09 PriIntervistë me Prof. Jusuf Zimerin

Ky artikull është pjesa 9 nga 9 pjesë, në serinë e artikujve nga tema: Rregulla Islame

Intrervistë me Prof. Jusuf ef. Zimerin, Drejtor i Sektorit për çështje fetare dhe arsimore pranë BFI-së

Interviston: Avni Halimi – Kryeredaktor i Revistës “Hëna e Re”-Shkup.

  1. Në fund të muajit tetor të këtij viti Sektori për çështje fetare pranë BFI-së organizoi një konferencë gjithëkombëtare më temën “Medhhebi hanefij, prioritetet dhe sfidat”. Ju, si organizator, gjithsesi që lajtmotiv të kësaj konference keni pasur prioritetet dhe sfidat e këtij Medhhebi në kohën e sotshme. Cilat janë ato?

Marrë parasysh faktin se ne si mysliman të Ballkanit që jemi me një traditë gjashtëqind vjeçare dhe se, çështjet juridike islame i praktikojmë sipas mësimeve dhe principeve të medhhebit hanefij, konsiderojmë se kjo konferencë shkencore me karakter gjithëkombëtarë “Medhhebi hanefij, prioritetet dhe sfidat” ishte një domosdoshmëri kohore për ne. Kjo ishte konferenca e parë e kësaj natyre në trevat tona, dhe më vjen mirë që kjo iniciativë ishte e jona si BFI. Nëse kemi parasysh, dijetarët e kësaj shkolle juridike islame, e me theks të veçantë njeriun e parë të këtij medhhebi, thesarin e çmuar shkencor të kësaj shkolle, vlerat dhe principet mbi të cilat ndërtohet kjo shkollë, lirisht mund të themi se kjo konferencë është vetëm një hap i vogël drejt vlerave gjigante që i posedon kjo shkollë. Motivet dhe qëllimet që na nxitën për organizimin e kësaj konference janë të shumta, por që ne kësaj radhe prej tyre do të kishim veçuar këto:

  • Kjo konferencë të ketë karakter nxitës për studiuesit shqiptarë e me theks të veçantë për studiuesit e rinj, që me shumë seriozitet të studiojnë këtë shkollë juridike nga të gjitha këndvështrime shkencore,
  • Konferenca edhe njëherë në mënyrë unanime vlerësoi dhe verifikoi faktin se popullata jonë islame nuk ndien asnjë nevojë që të shmanget nga aplikimi i mësimeve të kësaj shkolle juridike islame.

 

  1. Pa dyshim që, në këtë konferencë u trajtuan sërë temash, u shpalosën sërë dilemash, u hodhën mjaft ide të mbara dhe të nevojshme për muslimanët e vendeve respektive. Individë të ndryshëm nëpër rrjetet sociale u munduan që kësaj konference t’i japin konotacionin e përjashtimit dhe të refuzimit të mendimit tjetër, që është ndryshe nga ai i Medhhebit hanefij!

Nuk ka dilemë se në konferencë hulumtuesit tanë u paraqitën me tema të thukta shkencore nga këndvështrime të ndryshme. Mendoj se pikërisht referuesit ishin ata që i dhanë vlera shkencore kësaj konference, por nuk kishin rol më të vogël edhe pjesëmarrësit që përcjellën punimet e konferencës dhe që e pasuruan me debate të shumta. Pastaj shumë me rëndësi është edhe fakti i pa kontestuar se shumë hoxhallarë dhe njohës të kësaj lëmie kanë përshëndetur konferencën edhe pse nuk kanë pasur mundësi të marrin pjesë drejtpërdrejtë në konferencë. Sa i përket atyre që nëpër rrjetet sociale u morën me konferencën dhe tentuan ti japin dimension tjetër konferencës, unë gjithnjë u them: Mjafton nderi për shkencën kur e kundërshtojnë injorantët, prandaj nuk ekziston kurrfarë potenciali as minimal për të minimizuar vlerën e kësaj konference.

  1. Cili është qëndrimi i këtij Medhhebi në raport me mendimin ndryshe, gjithsesi islam, me atë mendim që vjen nga medhhebet e tjera?

Po qëndrimi i këtij medhhebi në raport me mendimet ndryshe nga medhhebet tjera, është qëndrim shkencor islam, qëndrim respektues mbi bazën e interpretimit të agumentit. Se ky është qëndrim shkencor dhe respektues, këtë më së miri e vërteton vetë fakti se brenda për brenda medhhebit hanefij gjejmë polemika të shumta mes dijetarëve të shkollës juridike hanefite, dhe kjo vetëm sa rritë vlerën shkencore islame. Raportet e medhhebit hanefij me shkollat tjera që përfaqësojnë Ehli Sunetin, janë të ndërtuara mbi parimet e përgjithshme shkencore, larg fanatizmit medhhebor apo ndonjë lloj fanatizmi tjetër. Edhe ne si ndjekës të medhhebit hanefij, absolutisht nuk kemi kurrfarë problemi me tre medhhebet tjera, kemi respekt edhe ndaj tyre aq sa kemi ndaj medhhebit hanefij, por veprojmë sipas medhhebit hanefij ngase këtë e njohim më miri. Tërë problemin që e kemi ne, e kemi me jomedhhebistët të cilët me apo pa vetëdije mohojnë ekzistimin dhe respektimin e shkollave juridike islame, e ky akt paraqet nivel të ulët të diturisë, shkencës dhe realitetit pragmatik.

  1. Sa kanë njohuri elementare shqiptarët e sotshëm muslimanë mbi këtë Medhheb! Apo mjafton që veprimet e tyre fetare të jenë në përputhje të plotë me konceptet e përgjithshme të Medhehbit tonë.

Popullata jonë edhe pse nuk mund të themi se është njohëse e mirë e medhhebit hanefij në aspektin teorik, por në aspektin praktik çështjet praktike të sheriatit islam i kryen sipas parimeve të përgjithshme të këtij medhhebi, sepse ky medhheb është kultivuar shekuj me radhë në trevat tona. Megjithatë, sa i përket kuadrit teologjik, mendoj se kemi njohës të mirë të kësaj lëmie dhe shpjegues të fuqishëm të kësaj shkolle. Në këtë rast dua të theksojë një parim shumë të rëndësishëm islam dhe shkencor, që është, Fetvaja e myftiut, është argument për xhematin, kurse argumenti është për muxhtehidin, e jo për xhematin. Prandaj. Është fakt se popullata jonë zbatoë shumë veprime që janë konform mësimeve islame dhe shpjegimeve të medhhebit hanefij, pa i ditur argumentet, dhe kjo nuk ka asgjë të keqe, përderisa udhëzohen nga njerëz që kanë kompetenca të bëjnë këtë.

 

  1. Sot, jemi dëshmitarë të ngjarjeve nga më tragjiket që i ka parë syri i njeriut. Dikush i interpeton si ngjarje që prekin të drejtat elementare të njeriut, dikush si ngjarje që imponohen nga obligimi i shenjtë për t’i mbrojtur parimet islame, dikush i interpreton si komplote hebraiko-krishtere kundër fesë islame. Cili është mendimi i juaj, si njohës i mirë i këtyre rrethanave dhe, mbi të gjitha, i së Drejtës Islame?
  1. Në vatrat e konflikteve të pakuptimta për të cilat u fol më sipër kemi edhe mjaft të rinj shqiptarë. Prezenca e tyre në këto vatra është si pasojë e budallallëkut të tyre apo si pasojë e aftësive të paimagjinueshme të disa “hoxhallarëve” për t’i bindur dhe ndikuar mbi këta të rinj që të marrin statusin e mercenarit?

Konfliktet që po ndodhin në lindjen e mesme, ashtu siç thatë edhe ju janë konflikte të pakuptimta, irracionale dhe si e tillë lirisht mund të themi se nuk bëhet fjalë për ndonjë luftë të shenjtë islame që quhet xhihad. Prezenca dhe pjesëmarrja e të rinjve tanë në ato konflikte është e pa kuptimtë dhe kalon në fazën  e mercenarizmit. Unë mund të besoj se disa prej tyre thjesht janë të manipuluar dhe kanë shkuar atje për të ndihmuar islamin dhe myslimanët, por në vakt e vërteta është diçka tjetër. Ne aq sa kemi përcjellë ngjarjet, jo rrallë herë kemi dëgjuar edhe nga dijetarët e vendit ku zhvillohen betejat e përgjakshme, se nuk kemi nevojë për njerëz nga jashtë, dhe se ata që vijnë nga jashtë vendi, vetëm sa na dëmtojnë më shumë e nuk na ndihmojnë.

  1. profesor, për herë të parë në kuadër të BFI-së është ngritur edhe një komision për dhënien e fatvasë mbi problemet e ndryshme që i ngrisin muslimanët e vendit. A konsideroni se një komision i tillë do të ishte mirë të funksiononte edhe nëpër BFI-të e viseve të tjera etnike dhe, sa janë në gjendje shqiptarët muslimanë që të pajtohen me një mendim professional, shkencor e kompetent mbi një problem që kërkon zgjidhje, qoftë ky edhe problem kombëtar?

Po, në kuadër të Riasetit të BFI, veç është sjellë vendimi për formimin e mexhlisit të fetave që do të funksionoj në kuadër të sektorit Fetaro-arsimor pran BFI-së. Deri tani ky mexhlis ka qenë në fazën e konstituimit juridiko-administrative, dhe këto së shpejti do të filloj m punë konkrete para opinionit. Një komision apo mexhlis i tillë, në bazë të njohurive që kam unë, veç është i formuar edhe në BI të Kosovës, dhe shpresoj që së shpejti do të jemi në shkëmbim të bashkëpunimit edhe me këtë komision, për çështjet që kanë karakter të përbashkët. Mexhlisi i Fetvave, gjithsesi duhet të jetë profesional, kurse fetvatë e dala nga ky mexhlis duhet të jenë shkencore, profesionale të mbështetura në burimet autentike islame, e për çështjet praktike të mbështetura brenda mësimeve të shkollës juridike hanefite. Fetvat e këtij mexhlisi janë përfundimtare, për ata që dëshirojnë të mos merren me thashetheme, sepse fetvatë në përgjithësi në jurisprudencën islame nuk posedojnë fuqi implementimi siç është vendimi i gjykatës, respektivisht i gjykatësit, prandaj këtu qëndron edhe dallimi mes vendimit gjyqësor dhe fetvas në jurisprudencën islame. Tani sa do të jenë të gatshëm myslimanët të mirëpresin fetat e këtij mexhlisi, këtë do t’ia lëmë kohës ta dëshmojë.

  1. A jeni të mendimit se fjala e këtyre komisioneve respective do të duhej të dëgjohej edhe nga institucionet shtetërore por edhe nga shoqëria civile, sidomos për sa i përket eliminimit të fjalorit joadekuat që përdoret kur janë në pyetje dukuritë nga bota islame.

Gjithsesi se fetvaja e dalë nga Mexhlisi i fetave përfaqëson edhe mendimin e Institucionit rreth një çështje të caktuar, prandaj mendojm se duhet të dëgjohet nga të gjithë ata që dinë të kuptojnë vlerën e institucionit pavarësisht se janë institucione shoqërore apo nga shoqëria civile. Fjalori i cili duhet të përdoret jo vetëm nga mexhlisi i fetave por edhe nga thirrësit islam, detyrimisht duhet të jetë fjalor shkencor, dhe gjithsesi duhet eliminuar fjalorin joadekuat dhe fyes e ofendues, sepse islami na urdhëron të që përdorin butësinë, urtësinë, fjalët e mira dhe argumentet, e jo vrazhdësinë dhe fjalorin urrejtës e nënçmues.

  1. Nëpër platformat politike të programeve partiake të partive të bllokut mysliman ngërthehen kapituj të ndryshëm që trajtojnë problem politike, kulturore, shkencore, arsimore, sportive, shëndetësore, por, jo edhe problem fetare! Pse kjo frikë nga problemet fetare? Sepse jemi të definuar si shtete laike, apo…

Partitë politike të bllokut mysliman fillimisht kisha pasur dëshirë të harmonizojnë qëndrimet e tyre politike, dhe të respektojnë vullnetin e sovranit, pra votuesit e tyre që ata i përfaqësojnë. Nëse partitë politike të bllokut mysliman në platformat e tyre politike trajtojnë probleme fetare, kjo nuk do të thotë se ata rrënojnë sekularizmin, por realisht kjo nënkupton se ata dinë të respektojnë elektoratin e tyre. Kjo nuk do të thotë se partitë politike marrin mbi supe që të organizojnë jetën fetare në RM, sepse për këtë ka institucion të veçantë që është BFI, por ato duhet që përmes institucioneve ku veprojnë të ndihmojnë me këmbëngulësi në realizimin e të drejtave fetare të popullit që përfaqësojnë, siç është problemi i denacionalizimit etj.

  1. T’i kthehemi edhe një herë Konferencës së mbajtur kohë më parë në lokalet e Fakultetit të Shkencave Islame dhe ne Medresenë “Isa Beu”! A ka ne mesin e myslimanëve të viseve tona pjesëtarë të medhhebeve të tjera. Nëse ka, cila është bashkëjetesa e këtyre katër shkollave juridike islame ndër shqiptarët. Tashmë bota na njeh si popull që mrekullueshëm i ruajmë vlerat e trekonfesionalitetit tonë, dmth, jemi popull që respektojmë fenë e tjetrit, mendimin, filozofinë dhe veprimin e gjithsecilit që është në interes ë fesë dhe të kombit!

Në mesin e popullatës sonë shqiptare nuk ka pjesëtar të medhhebeve tjera jo nga arsyeja ne nuk i lëmë të zhvillohen, por nga arsyeja se popullata e jonë gjashtë shekuj me radhë, çështjet juridike islame i ka shpjeguar dhe interpretuar sipas medhhebit hanefij. Në fakt kohëve të fundit aty këtu paraqiten edhe individë të cilët po tentojnë që në mesin e popullatë sonë të inkorporojnë jomedhhebizmin i cili në esencës është medhhebizëm i ri. Sa i përket çështjes se ne shqiptarët si popull, edhe pse jemi të ndarë në tri fe kryesore, mysliman, katolik dhe ortodoks, sepse bektashizmi nuk është fe por tarikat, është fakt se ne respektojmë dhe kemi një mirëkuptim mes veti. Bindja ime është se shkaku i respektimit dhe tolerancës qëndron pikërisht në faktin se shqiptarët me shumicë janë mysliman, ngase mazhuranca gjithmonë është ajo që bartë përgjegjësinë e mostolerancës dhe meritat e tolerancës.

Seritë<< Sistemi politik islam
No comments

Place your comment

Please fill your data and comment below.
Name
Email
Website
Your comment