05 JanMedhhebi hanefij nuk mbijetoi në saje të mëshirës së askujt !

Fjala e hapjes së konferencës nga kryetari i konferencës, prof. Jusuf ef. Zimeri.

بسم الله الرحمن الرحيم                            

الحمد لله الذي قال في كتابه الكريم : “إنما تخشى الله من عباده العلماء” والصلاة و السلام على رسولنا محمد القائل “العلماء ورثة الانبياء و على آله و اصحابه اجمعين

I nderuari Kryetar i BFI, Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi, i nderuari Kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar, H. Skender ef. Bruçaj, i nderuari përfaqësues i Myftiut H. Naim ef. Tërnava, Kryetar i Bashkësisë Islame të Republikë së Kosovës, i nderuari Kryetar i Kuvendit të BFI-së, H. Haki ef. Agushi, të nderuar udhëheqës të organeve dhe institucioneve të BFI në RM, dekan i FSHI-së, Drejtor i SHMI, myftinjë të Myftinive të BFI-së, udhëheqës të sektorëve të Riasetit të BFI në RM, të nderuar profesorë të Fakultetit të Shkencave Islame dhe të Medresesë, të nderuar teologë, hoxhallarë, imamë, vaizë, të nderuar studentë dhe mysafirë të tjerë, të nderuar mediume dhe të gjithë ju që jeni prezent, më lejoni që në emër të Këshillit organizativ të Konferencës dhe në emrin tim personal t’ju përshëndes të gjithëve me përshëndetjen islame, Es-selamu alejkum ve rahmetullahi teala ve berekatuhu, dhe mirë se vini në hapjen solemne të Konferencës shkencore me temën “Medhhebi Hanefij, prioritetet dhe sfidat”.

Të nderuar miq, Ibni Abidini, dijetari eminent i Fikhut Hanefij, në një poezi thotë:

الْفِقْهُ زَرْعُ ابْنِ مَسْعُودٍ وَعَلْقَمَةُ … حَصَادُهُ ثُمَّ إبْرَاهِيمُ دَوَّاسُ

نُعْمَانُ طَاحِنُهُ يَعْقُوبُ عَاجِنُهُ … مُحَمَّدٌ خَابِزٌ وَالْآكِلُ النَّاسُ

Fikhu, është mbjellë nga Ibni Mes’udi,

Alkamja e ka korrur

Pastaj Ibrahimi e ka fshirë

Nu’mani, e ka bluar,

Jakubi e ka brumosur

Muhamedi e pjeku, e njerëzit ushqehen me të.

Të nderuar miq, njeriu i cili pastroi xhenazen e Imam Ebu Hanifes, Allahu e mëshiroftë, gjatë pastrimit tha: “Allahu të mëshiroftë o Ebu Hanife, dyzet vjet e fale namazin e sabahut me avdesin e jacisë, u ke bërë telashe të gjithëve që dëshirojnë të merren me fikhun pas teje”.

Të flasësh për këta dijetarë të mëdhenj të islamit dhe për veprimtarinë e tyre, vërtet është një telashe e madh, por njëkohësisht edhe një kënaqësi e veçantë, e papërshkruar. Telashin nuk duhet kuptuar si hendikep që ne të mos veprojmë, përkundrazi, duhet ta kuptojmë si nxitje për veprimtari konstruktive islame shkencore në trevat tona.

Imam Ebu Hanife ishte një gjigant i veçantë i dijetarëve, ishte i pari që regjistroi hadithin dhe e ndau nëpër kapituj ashtu siç e kemi sot, ishte i pari që themeloi disiplina shkencore në lëminë e Usuli Fikhut, filtra këto që shërbejnë për përfitimin e dispozitave juridike islame, ishte i pari që themeloi akademinë shkencore në lëmin e jurisprudencës islame, ishte i pari në themelimin e fondacioneve dhe bursave që ndau për studentët dhe hulumtuesit shkencor, prandaj me veprimtarinë dhe kontributin e vet reflekton bindshëm në vlefshmërinë e normativës hyjnore për çdo kohë dhe vend, ngase islami është pa alternativë dhe ka zgjidhje të përhershme. Këtë metodologji të veprimtarisë së Ebu Hanifes e vazhduan edhe nxënësit e tij, gjeneratë pas gjenerate, dhe kështu u formua zinxhir i gjatë 13 shekullor i dijetarëve të kësaj shkolle juridike islame. Prandaj, kjo shkollë juridike nuk ka mbijetuar falë mëshirës apo humanizmit të dikujt, porse ka lulëzuar falë punës së palodhshme të dijetarëve eminent islam të cilët themeluan disiplina shkencore, rregulla dhe parime islame të përfituar nga burimet autentike islame.

Të nderuar miq, Konferenca shkencore me temën “Medhhebi Hanefij, prioritete dhe sfidat” është organizuar nga Bashkësia Fetare Islame në koordinim me Fakultetin e Shkencave Islame. Kjo Konferenca do të jetë dyditore dhe është konferencë shkencore mbarëkombëtare, që vetvetiu nënkupton se në konferencë, punimet e tyre do t’i prezantojnë hulumtues dhe studiues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës. Patjetër më duhet të theksoj se, në Konferencë ishin të ftuar edhe përfaqësues nga Mali i Zi, por për arsye të pa njohura për ne, për fat të keq nuk konfirmuan pjesëmarrjen.

Kjo Konferencë nuk ka karakter garues, sepse nuk e kemi ndërmend t’ju garojmë qendrave të mëdha islame si ai i Kajros, Damaskut, Stambollit, Bagdadit etj, por gjithsesi kjo Konferencë mbanë karakter mbarëkombëtar, që jep si mesazh, se, në Evropë, populli i vetëm që me shumicë jemi mysliman dhe autokton në vendin tonë jemi ne shqiptarët, andaj detyrimisht, që për çështjet islame në Evropë duhet të jemi faktor me ndikim.

Ne jemi dëshmitarë okular të kohës që po jetojmë se, interpretimet e gabuara dhe tendencioze të islamit nga qarqe të ndryshme, pa kritere dhe parime shkencore, pa vlera morale dhe pa respekt shkencor, po shkaktojnë jo vetëm plasaritje në mesin e myslimanëve, por edhe përçarje të thella deri në atë masë saqë të gjithë ne po paguajmë haraçin e tyre. Edhe ne, si popull dhe, si myslimanë që po jetojmë në këtë nënqiell të Ballkanit bashkë me islamin gjashtë shekullor, nuk mund të jemi imunë nga pasojat fraksionare me tendenca të errëta.

Sulmet më të reja që i bëhen islamit në përgjithësi dhe medhhebit hanefij me theks të veçantë nga rrymat të ndryshme tendencioze, e veçanërisht nga fraksioni i quajtur selefij, që unë i quaj “neoselefij” ngase faktori kohë dhe vend ua konteston teorinë e të qenit, e që emri i vërtetë i tyre është “vehabij-vehabizëm”, konsideroj se janë sulme tendencioze, dhe hakmarrëse në dy segmente, në atë fetar dhe atë kombëtar. Hakmarrëse, në aspektin fetar, sepse doktrina e medhhebit hanefij e ndërtuar mbi burimet e shëndosha shkencore dhe islame, është barrikada më e rëndë që pengon veprimtarinë e tyre, kurse në segmentin kombëtar e konsideroj si hakmarrje të tyre, sepse, ai që shpartalloi këtë fraksion që fillimisht ishte fraksion politik por për realizimin e qëllimeve të tyre u ngjyros edhe me islamin, ishte shqiptar.

Mirëpo, kam bindje se përmes punimeve shkencore, hulumtimeve dhe debateve që do të zhvillohen gjatë Konferencës, në fund do të përfundojmë me vërtetimin e konkluzave se, rruga e jonë në sferën e praktikimit të islamit është një rrugë e shëndoshë islame dhe shkencore.

Qëllimi i Konferencës përveç tjerash ka edhe karakter nxitës për të gjithë ne, e veçanërisht për studiuesit e rinj, që me përkushtim të bëjnë hulumtime shkencore në këtë fushë, sepse konsiderojmë se, sado që të hulumtohet kjo fushë, sërish ka pozicion për hulumtime.

Andaj, shpresoj se kjo Konferencë është vetëm fillimi, prandaj propozojmë që kjo konferencë të ruaj karakterin e saj dhe të shndërrohet në tradicionale, të vazhdoj punën e sajë në Tiranë, Prishtinë dhe qendrat tjera kombëtare.

Të nderuar miqë, Konferenca përveç hapjes solemne përbëhet prej tre paneleve shkencorë me ligjërues nga të gjitha trevat shqiptare. Paneli i parë shkencor do të mbahet sonte me fillim në ora 17:00 po në këtë ambient, kurse nesër konferenca do të vazhdojë punën e saj në objektin e SHMI Medreseja Isa Beu me fillim në ora 9:00. ku do të mbahen edhe dy panele shkencore. Konferenca parashihet të përfundojë rreth orës 13:30, dhe pas faljes së namazit të drekës, pas komunikimit edhe të konkluzave nga Konferenca, do të hamë drekën e përbashkët në Medrese, dhe pastaj jemi të lirë. Shpresoj se gjatë tërë kësaj kohe do të kemi një ambient të këndshëm shkencor dhe gjithsesi edhe vëllazëror.

Në fund në emër të Këshillit organizativ, patjetër më duhet të them se, El-kemalu lilah, e ne jemi njerëz, nëse kemi ndonjë lëshim gjatë organizimit kërkojmë ndjesë paraprakisht.

Ves-selamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu.

Jusuf Zimeri, Kryetar i konferencës

No comments

Place your comment

Please fill your data and comment below.
Name
Email
Website
Your comment