21 TetPorosi vëllait tim që shkon në Haxh

Ky artikull është pjesa 8 nga 8 pjesë, në serinë e artikujve nga tema: Haxhxhi

Autor: Jusuf Zimeri

Vëlla i dashur besimtar, ti që ke vendosur të kryesh haxhin, dije se haxhi është shtylla e pestë e Fesë islame. Është ibadet (adhurim) që ndërlidhet edhe me çështjen fizike edhe me çështjen ekonomike, përfshirë këtu edhe çështjen shpirtërore dhe atë materiale. Pra, i nderuari vëlla, nëse Allahu xh.sh. të nderoi me këto dy begati (shëndetin dhe pasurinë) mos nguro të jesh falënderues ndaj Tij, e falënderimi yt më i mirë do të ishte të falënderosh Allahun përmes ibadetit të quajtur Haxh. Këtë adhurim mos e prolongo as për nesër, e jo më për vitin apo vitet e pleqësisë, sepse nuk dihet çfarë sjell e nesërmja. Vëlla i nderuar, të mirën shpejtoje, të keqen largoje. Pra, përgjigju ftesës së Allahut xh.sh. që të jesh misafir i Tij, sepse plotësimi i kushteve të haxhit, derisa je i ri, është ftesë dhe nderë i veçantë për ju, andaj përgjigju ftesës së Allahut xh.sh. e mos iu përgjigj shushurimës së djallit kur të thotë: “Ti ke kohë për haxh, ti akoma je i ri, do ta kryesh atë  kur të plakesh”. Dije vëlla i nderuar, se të ndihmosh dikë gjatë haxhit, është më mirë se sa të të ndihmojë dikush ty, e këtë e bënë sot, sepse nesër bëhet vonë.

Ti vëlla i nderuar, ti që ke bërë nijet haxhin, përgatitu për këtë udhëtim, përgatitu shpirtërisht, moralisht dhe teorikisht, sepse haxhi është adhurim për Allahun xh.sh., është ibadet që kërkon rregulla, norma dhe disiplinë, e nuk është turizëm dhe aheng e as piknik. Është luftë me djallin, andaj mos lejo që ai të ngadhënjejë mbi ty. E për ta fituar këtë betejë, duhet të jesh i përgatitur dhe i mobilizuar me dituri dhe moral të lartë islam. Pra, vëlla, para se të nisesh për në haxh, mësoj rregullat e haxhit përmes leximit apo përmes mësuesit (hoxhës). Nuk është turp të kërkosh diturinë prej atyre që e posedojnë, por është turp të mos dish kur ke mundësi të dish, padituria nuk e arsyeton mangësinë e as gabimin!

I nderuar vëlla, pasi që ke pastruar qëllimin tënd nga të gjitha dilemat, para se të nisesh për në haxh, kujdes, bëri një analizë edhe veprave të tua, pasurisë sate, sepse ibadeti yt i quajtur haxh, për të qenë profitabil dhe frytdhënës, duhet të bëhet me pasuri të hallallit. Mos e lodh kokën me atë çfarë thonë të tjerët për ty, por lodhe kokën tënde që ti, me tërë potencialin tënd psikik e zemëror, fizik e shpirtëror, që veprat tua të jenë të sinqerta, të përpikta, të ndershme, në shërbim të Islamit dhe shoqërisë islame dhe të jenë të harmonizuara me besimin e pastër islam dhe me rregullat dhe disiplinat e së drejtës islame (sheriatit).

Vëllai im i dashur, ti që je nijetli për në haxh, është shumë e rëndësishme që të kuptosh dhe të bindesh, se ky udhëtim nuk është i thjeshtë sikur udhëtimet e tjera, por është udhëtim që të shpien drejt rilindjes tënde në jetën e kësaj bote, udhëtim që të shpie drejt pastrimit shpirtëror, udhëtim që mbushë konton tënde të shpërblimeve dhe shlyen mëkatet tua. Në këtë udhëtim je mysafir i Allahut xh.sh., në këtë udhëtim do të vizitosh vendet e shenjta, në këtë udhëtim të jepet mundësia të shohësh vendim më të çmuar në rruzullin tokësorë, me sytë e tu të shohësh Qabenë të cilën vetëm e ke paramenduar, të shohësh Qabenë, të freskohet e qetësohet shpirti dhe zemra. Atje, vëlla, vetëm atje, ke mundësi të shohësh sende që nuk janë nga planeti ynë, por të ardhura nga Xhenneti, të shohësh gjurmët e babait të njerëzisë, Ademit a.s., gjurmët e Ibrahimit a.s., Ismailit a.s. gjurmët e shumë e shumë pejgambereve të tjerë, gjurmët e shumë e shumë njerëzve të mëdhenj nga sahabët që sakrifikuan çdo gjë, absolutisht çdo gjë, duke filluar nga jeta e tyre, familjet e tyre e deri te pasuritë e tyre që Islamin ta shpërndajnë deri tek ne. Sakrifikuan për ne, që neve të na jepet mundësia të shijojmë krenarinë e Islamit dhe të jetojmë me të, andaj ne jemi krenar, të jemi dhe të jetojmë si njerëz të lirë, të kënaqur, të respektuar të nderuar dhe ngadhënjimtarë, inshaallah.

Atje, vëlla i nderuar, ke mundësi të shohësh dhe të prekësh tokën ku lindi më i dashuri i njerëzisë, më i dashuri i Allahut xh.sh., të shohësh vendet ku i dashuri ynë kaloi ditët e fëmijërisë, djepin ku u edukua me edukatën më të lartë islame dhe njerëzore, të shohësh vendet ku ai Resul kaloi momentet më të mira dhe më të pikëlluara në jetën e tij. Të shohësh vendet ku i dashuri i Allahu xh.sh. qeshi dhe qau, u gëzua dhe u hidhërua. Të shohësh vendin ku përmes Shpalljes, u takuan qielli dhe toka, për shpëtimin tonë. Vëlla, mos harro që me vete të marrish hushuin, frikën, dashurinë dhe respektin, sepse këto elemente të stimulojnë në kënaqësinë shpirtërore, e gjithashtu mos e harro sabrin (durimin) sepse ai është mbrojtës i gabimeve. Atje, do të do të takosh miliona njerëz nga të gjitha këndet e botës, që të gjithë i ka bashkuar një qëllim, andaj të lutem ndaj tyre të kesh respekt, sepse ata janë vëllezërit tanë. Ndaj tyre shprehe ndjenjën e vëllazërisë islame, dhe mos kurse ndihmën tënde ndaj atyre që kanë nevojë për të.

I nderuari vëlla, mos harro edhe një gjë, se atëherë kur kënaqet shpirti ia vlen të vuaj trupi, e të jesh i sigurt se atëherë kur kënaqet trupi – vuan shpirti. Atje nuk shkohet për jetë luksoze, për hotele me shumë yje, sepse ato i ke shumë më afër, i ke në vendin tënd, por atje shkohet për kënaqësinë shpirtërore ku dhurohen shpërblime të panumërta. Pra, mos iu nënshtro kërkesave të shumta fizike që të flesh nëpër dhomat e hotelit dhe duke u shëtitur tregjeve të Mekes dhe Medinës, por shpenzoje kohën duke e shfrytëzuar maksimalisht në vendin ku kënaqet shpirti, në vendin ku Allahu xh.sh. mëshiron njerëzit, në vendin ku për një namaz shpërblehesh me njëqind mijë namaze. Ndjek rregullat e haxhit dhe ruaje gjuhën tënde, sepse ka mundësi që ajo të të lë edhe pa sevape edhe pa haxh, si dhe pa kënaqësi shpirtërore. Angazhoje atë me dhikër, lutje, dua, lexim të Kur’anit, sepse atje lutjet janë të pranuara dhe në anën tjetër nuk i len kohë që ajo të merret me punë të tjera. Vëlla, mos harro se edhe pse je i gjallë atje do të veshësh rrobat e të vdekurit, rrobe këto që janë të njëjta si për të pasurin ashtu edhe për të varfrin. Ato janë të bardha, që simbolizojnë pastërtinë shpirtërore.

Vëllai im, të lutemi me lot në sy, që kur të gjendesh në Qabe, në vendin më të pastër në rruzullin tokësorë, në Arefat ku do të lindesh për herë të dytë, mos na harro neve, lutu edhe për ne, lute Allahut Fuqiplotë që edhe neve të na e bëjë të mundur të kryejmë këtë obligim islam. Lutu vëlla se nuk të pakëson asgjë nga ibadeti yt, lutu sepse lutja e muslimanit për vëllain e tij duke mos qenë prezent është e pranuar te Allahu xh.sh.. Lutu, sepse edhe ne këtu do të lutemi për ty, që Allahu xh.sh. të pranojë ibadetet tua.

Vëlla i nderuar, kur të shkosh në Medine, qytetin e Pejgamberit a.s. atje pushon krijesa më e dashur e Allahut xh.sh., familja e tij dhe me mijëra shokë të tij. Shko vëlla te koka e Pejgamberit, me dashuri, me sinqeritet, me butësi dhe me një zë të ulët përshëndete duke i thënë: Es-selamu alejke ja resulall-llah, Es-selamu alejke ja habiball-llah, Es-selamu alejke ja shefiall-llah. Përshëndete vëlla me mallëngjim sepse jeta jonë në këtë botë do të ishte shtazarake dhe e pa vlerë po të mos ishtw mëshira e tij, e edhe jeta jonë në botën tjetër do të jetë e vështirë po të humbim shefatin e tij. Edhe njëherë, vëlla, po të lutem që të dërguartit tonë, të dashurit tonë t’ia përcjellësh përshëndetjet dhe selamet tona .Të lutem mos harro!

Vëlla, tani pak sa jam i mallëngjyer dhe i emocionuar, andaj të lutem nga ky udhëtim mos u kthe me duar në gji, mos u kthe dorë zbrazët, ktheu me dritën e imanit në zemrën tënde, i pastër si fëmija kur lind nga nëna e tij dhe neve na e sjell aromën e atyre vendeve, na e sjellë dashurinë, sepse ne nuk duam gjë tjetër përveç Islamit.

Me nderime vëlla, Allahu qoftë i kënaqur me ju, me ne dhe me të gjithë besimtarët muslimanë!

Ves-selamu alejkum ve rahmetull-llahi ve berekatuhu

 

Publikuar me: 9 Tetor, 2010

Seritë<< Haxh-xhi Bedel – Dispozita të shpërndara
No comments

Place your comment

Please fill your data and comment below.
Name
Email
Website
Your comment