21 KorShpjegimi i Sures Jasin (1)

Ky artikull është pjesa 10 nga 14 pjesë, në serinë e artikujve nga tema: Jasin

Nga: Jusuf ZIMERI

 Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim

Falënderimi dhe lavdërimi i takon Allahut xh.sh.,  Krijuesit të botëve, kurse salevatet dhe selamet mbi  shpirtin e Muhamed Mustafas s.a.v.s., mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë besimtarët islam që me kujdes dhe respekt i përcjellin normat e Kur’ani Kerimit  dhe të sunetit të pastër të MUHAMED Mustfas s.a.v.s.

Të nderuar xhematë, fillimisht i lutemi madhërisë së Allahut xh.sh. që namazin, tonë që e falëm, agjërimin tonë dhe adhurimet tona, inshallahu kabul e makbul na i bënë. Të nderuar xhamtë, sot është dita e dytë e muajit Ramazan, respektivisht dita e parë që ne pas namazit të iqindisë në mënyrë tradicionale mbajmë ligjërata islame në xhematin tonë. Këtë Ramazan, pra pas namazit të iqindisë të nderuar do të bëjmë përpjekje, që të shpjegojmë dhe komentojmë suren Jasin, aq sa ne kemi mundësi dhe kapacitet për të përfituar njohuri nga kjo sure, andaj i lutemi Allahu xh.sh. që gjatë shpjegimit të kësaj sureje të na japë fuqi dhe menjdekjelltësi në mënyrë që të jemi të qartë në shpjegime dhe të përfitojmë bashkërisht të gjithë ne nga këto ligjërata.

Sureja Jasin të nderuar besimtarë është sureja e 36 sipas radhitjes në Kur’anin Fisnik. Është sure e zbritur para emigrimit të Pejgamberit a.s. prej Mekës për në Medine, andaj quhet Sure Mekase kurse përbëhet prej 83 ajeteve.

Kjo sure përveç emrit Sureja Jasin quhet edhe: El Muimmetu, El Mudafia, El Kadije.  Quhet Sureja Jasin, për shkak se fillon me këto dy shkronja që janë “j” dhe “s” që janë shkronja hixhaije, që në vete përmbajnë thirrje dhe kuptim, që sipas Ibni Abasit donë të thotë: O njeri – O Muhamed.  Quhet sureja El Muimme për shkak se pronari i saj, pra ai që e lexon këtë sure përfshihet me të mirat e shumta në jetën e kësaj dhe botës tjetër. Quhet El Mudafia, sepse pronarin e saj e mbron nga të ligat dhe të këqijat, kurse quhet El Kadije, sepse kjo sure pronarit të saj i realizon nevojat të shumta.[1]

Kjo sure Mekase që ka zbritur në Meke, sikur edhe shumë sure tjera Mekase në brendësinë e saj trajton tematika të shumta, e sidomos nga lëmia e besimit dhe etikës islame, por dijetarët islamë janë të mendimit se të gjitha ato tematika mund të përfshihen në tri shtylla kryesore që janë:

-         Besimi (imani) në botën tjetër – ringjalljen dhe përgjegjësia e çdo kujt që do të ketë para Aallahut xh.sh.,

-         Tregimi për disa banorë të disa vendbanimeve që Allahu xh.sh. u kishte dërguar të dërguarit e tyre dhe qëndrimi i tyre ndaj pejgamberëve,

-         Argumentimi për Njësinë dhe fuqinë absolute të Allahut xh.sh., si krijues i universit dhe vetë qenies njeri.

Fillimisht kjo sure fillon me betimin e Allahut xh.sh. në vetë Kur’anin, që vërteton vlefshmërinë e shpalljes me të cilën ishte dekoruar Muhamedi a.s.. Pastaj përforcoi faktin se Muhamedi a.s. është i dërguari i Tij dhe udhëzues në rrugën e drejtë. Më pas vazhdon të tregojë edhe kokëfortësinë e kurejshëve të cilët mohonin ti besonin shpalljes së Muhamedit a.s. duke përshkruar edhe dënimet ndaj atyre që mohojnë shpalljen e Allahut xh.sh. Gjithashtu kjo sure tregon edhe për leximin e universit dhe lëvizjen e planetëve si argumente për përforcimin e besimit në Allahun xh.sh.

Vlerat e kësaj Sureje

Të nderuar të pranishëm, para se të fillojmë në shkoqitjen e ajeve të kësaj sureje, fillimisht të themi diçka për vlerën dhe rëndësinë e kësaj sure, ashtui si na e përshkruan mësuesi dhe edukatori i njerëzisë Muhamedi a.s. Anadaj, sigurisht se për shkak të tematikave të rëndësishme që trajton kjo sure në brendësinë e saj në interes të qenies njeri dhe në interes të përgjithshëm, pra si në rrafshin individual asht edhe atë kolektiv e social, gjejmë se kjo sure të jetë e veçantë për nga ekskluziviteti i saj. Në kontekst të kësaj gjejmë shumë transmetime nga Pejgamberi a.s., nga sahabët dhe dijetarët islamë që përshkruajnë vlerën e kësaj sureje dhe dobitë e saja të shumëfishta për besimtarët islamë.

Në një transmetim nga Muakal b. Jesari i cili ka thënë: I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:

“Jasini është zemra e Kur’anit, çdo rob që e lexon dhe me të ka për qëllim botën tjetër, ai ka për tu falur nga mëkatet që i ka bërë, atëherë të vdekurve tuaj, lexonia suren Jasin”[2].

Imam Ed-Darimiu në Musnedin e tij regjistron hadithin me transmetim nga Ebu Hurejreja r.a. i cili ka thënë: I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: Kush një natë e lexon suren Jasin duke pasur për qëllim dashurin e Allahut xh.sh. ai është i falur asaj nate”

Imam Kurtubiu në tefsirin e tij[3] regjistron nga Imam El Axhuriu[4] i cili sjell një hadith me transmetim nga Ummi Ed-Dardai, e ky nga Pejgamberi s.a.v.s. ku ka thënë: “Nuk ka ndonjë të vdekur që i lexohet sureja Jasin, e vetëm se ka për t’ju lehtësuar atij”.

Në një transmetim tjetër nga Enesi r.a. Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Kush hynë në varreza dhe e lexon suren Jasin, All-llahu xh.sh. ua lehtëson atyre atë ditë, kurse atij i regjistrohen mirësia sa numri i shkronjave të kësaj sureje”.

Imam Termidhiu regjistron hadithin me transmetim  nga Enesi r.a. i cili ka thënë: i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Çdo gjë ka zemër, e zemra e Kur’anit është sureja Jasin”

Poashtu në musnedin e Imam Darimiut gjejmë transmetimin se Ibni Abasi r.a. ka thënë: Kush e lexon suren Jasin kur të zgjohet nga gjumi, atij i lehtësohet tërë dita derisa të flejë, e kush e lexon atë para se të flejë i lehtësohet tërë nata derisa të zgjohet.

Duke ditur vlerën dhe rëndësinë kësaj sureje El Bezari regjistron një transmetim nga Ibni Abasi r.a. i cili ka thënë: I Dërguari i Allahut s.a.v.s. për suren Jasin ka thënë: “Kisha dashur që kjo sure të jetë në zemrën e çdo njeriu nga Ummeti im (ta dinte përmendësh).[5]

Transmetohet nga Ubej b. Ka’bi i cili ka thënë: i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: Çdo send ka zemër, e vërtetë zemra e Kur’anit është sureja Jasin, andaj kush e lexon suren Jasin duke dashur të arrijë kënaqësinë e Allahut xh.sh., atë e falë Allahu xh.sh. dhe atij jepet sevap sikur ta kishte lexuar Kur’anin dymbëdhjetë herë. Cilit do mysliman që në agoninë e vdekjes i lexohet sureja Jasin kur ti vijë meleku i vdekjes, për çdo shkronjë prej kësaj sureje i zbresin nga dhjetë Melek, qëndrojnë para tij në rresht, luten për të, kërkojnë falje për të, prezantojnë në pastrimin e xhenazes së tij, përcjellin xhenazen e tij dhe e falin namazin e xhenazes së tij dhe prezantojnë në varrimin e tij[6]

Të nderuar xhematë mendoj se  tërë këto hadithe që i potencuam rreth vlerës së sures Jasin janë argumente që na japin të kuptojmë se sureja Jasin është një nga suret e Kur’anit që nga ajo mund të përfitojnë edhe ata që nuk e dinë kuptimin e saj, kurse ata që e dinë, përfitimet i kanë të shumëfishta. Nga tërë këto hadithe do të kisha veçuar hadithin me transmetim nga Ibni Abasi, i cili na tregon se leximi i sures Jasin në Mëngjes, është motiv për të lehtësuar veprimtarinë e ditës dhe për të qetësuar mendjen dhe trurin e besimtarin islam, kurse leximi i saj në mbrëmje lehtësonë veprimtarinë e natës. Nga kjo nënkuptohet se besimtari islam që e lexon këtë sure në mëngjes dhe mbrëmje, është i mbrojtur dhe i qetësuar dhe epër të nuk ka nevojë të përdorë kurrfarë bari dhe tablete për qetësim, sepse zemra e tij qetësohet me lexim të Kur’anit. Këtë e përforcon edhe  dëshira e Perjgamberit a.s. që kjo sure të jetë në zemrat e çdo besimtari islam, pra ta dijë përmendësh çdo besimtar islam, për shkak të dobisë së madhe të kësaj sureje. Kurse hadithi i fundit i theksuar në këtë rast, që të vdekurit t’i lexohet Jasini në agoninë e vdekjes është argument që nuk donë shumë komente për sa i përket vlerës së saj. Andaj po përfundoj duke thënë: e mjerë dhe e gjorë është ajo familje islame që nuk posedon njeri që të lexojë suren Jasin në çdo mëngjes dhe mbrëmje dhe në agoninë e vdekjes.

Në Fund i lutemi Allahut xh.sh. të na e mundësojë që përmes gjuhës sonë të freskojmë shpirtin, zemrën dhe mendjen tonë me lexim të Kur’ani. Inshalla Allahu xh.sh. na e mundëson që gjithmonë të lexojmë, dëgjojmë Kur’anion dhe të veprojmë sipas porosive të Kur’anit. Nesër inshalla do të shpjegojmë për dispozitën e leximit të sures Jasin për të vdekurit ashtu si e kanë komentuar dijetarët e mirëfilltë islam. Ve ekulu kavli hadha vestagfirull-llahe li ve lekum, velhamdulilahi rabilalemine  Elfatiha.

Vazhdon

(Kjo ligjëratë është mbajtur më 02. Ramazan – respektivisht  më 21. 07. 2012 pas namazit të Iqindisë në xhaminë e fshatit Llojan nga Hoxhë Jusuf Zimeri)



[1] Et-Tefsirul Vesit Lil Kur’anil kerim, tantavi 12/8, pastaj Tefsir Alusi 22/209

[2] Ebu Davudi, Nisaiju, Ibni Maxheh, Ahmedi, Ibni Hibani.

[3] El Xhamiu Li Ahkamil Kur’an,  5/3.

[4] Imam Axhuriu është Muhamed b. Husejn El Axhuriju, i cili ka vdekur vitn 360 h. Ose 970 m.  Emrin Axhurij e përfitoi nga fshati i vendlindjes së tij, afër bagdadit. Ishte Fikhist, muhadith i njohur në Bagdad. Veprat e tij më të njohura janë: “Ahlakul Ulemai”, Kitabu Esh-sheriati” “Kitabu El erbeine hadithen” “ Ahlaku ehlil Kur’ani” etj.

[5] Muhamed b. Alij b. Muhamed Esh-Shevkani,  Fet’hul Kadir bejnej fenej er-rivaje ved-diraje, Darul Ma’rife 2004, p.1.

[6] Alioj b. Najif Eshuhudi, El Hulasatu fi tefsiri suretu Jasin, f. 11 Musnedu Eshihab el Kudaij 964.,

Seritë<< Shpjegimi i Sures Jasin (10)Shpjegimi i sures Jasin 11 >>
Shpërndaje
Nuk ka përgjigje

Komento

Mbushni fushat dhe komentoni më poshtë.
Emri:
Posta:
Faqja:
Komenti: