Kurbani, sakrificë vetëm për hir të Zotit.

Shkruan. Jusuf Zimeri

All-llahu fuqiplotë në Kur’anin Fisnik thotë: “Tek All-llahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre (kurbanëve), por te Ai arrin bindja juaj. Ai ashtu ua nënshtroi ato  (kafshët) juve që ta madhëroni All-llahun për udhëzimet që ua bëri. Bamirësve merru myzhde”.El Haxh:37.

Institucioni i therjes së kurbanit, për dallim nga therjet tjera të kafshëve, është një shkollë që në vete ngërthen bindjen dhe gatishmërinë e besimtarit islam për t’u ballafaquar me sfidat e shumta gjatë jetës, dhe si i tillë për tejkalimin e tyre kërkohen sakrifikime të formave të ndryshme. Mesazhet që nxjerrën nga institucioni i Kurbanit janë shumëdimensionale duke filluar, nga besimi i pastër monoteist, gatishmëria e sakrifikimit për të ndërtuar dhe mbrojtur të vërtetën, zbatimi i imperativit që vjen nga Krijuesi absolut e deri te altruizmi dhe humanizmi që në mënyrë shumë të qetë qetëson zemrat e atyre që ndiejnë nevojën për qetësia. Në mesazhin që na e përcjell therja e kurbanit në sferën e ndërtimit të lidhjeve farefisnore në njërën anë, dhe në anën tjetër në aspektin shoqërorë, përjetohet një mesazh i ngrohtë shpirtërorë e zemërorë sepse pikërisht mesazhi jepet nga zemra e shpirti i jo vetëm nga vepra.

Këtë që e thamë mund ta kuptojmë nga ajeti kur’anor që e paraqitem në fillim. Këtë kuptim nga ajeti e kuptojmë veçanërisht kur dimë se cili ishte shkaku i zbritjes së këtij ajeti kur’anor. Në kohën e injorancës, në kohën para se të zbrite Kur’ani fisnik, pra në kohën e idhujtarisë edhe popujt tjerë sikur ndienin në veti se institucioni i kurbanit është i nevojshëm që njerëzit përmes kësaj vepre, të kënaqin zotat e tyre, që i kishin gdhendur me duart e tyre. Në këtë kohë, idhujtarët thernin kurbanet e tyre, e pastaj me gjakun e tyre i lyenin zotat e tyre duke u thënë; ja ne këtë kurban e therëm për ty!. Islami përmes këtij ajeti kur’anor ndaloi këto veprime djallëzore të idhujtarëve, duke u treguar besimtarëve islamë se tek Allahu xh.sh. nuk do të arrijë as gjaku e as mishi i kurbaneve tuaj, pore se ajo që do të arrijë te Allahu xh.sh. është devotshmëria e juaj që gjendet në zemrat tuaja, e ndërtuar mbi bazën e besimit, humanizmit dhe bamirësisë. Pikërisht këtu fshehët sekreti që Allahu xh.sh. përfundon ajetin duke thënë: “Përgëzoi bamirësit” Përgëzimi i bamirësve është një sihariq për shpërblimin që e ka bërë bamirësi, para se ai ta shijojë atë shpërblim, e që është xheneti. Andaj i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. kur është pyetur, çka është mirësia o i Dërguari i Allahut, ai ka thënë: Mirësia është që ta adhurosh Allahun në atë formë sikur ti e sheh Atë, e edhe pse ti nuk e sheh Atë, Ai të sheh ty”.

Ky fjalë e Pejgamberit a.s. na qartëson shumë çështje, e në mesin e tyre edhe çështjen e kurbanit, si adhurim që kryhet vetëm për hire të Allahut Fuqiplotë. Nga hadithi i Pejgamberit a.s. nënkuptojmë se veprat të cilat janë të zhveshura nga besimi i pastër, nga bindja në Krijuesin absolut, pavarësisht sa të dobishme janë në jetën e kësaj bote për individin apo shoqërinë, ato ngelin vetëm brenga kornizave të jetës ës kësaj bote, dhe nuk mund të përfshihen në myzhdenë – përgëzimin ku Allahu xh.sh. i thotë: “Bamirësve merru myzhde”. Këtu pastrohen të gjitha dilemat se ndoshta dikush mund të shpërblehet para Krijuesit të tij, pa besim dhe bindje në Allahun Një. Në anën tjetër, hadithi si sqarues i ajetit na jep të kuptojmë se forma e therjes së kurbanin vetëm si veprim praktik është sterile nëse ai veprim shoqërohet me krenari, mendjemadhësi apo diç tjetër, sepse qëllimi esencial përmes kurbanit nuk është veprimi praktik, por është bindja e brendshme e besimtarit islam e cila përmes bamirësisë kurorëzohet me devotshmëri.

Kundruar kurbanin në aspektin historik gjejmë se zanafilla e këtij adhurimi është që në shoqërinë e parë njerëzore, pra që nga bijtë e Ademit a.s.. Ata kishin therë kurban me bindjen se tek Allahu xh.sh. pranohet vetëm kurbani i të devotshmit. Pikërisht për këtë arsye edhe Ibrahimi a.s. duke u mbështetur në faktin se Kurbani i pranuar është veprim i të devotshmëve, shprehi gatishmëri që të flijojë edhe birin e tij Ismailin a.s. për ta zbatuar urdhrin e Allahut xh.sh.. Në anën tjetër po i kësaj bindje ishte edhe vetë Ismaili a.s. i cili me plotë bindje dhe pa kurrfarë hamendje, dëshmoi duke shprehur gatishmëri për tu flijuar për hir të Allahut xh.sh..

Kurbani i cili buron nga bindja së ky veprim mbi të gjitha është adhurim, është i pranuar te Allahu xh.sh. kurse personi i cili pretë kurban për të arritur dashurinë e Allahut e jo krenarinë e njerëzve, përfshihet nën myzhdenë e Allahut xh.sh.. Transmeton Imran b. Husejni se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kur kishte dashur të therë kurbanin, i kishte thënë Fatimes, bijës së tij: Oj Fatime, ngrihu dhe shihe kurbanin tënd, sepse vërtetë me pikën e parë të gjakut të kurbanit që bie në tokë, të falen mëkatet që i ke bërë dhe thuaj: Vërtetë namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, janë vetëm për All-llahun” Në këtë rast Imrani (transmetuesi i hadithit) thotë: i thash o i Dërguari i Allahut, ky shpërblim a është vetëm për familjen tënde, apo për të gjithë besimtarët? Pejgamberi a.s. tha. “Ky shpërblim është për të gjithë besimtarët

Për në fund, duke u mbështetur në këto dhe shumë argumente tjera islame, përfundojmë se kurbani, ashtu edhe si e ka emrin “kurban” që donë të thotë: afrim te Allahu xh.sh” mund të jetë si i tillë vetëm nëse largojmë dilemat që kurbani të trajtohet vetëm si një traditë e këtij populli. Nëse kurbanin e trajtojmë vetëm si traditë të ndonjë populli, që nënkupton se kurbani të theret jo për Allahin por për diçka tjetër, atëherë kjo është formë e idhujtarisë, kurse mishi i kësaj kafshe jo që nuk mund të trajtohet si mish kurbani, por edhe është i ndaluar për muslimanët. Prandaj kurbanet ne i therim vetëm për hire të Allahut të Madhërishëm dhe vetëm nga ai shpresojmë shpërblimin.

Shkrime të ngjashme