Po lulëzon Otokracia, apo Oligarkia ?!

Shkruan: Jusuf ZIMERI

Duke qëndruar disa para kutisë demagogjike, më falni magjike për të absorbuar ndonjë informacion të dobishëm vërtetë të mbushet mendja se je duke jetuar në botën e amshimit, kurse ajo që të kthen në empirizëm është thjeshtë vetëm kronika e zezë që emitohet përmes këtij ekrani. Edhe unë u magjepsa duke dëgjuar disa njerëz të cilët që të gjithë flasin në emër timin dhe tonin por në vija krejtësisht të kundërta. Nejse, mos ti hiperbolizoj çështjet sepse nuk është ndonjë krim as njerëzor as human kur flasin në emrin tonë, sepse ne në një farë mënyre i autorizuam ata që me oratorinë e tyre patriotike të na shpijnë drejt botës së integruar, por ajo që është trishtuese është oratoria e tyre në emër të një far demokracie të artë që po ndërtohet në emër të vlerave kombëtare e humane. Patëm rastin që një ditë të plotë deri në orët e vona të natës, të dëgjojmë lloj lloj patriotizmi, se si po lulëzon demokracia në vendin tonë. Unë e di se patriotët tanë kanë folur shqip në odën e burrave, por ama ne i kemi dëgjuar maqedonisht, jo për fajin tonë, por për dëshirën e tyre se ata kanë dëshirë që ne t’i dëgjojmë në atë gjuhë.

Pasi përfundoi debati dhe tërheqja e kokrrave pas atij fjalimit pompoz të Kryeministrit në ekran u paraqitën disa numra, të cilët në matematikë janë vetëm numra dyshifrorë, por në përkthim nënkuptojnë bekimin e qeverisë aktuale. Këtu nuk bëhet fjalë që dikush e bekoi dikë, por thjesht bëhet fjalë që unë bekova veten time, dhe i marrë është ai i cili nuk e bekon veten e tij!

Pas tërheqjes së këtyre numrave nga ekrani, shtrirjes së duarve mes veti dhe këmbimit të disa puthjeve jo të dashurisë por të interesit, mua më vajti mendja diku larg. Më vajti mendja atje ku nuk duhej, por ç’të bëjë, pa dëshirën time ishte kjo. Ja po u tregoj edhe juve, që të gjykoni. Më vajti mendja te Athinasit e vjetër të cilët vitet e 500 p.e.s. i konsideronin si vite të arta të demokracisë. Sipas disa të dhënave historike këtë periudhë të artë të demokracisë e kishte varrosur Aleksandër Maqedoni. Hë,hë, çfarë koincidence thash me vete.

Banorët e Athinës së vjetër për të ardhur deri te kjo fazë e periudhës së artë të demokracisë kishin kaluar nëpër faza që politikanët bashkëkohorë sot i quajnë faza tranzicioni. Në fillim, në fazën e parë te athinasit dominonte sistemi i OTOKRACISË, sistem ky që nënkupton sundimin e individit mbi të tjerët.  Pastaj me kalimin e kohës ky sistem kishte evoluar dhe ishte integruar në një sistem tjetër që quhet sistemi i OLIGARKIZMIT, që nënkupton sistemin kur një grup shumë i ngushtë i skllavopronarëve dhe aristokratëve mbajnë në duart e tyre sundimin dhe pa mëshirshëm shtypnin shumicën tjetër të popullit të varfër. Më pas nga kjo fazë kaluan në fazën e quajtur demokraci që në aspektin teorik nënkupton që sundimi të kalojë në duart e popullit. Kjo demokraci e athinasve ishte demokraci e drejtpërdrejtë, sepse nuk ishte i instaluar sistemi i votimit. Në këtë demokraci merrnin pjesë vetëm ata që posedonin statusin e njeriut të lirë, ngase robërit nuk e gëzonin  të drejtën e shijimit të asaj demokracie  të asaj kohe që ata e quanin si vite të arta të demokracisë.

Duke mos dashur të lëshohem në filozofinë e sistemit demokratik pas rilindjes së saj në shekullin XII në Angli, e as në rilindjen e saj në Francë pas revolucionit frances të shekullit XVIII, e as në filozofinë e definimit të demokracisë që i bëri Rusoi apo Hobsi, etj, por thjesht ajo që më brengos sot, është përcaktimi fazës së demokracisë në shoqërinë tonë liberale të shekullit XXI ?!

A thua  vallë, ne sot gjendemi në fazën e parë të quajtur OTOKRACI, apo në fazën e dytë të quajtur OLIGARKI, sepse jam i sigurt se për fazën e tretë as që bëhet muhabeti  për të! Këtë dilemë po e nxjerr në pah, ngase nuk e kam të qartë, e arsyeja e paqartësisë fshehët në frikën time që është mbjellë në shpirtin tim nga refreni “ti nuk po kupton” i cili përsëritet si ndonjë këngë e shpallu për hit dekade me rastin e ndonjë ceremonie madhore.

Nejse, ska rëndësi unë kuptoj apo nuk kuptojë,  me rëndësi është që otokratët ta kuptojnë. Në fund të fundit, kush jam unë ta kuptoj, apo ç’më duhet mua ta kuptojë kur ka kush kupton për mua!! E imja është të dëgjoj e jo të mendoj e të kuptojë!! Qartë qartë, sëhstë me rëndësi ta kuptojë, por ndoshta ky sistem i artë që na e kanë instaluar dhe vlerësuar të parët tanë nuk ma merr të drejtën së paku të pyes! Le të bëhet çka të bëhet, kam vendosur ta parashtroj një pyetje, inshalla si ndihet zëri larg.!Ku po na shpijnë mor këta integristët evro-atlantik, a thua po lëvizin autostradës drejt integrimeve të shekullit XXI, apo autostradës drejt integrimeve të viteve të 500 p.e.s. pra drejt Athinës, për të na e sjellë atë kohën e artë të demokracisë ? Unë sërish po deklarohem se nuk e kuptojë, e ju të nderuar lexues vlerësoni vetë ashtu si e kuptoni.

Shkrime të ngjashme