25 DhjNAMAZI I XHENAZES NUK PËRSËRITET

Ky artikull është pjesa 19 nga 19 pjesë, në serinë e artikujve nga tema: Namazi

Shkruan: Jusuf Zimeri

 Dispozita e faljes së namazit të xhenazes është “Farzi Kifaje” detyrim kolektiv, e kjo nënkupton se, nëse faljen e namazit të xhenazes e kryen një grup prej besimtarëve islamë, atëherë nga obligueshmëria e faljes së namazit të xhenazes lirohen tërë myslimanët, njashtu lirohen edhe nga përgjegjësia e këtij obligimi. Në anën tjetër, nëse këtë obligim nuk e kryen askush nga myslimanët, pra e lënë pa e falur namazin e xhenazes, atëherë të gjithë besimtarët e vendit konsiderohen mëkatarë për shkak të braktisjes së farzit, dhe bartin përgjegjësi para Allahut Fuqiplotë. Se namazi i xhenazes është farzi kifaje, vërtetojnë edhe këto hadithe të Pejgmberit Aljhis-selam. si shumë hadithe tjerë, që janë:

Transmtohet se Pejgamberi Alejhis-selam ka thënë: “Obligimet e myslimanit ndaj muslimanit janë gjashtë: është pyetur: cilët janë ato o i dërguari i Allahut? Tha: Kur ta takosh, jepi selam, kur të fton, përgjigju ftesës së tij, kur kërkon këshilla, këshilloje, kur të teshë dh falënderon Allahun, thuaj Allahu të mëshiroftë, kur të sëmuret, vizitoje, e kur të vdesë, përcjelle atë”

Transmetohet nga Imran b. Husejni i cili ka thënë: i Dërguari i Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ka thënë: “Vërtetë vëllai i juaj Nexhashiu ka vdekur, atëherë ngrihuni dhe fanli namazin e xhenazes së tij” (Regjistron Termidhiu 1:33.) Në një transmetim tjetër që e ka regjistruar imam Et-Taberaniu në veprën e tij “El kebir” me transmetim nga Hudhejfe b. Usejd el Gafariu, i ngritur te Pejgamberi Alejhis-selam (merfu) thuhet: “Vërtetë vëllai i juaj Nexhashiu ka vdekur, andaj kush dëshiron nga ju që t’ia falë namazin e xhenazes, le t’i falë”. (Kenzul Umal 8:85).

Imam el Kasani në veprën e tij “Bedai es-senai” (1/336) shpjegon qartë se namazi i xhenazes duhet ti falet çdo myslimani që ka vdekur pasi të ketë lindë i gjallë, i vogël qoftë apo i madh, mashkull apo femër, i lirë apo rob. Kjo nënkupton se namazi i xhenazes nuk i falet atij që ka lindur i vdekur.

Kush duhet ti prijë namazit të xhenazes

Para se të shpjegojmë se namazi i xhenazes a mund të falim më shumë se njëherë, detyrimisht për ta kuptuar sa më lehtë këtë çështje duhet të shtjellojmë faktin se, kush ka përparësi që ti prijë xhematit apo të udhëheqë me faljen e namazit të xhenazes si imam.

Dijetarët – fukahat e medhhebit hanefij janë të mendimit se përparësi në faljen e namazit të xhenazes fillimisht ka imami (udhëheqësi i shtetit islam), pastaj zëvendësi i tij, pastaj gjykatësi islam, pastaj imami i xhamisë së lagjes ku i vdekuri ka falur namazin gjatë jetës së tij duke qenë gjallë.

Shejh Fahrudin Othman ibni Alij Ez-Zejleij në veprën e tij “Tbjinul hakaik sherh kenzu dekik” 1/238. Thotë: “Imam ebu Hanife thotë: Përparësi në faljen e namazit të xhenazes ka halifja nëse prezanton, e nëse nuk prezanton imami i qytetit sepse ai është i emëruar nga Halifja,, pas tij gjykatësi islam, pas tij udhëheqësi i policisë, pas tij zëvendësi i valiut, pastaj zëvendësi i gjykatësit, e pas tij imami i xhamisë së lagjes, e nëse këta nuk prezantojnë, atëherë të afërmit. Këtë qëndrim e vërteton edhe shejh Ahmed b. Muhamed b. Ismail Et-Tahtavi, në veprën e tij “Hashijetu ala merakijel fellah sherh nurul idah” 1/389. Të njëjtin qëndrim e verifikon edhe shejh Kemaludin Muhamed Abdulvahit në veprën e tij “sherh fet’hul kadir” 2/81, me  transmetim nga Hasan ibni Zijadi (nxënësi i ebu Hanifes) nga ebu Hanifja.

Imam Mevdud el Musiliju, në veprën e tij “el Ihtijaru li ta’lili muhtar” (1/39) këtë qëndrim e argumenton duke u mbështetur në transmetimin nga ebu Ujejnete, ky nga Salimi b. Ebu Hafsa i cili ka thënë: ”e kam dëgjuar ebu Hazimin duke thënë:  Unë isha dëshmitar  atë ditë kur  Husejnit birit të Aliut Rradiall-llahu anhuma i kishte vdekur vëllai i tij Hasani. Namazin e xhenazes ia kishte falur Seid b. El Asi i cili në atë kojë ishte Valij i Medinës, kurse Husejni i kishte thënë: “Urdhëro fale namazin e xhenazes, sepse ky veprim po të mos ishte sunnet, nuk do të kisha dhënë përparësi për faljen e namazit të xhenazes”. (Regjistron imam Taberaniju në veprën el Kebir, kurse Nesaiju dhe ibni Maxheh transmetojnë ngjashëm nga ebu  Hazimi. Nga ky hadith qartë vërehet se udhëheqësi islam ka përparësi në faljen e namazit të xhenazes nga të gjithë të tjerët që janë të pranishëm, edhe pse në varrimin e Hasanit kishin marrë pjesë  një numër i madh nga sahabët.

Pas imamit (udhëheqësit islam) përparësi në faljen e namazit të xhenazes ka përparësi zëvendësi i tij dhe më pas gjykatësi islam, ngase këta konsiderohen zëvendës dhe të emëruar të udhëheqësit islam.

Në rastet kur në faljen e namazit të xhenazes, nuk merr pjesë ndonjëri prej tyre, pra udhëheqësit islam, zëvendësi i tij apo gjykatësi islam, përparësi në faljen e namazit të xhenazes ka imami i xhamisë së lagjes ku i vdekuri ka falur namazin pas tij, e më pas të afërmit e tij.

Lidhje me këtë na informon imam Ebu Hanife Allahu qoftë i kënaqur me te, nga Hamade, ky nga Ibrahimi i cili për namazin e xhenazes ka thënë: “Namazin e xhenazes duhet ta falin imamët e xhamive. Ibrahimi ka thënë: jeni pajtuar që ata të jenë imamë në namazet tuaja ditore obligative, e nuk po pajtoheni që të falin namazet e të vdekurve tuaj.?! Në kontekst të kësaj imam Muhamedi në veprën e tij “el Atharu” f. 40 thotë: “Udhëheqësi islam duhet ti japë përparësi imamit të xhamisë që  ta falë namazin e xhenazes, por jo duke e detyruar atë. Ky është edhe mendimi i imam Ebu Hanifes.

Lidhur me shpjegimin e kësaj tematike imam et-Tehaneviju në veprën e tij “I’lau sunen” (8/353) me shpjegim të muftij Tekij Othmanit thotë: Përparësia është e imamit të xhamisë së lagjes për faljen e namazit të xhenazes në krahasim me të afërmit e të vdekurit dhe dijetarëve tjerë që janë prezent në faljen e xhenazes, por kur në këtë namaz nuk prezantojnë kryetari apo gjykatësi islam, vërtetohet edhe me rastin e Suhejbit, kur fali namazin e xhenazes së Omerit Allahu qoftë i kënaqur me te.  Transmetohet nga  Ubejde, ky nga Sufjani Ethevriju, ky nga Hisham b. Urvete e ky nga babai i tij i cili ka thënë: “U vra Omeri Radiallahu anhu, e Aliju dhe Othmani shpejtuan të falin namazin e xhenaze së tij, kurse Suhejbi u tha: Ju do të qëndroni pas meje, sepse unë jam autorizuar nga Omeri për faljen e namuzeve të xhenazes, pastaj unë ua fali juve edhe namazet e përditshme (sepse ishte imam), andaj namazin e xhenazes e fali Suhejbi. (Hakimi në mustedreekun e tij 3:92)

Nga kjo nënkuptohet se në varrimin e Omerit Radiallahu anhu ishin prezent edhe dy Halifët e mëvonshëm Aliju dhe Othmani radiallahu anhuma, pastaj ishte prezent edhe një numër shumë i madh i sahanëve të Pejgamberit Alejhis-selam, por xhenazen e fali Suhejbi ngaqë ishte imam i xhamisë ku ua falte edhe namazin njerëzve, ngaqë ishe i emëruar si imam. Mirëpo, meqë bëhej fjalë për faljen e namazit të xhenazes së udhëheqësit islam, dhe se ai (Omeri) nuk kishte emëruar udhëheqës pas vdekjes së tij por kishte porositur që zgjedhja e udhëheqësit islam të bëhet përmes mexhlisit konsultativ dhe në momentin e faljes nuk kishte udhëheqës islam, atëherë kjo përparësi kaloi te imami i xhamisë. Ky akt, meqë nuk u kundërshtua nga asnjë të pranishmit, konsiderohet edhe konsensus (ixhma) se imami i xhamisë ka më shumë përparësi për faljen e namazit të xhenazes nga afërmit, kur nuk janë prezent udhëheqësi i shtetit apo gjykatësi islam. Imam Buhariu duke komentuar këtë rast thotë: “Ka marrë pjesë në varrime të shumë njerëzve, por më me prioritet për faljen e namazit të xhenazes ishte ai i cili ia falte namazet farze duke qenë i gjallë, pra imami i tij”.

Imam el Kasani në veprën e tij “Bedaiu senai”  rreth kësaj çështjeje, sjell një transmetim nga el Hasani, ky nga ebu Hanifja se Imami suprem (kryetari i shtetit islam) ka më shumë të drejtë ti prijë namazit të xhenazes nëse është prezent, e nëse nuk është prezent, atëherë kryetari i qytetit, e nëse edhe ai nuk është prezent, atëherë imami i xhamisë së lagjes, e nëse edhe ai nuk është atëherë gjithnjë e më i afërmi i tij e ky është edhe qëndrimi i medhhebit hanefij.

Në rastet kur në faljen e namazit të xhenazes mungon imami i xhamisë së lagjes, atëherë përparësi në faljen e namazit kanë të afërmit e tij, duke filluar gjithë nga më i afërmi i tij. Në rastin kur i vdekuri ka lënë pas veti edhe babain edhe birin e tij, sipas mendimit të ebu Jusufit përparësi në faljen e namazit të xhenazes ka babai i të vdekurit. Pak më ndryshe prej tij, mendojnë imam ebu Hanife dhe imam Muhamedi, të cilët thonë se, djali i të vdekurit ka më shumë përparësi nga babai i tij për faljen e xhenazes, mirëpo është e preferuar, pra është mirë që ai ti japë përparësi babait në shenjë respekti dhe për shkak të hadithit ku Pejgamberi Alejhis-selam ka thënë, se lutjet e prindit janë të pranuara për fëmijën e tij. Nëse të afërmit janë të barabartë në afërsi, atëherë prioriteti i takon më të vjetrit në moshë.

Në këtë rast duhet pasur parasysh se nëse i vdekuri ka lënë porosi (vasijet) për dikë që t’ia falë namazin e xhenazes, mirëpo të tjerët kanë më shumë përparësi prej tij, atëherë vasijeti i tij konsiderohet i kotë, pra nuk duhet zbatuar, porse namazin e xhenazes e falë ai që ka përparësi, nga ata që i theksuam më parë.

A mund të falet namazi i xhenazes dy e më shumë herë

Fillimisht të theksojmë se fukahat islamë nuk janë unik në mendimet e tyre se namazi i xhenazes a duhet të falet vetëm njëherë, apo namazi i xhenazes mund të falet disa herë, nga ata të cilët nuk e kanë falur. Në vazhdim të këtij punimi do të paraqesim mendimet e grupeve të dijetarëve islam rreth këtij problemi.

Mendimi i parë

Dijetarët, fukahat nga shkolla juridike hanefite dhe malakite janë të mendimit se namazi i xhenazes mund të falet vetëm një herë dhe nuk ka nevojë që namazi i xhenazes të përsëritet edhe njëherë nga njerëz tjerë pra, të falet më shumë se një herë.

Imam el Kasani në veprën e tij “Bedaiu senai” 2:337, thotë: “namazi i xhenazes falet vetëm njëherë, ai nuk përsëritet as me xhematë e as vetmas. Përjashtim nga ky rregull bënë vetëm rasti që, nëse disa njerëz të huaj e kanë falur namazin e xhenazes pa urdhrin apo lejen e kujdestarëve të tij, pra të afërmve të tij, në këtë rast, kur të arrijë kujdestari, ai ka të drejtë të përsërisë dhe të falë namazin e xhenazes.

Imam Abdullah b. Mahmud b. Mevdud el Musilij në veprën e tij “el Ihtijaru li ta’lili muhtar” (1:140) thotë: nëse namazin e xhenazes e kanë falur disa njerëz tjerë, atëherë  kujdestari i të vdekurit, ka të drejtë që ta përsërisë faljen e namazit të xhenazes,  por që në faljen e namazit të parë të mos kishte marrë pjesë udhëheqësi islam apo gjykatësi.

Imam Serahsiju në veprën e tij “el mebsut” 2/126, thotë: Namazi i xhenazes bie nga obligueshmëria e faljes nëse atë e ka falur vetëm një njeri, nëse ai njeri është kujdestari i tij, dhe të tjerët nuk kanë të drejtë të përsërisin namazin e kësaj xhenaze.

Shejh Alaudin Abidin b. Muhamed Emin Abidin, në veprën e tij “el hedijetul alaijetu” f.123 thotë: Nëse dikush tjetër e falë namazin e xhenazes pa lejen e kujdestarit apo udhëheqësit, kujdestari ka të drejtë të përsërisë namazin e xhenazes nëse dëshiron. Mirëpo, nëse e ka falur ai që është kompetent (kujdestari), atëherë pas tij nuk falet më namazi i xhenazes.

Shejh Kemalaudin Abdulvahid në “fet’hul kadir” 2/83, thotë: nëse namazin e xhenazes e ka falur dikush nga ata që kanë më shumë përparësi se kujdestari i tij, duke filluar prej halifes e deri te imami i lagjes, atëherë askush nuk ka të drejtë ta përsërisë namazin e xhenazes.

Prof. Dr. Vehbe Zuhjeli në veprën e tij “el filhul islamij ve edil-letuhu” 2/502 thotë: “ Sipas dijetarëve të medhhebit hanefij dhe malikij, përsëritja e namazit të xhenazes, nëse ajo është falur njëherë me xhematë, është veprim i urryer (mekruh), e nëse është falur vetëm nga një individ atëherë është mirë të përsëritet përderisa nuk është varrosur. Të njëjtin qëndrim e shpreh edhe Shejh Abdurrahman el Xhuzejri në veprën e tij “kitabul fikhi ala medhahibil erbeati” 1/527.

Nga tërë kjo që u theksua, shumë lehtë ndërtohet qëndrimi se dijetarët e medhhebit hanefij janë të mendimit se falja e namazit të xhenazes nuk përsëritet, pra nuk ka nevojë të falet më shumë se një herë, e veçanërisht kur dihet fakti se në vendet tona namazit të xhenazes zakonisht i prinë imami i xhamisë së lagjes edhe atë me pëlqimin e familjes- kujdestarëve të të vdekurit.

Logjika ku mbështet mendimi i dijetarëve të medhhebit hanefij për moslejimin e faljes së namazit të xhenazes më shumë se një herë, mbështetet në faktin se falja e namazit të xhenazes është farz kifaje (obligim kolektiv), dhe ky farz kryhet me faljen e parë, kurse falja e herëve tjera (përsëritja) të namazit të xhenazes, të njëjtin person, konsiderohet namaz nafile, e namazi nafile është veprim i pa ligjësuar në namazin e xhenazes, andaj veprimi i tillë është i urryer.

Argument tjetër ku dijetarët e medhhebit hanefij mbështesin mendimin e tyre, siç argumenton imam el Kasani në veprën e tij “Bedaiu senai”, është  transmetimi nga Pejgamberi Saal-lall-llahu alejhi ve sel-leme se ai në një rast kishte falur namazin e një xhenazeje, e pasi kishte përfunduar me namazin e xhenazes, arriti Omeri radiall-llahu anhu me disa njerëz dhe deshi që ta falë namazin e xhenazes, e Pejgamberi Aljehis-selam i tha: “Namazi i xhenazes nuk përsëritet, porse lutu dhe kërko falje për të”.

Në një transmetim tjetër nga ibni Abasi Radiallahu anhuma dhe ibni Omeri thuhet se atyre u kishte kaluar pa e falur namazi i një xhenazeje, e kur erdhën, ata nuk shtuan diçka tjetër përveç istigfarit dhe lutjeve. Kjo nënkupton se ata nuk e përsëritën faljen e namazit të xhenazes, por vetëm bënë lutje dhe dua për të vdekurin.

Poashtu transmetohet  nga Abdullah b. Selame se atij i kishte ikur pa e falur namazin i xhenazes së Omerit Radiallahu anhu, e kur erdhi tha: “vërtetë ju ma shkuat me faljen e namazit, por nuk mund të ma shkoni me lutje për të.

Një argument tjetër ku dijetarët e medhhebit hanefij bazojnë mendimin e tyre për mos përsëritjen e namazit të xhenazes është edhe fakti se ummeti islam ka trashëguar mos përsëritjen e faljes së namazit të xhenazes së  Pejgamberit Alejhis-selam dhe të hulefai rashidinëve. Sikur një veprim i tillë të ishte i ligjësuar dhe të lejohej falja e namazit të xhenazes, atëherë asnjë mysliman nuk do ta kishte lënë e pa e falur namazin e xhenazes Pejgamberit Alejhis-selam, e veçanërisht kur dihet se trupi i Pejgamberit Alejhis-selam ekziston ashtu si ka qenë pa u prishur. Meqë nuk është praktikuar kjo vepër atëherë nënkuptojmë se këtu ekziston konsensus për mos përsëritje të namazit . Falja e namazit të xhenazes është Farz kifaje, farzi arrihet me një falje, kurse përsëritja e veprimit- faljes nënkupton nafile, e namazi nafile për namazin e xhenazes është veprim i pa ligjësuar me argument.

Mendimi i dytë.

Sipas mendimit të fukahave nga medhhebi shafiij dhe hanbelij namazin e xhenazes mund ta falë edhe ai besimtarë i cili nuk e ka falur edhe pasi të jetë falur xhenazja njëherë.

Argument ku mbështet ky mendim kanë hadithin e Pejgamberit Sal-lallahu alejhi ve sel-leme, se ai ia kishte falur namazin e xhenazes Nexhashiut.

Dijetarët e medhhebit hanefij hadithin e faljes së namazit të xhenazes që ia bëri Pejgamberi Alejhis-selam Nexhashiut, e interpretuan me faktin se kjo ishte veçori e Pejgamberit Alejhis-selam, e ajo që është veçori për të, nuk vlenë edhe për njerëzit tjerë, andaj edhe ky rast nuk mund të jetë argument për përsëritjen e namazit të xhenazes te njerëzit tjerë. Në anën tjetër, Pejgamberi Alejhi selam  kishte përparësi në faljen e namazit të xhenazes, sepse transmetohet se ai ka thënë: “Nuk mund ti falë të vdekurit tuaj askush tjetër përveç meje, derisa unë të jemë në mesin tuaj” Se Pejgamberi Alejhis-selam gëzonte këtë përparësi vërteton edhe jeti kur’anor ku thotë: “Pejgamberi ka më shumë prioritet ndaj besimtarëve se sa ata ndaj vetes së tyre” (Ahzab 6).

Argument tjetër që dijetarët e medhhebit shafij mbështesin mendimin e tyre është edhe hadithi i regjistruar te imam Buhariu Radiallahu anhu ku thotë: Kaloi Pejgamberi Alejhis-selam pran varrezave dhe aty pa një varr të ri, e pyeti: i kujt është ky varr? Të pranishmit i thanë: ky është varri i filanes! Pejgamberi Alejhis-selam tha: “Pse nuk më keni ftuar që t’ia falja namazin kësaj gruaje”? Të pranishmit i thanë: ajo është varrosur natën o i Dërguari i Allahut e ne u frikuam se mos po të ndodhë diç e keqe me insektet e tokës. Pejgamberi Alejhis-selam tha: “Nëse vdes ndonjë njeri, më lajmëroni, më ftoni të fali namazin e xhenazes, sepse vërtetë namazi i im për të vdekurin është mëshirë”. Pastaj u ngrit Pejgamberi Alejhis-selam, u pozicionua në atë mënyrë që varri i saj të jetë mes tij dhe kibles dhe ia fali namazin e xhenazes.

Edhe ky hadithë qartë është dëshmi se Pejgamberi Alehjhis-selam kishte prioritet, sepse namazi i Pejgamberit  alejhis-selam nuk mund të jetë i barabartë me namazin  të tjerëve. Përderisa ai ishte prezent në mesin e sahanëve, ai ishte i obliguar me faljen e namazit të xhenazeve sikur edhe me namazet tjera, me përjashtim kur ai u jepte leje të tjerëve ta bëjnë këtë punë. Në rastin konkret, pejgamberi alejhis-selam, jo që nuk kishte dhënë leje, por as që kishte njohuri se çka ka ndodhur dhe i kujt është ky varr, e kur u informua, atëherë ia fali namazin e xhenazes asaj gruaje.

Në fund, duke lexuar literaturën përkatëse islame, mënyrën e argumentimit dhe interpretimit ë argumenteve për të ardhur deri te dispozita për përsëritjen e faljes së namazit të xhenazes, si dhe duke marrë parasysh rrethanat ku jetojmë sot dhe si funksionon shoqëria jonë islame në vendet tona, konstatojmë se me faljen e namazit të xhenazes nga imami i xhamisë ku i ndjeri ka falur namazin duke qenë gjallë, nuk lejohet më përsëritja e faljes së namazit të xhenazes dhe se një veprim i tillë është i urryer (mekruh), ngase farzi është kryer me faljen e parë, e nafilja nuk është e ligjësuar në namazin e xhenazes.

Vallahu ealem.

Literatura e konsultuar:

1.   Imam Alaudin ebu Bekr ibni Mes’ud el Kasani el Hanefij, Bedaiu es-saniu sherh tertibu esherai, darul kutub el ilmije- Bejrut-Liban.

2  Shejh Dhafer Ahme del Othmani et-Tehanevij, I’lau es-suneni”, idaretul karar vel ulu mel islamije – Karaçi- Pakistan,

3  Abdullah b. Mahmud Mevdud el Musilij el hanefij, El Ihtijar li ta’lilil muhar, darul erkam b. Erkam, Bejrut, Liban, 1999.

4  Shejh Kemaludin Muhamed b. Abdulvahid, Sherh fet’hul kadir, daru ihjai turathil arabij, Bejrut-Liban.

5  Shejh Ahmed b. Muhamed b. Ismail Et-Tahtavi el hanefij, hashsijetu ala merakijel fellah sher nurul iidah”.

6  Shejh Hasan b. Amar b. Alij Shurunbulali el hanefij, Merakijel fellah sherh nurul idah.

7  Shejh Alaudin Abidin, el hedijetul alaijetu, botimi tretë 1978.

8  Dr. Vehbe Zuhejli, el fikhul ilsmai ve edil-letuhu, darul fikri, damask- Siri.

9  Shejh Abdurrahman el Xhuzejri, kitabul fikhi ala medhahibil erbeati, Kajro, Egjipt

10  Jusuf Zimeri, Fikhu Islam, dispozita nga namazi, zeqati, agjerimi dhe haxhi, botimi 2012 Shkup.

Seritë<< Falja e drekës së fundit pas namazit të xhumasë
No comments

Place your comment

Please fill your data and comment below.
Name
Email
Website
Your comment