka’b b. Zuhejri, i njohur me poezinë e tij “El Burde” pastaj ka thurur lavdata për Pejgamberin a.s. edhe Alij b. Ebu Talibi r.a., Ferzdeku, Nabiga b. Dhubjani etj, por nga më të dashurit të tyre ishte Hasan b. Thabiti, i cili edhe quhej poeti i Pejgamberit a.s. Pejgamberi a.s e dëgjonte Hasan bin Thabitin dhe nje herë tha: “Fjalët e Hasanit janë më të rënda se plaga e shigjetës për qafirat”. Në lidhje me këtë hadith në një transmetim të Buhariut thotë: “All-llahu xh.sh. e ka forcuar Hassan bin Thabitin me Xhebrailin a.s. për të mbrojtur, lavdëruar Pejgamberin a.s. dhe për të poshtëruar qafirat”[28] Pejgamberi a.s. pasi pëlqeu poezinë e poetit i tha “mos të rënshin dhëmbët”, (një lloj lutje)[29]

Transmetohet se Abasi, xhaxhai i pejgamberit a.s. pasi që ishte kthyer nga beteja e Tebukit i kishte thënë: O i Dërguari i Allahut, vërtetë kam dëshirë të të lavdërojë! Pejgamberi a.s. i tha: Thuaj, të lumtë goja, e Abasi tha:

Kur linde ti, shkrepi toka

Me nurin tënd u ndriçuan hoizontet

Me atë ndriçim ne

Rrugës së drejtë po ecim.[30]

Dijetarët islamë nëpër shekuj dhe vende të ndryshme të botës islame kanë shkruar poezi dhe libra të tëra nëpër gjuhë të ndryshme të botës, që lexohen dhe recitohen me rastin e lindjes së Pejgamberit a.s., por jo vetëm me rastin e lindjes poer edhe nëpër manifestime tjera.



[1] Suretu Junus :58

[2] Suretu El Enbija: 107

[3] Abdullah b. Abbasi biri i Abdulmutalibit, djali i xhaxhait të Pejgamberit s.a.v.s.. Ka lindur tre vite para emigrimit të Pejgamberit s.a.v.s. për në Medine. Muhamedi a.s. ishte lutur për te te Allahu xh.sh. dhe kishte thënë: “O Zot thelloje në fe dhe mësoja shpjegimin” Abdullahi konsiderohet nga komentatorët më të spikatur të Kur’anit,këtë e vërtetojnë shumë nga sahabët e mëdhenj të Pejgamberit a.s..

[4] Muhamed b. Abdullah El Husejnij El Alusi Shihabud-din. Alusi ka lindur në Kerh –Irak në vitin 1802, kurse ka vdekur vitin 1845 në kerh dhe aty është varrosur. Ishte njohës i mirë i Tfesirit, hadithit, usuli fikhut dhe shkencave tjera. Kryeveopra e tij është tefsiri i tij i quajtur “Ruhul meani fi tefsiril Kur’anil adhimi ves-seb’il methani”

[5] Ibni Halife Aljevij, hadhihi akidetu es-selefi vel Halefi fi dhatil-lahi teala ve sifatihi ve ef’alihi vel xhevabu es-sahih, f. 270.

[6] Mr. Taxhedin Bislimi, Mevludi, historiku dhe dispozita e tij.

[7] Suretu Ibrahim : 05

[8] Tefsir Ibni Kethir, Ismail ibni Omer ibn i Kethir el Kureshij Ed-dimeshkij, xhuzi i katërt, botimi Daru Et-Tibe.

[9] Tefsiul Kurtubij, Muhamed b. Ahmed el Ensarij El Kurtubij, Darul Fikri, pjesa e 9.

[10] Suretu El Hixhr : 72

[11] Tefsiul Kurtubij, Muhamed b. Ahmed el Ensarij El Kurtubij, botimi Darul Fikri,

[12] Muslimi nr. 1918. Hadithi gjendet edhe te Buhariu por teksti është marrë te Muslimi. Në kuptim të këtij hadithi por me disa ndryshime shprehimore që nuk ndryshojnë kuptimin e hadithit kemi edhe transmetime tjera të këtij hadithi.

[13] Mevludi te shqiptarët, përmbledhje kumtesash nga sesioni shkencor, Prishtinë 22 Prill 2009, f. 59.

[14] Ibni Halife Aljevij, hadhihi akidetu es-selefi vel Halefi fi dhatil-lahi teala ve sifatihi ve ef’alihi vel xhevabu es-sahih, f. 261.

[15] Taberaniu, Bejhekiu. Ebu Neimi këtë hadith e regjistron te titulli Njohurit rreth sahabëve, kurse Elkadaiju në Musnedine Shihabit këtë hadithe e regjistron me transmetim nga Enes b. Maliku r.a.

[16] Imam Muslimi 1320

[17] Mevludi te shqiptarët, përmbledhje kumtesash nga sesioni shkencor, Prishtinë 22 Prill 2009,

[18] Transmeton Muslimi

[19] Ibni Halife Aljevij, hadhihi akidetu es-selefi vel Halefi fi dhatil-lahi teala ve sifatihi ve ef’alihi vel xhevabu es-sahih, f. 261.

[20] Termidhiu

[21] Ebu Davudi.

[22] Mevludi tek shqiptarët, përmbledhje kumtesash nga sesioni shkencor, Prishtinë 22 prill 2009., f.

[23] Ibni Maxhe, ngashëlm me këtë hadith ka edhe shumë transmetime tjera.

[24] Mr. Taxhedin Bislimi, Dispozita (hukmi) e sheriatit mbi Mevludin, punim i paraqitur në sesion shkencor më 22 prill 2009 në prishtinë.

[25] Ahmedi

[26] Buhariu

[27] Pr. Dr. Qazim Qazimi, punim shkenor i paraqitur në sesioni shkencor më 22 prill 2009 prishtinë,, nga Dr. Shevki dajf, tarihul edebi El Arabij, El asru el xhahilij, f.144

[28] Buhariu

[29] Hakimi

[30] Mr. Taxhedin Bislimi, Mevludi historiku dhe dispozita e tij, Shkup 2006, Mevldui te shqiptarët, përmbledhje kumtesash nga sesioni shkencor, Prishtinë 22 prill 2009, autor Prof. Dr. Qazim Qazimi.

Shkrime të ngjashme