Jusuf ZIMERI

Të dashur vëllezër e motra, besimtarë e besimtare, Paqa, mëshira dhe Dashuria e Allahut qoftë mbi ju kudo që të gjendeni.

Të nderuar besimtarë e besimtare, miku i jonë i quajtur Ramazan sonte po troket në dyert tona për të na dhuruar dashurinë, mëshirën, harmoninë, lumturinë, kënaqësinë, faljen dhe shpresat e jetës, andaj hapni gjokset tuaja që këtë Mik të shtrenjtë ta presim me sinqeritet, dashuri dhe çiltëri. Le t’ju buzëqeshë fytyra ashtu sikur pritni të dashurin e zemrës suaj, sepse ky mysafir është i bereqetshëm. Hidhërimin, dëshpërimin, pesimizmin, xhelozinë, urrejtjen vëllazërore, koprracinë dhe veset e liga djallëzore, prej sonte le ti ngelin historisë, të kaluarës së mbyllur hermetikisht, sepse ka gjasa reale që miku i jonë, që sonte po troket në shtëpitë tona, nëse e pranojmë me sinqeritet bindje dhe dashuri t’i flakë mëkatet tona të kaluara.

Të nderuar besimtarë e besimtare, Mësuesi dhe edukatori i njerëzisë dhe mëshira e të gjitha botëve, na më na mësoi se natën parë të ramazanit, po po natën e parë, pikërisht sonte, Allahu xh.sh. e lëshon shikimin e Tij, pra mëshirën e Tij te besimtarët islam, e kush përfshihet në këtë mëshirë ai do të jetë i shpëtuar.

Këtë muaj për hir të zbritjes së Kur’anit Fisnik, për hir të agjërimit ditën dhe faljes së namazit natën që e bëjnë besimtarët islamë, Allahu xh.sh. e urdhëron Xhennetin dhe i thotë: Zbukurohu për besimtarët e Mi, që kanë agjëruar këtë muaj!.

Të nderuar besimtarë dhe besimtare, muaji i Ramaznit është muaji i bujarisë dhe humanitetit, andaj krahas shumë adhurimeve tjera ju lutem mos i harroni ata që sofrat e tyre i kanë të zbrasta, jetimët, skamnorët, të moshuarit, pleqtë dhe kategoritë tjera sociale. Ju kërkoni ata, e mos lejoni që ata t’ju kërkojnë juve!.

Të nderuar besimtarë dhe besimtare, shpresojmë dhe njëkohësisht i lutemi Madhërisë së Allahut xh.sh. që këtë ibadet ta kryejmë me sukses dhe lehtësi, me sinqeritet dhe dashuri duke iu lutur të Madhit Allah, që adhurimet tona të i pranojë, dhe të dalim nga ky muaj të pastër nga mëkatet.

URIME MUAJI I RAMAZANIT

Shkrime të ngjashme