Për atë që martohet është mirë që t´i ftojë të tjerët me rastin e martesës së vet. Megjithatë, po qe se vendoset për një hap të tillë, atëherë është e udhës që ftesa të bëhet me kohë dhe i ftuari të informohet për motivin e ftesës. Ndërsa, sa i përket përgjegjës në ftesën e ofruar për dasmë, dijetarët Islam ndajnë mendime të ndryshme për këtë çështje.
Disa ndajnë mendimin se përgjigja është e domosdoshme (vaxhib), kurse disa të tjerë mendojnë se është sunet. Nëse ftesa nuk bëhet për dasmë, atëherë i ftuari ka të drejtë të zgjedhë, pra sipas dëshirës së tij, nëse dëshiron shkon, nëse jo, nuk shkon. Porse më e udhës është që t´i përgjigjet pozitivisht.

Sa i përket të ftuarit, i cili niset për në dasmë, ai nuk duhet ta ketë për qëllim parësor ngopjen e barkut, porse mbi të gjitha duhet ta dijë se qëllimi i shkuarjes së tij është zbatim i një suneti të Pejgamberit a.s.

Besimtari i fesë Islame, për hir të respektit qe e ka ndaj vëllait të vet dhe për hir të gëzimit që vëllai i tij e përjeton me këtë rast, i përgjigjet ftesës me qëllim që edhe ai të jetë pjesëmarrës dhe përjetues i atij gëzimi. Largësia gjeografike asnjëherë nuk duhet të paraqesë pengesë për të ftuarin, porse nëse ka mundësi ai duhet të prezantojë në atë ceremoni. Në të kundërtën, nëse dikush ka pengesa, jo vetëm për shkak të largësisë tepër të madhe gjeografike, por edhe të natyrave tjera, atëherë është mirë që të tillit të mos i drejtohet fare ftesa.

Të potencojmë këtu atë se, nëse i ftuari nuk i përgjigjet ftesës së ftuesit për shkak se ftuesi nuk është i rangut të tij, atëherë në Islam ky gjest konsiderohet mendjemadhësi, gjë të cilën e ndalon Kur´ani dhe suneti. Nëse dasmori konsideron se akëcili person është i dëmshëm dhe e prishë atmosferën e gëzimit të dasmës, atëherë dasmori nuk e fton atë me qëllim të ruajtjes së qetësisë. Nga ana tjetër, nëse në atë dasmë kryhen veprime që bien ndesh parimeve Islame, atëherë i ftuari nuk e ka të lejuar që të prezantojë në atë dasmë. Pra, nëse personi i ftuar ka mundësi që të ndikojë në evitimin e veprimeve antiislame që bëhen në dasmë, atëherë duhet ta bëjë këtë, por, nëse nuk ka mundësi, atëherë është i obliguar që të largohet nga ai tubim në shenjë proteste. Bie fjala, veç tjerash, nëse ne sofrën e dasmës shtrohen ushqime e pije që i ndalon feja Islame, atëherë i ftuari duhet të largohet nga ajo sofër. Kjo vlen atëherë kur i ftuari nuk ka dijeni për veprimet që do të kryhen në atë dasmë, ndërsa, nëse i ftuari paraprakisht e di se ajo dasmë nuk do ta ketë karakterin Islam, atëherë fare nuk duhet të prezantojë aty.

Rregullat e mikpritjes

Në vazhdim do t´ia cekim disa rregulla për mikpritjen dhe për sjelljen e mysafirit. Është rregull që mikpritësi, dasmori, të gjithëve atyre që i përgjigjen ftesës t´ua shtrojë ushqimin. Vonesa e një apo dy miqve nuk guxon të jetë pengesë për shtruarjen e sofrës me kohë, ngase duhet të respektohet nderi i shumicës që prezantojnë me atë rast. Në këtë rregull përjashtim bëjnë i varfëri apo ai që preket e që i prishet zemra nëse nuk pritet. Mysafiri në shtëpinë e atij që fton duhet të jetë i kujdesshëm e i sjellshëm. Në shtëpinë e nikoqirit nuk hy dhe nga ajo nuk del pa marrë lejen e tij. Thënë ndryshe, duhet t´i shkojë për shtati dasmorit dhe nuk guxon të bëhet shkaktarë që t´i prishet gëzimi apo dasma. I ftuari në dasmë ha si zakonisht, e nëse ha më tepër se në shtëpinë e vet, atëherë kjo për dasmorin paraqet nder. Ndërsa, nëse i ftuari e refuzon apo nuk e ha ushqimin dhe për këtë nuk ka arsye, atëherë gjesti i tij konsiderohet hipokrizi. Të ftuarit as që i lejohet ta pyes nikoqirin për ushqimin se a është hallall apo jo. Të ftuarit i lejohet që nga nikoqiri të kërkojë vetëm krip e ujë dhe asgjë tjetër. Ai nuk guxon ta nënçmojë ushqimin e as sofrën e dasmorit, porse ha atë që gjendet në sofër dhe e falënderon All-llahun xh.sh. Nuk është e ndershme që ftuesi t´i përcjellë të ftuarit tek hanë, madje për të mos mbjellë dyshim, nuk është e preferueshme ta përcjellë as terrenin se prej nga vijnë ushqimet. I ftuari nuk guxon të heqë dorë prej ndonjë ushqimi që ia kënda e që nuk e ha duke pasur frikë se do të turpërohet. Ai duhet të hajë zakonshëm, sikur të ishte vetë pranë sofrës. Është e udhës që dasmori të pranishmit në sofër t´u thotë “urdhëroni, hani”, porse këtë fjalë nuk duhet përsëritur shpesh. Pos kësaj, askënd nuk guxon ta detyrojë të hajë duke e përbetuar.

Deri tash folëm për të ftuarit të cilët duhet t´i përgjigjen ftesës, por, është me interes të dihet se, nëse i ftuari është duke agjëruar, ç´duhet vepruar në këtë rast?

Pejgamberi a.s. ka thënë: “Nëse ndonjëri prej jush ftohet për të ngrënë ndërsa nuk është duke agjëruar, atëherë le të hajë, por, nëse është duke agjëruar, atëherë të mos hajë.” (Tirmidhiu, 3/150, nr.780).

Në këtë kontekst, nëse agjëruesi mbanë agjërim nafile kurse ftuesi do të preket nëse ai nuk ha, atëherë është e lejueshme që ai ta prishë agjërimin dhe të hajë. Lidhur me këtë Pejgamberi a.s. ka thënë: “Agjëruesi që mbanë agjërim vullnetar është komandues i vetvetes, nëse dëshiron agjëron e nëse jo e prishë.” (Ahmedi, 6/341). U muar vesh, nëse prishet agjërimi nafile, atëherë atë duhet agjëruar një ditë tjetër. ?shtë rregull Islame që në fund të ngrënies së ushqimit të bëhet lutja. Transmeton Abdullah b. Bishiri se, babai i tij kishte përgatitur ushqim dhe e kishte ftuar Pejgamberin a.s. Kur paskësh mbaruar ngrënia e ushqimit, Pejgamberi a.s. paskësh thënë: “O Zot, fali, mëshiroi dhe begatoi këto me të cilat na ke furnizuar.” (Ebu Davudi, 3/338, nr. 3729). Në një rast tjetër Pejgamberi a.s ka thënë: “Prej ushqimit tuaj kanë ngrënë të mëshirshmit (fetarët), ke ju bënë iftar agjëruesit, juve ju kanë përshëndetur engjëjt.” (Ebu Davudi nga Enesi, 3/367, nr.3854).

Transmeton Enesi r.a.: “Unë nuk e kam parë Pejgamberi a.s. të ketë ftuar dasmorë më tepër se kur u martua me Zejneben. Me atë rast Pejgamberi a.s. patë therur vetëm një dele!”

Pejgamberi a.s. kur u martua me Fatimen tha: “Është e domosdoshme që për martesë të bëhet ftesë.” (Ahmedi, 5/359).

Sunetet që duhet aplikuar me rastin e  ftesës në dasmë              

Është sunet që për dasmë të therret së paku një dele, por nëse dasmori ka mundësi mund të therrë edhe më tepër. E nëse nuk ka mundësi ekonomike të therrë gjë, atëherë në sofrën e tij duhet të shtrojë atë çka ka prej ushqimit hallall. Enesi r.a. transmeton: „Pejgamberi a.s. tre ditë qëndroi mes Hudejbis dhe Medines, dhe gjatë këtij qëndrimi në këtë vend hyri dhëndër me Safijen. (Enesi thotë: ) Unë i ftova muslimanët me rastin e martesës së Pejgamberit a.s. ndërsa ne nuk kishim (për të shtruar në sofër) as bukë e as mish. Ndaj s´na mbeti gjë tjetër përpos që në sofër të shtrojmë hurme, kos të kulluar dhe yndyrë.” (Buhariu në Fet´hul Bari, 9/183).

Në dasmë duhet të ftohen njerëzit e ndershëm e jo ata që e prishin atmosferën e gëzimit. Lidhur me këtë Pejgamberi a.s. ka thënë: “Shoqërohu vetëm me besimtarin, dhe mos lejo që ushqimin tënd ta hajë dikush tjetër përpos atij të devotshmit.” (Darimiu nga Ebi Seid el Huderij, 2/103).

Në dasmë duhet të ftohen të afërmit, shokët dhe miqtë. Është princip Islam që me këtë rast të kihet kujdes shumë dhe të mos ndodhë që disa të ftohen e disa jo. Gjithashtu, në ftesa nuk duhet të ketë prioritet, pra, nuk duhet të ftohen vetëm të pasurit, ata që kanë pozita të larta, apo vetëm ata prej të cilëve del ndonjë interes, porse duhet pasur kujdes që të ftohen edhe shtresat me të ulëta të njerëzve. Thjesht, në dasmë duhet të ftohen vetëm të mirët, pa marrë parasysh pozitën e tyre shoqërore dhe ekonomike. Rreth kësaj Pejgamberi a.s. ka thënë: “Ushqimi më i ligë në dasmë është ai ushqim në të cilin ftohen vetëm të pasurit e jo edhe të varfrit. Ai që nuk i përgjegjet ftesës i ka bërë mëkat All-llahut xh.sh. dhe të dërguarit të Tij.” (Malik b. Enesi nga Ebu Hurejra, 2/28, nr.50)

Me rastin e dasmës duhet ikur të gjitha shpenzimeve të panevojshme, sepse shpenzimet e panevojshme janë rreptësishtë të ndaluara, haram. All-llahu xh.sh. thotë: “Me të vërtetë shpenzuesit ishin vëllezër të djajve.” (Israë, 27)

Në dasmën e muslimanit nuk lejohet të përdoren ushqimet dhe pijet që janë të ndaluara fetarisht, e as që guxon që ky tubim të jetë i përzier burra e gra. Po ashtu, dasma nuk guxon të bëhet për qëllime mendjemadhësie.

Duke pasur parasysh se Islami është fe humanitare dhe solidare, muslimanët janë të obliguar që në çfarëdo gjendje e rasti të ndihmohen mes vete. Sipas parimeve Islame është mustehab (e preferueshme) që i pasuri t´i ndihmojë të tjerët në dasëm. Një gjë të tillë e kishin praktikuar vetë shokët e Pejgamberit a.s. Këtë e vërejmë edhe në rastin e martesës së Tij me Safijen, të cilin rast e treguam më sipër. Kur është martuar Aliu r.a. me Fatimen, bijen e Muhamedit a.s. dasmën e tij e ndihmuan ensarët, kush solli desh, kush enë me grurë etj. (Taberani).

 Të shprehurit e gëzimit gjatë dasmës

Në bazë të parimeve Islame kënga dhe të rrahurit e defit me qëllim të paralajmërimit të kurorëzimit është e lejueshme. Të përmendim këtu se, është mubah (e lejueshme) përdorimi vetëm i atij lloj defi që nuk ka “xhampare”. Lejohen vetëm ato kënga që theksojnë cilësi të bukura e jo që në vete ngërthejnë fjalë të ndyta apo të pahijshme.[1] Gjithashtu, nuk janë të lejueshme as ato këngë përmes së cilave përshkruhen cilësitë e ndonjë femre të caktuar, edhe nëse ajo është për t´u lavdëruar.

Argument për atë se në dasmë mund të përdoret defi pa “xhampare” është hadithi i Pejgamberit a.s. të cilin e transmeton Aishja r.anha. Ajo kishte përgatitur nuse për një ensar një vajzë të një ensari. Në atë rast Muhamedi a.s. e pyeti Aishen: „A i patët me vete dëfryesit, sepse medinasëve u pëlqen dëfrimi? A e dërguat me nusen ndonjë xharie për t´i ramur defit dhe për të kënduar?“ Aisha r.anha tha: „Po,  i thash! E ç´të thotë ajo?“ Pejgamberi a.s. tha: „Le të thotë: “Ju erdhëm, ju erdhëm, na gjallëruat ju gjallëruam! Sikur të mos ishte ari i kuq, do të ishin përmbushur klubet tuaja, sikur të mos ishte gruri i zeshkët nuk do të ishin të majme virgjëreshat tuaja.” (Xhamiul Usul, 4/260).

Amër b. Said el Bexhelij duke transmetuar thotë: “Hyra te Kardhahi b. Kabi dhe te Ibni Mes´udi (dhe e përmendi edhe një të tretë), ku xhariet i binin defit dhe këndonin. U thashë: a pajtoheni me këtë kur ju jeni shokë të Pejgamberit a.s.!” Pastaj i thanë atij: “Muhamedi a.s na e ka lejuar këtë në dasëm, ndërsa vajin pa kukamë na e ka lejuar në vdekje!” (Hakimi, Bejhekiji dhe Neseiu).

Sipas këtyre haditheve shihet se përdorimi i defit në dasëm është i lejuar fetarisht, mirëpo të rrahurit e defit jashtë dasmeve është mekruh (e papëlqyeshme). Omeri r.a. kur i dëgjonte të rrahurat e defit, njëherë heshtte dhe vështronte, nëse të rrahurat e tij ishin për dasmë s´bëzënte, por nëse ato ishin për diç tjetër atëherë e përdorte shkopin.

Nga ana tjetër, të kënduarit lejohet edhe nëse ajo nxit ndokënd për ndonjë punë të mirë ose për rehati shpirtërore përgjatë ndonjë udhëtimi.

Gjatë gërryerjes së hendeqeve apo ndërtimit të xhamive Pejgamberi a.s. shokëve të vet u recitonte poezi. Porse kjo traditë nuk do të thotë se tash lejohet recitimi i poezive me përmbajtje të papëlqyeshme. Madje edhe prezenca në atë vend ku recitohen poezi të tilla për muslimanët është i ndaluar.

Sa i përket muzikës si dhe përdorimit të instrumenteve muzikore në Islam janë të ndaluara. Lidhur me këtë po i sjellim dy hadithe të Pejgamberit a.s.:

Transmeton Ebu Hurerja prej Muhamedit a.s. i cili ka thënë: “Një pjesë prej umetit tim në moment të fundit do të shndërrohet në derra e majmunë! E pyetën: O i Dërguari i All-llahut, do të jenë ata prej muslimanëv? Po, tha i Dërguari i All-llahut. Të tillët sot dëshmojnë se nuk ka zot tjetër përveç All-llahut xh.sh. dhe se unë jam i dërguari i Tij, ata agjërojnë! E pyetën: Atëherë për çfarë arsye do të shndërrohen në të tillë? Për shkak se në moment të fundit do t´i marrin instrumentet muzikore, do t´ia marrin këngës me defe, e do të mbesin pa pijen e tyre e do t´ju turren pijeve alkoolike që në agun e hershëm të mëngjesit.”

Pejgamberi a.s. ka thënë: “Në mesin e umetit tim do të gjenden disa njerëz që do ta lejojnë prostitucionin dhe mëndafshin, alkoolin dhe veglat muzikore.” (Ebu Davudi, 4/46, nr.4039).

Gjithashtu, Pejgamberi a.s. ka thënë: “Për umetin tim do të pasojë arsyeshëm ndëshkimi nëse i vepron pesëmbëdhjetë gjerat e ndaluara rreptësishtë… nëse pi alkool, nëse veshë mëndafsh dhe nëse përdorë instrumente muzikore. I fundit nga ky umet do ta mallkojë të parin e tij…” (Tirmidhiu, 4/428, nr.2210, nga Aliu, i biri i Ebi Talibit).

(Shkëputë nga libri . “E drejta familjare në Islam” autor: I. Abasi, T. Bislimi. F. Ebibi, J. Zimeri, botuar 1996 nga Mexhlisi Shura e BIM-Shkup


[1]    Jemi dëshmitarë të asaj se ndër popullatën tonë kontrolli për dasma është humbur tërësisht. Përmes zëzmadhuesëve, madje të hipura edhe mbi çati, bëjmë aso zhurme thuase gëzimin tonë duhet ta përjetojnë të gjithë. Kësisoj, s`çajmë fare kokë për atë se, kjo jo vetëm që është rreptësisht e ndaluar me Islam, pra haram, porse një akt të tillë e ndalon edhe logjika e shëndoshë si dhe të gjitha ligjet ndërkombëtare. Nga ana tjetër, duhet të kihet kujdes edhe në atë se, rreth shtëpisë ku bëhet dasma mund të ketë edhe njerëz të sëmurë, të cilëve zëri i lartë u pengon me të madhe. Një aheng i tillë ku bëhet zhurmë e pakontrolluar, dëshmon edhe për atë se në aso raste edhe shpenzimet janë të majme. ndërsa kjo bie ndesh të gjitha parimeve Islame.

CTRL + Q to Enable/Disable GoPhoto.it

Shkrime të ngjashme