Bashkëpunëtorr, Jurisprudencë

Betja e Bedrit, ngjarje nga e cila duhet mësuar (I)

Shkruan: Mr. Taxhedin Bislimi

Beteja e Bedrit shënon ngjarjen me rëndësi të veçantë jo vetëm për historikun e islamit dhe të muslimanëve, por edhe për porositë dhe mesazhet që duhet përfituar nga kjo ngjarje. Kjo betejë e zhvilluar mes muslimanëve të udhëhequr personalisht nga Pejgamberin a.s. në njërën anë dhe idhujtarëve të Mekës në anën tjetër u zhvillua në një fshat mes Mekes dhe Medinës të quajtur Bedr dhe atë pikërisht në ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit ramazan në vitin e dytë sipas Hixhretit. Pra, nëse këtë ngjarje e kundrojmë vetëm nga aspekti historikë, sigurisht se mesazhet e kësaj ngjarjeje do të jenë shumë të zbehta, mirëpo nëse kemi parasysh kohën kur u zhvillua kjo betejë pastaj palët pjesëmarrëse në këtë betejë, situatën dhe rrethanat në të cilën kalonte shoqëria islame atë botë, atëherë me lehtësi konstatojmë se kjo ngjarje shënon një datë shumë të rëndësishme për muslimanës, sepse kjo betejë përveç tjerash konsiderohet edhe beteja mes kufrit (pabesimit) dhe Imanit (besimit), betejë mes të vërtetës dhe të pa vërtetës. Në anën tjetër nëse kemi parasysh aspektin numerik të muslimanëve dhe idhujtarëve si palë konfruktuese, si dhe përgatitjen ushtarake mes dy palëve si faktorë vendimmarrës në betejë, sigurisht se nuk do të kishim ngurruar të përfundojmë me konkluzën se fitimtarë i kësaj beteje do të jetë pala më e përgatitur numerikisht dhe ushtarakisht. Me gjithatë kjo betejë ishte një dëshmi që shoqërisë islame të asaj kohe i dha një stimul të fuqishëm se beteja për të vërtetën është një ideal që nuk mund të shuhet asnjëherë.

Kjo ngjarje praktikisht  baltosë edhe shumë imagjinata të atyre që pretendojnë të nxjerrin në shesh dhe të kultivojnë idenë se që në fillim islami ishte përhapur me fuqi ushtarake dhe përmes tehut të shpatës. Këtë hipotezë krahas shumë fakteve tjera historike dhe shkencore e mposhtë edhe vetë fakti, se muslimanët vetëm pas pesëmbëdhjetë viteve të torturave që përjetuan nga idhujtarët, iu lejua ballafaqim i drejtpërdrejte fizik me idhujtarët dhe atë për të mbrojtur të drejtat esenciale të tyre, siç janë e drejta e jetës, pasurisë, fesë, moralit dinjitetit etj. Pikërisht këtu fshehët edhe urtësia se muslimanët ishin të motivuar që me idealin e tyre të lartë të mbështetur në fuqinë absolute të përgëzojnë edhe asistencën nga Krijuesi absolut, ashtu si e përshkruan edhe Kur’ani fisnik në suren El enfal dhe suret tjera në Kur’an.

Shkaqet e kësaj beteje

S’do mend se kjo ngjarje nuk ishte si rrjedhojë e spontanitetit, por kishte edhe arsyet dhe shkaqet që sollën deri te ky ballafaqim fizik mes dy palëve.  Vetë Pejgamberi a.s. dhe numri i konsideruar i muslimanëve që tani jetonin në Medine dhe gëzoni statusin e emigrantit, apo muhaxhirëve ishin bijë dhe bija që kishin lindur në Meke. Ata Meken e kishin vendlindje, atje kishin kaluar ditët më të lumtura të fëmijërisë së tyre, atje kishin punuar dhe vepruar, dhe në fund dikush në mënyrën më çnjerëzore kishte nëpërkëmbur të veprimtarinë dhe jetën e tyre. Ata duke qenë në Mekë ishin torturuar në format më barbare, e shumë prej tyre edhe ishin viktimizuar apo më mirë me thënë martirizuar, jo për ndonjë faj të tyre, por thjesht vetëm për shkak të idealit dhe besimit të tyre. Duke parë se presionet mbi muslimanët ushtroheshin pa ndërprerë, këta musliman në krye me Pejgamberin a.s. u detyruan ta lëshojnë vendlindjen e tyre, atdheun e tyre, Meken e tyre të cilën e donin shumë. Këtë e vërteton thënia e Pejgamberit a.s. në momentin kur largohet nga Meka, në një moment ndalet mbi një kodrinë, lëshon shikim nga Meka dhe thotë: “Meka ime e dashur, sikur të mos më kishin nxjerrë me dhunë, asnjëherë nuk do të dalë nga ti”.

Kjo nënkupton se këta njerëz që ishin larguar nga Meka për në Medine, nuk ishin larguar për të kërkuar standarde të larta jetësore, por për të kërkuar thjeshtë të drejtën dhe mundësinë e jetesës. Ata pas veti në Meke kishin lënë tërë pasurinë e tyre, shtëpitë e tyre, bile bile edhe familjet e tyre, sepse me veti nuk kishin pasur mundësi të marrin më shumë se shpirtin dhe trupin e tyre. Ky është një realitet i hidhur i islamit dhe muslimanëve  edhe për kundër faktit se dikush edhe më tutje tenton ta shpalosë tezen se islami u përhap me forcë.

Pra, një numër i muslimanëve kishin migruar për në Medine, e një numër edhe më tutje vazhdonin të jetonin nën presion të idhujtarëve në Meke. Muslimanët që ishin mikpritës të muhaxhirëve nga Meka, edhe solidarizimi i tyre ishte i pa përshkruar, gjendja e rëndë ekonomike që mbretëronte në Medine, i detyroi të kërkojnë zgjidhje të problemit. Për këtë çëahtje i shqetësuar ishte edhe vetë Pejgamberi a.s. sepse ai asnjëherë nuk ishte i qetë derisa të tjerët rreth tij vuanin.

I Dërguari i All-llahut kishte kuptuar për karvanin tregtar të Kurejshve i drejtuar  nga Ebu Sufjani, karvan ky i cili, kthehej prej Shamit për në Mekke. Karvani përbëhej me mbi një mijë deve të ngarkuara me tregtinë dhe pasurin e mekkasëve, pasuri kjo e cila, kishte  vlerë mbi  pesëdhjete mijë dinar ari, ndërsa sigurohej me vetëm afër dyzet burra. Pejgamberi a.s. filloj të mendoj rreth kësaj çështje, dhe e dinte se tani idhujtarët e Mekës në këtë karavan posedon edhe një pjesë të pasurisë që me forcë ua kishin marrë muslimanëve kur ata kishin emigruar. Andaj, i Dërguari i All-llahut, informoi shokët e Tij për këtë karvan dhe  preferoi që në kompensim për pasurin që kishin lënë në Mekke, të dalin në prit dhe të vënë dorë mbi atë, derisa ai të kaloj pran Medines.

I Dërguari i All-llahut  xh.sh. në këtë rast nuk urdhëroi për ndonjë mobilizim të përgjithshëm të muslimanëve që jetonin në Medine, porse aksionin do ta merrte mbi bazën vullnetare, ngase Sahabet i kishte lë lirë të vendosin dhe të vepronin sipas dëshirës dhe mundësisë së tyre. Mirëpo, pas konsultimeve që i bëri Pejgamberi a.s. me ta, disa nga Ensarët dhe Muhaxhirinët  në krye me të Dërguarin e All-llahut xh.sh. morën rrugën për të kapur karvanin, kurse të tjerët nuk lëvizën dhe ngelën në Medine, sepse, të gjithë mendonin se aksioni kishte të bëjë  thjeshtë me kapjen e karvanit. Pra muslimanët fillimisht me këtë lëvizje të tyre nuk kishin ndonjë plan ndeshje me idhujtarët, prandaj, disa u kyçën në këtë operacion e të tjerët vazhduan aktivitetet dhe jetën e tyre në mënyrë të rëndomtë.

Këtij operacioni iu bashkëngjitën treqind e katërmbëdhjetë muslimanë në krye me të Dërguarin e All-llahut xh.sh. në ditët e para të Muajit ramazan në vitin e dytë sipas hixhretit. Ata  u larguan nga Medineja dhe për t’i dalë në prit karvanit, me vete kishin dy kuaj dhe shtatëdhjetë deve. Gjatë udhëtimit hipjen mbi to bënin dy tre veta me ndërrime, Pejgamberi a.s., Aliu dhe Merthed b. Ebi Merthed me ndërrim hipnin mbi një deve.

Mirëpo Ebu Sufjani dinak kur, kuptoi për situatën, menjëherë dërgoi Damdam b. Amr Gifariun për të informuar mekkasit dhe kërkoi prej tyre të mobilizohen dhe të dalin në mbrojtje të karvanit të tyre. Në anën tjetër për të shpëtuar karvanin ai ndërroi rrugën (marshutën), kështu që ia arriti të shpëtoj nga rreziku. Pasi iu shmang rrezikut dhe shpëtoi karvanin, Ebu Sufjani informoi mekkasit dhe kërkoi që ata të kthehen prapë në Mekke, mirëpo Ebu Xhehli refuzoi këtë kërkesë dhe me këmbënguli të vazhdoj rrugëtimin për në Bedër, dhe ndër të tjerat kishte thënë: “Për All-llahun, nuk do të kthehemi prapë, derisa të shkojmë në bedër, atje të qëndrojmë tre net, të therim deve, të hamë e ti pimë verë, të na këndojnë këngëtaret, kështu për rrugëtimin dhe tubimin tanë në bedër të dëgjojnë tërë arabët, e kështu do të na frikohen edhe më tutje”.

Pejgamberi a.s. kur mësoi për shpëtimin e karvanit dhe lëvizjen e kurejshve në drejtim të Bedrit, tuboi shokët e tij për konsultim. Kërkoi mendimin e tyre, se, a pajtohen për të vazhduar rrugën drejt Bedrit dhe ballafaqimin me idhujtarët e Mekkes, apo duhet të kthehemi prapë.  Në këtë rast, Muhaxhirët (muslimanët nga Meka) dhe Ensarët (Muslimanët që ishin nga Medina) i dhanë mbështetje pa rezervë për të lëviz drejt vendit ku gjendeshin Kurejshët (Idhujtarët).

Pastaj Pejgamberi a.s.  për mes informatorëve filloi të vëzhgonte lëvizjet dhe gjendjen e Kurejshve, kuptoi se numri i tyre sillej mes nëntëqind dhe njëmijë idhujtarë dhe se në këtë përbërje gjenden shumica e liderëve të pa besimtarëve.

Me të arritur në Bedër I Dërguari  i All-llahut xh.sh. u pozicionua në vendin, prej ku mendonte që të zhvilloj aktivitetet ushtarake. Në këtë rast njëri nga muslimanët që quhet Habbab b. Mundhir, i cili ishte njohës i çështjeve strategjike luftarake, u ngrit dhe pyeti të Dërguarin e All-llahut xh.sh., se, vendimi për tu pozicionuar në këtë vend, a është dëshira dhe vendimi i All-llahut xh.sh. pra a është me urdhrin e Allahut xh.sh. gjë që nuk guxojmë të lëvizim nga ai vend, apo, është mendimi juaj që mbështetet mbi strategjinë luftarake? Ky është mendimi imë, iu përgjigj Pejgamberi a.s., e nuk është urdhër nga Allahu xh.sh.. Atëherë, me që është kështu, unë kisha propozuar që të vendosemi në fund të burimeve të ujit, sepse, atje është pozicioni më i përshtatshëm për zhvillimet ushtarake ia ktheu Habbabi. Muhamedi a.s. pa u hamendur pranoi propozimin e tij dhe në bazë të propozimit tërhoqi muslimanët nga ai vend dhe u vendosën në pozicion të tjetër i cili ishte i përshtatshëm për luftë .

Saëd b. Muadhi njëri që ishte në mesin e muslimanëve kishte propozuar që në majë të një kodrine afër ushtrisë muslimane të përgatitet një strehë (tënd) për shkaqe sigurie dhe aty të qëndroj komanda, respektivisht i Dërguari i All-llahut xh.sh. dhe prej aty të zhvillonte dhe përcjell aktivitetet luftarake. Në atë tendë Pejgamberi a.s. i lutej Allahut Fuqiplotë dhe kërkonte  nga Ai ndihmën e premtuar. Lutje më të gjatë dhe më të sinqertë të gjithë myslimanët në krye me Pejgamberin a.s. bënë të enjten në mbrëmje (natën mes të ditës së enjte dhe të premtes).

Në mëngjes të ditës së premte pikërisht ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit të ramazanit filluan përleshjet mes myslimanëve dhe pa besimtarëve Kurejsh. Për një kohë relativisht të shkurtër myslimanët korrën fitoren dhe ngadhënjyen mbi pa besimtarët. Në këtë betejë All-llahu xh.sh. për asistencë dërgoi ushtri nga qielli, pra dërgoi melaike (engjëj) të cilët luftuan në anën e myslimanëve. Kurejshët pas vete lanë shtatëdhjetë të vrarë, po aq të robëruar, kurse në anën e myslimanëve ranë dëshmor katërmbëdhjetë Sahabi.

Pejgamberi a.s. pasi hodhi kufomat e të vrarëve nga Kurejshët në një gropë, u ndal në buzë të gropës dhe me zë iu drejtua kufomave të të vdekurve duke i thirrur me emër dhe u thoshte: “O filan i biri i filanit! A do të ishit të kënaqur sikur të kishit respektuar All-llahun dhe të dërguarin e tij..! Omer b. Hatabi r.a. kur pa Pejgamberin a.s. duke i thirrur kurejshët të vdekur e të hedhur në gropë i tha: O i Dërguari i All-llahut a po u flet, trupave pa shpirt ?! Pasha (betohem në) atë i cili shpirti i Muhamedit është në duart e tij, ju nuk dëgjoni më mirë se ata, tha i Dërguari i Allahut xh.sh..

Pas përfundimit të betejës, Pejgamberi a.s. në lidhje me çështjen e robërve konsultoi shokët e tij, kërkoi mendimin e tyre, se si të veproj me robërit. Ebu Bekri ishte i mendimit, që për lirimin e tyre Pejgammberi tu marr pagesë, kurse Omeri ishte i mendimit që të gjithë ata të ekzekutohen. Pejgamberi a.s. veproi sipas mendimit të Ebu Bekrit r.a.

Lini një Përgjigje

Maqedonisht