Kurbani i cili në terminologjinë e fikhut islam njihet me nocionin “El Ud-hijetu”, është për qëllim sakrifica e një kafshe për hir të Allahut xh.sh.. Kurbani quhet El-Ud-hijetu, për shkak te theret në kohën e duhas. Dispozita e kurbanit është vaxhib,[1] që është ligjësuar vitin e dytë pas hixhretit ngjashëm sikur edhe zeqati dhe sadekatul fitri. Andaj edhe çdo musliman i cili e ka borxh sadekatul fitrin e ka borxh edhe kurbanin, kurse për fëmijët kurbani nuk është borxh.

Autor: Jusuf ZIMERI

Argument për ligjësimin e kurbanit kemi ajetin kur’anor ku Allahu xh.sh. ka thënë:
فَصَلِّ لِرَبِّكَ وَانْحَرْ
“Andaj ti falu dhe prej kurban për hir të Zotit tënd!”[2]

Transmetohet nga Enes b. Maliku r.a. i cili ka thënë:
عن أنس بن مالك رضي الله عنه قال: (ضحى النبي صلى الله عليه وسلم بكبشين أملحين أقرنين، ذبحهما بيده وسمى وكبر.
I Dërguari i Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme me dorën e tij kishte prerë kurban dy desh të larëm me brinjë, kishte bërë bismil-lah dhe tekbir”[3] Kur e pyetën të Dërguarin e Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme se pse bëhen këto kurbane, ai u përgjigj: ”Është suneti (Tradita) i babait tonë, Ibrahimit [4]Ata i thanë:çfarë përfitojmë ne prej tyre?” Ai i tha:Për çdo qime, një të mirë.”[5] Gjithashtu transmetohet se Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ka thënë: Kush ka mundësi të therë kurban dhe nuk ther, të mos i afrohet xhamisë sonë.[6]

Që kurbani të jetë obligim duhet të plotësohen këto kushte, të jetë musliman, të jetë i lirë ngase robi nuk ka obligim të therë kurban, të jetë në vendlindje, pra të mos jetë në udhëtim, të jetë psikikisht i mençur, të jetë i moshës madhore (pubertet), dhe të plotësojë nisabin i cili është 200 dërhem (që është shpjeguar te zeqati).

Urtësia e Kurbanit

Urtësitë e therjes së kurbanit dhe shpërndarjes së mishit të ditë ditën e kurban bajramit, i përngjasin urtësive të sadekatul fitrit ditën e fitër bajramit. Me shpërndarjen e mishit të kurbanit ditën e bajramit njëkohësisht shpërndanë edhe gëzimin dhe harenë në shpirtat e të varfërve dhe familjeve të tyre. Kjo formë e adhurimit shtonë dashurinë dhe humanizmin mes njerëzve. Prerja e kurbanit dhe shpërndarja e mishit të varfërve, fqinjëve dhe dashamirëve përveç dashurisë reciproke, nënkupton edhe gatishmërinë e besimtarit islam për të sakrifikuar nga pasuria e tij për hir të Allahut xh.sh..

Kushtet e vlefshmërisë së kurbanit.

Që kurbani të jetë i vlefshëm kushtëzohen këto kushte:

  • Koha. Kurbani është adhurim me kohë të përcaktuar, andaj edhe vlefshmëria e kurbanit varet nga zbatimi i këtij obligimi brenda kohës së përcaktuar. Koha e therjes së kurbanit fillon pas faljes së namazit të bajramit dhe përfundon ditën e tretë të kurban bajramit,[7] pak para kohës së akshamit[8], porse koha më e preferuar është dita e parë e kurban bajramit. Ata të cilët presin kurbanet e tyre para kohës detyrohen ti përsërisin, ngase Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ka thënë: “Kush e ka bërë kurbanin para namazit, le ta përsërisë”[9].

Kurbani brenda kësaj kohës së caktua mund të theret në çdo kohë, edhe natën edhe pse therja e kurbanit natën është mekruh (e urrejtur). Nëse i ka kaluar koha e kurbanit dhe kurbani nuk është therë, atëherë nëse personi i cili ka dashur të therrë kurbanin por nuk ka mundur ta therë, është i pasur, jep sadeka me vlerën e kurbanit dhe nuk e therë kurbanin, kurse nëse është i varfër, por ja që ka blerë kurban, në këtë rast obligohet që kurbanin ta japë sadeka të gjallë.

Kafsha e cila është përcaktuar për kurban duhet të jetë pa të meta, pra të mos jetë e verbër, e sëmurë, e gjymte, dhe që çalon. Kafsha e cila e ka të humbur syrin ose të pamurit nuk vlen për kurban. Kafsha e cila çalon, respektivisht ecën vetëm me tri këmbë ose një këmbë e ka të këputur, nuk vlen për kurban, mirëpo nëse ajo këmbën e katërt e lëshon nga pakë në tokë dhe ndihmohet me të sa të ecë deri te vendi ku theret, atëherë vlen për kurban. Gjithashtu për kurban nuk vlen kafsha e cila është e hutuar. Nuk vlen për kurban edhe kafsha e cila shumicën e veshit e ka të prerë,[10] ose është e krijuar me të meta pa veshë, e nëse veshi ekziston por është i vogël lejohet për kurban. Kafsha e cila e ka të humbur një të tretën e gjuhës së saj nëse është dele lejohet të prehet për kurban, e nëse është nga kafshët e mëdha si lopët nuk lejohet, ngase lopët në kullosë barin e mbledhin përmes gjuhës kurse delet me dhëmbë. Për kurban vlen të theret kafsha e cila nuk ka brirë që është shyt nga krijimi i saj, e edhe kafsha e cila brirët i ka të thyer por jo nga rrënjët e saja. Po ashtu nuk lejohet për kurban edhe kafsha e cila ka humbur shumicën e dhëmbëve. Për kurban vlen të theret kafsha e cila është i tredhur, dhe i zgjebosur nëse është i majmë.

Nëse blerësi e ka blerë kafshën të shëndoshë pa të meta që pengojnë therjen e kurbanit, atëherë obligohet të kompensojë me një tjetër ngjashëm si ajo nëse është i pasur, e nëse është i varfër, i vlen për kurban ajo që e ka.

Mosha e kurbanit.

Që kurbani të jetë i vlefshëm patjetër duhet respektuar edhe moshën e kafshës e cila do të theret për kurban. Kafshët e imta të cilat theren kurban, pra delet dhe dhitë, kushtëzohet që të kenë plotësuar një vit të plotë dhe të kenë hyrë në vitin e dytë. Mirëpo dijetarët sqarojnë se nëse delja e cila ka vetëm gjashtë muaj, por është e rritur dhe e shëndoshë saqë kur të përzihet me kopenë nuk dallohet nga tjerat, vlen për kurban kafshët e mëdha, lopët dhe buallicat nuk lejohet të theren për kurban nëse nuk e kanë mbushur vite dhe të kenë hyrë në vitin e tretë, kurse devetë pesë vjet. I vogli i kurbanit. Nëse kurbani ka qenë pëlle, dhe ka pjellë para se ta therë kurbanin, atëherë atë e jep sadeka. Nëse i vogli i kafshën nga barku i nënës së saj del i gjallë, atëherë me të bëhet ngjashëm sikur me nënën e tij, pra theret dhe jepet sadeka. Nëse hanë diçka aga ai, atëherë duhet dhënë sadeka me vlerën e asaj që është ngrënë, porse mustehab është që sadeka të jepet i gjallë.

Ngrënia nga mishi i kurbanit

Sipas rregullave të sheriatit që kanë të bëjnë me kurbanin lejohet ngrënia nga mishi i kurbanit qoftë edhe i pasur. Lejohet edhe ngrënie tërë mishit të kurbanit, por është e preferuar që kurbani të ndahet në tri pjesë, një pjesë tu jepet sadeka të varfërve, një pjesë të shpërndajë të afërmve dhe një pjesë tjetër të konservoj për veten dhe familjen e tij. Imam El Kesani në Bedai thotë: më e vlefshme është që 1/3 e kurbanit të jepet sadeka, kurse me 1/3 tjetër të gostisë miqtë, familjarët dhe shokët e tij, e 1/3 ta konsevroj për fëmijët e tij. E gjithë kjo ka mbështetje në hadithin e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ku ka thënë:
كلوا و أطعموا و ادخروا

“ Hani, ushqeni të tjerët dhe konservoni për vete”[11]

Lëkura e kurbanit duhet dhënë sadeka dhe nuk guxon të shitet për para sepse Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ka thënë: “ Kush e shet lëkurën e kurbanit, ai nuk ka kurban” Lëkura mund të lihet për nevojat e tij duke bërë diçka të qëndrueshme.

Bashkimi në një kurban
Kafshët e mëdha si lopët, buallica dhe devetë, lejohet që të theren kurban për më shumë se një njeri, respektivisht deri në shtatë persona. Pra nëse një i pasur, blenë një kurban të madh, lejohet për të që në të njëjtin kurban të marrin pjesë edhe gjashtë persona tjerë të cilët janë të pasur. Theksojmë të pasur ngase i varfëri nuk vlen ti bashkohet kësaj grupe nga arsyeja se i varfëri i ka bërë obligim vetvetes së tij me përcaktimit e të njëjtës kafshë për kurban.

Bashkimi për kurban në një kafshë të madhe, detyrohet që të gjithë pjesëmarrësit në këtë kurban të kenë për qëllim kurbanin, sepse nëse njëri prej tyre nuk ka për qëllim kurbanin si adhurim, por thjesht vetëm mishin e saj, atëherë kurbani është i pavlefshëm për të gjithë. Mishi i kurbanit mes pronarëve të tyre duhet të ndahet në mënyrë precize duke e matur. Në kurbanin e madh lejohet të marrin pjesë edhe më pakë se shtatë persona, por nuk lejohet mbi shatë.

Prerja e kurbanit
Kur theksuam më parë se dispozita e kurbanit është vaxhib, ishte për qëllim prerja e kurbanit, pra derdhja e gjakut, sepse po qese e tërë pasuri të shpenzohet për sadeka nuk e mbulon obligueshmërinë e therjes së kurbanit.

Prerja e kurbanit është mirë që të bëhet nga vet personi i cili ka bërë nijet të ther kurban. Nëse ka njohuri dhe mundësi për therjen e tij, e nëse nuk mundet apo nuk din të therr kurbanin atëherë është më mirë të ndihmohet nga dikush tjetër. Nëse dikush tjetër e thrë kurbanin, atëherë është mirë që zotniu i kurbanit të qëndrojë pran tij dhe ta sheh atë duke e therur, sepse i Dërguari i Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme i kishte thënë Fatimes r.a. bijes së tij:
يا فاطمة قومي إلى أضحيتك فاشهديها فإنه يغفر لك عند أول قطرة من دمها كل ذنب عملتيه وقولي ( إن صلاتي ونسكي ومحياي ومماتي لله رب العالمين لاشريك له وبذلك أمرت وأنا من المسلمين
 “Oj Fatime, ngrihu dhe shihe kurbanin tënd, sepse të falen mëkatet me pikën e parë të gjakut që bie në tokë” dhe thuaj: vërtetë namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë për Allahun e gjitha botëve, Ai është i pa shok, me atë jam i urdhëruar e unë jam nga muslimanët

Prerësi i kurbanit është mirë të jetë musliman, sepse është mekruh që prerësi i kurbanit të jetë nga ithtarët e librit (ehlul kitab), por nëse e pret kurbani është i vlefshëm. Mirëpo nuk lejohet në asnjë mënyrë që kurbanin ta therë idhujtari apo ateisti i cili nuk beson në Zot.

Të përmendurit e emrit të All-llahut xh.sh. para therjes
Të përmendurit e emrit të All-llahut xh.sh. në momentin e therjes së kafshës është kusht për lejimin e ngrënies së mishit të kafshës së therur, e kjo mbështetet në ajetet kur’anore ku All-llahu xh.sh. ka thënë:
و لا تأكلوا مما لم يذكر اسم الله عليه و إنه لفسق .
“Dhe mos hani nga ajo që (para therjes) nuk është përmendur emri i All-llahut xh.sh., sepse vërtetë ajo është mëkat.”[12]

Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ka thënë:
مَا أَنْهَرَ الدَّمَ وَذُكِرَ اسْمُ اللَّهِ عَلَيْهِ فَكُلواْ
Nga kafsha e cila është) derdhur gjaku dhe është përmendur emri i All-llahut, hani”[13]

Se të përmendurit e emrit të All-llahut xh.sh. para therjes së kafshës është kusht, vërteton edhe konsensusi i dijetarëve islamë. Ky kusht plotësohet të thuhet Bismil-lah, apo çdo shprehje e cila nënkupton madhërinë e Allahut xh.sh., porse sunnet është që të thuhet “Bismil-lahi, Vall-llahu Ekber. Dijetarët islamë janë unikë në mendimet e tyre se nëse kafsha theret në emër të diçka tjetër, mishi i saj është i ndaluar për muslimanët. Sipas mendimit dijetarëve të medhhebit hanefij, mos përmendja e emrit të All-llahut para therjes mund të jetë:
-. Me qëllim, që nënkupton se nëse para therjes nuk përmendet emri i All-llahut xh.sh. me qëllim, atëherë mishi i asaj kafshe është i ndaluar për muslimanin, dhe atë duke u mbështetur në argumentet e lartëcituara.
-. Me harresë, që nënkupton se mishi i kafshës së therur pa e përmendur emrin e All-llahut xh.sh. për shkak të harresës, është i lejuar, por duhet përmendur kur të hahet. Këtë mendim e mbështesin në ajetin kur’anor ku All-llahu xh.sh. ka thënë:
ربنا لا تآخذنا إن نسينا أو أخطأن
“O Zoti ynë, mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë“

Të gjithë fukahatë islam janë unik në mendimet e tyre se çdo mjet prerës i cili pret dhe copëton, që shkakton daljen e gjakut, mund të përdoret për mjet prerës, dhe mishi i tillë është i lejuar, por gjatë therrjes është mirë që mjeti therrls të jetë i mprehtë e të mos maltretojë kurbanin. Gjatë prerejs së Kurbanit duhet prerë këto pjesë:
1. Gabzherri الحلقوم , organi i përcjelljes së frymëmarrjes,
2. Fyti,المري organi për përcjelljen e ushqimit,
3. Dy arteriet e gjakutالودجان

Sipas mendimit të Imam Ebu Hanifes dhe Imam Muhammedit nëse priten shumica e këtyre pjesëve, atëherë mishi i asaj kafshe është i lejuar, kurse sipas Imam Ebu Jusufit minimumi që duhet të theret te kafsha, në mënyrë që mishi i saj të jetë i lejuar për muslimanin, është: gabzherri, fyti dhe njëra nga arteriet e gjakut.


[1] Imam Ebu Jusufi është i mendimit se dispozita e kurbanit është sunnet.
[2] Suretu El Kevther : 02
[3] Imam Muslimi
[4]. Pasi që Ibrahimi a.s. e kishte lënë birin e tij Ismailin në Meke, bashkë me nënën e tij Haxherin që i vizitonte herë pas here nj[ natë All-llahu xh.sh. e kishte sprovuar Ibrahimin a.s. me therrjen kurban të birit të tij Ismaili duke i thënë: Dhe kur arriti ai (djali) që së bashku me të (me Ibrahimin) të angazhohet në punë, ai (Ibrahimi) tha: “O djali im, unë kam parë (jam urdhëruar) në ëndërr të të pres ty. Shiko pra, çka mendon ti?” Ai tha: “O babai im, punoje atë që urdhërohesh, e ti do të më gjesh mua, nëse do All-llahu, prej të durueshmëve!”. Pasi Ibrahimi a.s. kishte vendosur të zbatojë urdhrin e All-llahut, e për këtë ishte pasjtuar edhe biri i tij Ismaili kur kishte kuptuar se ky usrdhër është nga All-llahu e nuk bëhet fjalë për hipokondri djallëzore, Ibrahimi a.s. e dërgoi në Mina për ta ekzekuar porosinë. Mirëpo pasi q bëri gati për therrje, All-llahu xh.sh. e thirri Ibrahimin a.s. duke i thënë: Ne e thirrëm atë: “O Ibrahim!” Ti tashmë e zbatove ëndrrën! Ne kështu i shpërblejmë të mirët! Vërtet, kjo ishte sprovë e qartë (Safat 104-106). Pastaj erdhi Meleku me një dash të cilin e therri në vend të djalit të tij.
[5] Ibni Maxhe
[6] Ibni Maxhe
[7] Kurbani nuk mund të therret para kësaj kohe. Në vendin tonë shpeshëherë therret kurban për të vdekuri dhe atë ditën e Arefatit, respektivisht natën e bajramit. Në këtë rast, nëse kurbani për të vdekurin është me porosinë e të vdekurit, atëherë pa tjetër të therret në kohën e përcaktuar, e nëse e therr ditën e Arefatit apo ditën e arifes siç njihet tek ne, atëherë duhet përsërisë kurbanin për të vdekurin në kohën e caktuar. Nëse ky kurban për të vdekurin nuk është me porosi, por thjesht vullnet i trashëgimtarëve që të vdekurit të tyre ti therrin një kurban, dhe atë e therrin ditën e arifës, kjo therrje nuk quhet kurban, por sadeka prej sadekave dhe një veprim i tillë është i mirë dhe i lavdruar sipas islamit.
[8] Alaudin Abidin, El hedijjetul alaijje, f. 242.
[9] Buhariu dhe Muslimi
[10] Disa nga dijetarët thonë se nëse kafsha e ka të prerë 1/3 e veshit nuk vlenë për kurban.
[11] Imam Ahmedi
[12] El En;am :121
[13] Buhariu

Shkrime të ngjashme