Shkruan: Jusuf ZIMERI

بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَنِ الرَّحِيمِ

وَالضُّحَى (١) وَاللَّيْلِ إِذَا سَجَى (٢) مَا وَدَّعَكَ رَبُّكَ وَمَا قَلَى (٣ (وَلَلْآَخِرَةُ خَيْرٌ لَكَ مِنَ الْأُولَى (٤) وَلَسَوْفَ يُعْطِيكَ رَبُّكَ فَتَرْضَى (٥) أَلَمْ يَجِدْكَ يَتِيمًا فَآَوَى (٦) وَوَجَدَكَ ضَالًّا فَهَدَى (٧) وَوَجَدَكَ عَائِلًا فَأَغْنَى (٨) فَأَمَّا الْيَتِيمَ فَلَا تَقْهَرْ (٩) وَأَمَّا السَّائِلَ فَلَا تَنْهَرْ (١٠( وَأَمَّا بِنِعْمَةِ رَبِّكَ فَحَدِّثْ (١١(

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

Pasha paraditen! Pasha natën kur shtrinë errësirën! Zoti yt nuk të ka lënë, as nuk të ka përbuzur. Dhe se bota e ardhshme është shumë më e mirë për ty se e para. E Zoti yt do të të jep ty, e ti do të kënaqesh. A nuk të gjeti ty jetim, e Ai të bëri vend (të dha përkrahje). Dhe të gjeti të paudhëzuar e Ai të udhëzoi. Dhe të gjeti të varfër, e Ai të begatoi. Pra, mos e përul jetimin! As lypësin mos e përzë! E me të mirat që t’i dha Zoti yt, trego (udhëzo njerëz)!

Shpjegim i përgjithshëm i kësaj sureje.

Sureja Ed-Duha është sureja e 93 sipas radhitjes së sureve në Kur’anin fisnik. Kjo sure është sure mekase, ngase i ka zbritur Muhammedit a.s. në Meke, pra para emigrimit të tij për në Medine. Kjo sure i takon grupit të sureve të shkurta të Kur’anit Fisnik, dhe gjithsej përmban 11 ajete, kryesisht ajete të shkurta, por me kuptime shumë domethënëse dhe të gjëra.

Kjo sure, në brendësinë e saj përfshinë personalitetin e Pejgamberit s.a.v.s. dhe begatitë që ia dhuroi i Allahu xh.sh. të Dërguarit të tij si në jetën e kësaj ashtu edhe në jetën e asaj bote. Fillimisht të theksojmë se kjo sure fillon me betim, që Allahu xh.sh. betohet në paraditen kur njerëzit më së shumti frekuentojnë në punët e tyre dhe më pas betohet edhe në natën kur errësira ka zënë të gjitha shtigjet e dritës dhe kur njerëzit janë në pushim dhe qetësi  fizike. Më pas Allahu xh.sh. përmes kësaj sureje të Kur’ani Kerimit, shtjellon çështje të rëndësishme për jetën e Pejgamberit s.a.v.s. duke e bindur Muhammedin a.s. se Allahu xh.sh. nuk e ka hedhur në harresë atë siç pretendojnë idhujtarët e Mekës, porse Muhammedi a.s. zë vendin më të merituar te Allahu xh.sh nga të gjitha krijesat e Tij. Përmes kësaj sureje Allahu xh.sh. i tregon Muhammedit a.s. Se rruga e misionit të tij është e shenjtë dhe gjithnjë e ndihmuar nga Allahu xh.sh., e për këtë veprimtari të tij, ai do të ketë specifikat e tij jo vetëm në jetën e kësaj bote, por edhe në jetën e botës tjetër, e në mesin e tyre do të jetë e drejta e shefaatit (ndërmjetësimit) të Pejgamberit a.s. për umetin e tij nga mëkatet dhe gabimet e bëra. Ky informim nga ana e Allahut xh.sh. që i bëhet Muhammedit a.s. për mirësitë dhe kerametet që do t’ia dhurojë Allahu xh.sh., do të jenë nxitëse, përforcuese dhe shtytëse për veprimtarinë tij të mëtutjeshme në rrugën e thirrjes islame. Pastaj Allahu xh.sh. e përkujtoi Muhammedin a.s. se ai ishte në ndihmën dhe mbrojtjen e tij që nga lindja e tij, kur ai kishte lindur si jetim pa baba, i pa udhëzuar dhe i varfër, pra për ndihmën që ia kishte dhënë atij në periudhën kur akoma nuk ishte i graduar me pejgamberllëk, e kjo nënkupton se ndihma e Allahut xh.sh. pas periudhës së pejgamberllëkut do të jetë edhe më e madhe.

Në fund kjo sure e Kur’ani kerimit përfundon duke i dhënë Muhammedit a.s. në mënyrë direkte, kurse ummetit të tij në mënyrë indirekte tre vasiete (çorositë) që gjithnjë duhet pasur parasysh, e që janë: mirësjellja ndaj jetimëve, plotësimi i nevoja dhe ndihmës që duhet përkushtuar nevojtarëve  dhe pa ndërpreshmëria e bisedimit rreth begative të Allahut xh.sh.

Të nderuar besimtarë, ky ishte shpjegimi global më i shkurtër që mund ti bëhet kësaj sureje Kur’anore, andaj në vazhdim do të fillojmë me shpjegim të detajuar të ajeteve të kësaj sure, normalisht duke bërë përpjekje që të sjellim mendimet e dijetarëve islam rreth interpretimit dhe komentimit të këtyre ajeteve aq sa ne kemi kuptuar prej tyre.

Shkaku i zbritjes së kësaj sureje

Të nderuar besimtarë,, edhe pse të gjithë ajetet apo suret në Kur’anin fisnik nuk kanë shkak të zbritjes, por për ajetet apo suret që kanë shkakun e zbritjes, shkau i zbritjes është një nga kriteret shumë të rëndësishme për interpretimin dhe komentimin e ajetit apo sures, sepse përmes këtij kriteri ndriçohen shumë çështje për dijetarin i cili bënë komentimin e një ajeti apo një sureje. Njohja e shkakut të zbritjes së ajetit apo sures i jep kahe interpretimit të ajetit, edhe pse kjo nuk donë të thotë përkufizim të ajetit në gjithpërfshieshmërin e tij, sepse kuptimet e nga ajeti nxirren nga gjithëpërfshieshmëria e fjalës e jo nga veçantia e zbritjes.

Meqë theksuam se ka ajete dhe sure që nuk kanë shkak të zbritjes, patjetër na duhet të theksojmë se suren të cilën e kemi para veti për shpjegim, ka shkakun e zbritjes së këtyre ajeteve që përfshinë kjo sure.

Imam Kurtubiu në tefsirin e tij “El Xhamiu li ahkamil Kur’an” në komentimin e kësaj sureje, për shkakun e zbritjes së kësaj sureje, paraqet hadithin e regjistruar te Imam Buhariu dhe Imam Muslimi me transmetim nga Xhendeb b. Sufjani i cili ka thënë: Ankoi i Dërguari i Allahut xh.sh. nga një dhimbje dhe nuk fali namaz të natës dy apo tri net. Pastaj te Pejgamberi a.s. kishte ardhur gruaja e mixhës së tij, bashkëshortja e Ebu Lehebit e cila quhej Ummi Xhemile. Ummi Xhemile ishte Avra b. Harbi, motra e Ebu Sufjanit, armike e përbetuar e Pejgamberit a.s. dhe e Islamit. Ajo ishte femra që Allahu xh.sh. e kishte përmendur në Kur’anin Famëlartë, në suren Mesed, bashkë me bashkëshortin e saj, sepse ajo nga urrejtja që kishte ndaj Pejgamberit a.s. barte drunj dhe thera për t’ia shtruar rrugën Pejgamberit a.s.. Andaj Allahu xh.sh. i garantoi që në këtë botë sa ajo bashkë me bashkëshortin e saj do të jenë nga xhehenemlinjët në botën tjetër duke u thënë:

“Qoftë i shkatërruar Ebu Lehebi, e ai më është shkatërruar! Atij nuk i bëri dobi pasuria e vet, as ajo çka fitoi! Ai do të hyjë në një zjarr të ndezur flakë. E edhe gruaja e tij, ajo që barti dru (ferra),E në qafën e saj ajo ka një litar të përdredhur”. Këtu të nderuar, përmes këtyre ajeteve të kësaj sureje, Allahu xh.sh. përveç se informon për kokëfortësinë dhe inatin e tyre, ai i informon besimtarët islamë edhe për injorancën dhe xhahilijetin e tyre. Andaj, kjo grua me tërë këtë inatosje dhe mllef të saj, kishte ardhur te Pejgamberi a.s. jo për ta ankuar sinqerisht Muhammedin a.s., por për ta provokuar dhe nënçmuar, andaj ajo në formën më ironike e kishte provokuar Pejgamberin a.s. duke i thënë: O Muhammed, unë shpresojë që djalli yt që të paraqitej ty, të ketë braktisur, sepse nuk e kam parë që të është paraqitur ty tani dy tri net!. Bashkëshortja e Ebu Lehebit me këto fjalë ofenduese provokoi thellë Muhammedin a.s. sepse, ajo me nocionin “djalli yt” kishte për qëllim Xhibrilin a.s. i cili ia sjellke shpalljen Muhammedit a.s. Pra o Muhammed ai që ti po mendon se është Xhibrili që të sjellë shpallje nga Zoti jot, tani më është larguar nga ti, të ka braktisur dhe të ka përbuzur, e edhe Zoti jot ka hekë dorë prej teje dhe ti tani ke ngelë i vetmuar dhe i ndarë edhe nga familja edhe nga shokët. Ky lajm ishte përhapur me të madhe në mesin e idhujtarëve të Mekës dhe ata të gjithë e mirëpritën me gëzim, se tani më Muhammedi do të pushojë dhe nuk do të përçajë idhujtarët e Mekës duke i thirrur në monoteizëm, në besim në një Zot!

Mirëpo, pas tërë kësaj Allahu xh.sh. për të larguar dhembjen dhe dëshpërimin nga Muhammedi a.s. dhe në anën tjetër për të demantuar fjalët e Ummi Xhemiles dhe të idhujtarëve të Mekës, se ata vetëm bëjnë shpifje dhe asgjë tjetër, e dërgon Xhibrin a.s. te Muhammedi a.s. me 3 ajetet e para të kësaj sure duke i thënë:

 وَالضُّحَى (١) وَاللَّيْلِ إِذَا سَجَى (٢) مَا وَدَّعَكَ رَبُّكَ وَمَا قَلَى :

 “Pasha paraditen! Pasha natën kur shtrinë errësirën! Zoti yt nuk të ka lënë, as nuk të ka përbuzur”

Në një transmetim tjetër nga Ebu Imran El Xhevniju, shpjegon pak në më detaje momentin e zbritjes së këtij ajeti. Ai thotë se Muhammedi a.s. ishte rreth Qabesë i brengosur, e kishte mbështetur kokën për murin e Qabes dhe i lutej Allahut xh.sh. dhe në ato momente vjen Xhibrili a.s. dhe ia sjell shpalljen Muhammedit a.s. duke i thënë: “Pasha paraditen! Pasha natën kur shtrinë errësirën! Zoti yt nuk të ka lënë, as nuk të ka përbuzur”.

Imam Taberaniu në librin e tij “El Evsat” regjistron ngjarjen me transmetim nga Ibni Abbasi r.a. i cili ka thënë: i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: Më është ekspozuar, më është paraqitur mua veprimtaria e metit tim pas meje, e ajo më gëzoi” Andaj zbriti ajeti i katërt i kësaj sureje ku Allahu xh.sh. thotë:

 وَلَلْآَخِرَةُ خَيْرٌ لَكَ مِنَ الْأُولَى

Dhe se bota e ardhshme është shumë më e mirë për ty se e para.

Gjithashtu transmeton Imam Hakimi dhe Bejhekiju nga Ibni Abasi r.a. i cili ka thënë: I është paraqitur veprimtaria e Umetit të tij Muhammedit a.s. fshat pas fshati, e Muhammedi a.s. u kënaq me të, andaj Allahu xh.sh. ia zbriti ajetin:

وَلَسَوْفَ يُعْطِيكَ رَبُّكَ فَتَرْضَى

E Zoti yt do të të jap ty, e ti do të kënaqesh.

Shkrime të ngjashme