27 DhjKontratat e pavlefshme të shitblerjes sipas jurisprudencës Islame

Shkruan: Jusuf ZIMERI

Kontrata e shitblerjes varësisht nga plotësimi apo mosplotësimi i rukneve apo kushteve të kontratës sipas juristëve islam, ndahet në:

01, Kontratë e vlefshme. Kontratë e vlefshme konsiderohet ajo kontratë që i plotëson të gjitha kushtet dhe ruknet (shtyllat) e kontratës të parapara sipas normativës, dhe njëkohësisht nga ajo kontratë formohen detyrime dhe të drejta.

02, Kontratë e pavlefshme. Kontratë e pavlefshme konsiderohet ajo kontratë e cila ka mangësi në plotësimin e kushteve ose shtyllave të kontratës.

Mirëpo, juristët islam nga shkolla juridike hanefite, në parim pajtohen me këtë ndarje të shumicës së juristëve nga tri shkollat tjera, por këta bëjnë një dallim te kontrata e pa vlefshme, sepse këtë lloj të kontratës sërish e ndajnë në kontratë të kotë (batile –nula kontratë) dhe kontratë e prishur (faside).

Kontrata batile (e kotë-nula kontratë) sipas juristëve hanefij, konsiderohet ajo kontratë që ka mangësi në shtyllën esenciale (ruknin) e kontratës, ose thënë ndryshe kontrata e cila nuk është e ligjësuar as në esencë e as në cilësi.[1] Shembulli i kësaj do të ishte shitblerja nga fëmija apo i sëmuri psikik i cili nuk plotëson kushtin e aftësisë për lidhje të kontratës.  Nga kjo nënkuptohet se pala kontraktuese nuk ka aftësi as të drejtë të bëjë lidhjen e kësaj kontrate, andaj kjo kontratë nuk ka fuqi juridike për implementim dhe nga kjo kontratë nuk pason asnjë nga detyrimet e saja për asnjërën palë kontraktuese, andaj ekzistimi i saj është i barabartë me mos ekzistimin. Ky lloj i kontratës nuk ka as mundësi të përmirësimit të saj.

Kurse kontratë e prishur,[2] (faside), konsiderohet ajo kontratë që mangësia e saj paraqitet në kushte e cilësitë e kontratës, e jo në shtyllën -esencë e që nënkupton se kontrata në esencë është e ligjësuar, por mungesa paraqitet në kushte, siç është rasti me kontratën për shitjen e sendit të pa njohur, etj. Ky lloj i kontratës ka mundësi konverzioni edhe përmirësimi nëse evitohet pengesa që e bënë kontratën të prishur.

Këtë lloj të kontratave nëse e hulumtojmë në literaturën burimore nga medhhebi hanefij[3], gjejmë se edhe kontrata faside (e prishur) edhe ajo batile (e kotë ose nula kontratë) shpjegohen nën një titull që quhet shitblerja e prishur (el bej’ul faside).

Në këtë nëntitull “kontrata e prishur-faside” fukahat hanefij përfshijnë tre lloje të kontratave, që janë batile, faside dhe kontratat e urryera. Kontratë e urryer konsiderohet ajo kontratë e shitblerjes, që është e ligjshme si në esencë ashtu edhe në cilësi, por, për shkak se e shoqëron ndonjë dukuri tjetër negative, kontrata konsiderohet e urryer[4]. Arsyeja se juristët islam nga shkolla juridike hanefite përfshijnë edhe kontratën batile edhe atë të urryer nën titullin faside (e prishur) është se kontrata faside është më gjithëpërfshirëse se sa kontrata batile, që nënkupton se çdo kontratë që është batile, njëkohësisht është edhe faside, por jo edhe e kundërta, pra çdo kontratë faside nuk është batile.[5]

Karakteristika apo specifika që dallon kontratën e prishur (faside) nga ajo batile (nula kontrat) është: Nëse mangësia apo e meta ka të bëjë me lëndën që shitet, atëherë kjo kontratë është kontratë batile (nula Kontratë) siç është rasti i shitjes së alkoolit, mishit të derrit, cofëtinës etj. Gjykohet kështu nga këto sende në esencë nuk konsiderohen si pronë- pasuri e vlefshme e besimtarit islam, dhe pronësia ndaj tyre nuk vërtetohet as me rastin e blerjes së ty. Pra këto pasuri për besimtarin islam dispozitivisht janë inekzistentë, kurse kontrata e shitblerjes nuk mund të bëhet për pasurinë që nuk ekziston.

Nëse mangësia apo e meta ka të bëjë me pagesën, dhe nëse kjo pagesë konsiderohet pasuri te disa fe, apo disa njerëz, siç është alkooli, mishi i derrit apo diç tjetër, në këtë rast kontrata e shitblerjes është Faside, që nënkupton se kontrata e tillë mund të zbatohet me ndërrimin e llojit të pagesës dhe kështu bëhet konversioni i kontratës.[6]



[1] Në nenin 110 të Mexhel-les kjo kontratë definohet: “Shitblerja batile (nula kontratë) është e pavlefshme në esencë që donë të thotë se në esencë nuk është ligjësuar” Shih: redul hukam sherh mexhel-letul ahkam, 2/108.

[2] Në Nenin 109 të Mexhel-les kjo kontratë definohet: “kontratë e prishur (faside) konsiderohet kontrata që në esencë është e ligjësuar por jo edhe në silësi”. Shih: redul hukam sherh mexhel-letul ahkam, 2/108.

[3] Shih librin El Hidaje nga El Merginani, pastaj librin El-lubab fi sherhil kitab nga Abdulganij el Gunejmi el Midani, pastaj shih librin El Ihtijar li ta’lilil muhtar nga el Muslilij etj.

[4] Shejh Abdulganij el Gunejmij el Midani, el-lubab fi sherhil kitab, 1/211.

[5] Po aty, f. 211.

[6] Dr. Vehbe Zuhejli, el fikhul islami ve edil-letuhu, 4/426

Shpërndaje
Nuk ka përgjigje

Komento

Mbushni fushat dhe komentoni më poshtë.
Emri:
Posta:
Faqja:
Komenti: