Dispozita Islame për përdorimin e monedhave

Shkruan: Jusuf ZIMERI

S’ka dilemë se monedha- paraja është një element i rëndësishëm për vlerësimin e ekonomisë. Pra monedhat janë standarde të rëndësishme për përcaktimin e vlerës së kapitalit, për dallim nga para e arit dhe argjendit që në esencë janë vlerë dhe kapital. Duke u nisur nga ky parim, juristët islam debatuan rreth dispozitës së përdorimit të monedhave që nuk janë nga ari dhe kartëmonedhave, pavarësisht si quhen ato.

Juristët Islam nga shkolla juridike hanefite, malikite dhe sipas një mendimi edhe imam Ahmedi, janë të mendimit se të gjitha monedhat që nuk janë nga ari dhe argjendi si dhe kartëmonedhat  përfitojnë cilësinë e kapitalit –vlerës dhe i bashkëngjiten arit dhe argjendit.[1] Nga kjo nënkuptohet se në grumbullimin e monedhave apo kartëmonedhave jepet zeqat nëse plotësohet nisabi i zeqatit. Gjithashtu nënkuptohet me këmbimin e këtyre monedhave realizohet edhe fajdeja-kamata nëse këmbimi mes tyre bëhet nga i njëjti lloj dhe me shtim.

Ky mendim mbështetet mbi faktin se Islami ka verifikuar veprimin me monedha dhe të njëjtën e konsideron si monedhë legjitime përmes së cilës mund ti arrish të gjitha transaksionet që mund të bëhen edhe me ari e argjend. Në lidhje me këtë Imam Maliki ka thënë: Sikur njerëzit të pëlqenin që këmbimet mes tyre të bëhen qoftë edhe me një leckë lëkure që e trajtojnë si monedhë, atëherë në parim do të kisha urryer që shitblerja të bëhet me ari dhe argjend.[2]

Këtë mendim e përkrahin edhe shumica dërmuese e dijetarëve bashkëkohor, e në mesin e tyre Shejh Ebu Bekr Hasan El Keshnavi, Shejh Abdullah b. Muniu, Dr. Jusuf el Kardavi etj. Këta janë të mendimit se kartëmonedhat sot llogariten zëvendësim i arit dhe argjendit, dhe ndaj tyre implementohen të gjitha dispozitat që implementohen mbi arin dhe argjendin, duke filluar nga zekati, kamata etj[3].

Argumentet ku mbështetet ky mendim janë, monedhat janë shndërruar në çmim për shitblerje, atëherë zëvendësojnë arin dhe argjendin në veprimet e përditshme. Pastaj edhe tradita e përgjithshme dëshmon se monedhat janë legjitime dhe vlejnë për çmime, andaj edhe kanë trajtimin e arit dhe argjendit që nënkupton se realizohet edhe kamata por detyrohet edhe zekati.


[1] Dr. Muhamed Othman Shebih, el muamelat el malijetu el muasire fil fiklhil islam, f.162.

[2] Po aty, f.162, nga El Mudevine 3/90-91.

[3] Po aty, f.164.

Shkrime të ngjashme