Shqiptari, Islami, Universiteti dhe Xhemaili.

Autor:Jusuf ZIMERI

(Një përgjigje shumë të shkurtë z. Xhemail Ahmetit)

Njeriu nuk ka kohë për të humbur, mbase as për të fituar kohë, ngase koha e njeriut, veçanërisht koha e besimtarit islam është shumë e shtrenjtë, madje koha për neve nuk është dhe nuk llogaritet para, ajo është më shumë se para, më shumë se ari, është fitimtarja dhe mposhtësja e të gjitha bregorëve. Natyrshëm, njeriu jo gjithherë ka mundësi që kohën ta shfrytezojë në rrugën dhe në orën e duhur.

Duhet humbur kohë për gjëra jo të vlefshme, për gjëra të neveritshme, thjeshtë për njerëz që çojnë kokën vetëm kur është fjala për fjalët miradie të hedhura prej njerëzve të ndryshmë për rolin e fesë islame ndërshqiptarët dhe për njerëz që nuk çajnë kokën për rrjedhat e ndryshme historike shqiptare kur është fjala e hedhjes baltë prej anës së Bllazhave e Buzhalave, të cilët jo vetëm që nuk ndryshojnë në mbrapashtesë të emrave, por edhe në mendësinë e pamend puthiten goxha gjatë!

Meqë përpos leximit të librave, kryesisht në mbërmje, një kohë ia kushtoj edhe leximit të artikujve e lajmeve nëpër portale të ndryshme. Kësisoj, hasa në një shkrim, që në shikim të parë, vërejta thumbin qëllimkeq të shkrimit dhe të autorit. Lexova shkrimin me titull, “Shqiptari, Islami, Shkupi dhe Kimi” të autorit Xhemail Ahmeti, në faqen e internetit, “www.zeri.info”. Mbase auori qenkërka edhe historian në Universitetin e Freiburgut të Zvicrës! Jo vetëm për habinë time, por edhe të disa që arrita të bashkëbisedoj, ky autor deri më tani më shumë kishte parapëlqyer gjumin brenda gëzhojës së padukshme, sesa ngritjen e zërit deri në eter për çështjen kombëtare, fushë kjo gjoja shumë e ndjeshme për atë dhe fort pak e rëndësishme gjoja për neve të cilët i përulemi vetëm të Madhit Zot!

Të nderuar lexues. Nuk e kam ndërmend t’i replikoj shkencërisht këtij autori të këtij shkrimi për dy arsye. E para, shkrimi nuk i plotëson kriteret e punimit hulumtues shkencor, por autori vetëm se shpreh tendenca të errëta kundër islamit dhe z. Kim Mehmetit. E dyta, sepse unë jam shumë thellë i bindur se Kimi nuk ndien nevojë që unë ta mbroj atë, ngaqë këtë aftësi ia ka dhuruar atij Allahu i Lartmadhëruar!

Megjithatë, ajo që më nxiti t’i them dy tri fjalë për këtë paçavure shkrim, është vetëm të njoftoj shoqërinë, se shkrimi nuk ka fakte as historike, mbase përkundrazi, ka vetëm njoftime të pasakta për të mos thënë ka shpifje të kulluara. Si duket autori i shkrimit si historian që na qenka, i paska harruar tri shkronjat e arta shqipe LNDSH, ose ende po jetuaka dhe punuaka me programin 3.11.

Autori i parashtron këto pyetje: Në ç’mënyrë konkrete mbrojti Islami shqiptarët në Maqedoni apo diku tjetër? Sa hoxhallarë u arrestuan dhe u masakruan sepse besonin në IslamSa xhamia u mbyllën në kohën e TitosSa të burgosur politikë shkuan në burgje se duke u falur në xhami donin ta mbronin identitetin e tyre kombëtar? Sa vetë u vranë se kërkonin lejimin e Kuranit e jo të shkollave shqipe e të ngjashme.

Zotëria nuk e ditka matematikën, ndaj do të përpiqem t’ia mësoj edhe një pjesë të kësaj fushe, duke shkruar kësaj radhe me numra e jo me shkronja:

-Në vitin 1946 në Shkup kishte 60 Xhamia, në vitin 1990 vetëm 18 Xhamia (apo ndoshta në këtë kohë nuk ka qenë shoku Tito)

– Në Manastir në vitin 1946 kishte 40 Xhamia i nderuar, në vitin 1990 kur përfundoi komunizmi pas veti la vetëm 6 Xhamia, prej tyre vetëm tri funksionale.

– Në qytetin e Ohrit numri i Xhamive ishte 17 Xhamia, ndërsa në kohën e Serbisë kishin ngelur 12 dhe tani janë 10 Xhamia, ku vitin 1990 funksionale ishin vetëm tri.

– Në vitin 1912 në qytetin e Shtipit, serbët, Xhaminë Husamedin Pasha e kishin shndërruar në thertore (kasaphane), kurse në Dibër, bullgarët mes vitit 1919-1920 Xhaminë Dervish Mustafa e kishin shndërruar në Kishë që ekziston edhe sot e kësaj dite. Nga kjo nënkuptohet se nuk kishte ngelur ndonjë qytet nga qytetet e Maqedonisë ku sllavët të mos kishin rrënuar ndonjë Xhami.

Pushteti komunist i nderuar profesor që nuk e paska dëmtuar apo sulmuar Islamin, Bashkësisë Islame prej vitit 1945 deri vitin 1991 i kishte marrë mbi 7 milion metra katëror.

Sa për hoxhallartët që janë burgosur e masakruar nga pushteti komunist i Titos, ata janë shumë, por po ia përmendi vetëm disa emra. Keni dëgjuar për: Mulla Idrizin, për Mulla Haki Sermaxhen, për Mullla Hajdarin, për Mulla Xhemën, për Mulla Feratin, për Mulla Garipin dhe për shumë e shumë hoxhallarë të tjerë.

Nëse nuk i dini ju këto të dhëna të vërteta, aq edhe më mëkatshëm bëhet çështja kur një historian tejdetar hiqet si fletushkë e bardhë përballë këtyre njoftimeve, atëherë nuk do të thotë se nuk ekzistojnë këto të dhëna e këto të bëma, por burrërore është të tërhiqes për çështjet që nuk i di dhe të sulesh kundrejtë atyre që deri më tani ke qenë fëmijë për sa i përket furnizimit të të dhënave të vërteta.

Shkrime të ngjashme