Dhurimi i sevapeve të fituar nga leximi i Kur’anit (3)

Dr Taxhedin BISLIMI

Ixhmai, argument për lejimin e dhurimit të sevapeve për të vdekurit

Po ashtu ajo, e cila e lejon dhurimin e sevapeve për të vdekurit është edhe konsensusi i dijetarëve të ummetit (popullit) musliman.

Dijetarët eminent të sheriatit Islam kanë pohuar se, dhurimi i sevapeve të veprave të mira për të vdekurit është konsensusi i dijetarëve Islam, që nënkupton se, të gjithë dijetarët janë unanim për këtë çështje.

Dijetari i famshëm dhe i njohur Imam Kasani, vë veprën e tij “Bedaiu sanaiu” thotë: Të vizituarit të varrezave, leximi i Kur’anit tek varrezat, qefinosja e të vdekurve, dhënia e sadekave, agjërimi, namazi, dhurimi i sevapeve të këtyre veprave për të vdekurit është praktika e të gjithë myslimanëve, që nga periudha e të Dërguarit të Allahut [Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme] e deri më tani. Arritja e sevapeve te të vdekurit nuk bie ndesh me logjikën, sepse të dhuruarit të sevapeve është mirësi dhe nder prej anës së Allahut xh.sh. e jo që për Allahun një gjë e tillë është obligim dhe detyrim, është e drejtë dhe mirësi e Allahut xh.sh që ta shpërblen dhe t’i dhuron shpërblime atij që ka vepruar për hir të Tij (xh.sh), po ashtu është e drejtë dhe mirësi e Allahut xh.sh. që ta shpërblen dikë edhe nëse nuk ka vepruar[1].

Kurse dijetari i mirënjohur në medhebin hanbeli Ibni Kudame në veprën e tij “El-Mugni” thotë: Vërtet arritja e sevapeve e leximit të Kur’anit për të vdekurit është konsensusi (ixhmai) i muslimanëve, sepse ata në çdo kohë dhe vend (vendbanim) tubohen dhe lexojnë Kur’an, pastaj sevapin e tij ia dhurojnë të vdekurve të tyre, këtë nuk e ka mohuar askush, prandaj një gjë e tillë është konsensus. Është vërtetuar me hadithe (sunnet) se i vdekuri ndëshkohet për shkak të qarit (të vajtuarit) të familjes së tij, Allahu është më fisnik dhe më bujar, se sa t’ia përcjell ndëshkimin e veprës së keqe e të mos ia përcjell shpërblimin e veprës së mirë[2].

Argumenti për lejimin e dhurimit të sevapeve nga analogjia (kijasi)

Dijetarët lejimin e dhurimit të sevapeve për të vdekurin e bazojnë edhe në analogji.

Është konsensus i të gjithë muslimanëve se, nëse dikush e paguan borxhin e të vdekurit, pa marrë parasysh se, kush është, i afërmi i tij apo ndonjë tjetër, nga trashëgimia e tij apo nga ndonjë pasuri tjetër, jashtë pasurisë së trashëgimisë, një pagim i tillë është i lejuar dhe i vdekuri pastrohet nga ai borxh. Sepse, në lidhje me këtë çështja janë transmetuar shumë hadithe nga Pejgamberi [Alejhis-selam] .

Në anën tjetër, gjithashtu të gjithë muslimanët janë të një mendimi se, nëse i vdekuri ka ndonjë hak ndaj ndonjë të gjalli dhe ky i gjalli ia falë dhe ia bënë hallall atë hak, një falje dhe hallallëk i tillë është i dobishëm për të vdekurin dhe ai pastrohet me atë hak, që ka pasur ndaj të gjallit.

Andaj nëse falja, heqja dorë dhe hallallëku mes të gjallëve është shkak që të ngarkuarin me ndonjë hak e liron nga ai hak dhe i bënë dobi, edhe pse i gjalli mund, që vetë ai të bëjë pagimin, kompensimin apo të kërkon hallallëk. Atëherë falja, heqja dorë dhe hallallëku nga i gjalli për të vdekurin, kur vet i vdekuri nuk mund t’ia kthej borxhin, është më e udhës dhe më prioritare që i vdekuri të lirohet nga borxhi dhe përgjegjësia dhe nga ajo të ketë dobi. E kjo le të kuptohet se, edhe ato që i dhurohen nga sevapet e veprave të mira i arrin dhe ka dobi i vdekur.

Andaj nuk ekziston ndonjë dallim esencial mes asaj, nëse ia falë apo ia dhuron dikujt derisa ai është i gjallë apo i vdekur, sepse sevapet e veprës së mirë janë e drejtë e dhuruesit, nëse ai ia dhuron të vdekurit, shpërblimet e tilla kalojnë tek i vdekuri, në këtë nuk ka ndonjë pengesë, ashtu siç nuk ka ndonjë pengesë, nëse ai ia dhuron pasurinë e tij derisa ai ka qen i gjallë, apo ka heqë dorë nga e drejta e tij.

Të theksojmë se, adhurimet në Islam janë tre lloj. Adhurime materiale (financiare), adhurime trupore dhe adhurime të kombinuara financiare dhe trupore.

Se lejohet dhurimi i sevapeve të gjitha adhurimeve materiale, dijetarët kanë bërë analogji me sevapin e sadekas, sepse për atë janë transmetuar argumente autentike nga sheriati Islam.

Po ashtu lejohet dhurimi i sevapeve të gjithave adhurimeve trupore, edhe atë duke bërë analogji, me ato adhurime, për të cilat janë transmetuar argumente se, sevapet e tyre mund të dhurohen, si, p.sh. sevapet e agjërimit, namazit, haxhit, lutjeve të ndryshme, istigfari, leximi i Kur’anit për të vdekurit, të gjitha këto janë adhurime trupore, andaj nëse sevapin e të ngjashmëve me këto u dhuron të tjerëve, ato u arrin atyre.

Kurse, sa i përket sevapin e atyre adhurimeve që janë trupore dhe materiale, dijetarët bëjnë analogji me haxhxhin, i cili kryhet me trup dhe me mjete financiare, prandaj edhe sevapi i tyre u shkon të vdekurve, sepse, për sevapet e haxhxhit ekzistojnë argumente autentike.

Cilat vepra pranojnë zëvendësim?

Këtë, që e thamë më parë ka të bëjë në lidhje me dhurimin dhe arritjen e sevapeve te të tjerët, kurse sa i përket asaj se, cilat vepra dhe adhurime pranojnë zëvendësim. Për këto në vazhdim të përmendim se, cilat vepra mund të veprohen nga të tjerët dhe personin të cilit i bie obligueshmëria, dhe cilat nuk pranojnë zëven­dë­sim;

– Ato çështje që kanë të bëjnë me besimin (imanin), nuk pranojnë zëven­dësim, që do të thotë: se nuk pranohet që dikush të besojë për tjetrin apo mos të besojë, por secili është i obliguar që atë ta bëjë vetë.

– Çështjet që kanë të bëjnë me çështjet e përditshme të jetës (të drejtat qyte­tare المعاملات), siç janë shitblerja, qiraja, dorëzania etj. Këto sjellje (kontrata) pranojnë zëvendësim يجوز النيابة, që do të thotë: lejohet që një person ta paguajë për tjetrin çmimin e gjësë së blerë, respektivisht dikush ta paguajë vlerën e gjësë, kurse tjetri ta marrë atë gjësend. Apo dikush ta paguajë qiranë për tjetrin etj.

– Adhurimet, – sa u përket adhurimeve, duhet pasur parasysh se ato mund të jenë adhurime trupore, materiale dhe trupore-materiale, andaj;

Nëse adhurimet janë trupore, siç janë namazi, agjërimi, këto adhurime nuk pranojnë zëvendësim, do të thotë: secili person duhet t’i kryejë vetë.

Nëse adhurimet janë materiale, siç janë zekati dhe sadakatul-fitri, lejohet zëvendësimi, që nënkupton se lejohet ndokush të paguajë zekatin për tjetrin.

Nëse adhurimet janë trupore-materiale, për kryerjen e të cilave kërkohet që personi të japë një kontribut trupor dhe shpenzime materiale, siç është haxhi, ky adhurim vetëm në raste domosdoshmërie pranon zëvendësim, p.sh., nëse personi, i cili ka obligim ta kryejë haxhin, nuk është i aftë që ai vetë të shkojë në Mekke dhe ta kryejë atë, apo personi, i cili e ka pasur obligim haxhin, por ka vdekur, në këto raste mund që dikush tjetër ta krye­jë haxhin për të. Kurse në gjendje normale, nuk lejohet që ky adhu­rim të zëvendësohet, por duhet kryer vetë[3].

Në fund në lidhje me këtë temë të theksojmë edhe qëndrimin e dijetarit të njohur në medhhebin hanefi Alauddin Abidin i njohur si Ibni Abidin në veprën e tij “Hedijetul Alaijje”. Ndër të tjerave ky dijetar thekon se duhet mos lënë anash dhe mos harruar “Itaken” për të vdekurin, që nënkupton se është mirë, që për të vdekurin të këndohet “itaka”. Itaka do të thotë leximi i Kul huvell-llahut (suret Ihlas) njëqindmijë herë. Po ashtu përsëritjen (dhikrin) e fjalës “La ilahe il-la-llah” (qelimete-tevhidit) shtatëdhjetë mijë herë. Këto duhet bërë me sinqeritet dhe për hirë të Allahut xh.sh., pastaj sevabin e tyre t’ua dhuron të vdekurve (të vdekurit), këto me dëshirën e Allahut xh.sh. do të jenë të dobishme për të vdekuri[4].

Leximi i Kur’ani dhe dhikrit me pagesë (me mëditje)

Në këtë temë kemi për qëllim sqarimin e dispozitës së sheriatit Islam në lidhje me atë se, a lejohet leximi i Kur’anit dhe dhikreve të ndryshme (qelimete-tevhidit) me pagesë apo më mëditje?

Dijetarët në lidhje me këtë çështje kanë dy qëndrime.

Qëndrimi i parë. Dijetarët e këtij mendimi ndajnë qëndrimin se, leximi i Kur’anit, përsëritja e dhikrit, të mësuarit të diturive fetare të tjerëve, kryerja e riteve fetare, si, imami, muezini etj, për këto dhe të ngjashme me këto, sipas këtij mendimi është e ndaluar të merret pagesë apo mëditje, sepse, këto janë obligim për myslimanin, andaj atij nuk i lejohet, që për ato të pranon pagesë apo të vepron me mëditje.

Në fillim të jurisprudencës islame dijetarët personit, i cili ua mësonte të tjerëve Kur’anin apo njohuritë tjera islame, apo personit, i cili kryente de­tyra me karakter fetar siç është ushtrimi i detyrës së imamit dhe myezinit, nuk i lejonin të marrë pagë për këto detyra, por ata ishin të mendimit se detyrat e tilla duhet të kryhen falas dhe për hir të Allahut xh.sh.. Mirëpo, me ndryshimin e kohës dhe rrethanave, pasi që njerëzit që i kryej­në ato detyra rrallë mund të gjenden, dhe pas ndryshimit të traditës së mëparshme, traditë ku sunduesit dhe bamirësit u dhuronin dhurata personave që kryenin ato detyra, dijetarët lejuan që personi, i cili mëson të tjerët Kur’an apo njohuri tjera fetare të pranojë pagesë dhe mëditje, nga shkaku se po qe se nuk lejohet një gjë e tillë, atëherë nuk do të ketë kush t’i ushtrojë dhe kryejë ato detyra kyçe në Islam.[5]

Dijetarët për kryerjen e detyrës së imamit, myezinit dhe mësuesit dhe disa veprime tjera e ndryshuan qëndrimin, edhe atë duke u bazuar në parimin “domosdoshmëri- darure”, sepse, këto detyra I llogaritën si të domosdoshme në shoqërinë Islame. Kurse për leximin e Kur’anit dhe dhikrit, nuk e konsideruar si domosdoshmëri, prandaj ngelën në dispozitën e njëjtë, që kuptohet se, nuk lejuan që Kur’ani apo dhikri të bëhet me pagesë apo me mëditje. Natyrisht se për qëndrimin e tyre, këta dijetar eminent të fikhut u mbështetën në argumente autentike të sheriatit Islam[6].

Qëndrimi i dytë. Sipas mendimit të këtyre dijetarëve, leximi i Kur’ani Kerimit dhe dhikrit me pagesë apo me mëditje është i lejuar. Në lidhje me këtë çështje dijetari dhe muftiu Mahmud Efendi Hamzavi, njëri nga dijetarët e medhhebit hanefi, i cili jetoi në fundin e periudhës së Perandorisë Osmane dhe ishte muftiu i Shamit (Damaskut), përpiloi një libër, në të cilën shqyrtoi mendimet e dijetarëve në lidhje se, a lejohet këndimi i Kur’anit dhe përsëritja e dhikrit me pagesë apo mëditje. Këtë vepër ai e emëroi “Refëul gishaveti an xhevazi ehdhil uxhreti alel kiraeti- از الأجرة على التلاوة الغشاوة عن جو رفع.

Autori në këtë vepër sqaroi se, lejohet leximi i Kur’anit dhe dhikrit me pagesë apo me mëditje. Në fillim ai bëri të ditur se, në lidhje me këtë çështje dijetarët mes veti kanë kundërthënie dhe divergjenca. Disa prej tyre e ndalojnë një veprim të tillë, kurse disa të tjerë lejojnë një gjë të tillë. Pastaj theksoi se, mendimi më i zgjedhur është se, lejohet një veprim i tillë. Ai shënoi edhe emrat e dijetarëve dhe veprat e tyre, të cilët janë të mendimit për lejimin e leximit dhe dhikrit. Muftiu Mahmud Hamzavi madje shënoi edhe mendimin e dijetarëve në lidhje me sasinë e çmimit që lexuesi i Kur’anin mund ta merr. Sipas autorit të “El-Xheuhere” dhe të tjerëve, lexuesit me mëditje për leximin e një hatme (të lexuarit një herë Kur’anin), nuk i lejohet për një hatme të merr më pak se sa dyzet e pesë (45) dërhem, një dërhem është barabartë me 3.5 gr, 45×3.5=157.5gr argjend. Ai duke shënuar mendimet e dijetarëve në veprat e tyre, shënoi se çmimi i një hatme në periudhën e të Dërguarit të Allahut [Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme] dhe të shokëve (sahabve) të tij ishte katër dinar e gjysmë (4.5 dinar nga ari), dihet se një dinar nga ari është i barabartë me 2.5 gr, andaj 4.5 x2.5=11.25gr nga ari. Këtë çmim dijetarët e bazuan në atë, që është transmetuar nga Abdulla ibni Mesudi dhe Enes ibni Maliku. Pastaj në bazë të mendimit të Kemal Bashës ai tha se: Në lidhje me këtë çështje të gjithë dijetarët, të më hershëm dhe ata të më vonshëm janë pajtuar, kështu shënohet në “El-kavashi”. Në vazhdim Muftiu Hamzaviu shënoi edhe qëndrimet e dijetarëve të më vonshëm në periudhën Osmane, si, p.sh. Ebu Suud El-Amadi, mufti i Rumelis dhe dijetarë i njohur në periudhën Osmane. Ali Efendi El-Amadi. Abdulgani Nabulsi. Ibni Shuhnete (komentimin e veprës El-Vehbanijete). Pastaj theksoi disa libra, në të cilat është shënuar ky qëndrim, si, p.sh. vepra, El-Eshbah e autorit El-Hamevij. Tenvirul Ebsar. Sherhul multeka e Alaiut. Behxhetul fetava. Fetava El-Kazruni. Fetava El-Hindije. Të gjithë këto dhe të tjera, vërtetojnë se, lejohet marrja e pagesës për leximin e Kur’ani Kerimit. Muftiu Hamzaviu përmendi se, të gjithë dijetarët e mëvonshëm (mute’ehirin), qofshin ata nga Buhara, India, Rumelia, Egjipti dhe Shami, të gjithë në këtë çështje janë në pajtueshmëri të plot[7].

[1] El-kasani, Imam Alauddin Ebu Bekër ibni Mesud, Bedaiu sanaiu fi tertibilsh sheraii, 3/1289.
[2] Ibni Kudame, Abdulla ibni Ahmed ibni Muhammed, El-Mugni li ibni kudame, 2/569.
[3] Ibni Abidin, Redul muhtar, 1/605. Idris, Abdulfettaf, Ma jenfaul emvat min saëjil ehjai, fq, 212-231.
[4] Ibni Abidin, Alauddin ibni Abidin, Hedijetul alaijje, 133.
[5] Ibn Abidin, Mexhmua Resail,2/123. Zuhajli, Muhammed, Usulul Fikh, 93. Hasebellah, Ali, Usulul Teshriul Islami, 97.
[6] Ibni Abidin, reddul muhtar, 1/492. Ibni Abidin, Alauddin, Hedijetul alaijje, 167. Ibni Abidin, Mexhmuat resail,1/152. Fetava hindijje, 4/448. Kemal ibni Humam, Fet’hul kadir, 8/39.`
[7] Ibi Abidin, Alauddin, Hedijetul alaijje, fq, 167&355. Fetava Hindije, 4/449.

Shkrime të ngjashme