Jurisprudencë, Shkrime Autoriale

A ndryshon dispozita islame me ndryshimin e kohës?!

Shkruan: Jusuf ZIMERI

Që në fillim të theksojmë se kjo çështje jo vetëm që është shumë e përpiktë dhe precize, por është edhe një  çështje shumë delikate dhe e ndjeshme, andaj studiuesit islamë kur kanë trajtuar këtë  tematikë e ndanë trajtuar me shumë vëmendje. Si rrjedhojë e këtij studimi në mesin e juristëve (fukahave) islam dhe dijetarëve të shkencës së Usuli Fikhut, është i njohur  parimi apo principi se “dispozitat ndryshojnë me ndryshimin e kohës”. Është fakt i pa kontestuar se islami përveç se është besim dhe bindje, ai është edhe sistem juridik që i mundëson shoqërisë njerëzore funksionimin e saj, duke ruajtur edhe të drejtën e individit në shoqëri dhe anasjelltas, të drejtat e shoqërore. Jurisprudenca islame e kodifikuar në ligje nënkupton jo vetëm ruajtjen e të drejtave elementare dhe funksionimin e shtetit juridik, por mëton edhe në ruajtjen e vlerave etike. Këto vlera janë garancë e vlefshmërisë së përhershme e jurisprudencës islame si në faktorin kohë ashtu edhe faktorin vend. Si tillë ai mëton të gjejë zgjidhje të përhershme për të gjitha shoqëritë përballë sfidave që na paraqiten me kohën. Juristët islam ishin vigjilent në këtë parim dhe gjithnjë ishin të gatshëm si në aspektin profesional shkencor ashtu edhe në aspektin edukativ që të gjejnë zgjidhje për problemet e kohës dhe risitë me të cilat ballafaqoheshin dhe atë përmes principit “dispozitat ndryshojnë me ndryshimin e kohës”

Mirëpo detyrimisht duhet theksuar se ky princip nuk është princip universal që nënkupton se me ndryshimin e kohës ndryshojnë të gjitha dispozita juridike islame, siç pretendojnë disa të quajtur “studiues” në kohën bashkëkohore krejt me qëllim që të bëjnë modernizimin dhe përshtatjen e islamit me kohën. Ky kuptim i këtij parimi është devijim i plotë i islamit dhe dispozitave juridike të saj. Paaftësia për tu ballafaquar me zgjidhjen e problemeve, nuk i jep askujt të drejtë që në emër të njëfarë modernizimi dhe civilizimi të bëjë devijimin e islamit për të formuar një islam modern e bashkëkohor nën moton se islami duhet të çlirohet nga fanatizmi. Kjo përpjekje, është vetëm një argument shtesë që tregon papjekurinë intelektuale dhe shkencore dhe diletantizmin e atyre që pretendojnë të n njëjtën.

Qëllimi i këtij teksti, gjegjësisht këtij principi nuk është leje e hapur për ti futur duart gjithkush që pretendon se ia vlen kësaj pune. Mesazhi i këtij principi dikton faktin se disa dispozita mund të ndryshojnë me ndryshimin e kohës, e këto ndryshime mund të paraqiten në rastet kur paraqiten faktorët vendimtarë për ndryshimin e dispozitës, siç janë, ekzistimi dhe mos ekzistimi i motivit, tradita, domosdoshmëria dhe faktori i preventivës.

Në mesin e shkencëtarëve nga lëmi i Usuli fikut dhe juristëve islam është mirë i njohur parimi shkencor se dispozita qarkullon me motivin në ekzistim dhe mos ekzistim. Kjo nënkupton se nëse ekziston motivi, atëherë detyrimisht vërtetohet edhe dispozita, e nëse nuk ekziston motivi, atëherë nuk ekziston edhe dispozita.

Mirëpo ekzistojnë raste kur motivi është i përhershëm dhe i pa ndryshueshëm, që nënkupton se ai asnjëherë nuk humbet e as nuk ndryshon, e në këtë rast dispozita jo vetëm që është e vërtetuar dhe e përhershme, por edhe nuk mund të ndryshojë në asnjë kohë dhe vend, si p.sh. dispozita mbi ndalimin e amoralitetit, vjedhjes, pirjes së alkoolit, ngrënies së mishit të derrit si dhe shumë e shumë raste tjera. Motivi i ndalimit të këtyre veprimeve është i përhershëm dhe stabil, andaj edhe dispozita e këtyre veprimeve është e përhershme dhe e pa ndryshuar.

Në këtë rast është shumë me rëndësi të dimë një çështje, se dispozita rrotullohet me ekzistimin e motivit e jo me ekzistimin e urtësisë. Shpeshherë po ndodhë që njerëzit po i ngatërrojnë këto dy çështje, pra mes urtësisë dhe motivit, e pastaj po deklarojnë se, me humbjen e urtësisë ndryshon edhe dispozita. Mirëpo e vërteta është se mes motivit dhe urtësisë ka dallime të mëdha. Motivi është cilësia, që është simbolikë për ekzistimin e dispozitës, kurse urtësia është dobia që shpresohet të arrihet nga puna e caktuar me dispozitë të caktuar.

Për ta kuptuar më lehtë tërë këtë që thamë, po sjellim një shembull. Motivi për shkurtimin e namazit farz që përbëhet prej katër rekateve në dy regate është seferia (udhëtimi) kurse urtësia e shkurtimit është lodhja dhe vështirësia që mund ti hasë udhëtari gjatë udhëtimit. Dispozita e shkurtimit të namazit ndërlidhet me motivin që është udhëtimi, e jo me urtësinë që është lodhja dhe vështirësia.  Andaj, konstatohet se sa herë që ekziston motivi, që në këtë rast është udhëtimi, ekziston edhe dispozita që është shkurtimi i namazit, edhe në rastet kur udhëtimi i tij është i lehtë dhe nuk paraqet ndonjë vështirësi të rëndë, siç janë udhëtimet me aeroplan, makina luksoze etj etj. Gjithashtu vërtetohet edhe e kundërta, nëse njeriu ka ndonjë vështirësi dhe lodhje në vendin e tij, ai nuk mund ta shkurtojë namazin katër rekatësh në dy, sepse në këtë rast nuk ekziston motivi që është udhëtimi dhe nuk mund të ekzistojë as dispozita e shkurtimit të namazit, edhe lodhja ekziston.

Për ta pasur edhe më të qartë po e sjellim një shembull praktik nga jeta e përditshme. Të gjithë ne vërejmë se në komunikacion kemi shenjat e komunikacionit, andaj vërejmë se semaforët ndonjëherë ndezin dritën e kuqe e ndonjëherë të gjelbër. Me këtë bëhet rregullimi i komunikacionit dhe mbrojtja nga fatkeqësitë. Mirëpo ligji përcakton se shoferët sa herë që të shohin semaforin e kuq duhet të ndalen dhe, të lëvizin vetëm kur ndezët e gjelbërta. Ndalimi në pamjen e semaforit të kuq është dispozita,, kurse ngjyra e kuqe në këtë rast është motivi që të ndalon, kurse urtësia e këtij ndalimi është sigurimi në komunikacion nga aksidentet. Në këtë rast themi, dispozita e ndalimit rrotullohet me motivin, që sa herë të ekzistoj motivi që është drita e kuqe, detyrimisht duhet të ekzistoj dispozita, pra duhet të ndalur. Nëse vjen një makinë e drejtuesi i makinës sheh ngjyrën kuqe duhet ndalur ka apo nuk ka makina për rreth, edhe pse në këtë rast nuk ekziston urtësia e ndalesës. Nga tërë kjo që shpjeguam na bëhet e qartë se dispozita nuk mund të ndryshohet për shkak të humbjes së urtësisë apo ndonjë nuance të saj, ngase dispozita varet nga ekzistimi i motivit e jo i urtësisë.  Pra qenka fakt se dispozita ndryshojnë me ndryshimin e kohës por jo në mënyrë absolute dhe gjithëpërfshirëse, por vetëm në rastet kur motivi është i përkohshëm dhe relativ.

Lini një Përgjigje

Maqedonisht