05 JanRrethanat socio-juridike në të cilat është sjellë Kushtetuta e BFI –së së vitit 1936 dhe rëndësia e saj për BFI-në dhe Muslimanët

Prof. Jusuf Zimeri

Dihet fare mirë fakti se gjatë sundimit Osman në Ballkan, zhvillimi i jetës islame ishte nën juridiksionin e shejhul islamit në Stamboll, prandaj me përfundimin e sundimit osman në trevat e Ballkanit, popullata myslimane e cila ishte autoktone në këto vende ngeli nën mëshirën e pamëshirës.  Prandaj, menjëherë pas vitit 1912 filloi edhe pushtimi i tokave shqiptare dhe aneksimi i tyre tokave serbo malazeze. Tokat e myslimanëve filluan të kolonizohen nga serbo-malazezët të cilat u sulmuan, u okupuan në forma më të vrazhda nga armiqtë e islamit dhe të myslimanëve, kurse kultura dhe civilizimi islam në këto troje tani më do të filloj ti nënshtrohet masakrimit të formave të ndryshme, si nacionalizimi i tyre, eksproprijimi, uzurpimi e deri te shkatërrimi fizik i tyre.

20. Korrik 1917 u nënshkrua deklarata e Kërfit, deklaratë e cila mundësoi formimin e  mbretërisë Serbo Kroato Sllovene (SKS). Deklarata u nënshkrua nga Dr. Ante Trumbiç në cilësinë e kryetarit të komitetit jugosllav, dhe nga pala serbe u nënshkrua nga Nikolla Pashiqi. Kjo deklaratë u nënshkrua në praninë e përfaqësuesve të Britanisë së madhe dhe Francës, që nënkupton se tanimë kishte karakter ndërkombëtar. Në bazë të kësaj marrëveshje me 1 dhjetor 1918 formohet edhe shteti i mbretërisë SKS.

Në vitin 1918  pas formimit të SKS Bashkësia Islame nuk funksiononte si një tërësi shtetërore, por Organizimi i BFI dukej kështu[1]:

  1. Mbretëria serbe që përfshinte: Muftininë e Beogradit, Nishit dhe Shkupit në krye me muftitë e tyre,
  2. Mbretëria Malazeze përfshinte: Muftininë e Podgoricës në krye me myftiun e madh,
  3. Bosnja dhe Hercegovina: Bashkësia Islame për Bosnjën Hercegovinën, në krye me Ulema mexhlisin, kurinë e hoxhallarëve dhe reisul ulemanë Xhemaludin Çausheviç. [2]

Në këtë qeveri të SKS me 10 Maj 1920 u soll një ligj i përkohshëm për funksionimin e Bashkësive Fetare, ku ky ligj i përkohshëm kishte marrë për sipër që të gjitha të drejtat, e  të gjitha feve të jenë të barabarta.

Kjo qeveri më 28 Qershor 1921, solli edhe kushtetutën e parë për bashkësitë fetare të vendit, ku bashkësive fetare u ishte dhënë statusi i “institucionit publik me pozicion të veçantë në privilegjet e shtetit

Me sjelljen në fuqi të diktaturës së 6 janarit 1929 mbreti Aleksandër I-rë Karaxhorxheviç, kishte shpërndarë kuvendin kombëtar, ndaloi veprimtarinë e të gjitha partive politike dhe sindikatave, ndaloi mitingjet politike, futi censuren dhe shpalli ideologjinë e “jugosllavëve integral” dhe ndryshoi emrin e saj nga “Mbretëria Serbo Kroate Sllovene” në “Mbretëria Jugosllave”.[3]

Kjo diktaturë e gjashtë janarit 1929, statusin juridik për organizimin e BFI, e rregulloi me dy akte normative, që janë:

  1. Ligji për BFI të Jugosllavisë mbretërore i miratuar me 30 janar 1930,
  2. Ligji për zgjedhjen e Reisul Ulemasë, anëtarët e Ulema Mexhlisit, muftive të BFI dhe drejtorive të vakëfit. Ky ligj u miratua më 4 qershor 1930.

Me këto dy ligje pushteti i asaj kohe, ndërpreu dhe shfuqizoi autonominë e BFI. Për të përforcuar pozicionet e saja pushteti i atëhershëm më 9 korrik 1930 me propozim të ministrisë së drejtësisë mbreti ligjësoi edhe kushtetutën e re të BFI.

Në bazë të kësaj kushtetute, ekzistonin dy qendra islame të rëndësishme në tërë territorin e mbretërisë, e ato dy qendra ishin Sarajeva dhe Shkupi, kurse kryesia supreme në krye me Reisul Uleman ishte në Beograd. Në bazë të kësaj kushtetute duhej të funksiononin 9 muftini, me seli:

  • Banjalukë,
  • Tuzël,
  • Sarajevë,
  • Mostar,
  • Pllavë,
  • Novi Pazar,
  • Prizren,
  • Manastir dhe
  • Shkup

Të gjitha organet fetare dhe të vakëfeve sipas kësaj kushtetute emëroheshin nga pushteti e nuk zgjidhej asnjë udhëheqës me përjashtim të mexhlisit të xhematit. Qeveria për të mbajtur nën kontroll të plotë institucionet BFI nëpër të gjitha organet e saja kishte instaluar njerëz me orientim pro serb siç ishin Ibrahim Maglajliç, mufti i Banjalukës, Sherif Arnautoviç, Hasan Rebac etj.

Fillimisht Mbreti më 06 Prill, 1930 nënshkroi dokumentin e pensionimit të Reisul Ulemas Xhemaludin Çausheviç, i cili ishte Reisul Ulema i fundit që ishte dekoruar dhe nënshkruar nga Sulltani në Stamboll. Më pas me shpejtësinë e dritës siç thonë disa autor, ministri i drejtësisë së qeverisë së mbretërisë së Jugosllavis, për Reisul Ulema e emëroi muftinë e Banjalukës Ibrahim Maglajliç, i cili tani më selin e kishte në Beograd. Këtë njeri serbomadhi Nikola Pashiç e kishte keqpërdorur maksimalisht për realizimin e kombinimeve e tija politike.

Kështu që më 12 qershor 1930 mbreti nënshkroi emërimin e tij për reisul Ulema, kurse në tetor të vitit 1930 u organizua edhe solemnitetit i dhënies së Menshures personalisht nga mbreti i Jugosllavisë ku prezantonin e tërë qeveria mbretërore dhe diplomatë të akredituar të kohës në Jugosllavi. Menshura ju dha në Xhaminë Bajrakli në Beograd më 31 tetor.

S’ka dilemë se  ngjarjet pas shpalljes së diktaturës së 6 janarit 1929, heqja e autonomisë së BFI, sjellja e ligjit  për BFI e Jugosllavisë mbretërore i miratuar me 30 janar 1930, si dhe ligji  për zgjedhjen e Reisul Ulemasë, anëtarët e Ulema Mexhlisit, muftive të BFI dhe drejtorive të vakëfit, shkaktoi revolta të mëdha te myslimanët e Jugosllavisë së atëhershme e veçanërisht te Organizata e Muslimanëve të Jugosllavisë e udhëhequr nga Dr. Mehmed Spaho, i cili ishte në kontakte dhe bashkëpunim të ngushtë edhe me myslimanët e Maqedonisë, e veçanërisht me organizatën e Xhemijetit, respektivisht kreun e saj Ferat Draga.

Mirëpo, çështjet nuk shkuan ashtu si ishin paraparë nga mbretëria jugosllave, ngase skena politike si në arenën e brendshme të shtetit ku kishte revolta të shumta dhe pakënaqësi nga myslimanët e mbarë vendit, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare kishte pësuar ndryshime, siç ishte vrasja e mbretit Aleksandër më 9 tetor 1934, në Marsejë akt i njohur si Atentati i Marsejit pastaj paraqitja e fashizmit dhe e nazizmi, e detyroi qeverinë e asaj kohe që të ndërrojë kursin e vet politik me qëllim që sadopak të përmirësoj imazhin e saj para faktorit ndërkombëtar. Kjo ndikoi që në zgjedhjet e vitit 1935 krahu radikal serb në krye me Milan Stojadinoviqin të ulet me myslimanët dhe të realizojë një marrëveshje për të bërë një koalicion politik me kryetarin e Organizatës së Muslimanëve të Jugosllavisë Dr, Mehmed Spaho.

Në këtë rast Dr. Mehmed Spaho ishte i konsultuar dhe i përkrahur edhe me disa organizata tjera e në mesin e tyre edhe organizata politike Xhemijeti që përfaqësonte myslimanët dhe shqiptarët e vendit tonë, për të hyrë në qeveri me radikalët. Mirëpo që Stojadinoviqi të përfitoj mbështetjen e myslimanëve kishte një marrëveshje paraprake me përfaqësuesit e myslimanëve me Dr. Mehmed Spaho, e kjo marrëveshje Stojadinoviqin e obligonte që:

  • të anuloj ligjin për BFI i sjellë vitin 1930,
  • të shkarkojë nga posti të gjithë të emëruarit nga shteti, në radhët organeve të  BFI
  • Të bëhet sjellja e kushtetutës së re për BFI, e cila do të rikthejë autonominë e BFI,dhe
  • kthimi i Riasetit me seli në Sarajevë.[4]

Prandaj si rezultat e kësaj marrëveshje me urdhër të qeverisë, më 28 shkurt 1936 u shfuqizuan ligji për BFI si dhe kushtetuta e BFI e sjellur nga Mbretëria Jugosllave e vitit  1930, dhe në të njëjtën kohë nga qeveria e Stojadinoviqit u lëshua një urdhër me fuqi ligjore që menjëherë të hapet procedura për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Bashkësinë Fetare Islame. Me këto akte dhe me këtë marrëveshje BFI  në një farë dore arriti që dukshëm të lirohet nga tutorësia e Mbretërisë jugosllave.

Reisul Ulema Ibrahim Maglajliç i cili ishte me seli në Beograd i emëruar nga qeveria mbretërore, u shkarkua nga detyra e reisit, kurse për zëvendës deri në sjelljen e kushtetutës së re dhe zgjedhjes së reisit u emrua Salih Safet Bashiç, që të udhëheq me BFI deri në zgjedhjet e ardhshme.

Selia e BFI, sërish u kthye në Sarajevë, kurse kushtetuta e re e BFI u miratua më 24 tetor 1936,  u nënshkrua nga mbreti dhe u shpall në fletoren zyrtare duke u bërë e  plotfuqishme  më 5 nëntor 1936.

Analizë kushtetutës së BFI 1936

Kushtetuta e 5 Nëntorit 1936 nuk mund të themi se ishte tërësisht favorizuese për myslimanët e kohës, por dukshëm ishte më më favorizuese. Kjo kushtetutë përbëhej prej 232 neneve (paragrafëve) të shpërndara në gjashtë (6 ) krerë. Që janë:

Kreu i parë:

Dispozitat themelore dhe të përgjithshme

Kreu i dytë:

Organet e Bashkësisë Fetare Islame

Kreu i tretë:

Zgjedhja e organeve dhe trupave të BFI – sistemi zgjedhor.

Kreu i katërt:

Prona e Bashkësisë fetare Islame

Kreu i pestë:

Arsimimi

Kreu i gjashtë:

Dispozitat kalimtare,

Kreu i parë i Kushtetutës së BFI –së 1936, përfshinte dispozitat themelore dhe të përgjithshme, me të cilat rregullonte statusin juridik të BFI, kompaktësinë e saj, autonominë e veprimtarisë së organeve të saja, obligimi i autoriteteve kompetente për të ndihmuar Bashkësinë Islame në implementimin e vendimeve të saja, menaxhimin e pronave të vakëfit, bazat e veprimtarisë së saj, flamurin dhe emblemën e BFI, mënyrat e organizimit  si dhe shumë çështje tjera. Tërë këtë materie e rregullonin 37 nenet e para të Kushtetutës së BFI.

Kreu i dytë i Kushtetutës përfshinë 63 Nene. Në këtë pjesë rregullohen Organet e BFI-së, të cilat në bazë të Nenin 38 të kushtetutës së bashkësisë islame janë;

  1. Mexhlisi i xhematit
  2. Këshilli i qarkut i vakëfit dhe arsimit,
  3. Ulema mexhlisi në Shkup dhe Sarajevë
  4. Kuvendi i vakëfit dhe arsimit- në Sarajevë dhe në Shkup, me organet e veta, komisionet e kuvendit dhe me drejtorinë e vakëfit
  5. Reisul Ulema me këshillin e tij të ngushtë dhe të gjërë.

Ajo që vërehet në këtë rast, është fakti se në bazë të kushtetutës së vitit 1936, Kuvendi i vakëfeve dhe arsimit në Sarajevë kishte 20 anëtarë dhe po aq zëvendës, si dhe në Shkup 27 anëtarë dhe po aq zëvendës, zgjidheshin drejtpërdrejtë nga njësitë zgjedhore, për dallim nga kushtetuta e parë e vitit 30, ku një pjesë e këtyre organeve ishin të emëruar nga pozicioni i tyre kurse pjesa tjetër ishin të emëruar nga qeveria e jo të zgjedhur.

Kreu i tretë:

Zgjedhja e organeve dhe trupave të BFI – sistemi zgjedhor ku përfshiheshin në detaje edhe listat dhe materialet tjera zgjedhore. Është interesant se materia e sistemit zgjedhor, kushtetuta e BFI-së së 1936 e rregullon përmes 102 neneve të saja, kjo nënkupton se në sistemin zgjedhor, çështja e zgjedhjeve më shumë është preferuar të rregullohet në bazë të kushtetutës se sa përmes akteve dhe nënakteve tjera, siç janë rregulloret për zgjedhjen organeve të BFI.

Ajo që në këtë rast do të kisha theksuar për sistemin zgjedhor, është se në territorin  të dy mexhliseve, atij të Sarajevës dhe të Shkupit zgjedhjet bëheshin të ndara në njësi zgjedhore, e për mexhlisin e ulemave të Shkuptit në bazë të Nenit 118 të Kushtetues ishin përcaktuar tetë (8) zona zgjedhore, që janë:

  • Zona e Shkupi, përfshinte këto rrethe: Shkupin, Nishin, Kumanovën, Preshevën, Velesin dhe Kaçanikun
  • Zona e Tetovës, përfshinte Tetovën, Gostivarin dhe Dibrën,
  • Zona e Prishtinës, përfshinte Prishtinën, Ferizajin dhe Gjilanin
  • Zona e Prizrenit, përfshinte Prizrenin, Rahovecin, Gjakovën dhe Pejën.
  • Zona e Mitrovicës, Mitrovicën, Vushtrrinë, Drenasin, Podujevën, Novipazarin dhe Beogradin,
  • Zona e Manastirit, Manastirin, Kërçovën, Prilepin, Resnën, Kavadarcin, Vallandovën, Ohrin, Strugën, Koçanin, Strumicën dhe Shtipin.
  • Zona e Plavës,   Plavës,  Beranës, Belopoljes, Pribojit, dhe Sjenicës, dhe
  • Zona e Barit. Ulqinit dhe malin të zi.

Kreu i katërt:

Prona e Bashkësisë fetare Islame në bazë të Kushtetutës janë të gjitha llojet e vakëfeve, pasurive të lëvizshme dhe të pa lëvizshme. Tërë kjo materie përmes 20 neneve të Kushtetutës së BFI-së.

Kreu i pestë:

Arsimimi. Është interesant se Kushtetuta e BFI së 1936 arsimit dhe procesit edukativo arsimor të myslimanëve i përkushton një kapitull, apo një kre të veçantë që përfshihet prej 15 Nene dhe rregullon çështjet relevante të arsimit të muslimanëve. Kjo sipas të gjitha të dhënave është e ndikuar nga faktori mysliman në krye me M. Spahom dhe me përfaqësuesit politik të Xhemijetit në krye me Ferat Dragen.

Si shkolla fetare islame në kushtetutë në bazë të Nenit 200 të kushtetutës janë

  • Shkolla e lartë e sheriatit në Sarajevë e cila ishte e rangut të fakultetit,
  • Gjimnazi i sheriatit në Sarajevë, në rangun e shkollës së Mesme
  • Medreseja e madhe e Kral Aleksnadrit në Shkup, si shkollë e mesme. Ajo që theksohet se në këto tri institucione edukativo arsimore shpenzimet bëheshin nga shteti, kurse për mësimdhënësit e këtyre shkollave në Nenin 202 të kushtetutës thuhet: “Në kufijtë e mundësisë mësimdhënësit të jenë mysliman”.
  • Medreseja Gazi Husref Beg në Sarajevë, si shkollë e mesme
  • Medreseja e reformuar e Isa Beut në Shkup, si shkollë e mesme. Për këto dy shkolla të fundit, shpenzimet bëheshin nga vakëfi i dedikuar enkas për këto shkolla, e nëse mjetet nuk ishin të mjaftuara, atëherë intervenonte drejtoria e vakëfit, respektivisht Bashkësia Islame. Kjo ishte edhe arsyeja pse tri shkollat e para funksiononin në kushte shumë më të mira dhe më të volitshme.

Në shkollat publike dhe private të mesme mësimbesimi ishte si lëndë obligative, me dy orë në javë, e cila kontrollohet nga bashkësia kompetente.

Kreu i gjashtë:

Dispozitat kalimtare, si zakonisht janë ato dispozita që përshkruajnë funskionimin e kushtetutës, procedurat për ndryshim plotësim etj.

Kjo kushtetutë u soll në kushte më të volitshme për myslimanët, ishte si shprehje më e lirë  e organizimit politik dhe fetar të myslimanëve dhe jepte mundës më të gjëra se të gjitha kushtetuat e deritanishme. Kjo kushtetutë u shua me sjelljen e kushtetutës së re në vitin 1947, e definuar me Kushtetuta e bashkësisë Fetare Islame në Republikën popullore federative të Jugosllavisë.

Kushtetuta e 1959 RPFJ

Kushtetuta e 1969 RSFJ

Kushtetuta e 1990  RSFJ

Kushtetuta e 1994 RM

[1] http://www.bosnjaci.net/prilog.php?pid=39646 (POLOŽAJ ISLAMSKE ZAJEDNICE U JUGOSLAVIJI 1918-1936.  Autor: Enver Ćorović, dip.ing.

[2] Reisu-l-ulema Džemaludin-ef. Čaušević, je primjer pravog vjerskog poglavara i dosljednog patriote.
Bio je posljednji bosanski reis koga je menšurom potvrdio turski sultan.

[3]ttps://sh.wikipedia.org/wiki/ shesto januarska_diktatura

[4] (D. NOVAKOVIĆ, Versko zakonodavstvo Kraljevine Jugoslavije Zb. Prav. fak. Sveuč. Rij. (1991) v. 33, br. 2, 939-965 (2012)) f.945.

No comments

Place your comment

Please fill your data and comment below.
Name
Email
Website
Your comment