14 TetGabimet gjatë haxh-xhit dhe përmirësimi i tyre

Ky artikull është pjesa 6 nga 8 pjesë, në serinë e artikujve nga tema: Haxhxhi

Autor: Jusuf ZIMERI

 “Kush e bënë haxhin për Allahun dhe (gjatë kryerjes së tij) nuk bënë mardhënie seksuale, nuk bënë mëkate kthehet i pastër nga mëkatet sikur atë ditë që e ka lindur nëna e tij “ Buhariu.

Haxhi është shtylla e pestë e Islamit që për zbatimin e këtij obligimi kërkohet gërshetimi i tre komponentëve kryesorë që është komponenti shpirtërorë- zemërorë, komponenti fizik – trupor dhe ai material – ekonomik. S’do mend se për kryerjen e të gjitha obligimeve islame, vitaliteti i vlefshmërisë së tyre varet kryesisht nga komponenti i parë, pra çështja shpirtërore – zemërore, ngase ky komponent ndërlidhet direkt me ndjenjën e brendshme të personit, që dirigjohet nga forca e besimit (imanit). Kjo është forca nxitëse që buron nga brendësia e njeriut e që i mundëson që njeriu botën e jashtme ta shohë me syrin e objektivitetit. Me gjithatë, kjo nuk nënkupton se aspekti i jashtëm formal nuk ka rëndësinë e vet në kryerjen e adhurimeve, sepse sipas parimeve islame, nëse paraqiten kundërshtime mes zemërores dhe formales, atëherë vepra nuk mund të jetë e shëndoshë. Për ta konkretizuar këtë që e thamë, përkujtojmë se nëse besimtari islam që ka bërë nijet të kryej farzin e pestë haxhin, nijetin e tij nuk e ka të pastër për hirë të Allahut xh sh. porse për ndonjë qëllim tjetër sikur thjesht vetëm të fitojë epitetin haxhi dhe të mburret para të tjerëve, haxhi i tij është i refuzuar te Allahut xh.sh. dhe për të ka përgjegjësi para Allahut xh.sh. edhe aspektin formal ta ketë kryer tërësisht ashtu si duhet. Në anën tjetër, nëse qëllimin (nijetin) e ka të pastër, por këtë qëllim të pastër nuk e harmonizon me aspektin e jashtëm formal, haxhi i tij mund të jetë edhe i prishur, i pa vlefshëm ose me të meta të mëdha. Andaj harmonizimi i këtyre dy faktorëve është i rëndësishëm në të gjitha adhurimet (ibadetet) e ngjashëm edhe te haxhi.

Një çështje tjetër që e karakterizon këtë lloj të ibadetit, haxhin, është edhe fakti se ky adhurim ndërlidhet edhe me çështjen materiale- ekonomike, andaj nijetliu për ta kryer këtë ibadet duhet të mbajë llogari edhe për llojin e pasurisë me të cilin e bënë haxhin. Që haxhi të jetë i pranuar dhe shpërblyes kushtëzohet që shpenzimet për kryerjen e këtij ibadeti të jenë nga pasuria e lejuar (hallalli).

Ata të cilët kanë bërë nijet të kryejnë këtë obligim islam, fillimisht duhet të dinë se gjatë ditëve të haxhit jetojnë në një gjendje të jashtëzakonshme sepse prej momentit të veshjes së Ihramëve dhe nijetit të haxhit, atij i ndalohen shumë veprime të cilat në gjendje të rëndomtë, respektivisht jashtë haxhit i ka të lejuara. Andaj, secili besimtarë islam i cili ka hyrë në ihrame ka për obligim që të jetë më vigjilent dhe duhet të dijë se për çdo moment gjendet në ibadet. Ky është edhe motivi që na nxiti që përmes këtij punimi të shkurtë ti parapërgatitim haxhinjët tanë për kryerjen e këtij ibadeti, që me ibadetin e tyre të krijojnë mundësinë që edhe njëherë të rilindin në këtë jetë, sepse i dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë ““Kush e bënë haxhin për Allahun dhe (gjatë kryerjes së tij) nuk bënë mardhënie seksuale, nuk bënë mëkate kthehet i pastër nga mëkatet sikur atë ditë që e ka lindur nëna e tij “ Buhariu.

Pra haxhi përveç se ka farze, vaxhibe, sunete dhe mendube, ai ka edhe ndalesa dhe mekruhe, dhe në anën tjetër haxhi nga aspekti kohor konsiderohet ibadeti më i gjatë, anda edhe duhet pasur kujdes sepse edhe mundësia e gabimit është më e theksuar, andaj haxhiu duhet të jetë syçelë në kryerjen e këtij ibadeti.

Gabimet që ndodhin gjatë haxhit
Ndonjëherë ndodhë që haxhiu të bënë gabime gjatë kryerjes së Haxhit. Se çka duhet ndërmarrë për gabimet e bëra, kryesisht varet nga lloji dhe pesha e gabimit. Në këtë kontekst shikuar nga pesha e  gabimeve ato ndahen në tre lloje që janë:

-I- Gabime e mëdha

Gabime të mëdha konsiderohet ato veprime të cilat pas veti lënë gjurmë dhe pasoja të rënda në kryerjen e haxhit. Dijetarët islam, duke i studiuar llojet e gabimeve, gabimet e mëdha i ndanë në dy lloje që janë;

 a. Gabime të pa përmirësuara që prishin haxhin
Gabime këto të cilat nuk mund të përmirësohen në asnjë mënyrë tjetër, por vetëm me përsëritjen e haxhit, sepse ky haxh konsiderohet i prishur (fasid). Gabimi që nuk mund të përmirësohet është kryerja e marrëdhënieve seksuale me bashkëshorten duke qenë në Ihrama, para se të kryej në Arefat, dhe atë pavarësisht se këto marrëdhënie bëhen me qëllim, me gabim ose duke mos pasur njohuri se ky akt e prishë haxhin. Ky gabim jo vetëm që shkakton prishjen e haxhit, dhe obligon haxhiun që të bëjë kaza menjëherë vitin tjetër, porse obligohet edhe me therrje të kurbanit një dele. Në këtë dispozitë nuk ka rëndësi se haxhiu është duke e bërë haxhin farz apo nafile, kurse nga ky rregull përjashtohet vetëm fëmija dhe i sëmuri psikik, pra këta nuk obligohen as me therje të kurbanit e as me përsëritje të haxhit. Në këtë rast, Haxhiu i tillë, edhe pse haxhin e ka  të prishur, ai duhet të pasojë të gjitha veprimet sikur haxhitë tjerë dhe nuk guxon të ndalet nga veprimet e haxhit.

b. Gabime të mëdha që mund të përmirësohen me kurban.
Për dallim nga gabimet e para që shkaktojnë prishjen e haxhit, edhe këto gabime janë të mëdha, por nuk shkaktojnë prishjen e haxhit, ngase këto gabime mund të përmirësohen, përmes therjes së kurbanit të madh (bedne) e që janë:

– Marrëdhënia e plotë imtime femrën pas qëndrimit në Arefat, por para qethjes, rruarjes apo kryerjes së tavafit Zijaret që është farz.  Ky veprim detyron Muhrimin të presë kurban të madh (bedne) deve ose lopë. Kjo dispozitë ka bazë në hadithin e transmetuar nga Seid b. Mensuri, e ky nga Aisheja r.a. se Pejgamberit s.a.v.s. ku ka thënë: “(kur të ktheheni nga Arefati) nëse i keni gjuajtur gurët dhe jeni rruar, u është lejuar juve çdo gjë përveç gratë tuaja” Ebu Davudi. Nga hadithi kuptohet se kthimi nga Arefati, gjuajtja e gurëve dhe rruarja konsiderohet lirimi i i parë nga Ihrami (tehalul evel), e në këtë rast lejohet çdo gjë që ishte e ndaluar gjatë ihramave, si veshja e rrobave etj, por nuk lejohet edhe marrëdhënia imtime me bashkëshorten. Ky veprim lejohet vetëm pas lirimit të plotë (tehalul ekber) që është pas kryerjes së tavafit zijaret.

Kjo dispozitë vlen edhe për mashkullin edhe për femrën sepse ata që të dy kanë qenë aktorë të një vepre të ndaluar gjatë haxhit, andaj asnjëri nuk lirohet nga përgjegjësia.

– Nëse Muhrimi para se të dalë në Arefat, ka përkëdhelur, prekur bashkëshorten e tij me epsh, ose e ka puthur me epsh, ose ka luajtur me te duke mos bërë marrëdhënie imtime të drejtpërdrejta, pavarësisht se ka ejakuluar apo jo, haxhi i tij nuk konsiderohet i prishur, por detyrohet me prerje të kurbanit.

– Gjithashtu detyrimi i therjes së kurbanit të madh (bedne) bie edhe mbi Muhrimin i cili  tavafin zijaret e ka bërë i pa pastër- xhunub, ose femra duke qenë në menstruacione.

  -II- Gabimet të mesme

 Gabime mesme konsiderohen ato veprime të cilat mund të përmirësohen me prerjen e një kurbani të vogël. Rastet e tilla janë;

Veshja e rrobave të qepura. Kur haxhiu ka bërë nijet Haxhin apo Umren  dhe është veshur me ihrama, i ndalohet të veshë rrobe të qepura, të mbulojë fytyrën apo kokën një ditë të plotë, me përjashtim te femra e cila mbulimin e kokës e ka detyrim fetar (farz) por jo edhe të fytyrës,  andaj nëse i bënë këto gabime, detyrohet të therë kurban për gabimin e bërë, kurse mishin e Kurbanit e ndanë të varfërve në mekë. E nëse atë e veshë gabimisht ose për një kohë më të shkurtë, atëherë duhet të japë sedeka për gabimin e bërë.

– Qethja dhe rruajra.  Haxhiu me të hyrë në ihrama i ndalohet rruajra, qethja, ose shkulja e qimeve nga trupi, pavarësisht se bëhet fjalë për fytyrën, kokën, nënsqetullat apo vendet gjenitale. Kjo dispozitë ka bazë Kur’anore ku Allahu xh.sh. ka thënë: “e mos i rruani kokat tuaja derisa të arrijë kurbani vendin e caktuar” Bekare:196.

Nga kjo nënkuptohet se ai i cili ruan kokën e tij apo pjesë të trupit të tij si nënsqetullat ose rruan vetëm  1/4 e kokës ose 1/4 e mjekrrës, pa arsyetim detyrohet të therë kurban. Mirëpo, nëse rruarjen e kokës e bënë për ndonjë arsye si sëmundja apo për shkak të ndonjë plage në kokë atëherë para veti mbanë këto alternativa që janë: agjërimi i tri ditëve, sadekaja që duhet ti jepet gjatë të varfërve me sasi prej tre Save (saun) duke i dhënë secilit të varfër nga gjysmë Sai, ose therja e kurbanit. Kjo dispozitë vërtetohet me ajetin Kur’nor ku Allahu xh.sh. ka thënë: “po kush është prej jush i sëmurë ose ka mundim koke (erruhet para kohe) kompensimi është: agjërim, sadeka ose kurban” Bekare:196. Nëse haxhiu gjatë ihramit ka rruar mustaqet, duhet të japë sadeka sepse mustaqet konsiderohen pjesë e kokës. Mirëpo nëse haxhiu ka rruar njërën nënsqetull apo të dyja, detyrohet me therje të kurbanit.

– Prerja e thonëve. Prerja e thonjve gjatë qëndrimit të haxhiut në ihrama është veprim i ndaluar, andaj nëse Muhrimi i pretë thonjtë e duarve dhe të këmbës, apo thonjtë e njërës dorë dhe njërës këmbë në një vend, atëherë detyrohet me therje të kurbanit. Mirëpo nëse thonjtë e duarve i ka prerë në një vend (mexhlis) dhe thonjtë e këmbëve në një mexhlis tjetër, atëherë detyrohet të therë dy kurbane.
Parfemosja. Haxhiu gjatë qëndrimit në Ihrame e ka të ndaluar edhe përdorimin e parfemëve që kanë aroma të këndshme. Andaj nëse haxhiu gjatë ihramëve përdorë parfemë apo miske të ndryshme aromatike duke detyrohet me therje të Kurbanit.
– Kryerja e tavafit Kudum ose veda i pa pastër – xhunub detyrohen me therje të kurbanit të vogël dele, e nëse atë e bënë pa abdes atëherë obligohet me sadeka.
– Kryerja e tavafit zijare (farz) pa abdes detyron haxhiun me therje të kurbanit të vogël dele, edhe pse më e rrugës është që ta përsërisë atë tavaf dhe të mos therë kurban.
– Nëse gjatë tavafit Zijare nuk i ka kryer tre sjelljet e fundit që janë vaxhib, detyrohet me therje të kurbanit të vogël.
– Kryerja e tavafit Veda i pa pastër, xhunub obligon therje të kurbanit të vogël, kurse kryerja e tij pa abdes detyron sadeka.
– Haxhiu i cili nuk ka kryer sajin mes Safas dhe Merves, obligohet me therje të kurbanit,
– Ata të cilët dalin nga Arefati para se të perëndojë dielli, detyrohen me therrje të Kurbanit, pastaj ata të cilët nuk qëndrojnë në Muzdelife, ata që i lënë guart pa i gjuajtur obligohen me therje të Kurbanit.
– Gjithashtu me therje të Kurbanit detyrohen edhe ata të cilët nuk kanë bërë qethjen dhe rruarjen pas kthimit nga Arefati brenda ditëve të Bajramit.

 -III- Gabime të vogla

 Gabime vogla konsiderohet veprimet më të përditshme me të cilat ballafaqohet haxhiu, e  të cilat mund të përmirësohen me dhënien e sadekave. Vlera apo sasia e Sadekas që duhet dhënë për një gabim të vogël sipas fukahave të medhhebit hanefij është gjysmë Sai apo  përafërsisht 1.900 gr. drith ose një Sa me hurme ose një Sa me rrush të tharë. Gjithashtu mund të jepet edhe kundërvlera e tyre në të holla. Gabimet që obligojnë sadakë janë të shumtë e në mesin e tyre janë:
– Nëse haxhiu ka rruajtur apo qethur më pak se 1/4 e kokës ose mjekrës duke qenë në Ihrama,
– Nëse ka prerë një thua, nëse  gjatë sajit ka lënë më pak se tri ecje, etj.
– Nëse haxhiu ka rruajtur kokën e tjetrit duke qenë vetë në Ihrama, pa varësisht se tjetri është në ihrama apo jo, obligohet të japë sadeka për gabimin e bërë.
– Nëse ka prerë më pakë se pesë thonjë të gishtërinjve, në këtë rast për çdo thua të gishtit duhet të japë nga një sadeka,
– Nëse haxhiu ka veshur rrobe të qepura ose ka mbuluar kokën dhe fytyrën për një kohë të shkurtë më pak se një ditë apo një natë, atëherë obligohet me sadeka,
– Nëse haxhiu parfemosë ndonjë gjymtyrë të trupit, por jo të kompletuar,
– Nëse Tavafin Kudum ose Tavafin Veda ose ndonjë Tavaf tjetër nafile e bënë pa abdes, detyrohet me sadeka,
– Nëse e len mangu ndonjë sjellje të tavafit Veda ose të sajit, gjithashtu detyrohet me Sadeka.

Në kontekst të kësaj, ekzistojnë edhe gabime tjera që kanë të bëjnë me gjuetinë duke qenë në Haxh, pra gjatë ihramit, por meqë kjo dukuri kohëve të fundit nuk ekziston, kësaj radhe nuke  shoh të arsyeshme të flasim edhe për gabimet e tilla.

Ajo që gjithashtu duhet ditur ata që kanë bërë nijet haxhin dhe që gjatë haxhit kanë bërë gabime që përmirësohen me kurbanë, është fakti se ata kurbanë duhet të therren në Harem, kurse agjërimi mund të bëhet edhe në vende tjera. Për n fund, përkujtojmë hadithin e Pejgamberit s.a.v.s. ku ka thënë: Për haxhin e pranuar shpërblim tjetër nuk ka pos Xhennetit”. Buhariu

Tetor, 2009

Seritë<< Haxhxhi الحجHaxh-xhi Bedel – Dispozita të shpërndara >>
No comments

Place your comment

Please fill your data and comment below.
Name
Email
Website
Your comment