Jurisprudencë, Namazi, Shkrime Autoriale

Dispozita e atij që nuk e fal namazin (Qasje fikhore krahasuese)

Autor: Jusuf Zimeri

Që në fillim duhet të potencojmë se namazi është obligim personal (farzi ajn) për çdo njeri i cili dëshmon se Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, që mendërisht është i shëndoshë (‘akil) dhe që është i moshës madhore (bulug). Namazi është obligim ditor që moskryerja e tij nuk mund të justifikohet me asgjë: as me udhëtim, lodhje e as me sëmundje madje, sepse namazi patjetër duhet të falet në të gjitha rastet, gjithnjë nëse plotësohen këto tri kushte që i përmendëm më sipër. Nga ky rregull përjashtim bënë vetëm gjinia femërore e cila namazin nuk e ka farz kur ndodhet në periudhën e menstruacioneve dhe të lehonisë, gjegjësisht pas lindjes derisa të pastrohet, bile ajo nuk e ka obligim as përsëritjen e këtyre namazeve që i kanë mbetur pa i falur gjatë kësaj periudhe, siç është fjala bie rasti me agjërimin, të cilin duhet ta kompensojë.

Se namazi është farz individual (farzi ajn) dhe shtyllë esenciale e Islamit, kjo nuk është diskutuar asnjëherë mes dijetarëve myslimanë e as që ka për tu diskutuar ndonjëherë. Ajo që vazhdimisht është diskutuar mes dijetarëve myslimanë është dispozita e mos falësit të namazit. Për të qenë më të qartë në këtë çështje, që në fillim të theksojmë se, për mos faljen e namazit, me automatizëm na paraqiten dy gjendje:

1. Mos falja e namazit dhe mohimi i tërësishëm i obligueshmërisë së tij. Për këtë gjendje, të gjithë dijetarët myslimanë, në të gjitha kohët dhe vendet, janë unik në konsensusin e tyre se: mohuesi i farzit të namazit është qafir dhe ndaj tij zbatohen të gjitha dispozitat e murtedit (renegatit). Argumentet për këtë dispozitë janë të shumta dhe krejtësisht të qarta, ngase namazi është obligim i vërtetuar me argumente të prera dhe mënyra e argumentimit gjithashtu është e prerë (kat’iju eth-thubut ved-dilâle) andaj mohuesi i këtyre argumenteve padyshim se është qafir.

2. Mos falja e namazit nga përtacia, apo duke e lënë çështjen e namazit si asgjë, edhe pse tek ky person ekziston bindja se namazi është farz dhe një gjë të tillë madje e konfirmon, pra nuk është se e  konteston namazin, por thjesht është indiferent ndaj faljes së namazit. Përcaktimi i dispozitës islame për këtë çështje është diskutabile dhe polemizuese mes dijetarëve-fukahave myslimanë nëpër kohë dhe vende… S’do mend, se mospajtimet e dijetarëve myslimanë rreth një çështje apo dispozite të Sheriatit nuk burojnë nga hamendja e tyre, por thjesht nga fuqia e përpjekjes së interpretimit të teksteve autentike islame, nga të cilat muxhtehidët bëjnë përpjekje për përcaktimin e dispozitës islame.

Rreth përcaktimit të dispozitës për mos falësin e namazit nga përtacia, i cili e pranon se  namazi është farz, pa e kontestuar këtë dhe pa e vënë kurrë në dilemë një gjë të tillë, fukahatë myslimanë u ndanë në dy grupe:

A). Grupi i parë i përfaqësuar nga dijetarët e shkollës juridike hanbelite, të cilët janë të mendimit se personi i cili nuk e fal namazin nga përtacia apo thjesht duke e lënë çështjen në asgjë, konsiderohet qafir (jobesimtarë); dhe:
B). Grupi i dytë, i përfaqësuar nga shumica dërmuese e dijetarëve- fukahave myslimanë, të cilët janë të mendimit se mos falësi i namazit nga përtacia nuk konsiderohet qafir, porse konsiderohet fasik.

Argumentet e grupit të parë:
Argumentet e grupit të parë se mos falësi i namazit nga përtacia është qafir janë:

Argumenti nga Kur’ani, ku Allahu i Madhërishëm thotë:

“Po, nëse ata pendohen, e falin namazin dhe e japin zeqatin, atëherë i keni vëllezër në fê. (Et-Teube, 11) Nga ky ajet nënkuptohet se vëllezërit në fê janë ata që pendohen, falësit e namazit dhe dhënësit e zeqatit, e përderisa njeriu nuk e falë namazin nuk mund të jetë vëlla me besimtarin mysliman, që nënkupton se është qafir (pa fê).

Argument nga Sunneti i Profetit s.a.v.s. sjellin hadithin e regjistruar nga Imam Ahmedi dhe Tirmidhiu, me transmetim nga Burejde r.a., se Profeti s.a.v.s. ka thënë: “Garancia – siguria që është mes nesh dhe atyre (qafirëve) është namazi, andaj kush e braktisë namazin, ai ka bërë kufër.”

Argument tjetër nga Sunneti i Profetit s.a.v.s. kanë edhe hadithin: “Mes robit (myslimanit) dhe kufrit është namazi.”
Dijetarët tjerë që nuk përkrahin këtë mendim, hadithin në fjalë e komentojnë si vijon: Nocioni “Kufr” në këtë hadith është Muxhmel, që përfshinë dy kuptimet që janë: Kufri i madh që tërësisht e nxjerr njeriun nga besimi islam, e ai është kufri në çështjet e besimit (kufrul I’tikadij) si kufirin e vogël i cili nuk e nxjerrë njeriun nga besimi, por e bënë atë që ti përngjet jobesimtarëve (qafirëve) në veprimet e tij. Nocioni Kufr që përmendet në këtë hadith, ka kuptimin e dytë, pra përngjarje në veprimet e jobesimtarëve e jo mosbesim (kufr) esencial. Ajo që na shpie drejt këtij kuptimi të nocionit “Qafir” është hadithi i Profetit s.a.v.s.:“Fyerja e myslimanit është fisk, kurse vrasja është kufër.”; Mirëpo asnjë nga dijetarët myslimanë nuk ka thënë se nëse një mysliman e vret një mysliman tjetër ai është qafir (jobesimtar), porse të gjithë e kanë interpretuar se nocioni “Kufr” në këtë hadith ka për qëllim kufrin e vogël që nuk të nxjerrë nga besimi islam. Për këtë ka edhe argument nga Kur’ani Fisnik, ku Allahu i Madhërishëm thotë:

“Nëse dy grupe besimtarësh tentojnë të luftojnë ndërmjet vete, ju pajtoni ata, e në qoftë se ndonjëri prej tyre e sulmon tjetrin, atëherë luftojeni atë grup që vërsulet me pa të drejtë.” (El-Huxhuratë, 9).

Nga ky ajet qartë vërehet se besimtarët edhe kur kanë luftuar  ndërmjet vete, Allahu i Madhërishëm vazhdon t’i quajë besimtarë, dhe nuk i ka quajtur qafirë (të pa fê). Ky ajet është argument se nocioni “Kufr” jo çdo herë nënkupton dalje nga feja dhe shpallje me mosbesim, e në këtë kuptim vjen edhe hadithi i Profetit s.a.v.s. me të cilin grupi i parë mos falësin e namazit e konsideron qafir (të dalë nga feja).

Argument tjetër nga Sunneti kanë hadithin e Profetit s.a.v.s. të regjistruar në “Sahihun” e Imam Muslimit r.a. ku Profeti s.a.v.s. thotë: “Mes njeriut dhe kufrit apo shirkut është lënia e namazit.”

Mirëpo dijetarët myslimanë këtë hadith e komentuan se me nocionin kufër apo shirk në këtë hadith nuk është për qëllim kufri apo shirku i madh, që e nxjerrë njeriun nga feja, me përjashtim nëse ai tërësisht e mohon namazin si farz.

Nëse përkrahësit e mendimit se mos falësi i namazit është qafir, mbështeten në nocionin “Kufr” apo “shirk” dhe mendojnë se këto dy fjalë janë në kuptimin e tyre të vërtetë që nënkuptojnë kufrin apo shirkun e madh, atëherë do të konfrontohen me hadithin e regjistruar te Imam Buhariu dhe Muslimi, të transmetuar nga Abdulla b. Mes’udi r.a. i cili thoë: “E pyeta të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.: “Cili është mëkati më i madh te Allahu i Madhërishëm?”; I Dërguari s.a.v.s. më tha: “Ti përshkruash Allahut shok, e Ai të ka krijuar.” Pra mos falësi i namazit nuk përfshihet në këtë kategori të njerëzve.

Nëse ata mendojnë se me nocionin “Shirk” nuk është për qëllim shirku i vogël, sërish ndeshen me hadithin e Profetit s.,a.v.s.: “Çështja që më së shumti i frikohem për ju është shirku i vogël, e ai është syfaqësia.” Mirëpo syfaqësia mund të jetë në faljen e namazit e jo në mos faljen e namazit.

Andaj Imam Neveviu r.a. në komentimin që i bën “Sahihut” të Muslimit r.a. sqaron që fjalët e hadithit “se mes robit dhe kufrit – është lënia e namazit” kanë për qëllim se lënësi i namazit me aktin e lënies së namazit meriton dënim njëjtë siç meriton dënim qafiri, e që është mbytja e tij, por ekzekutimi i tij bëhet në cilësinë e sanksionit të Hadit e jo në cilësinë se është qafir.

Argumentet e grupit të dytë:

Shumica dërmuese e dijetarëve myslimanë, duke u nisur nga dijetarët e medh-hebit hanefi, maliki dhe shafii – janë të mendimit se mos falësi i namazit nga përtacia apo pakujdesia nuk konsiderohet “qafir”, pra i dalë nga feja, por konsiderohet mëkatar dhe njeri që ka kryer një nga mëkatet e mëdha.

Argumentet ku këta dijetarë mbështesin mendimet e tyre janë:

Argument nga Kur’ani Fisnik sjellin ajetin kur’anor ku Allahu i Madhërishëm thotë:

“S’ka dyshim se Allahu nuk falë (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i falë kujt do…” (En-Nisa, 48)

Nga ajeti në fjalë qartë vërehet se mos falësi i namazit përfshihen në dëshirën e Allahut të Madhërishëm për falje apo mos falje të tij, e nuk përfshihet në grupin e idhujtarisë dhe të jobesimtarëve.

Transmetohet nga Ubadete b. Samiti r.a. se vërtetë Profeti s.a.v.s. ka thënë: “Allahu i Madhërishëm për robërit e Tij obligoi pesë kohë të namazit, andaj ai që i kompleton këto namaze duke i zbatuar në jetën e tij, fiton garancinë (premtimin) e Allahut të Madhërishëm që të hyjë në Xhennet, e ai i cili nuk i ka kompletuar të gjitha, ai nuk ka fituar garancinë nga Allahu i Madhërishëm për të hyrë në Xhennet, andaj nëse do Allahu e sanksionon me Xhehennem, e nëse do e futë në Xhennet.” (Transmetojnë Imam Maliku, Ahmedi, Ebu Davudi dhe Nisaiu me sened të vërtetë.)

Pra, nga hadithi në fjalë në mënyrë të qartë nënkuptojmë se personi i cili nuk falë ndonjë namaz nga përtacia apo pakujdesia, nuk mund të radhitet në një grupme qafirët (jobesimtarët), por çështja e tij ngelë në dëshirën e Allahut të Madhërishëm: Nëse Ai do e sanksionon për mos faljen e namazit, por nëse do e falë atë duke e futur në Xhennet. Sikur mos falësi i namazit të radhitet në listën e qafirëve (jobesimtarëve) – atëherë hyrja e tij në Xhennet do të ishte e pa kuptimtë, sepse për jobesimtarët (qafirët) nuk ka Xhennet, e kjo është qartë e argumentuar nëpër shumë argumente autentike islame.

Imam Shafiu r.a. i cili është i mendimit se mos falësi i namazit nuk është qafir por është fasik (mëkatar) dhe meriton dënim dhe sanksionim, njëherë kishte polemizuar me Imam Ahmed b. Hanbelin r.a i cili është i mendimit se mos falësi i namazit është qafir, dhe Imam Shafiu r.a. e kishte pyetur: “O Imam, nëse dikë e shpall si qafir (të dalë nga feja) për shkak se nuk e ka falur namazin, por ai e thotë fjalën La ilahe il-lall-llah, atëherë ai njeri me çka mund të rikthehet në Islam?”; Imam Ahmedi r.a. iu përgjigj: “Me faljen e namazit!”; Imam Shafiu r.a. tha: “Mirë, nëse Islami i tij varet nga namazi, atëherë namazi i tij është falur në kohën kur ai është në kufër, e namazi i qafirit nuk është i vlefshëm, e nëse Islami i tij nuk varet nga namazi i tij, atëherë ai sërish nuk është rikthyer në Islam.”; Imam Ahmedi r.a. heshti, që nënkupton se pranoi argumentin.

S’do mend se kur njeriun i cili nuk ka falur namazin e shpallim si qafir, përkatësisht murted (renegat), atëherë menjëherë me automatizëm duhet të barten edhe përgjegjësitë që vijnë nga ky akt, si p.sh. automatikisht bie kurorëzimi, sepse nëse njëri nga bashkëshortet kalon në kufr atëherë martesa prishet menjëherë, pastaj automatikisht humbet e drejta e trashëgimisë nga ana e trashëgimtarëve, ngase myslimani nuk trashëgon nga qafiri, dhe anasjelltas as qafiri nga myslimani, pastaj qafirit nuk i lahet dhe nuk i falet xhenazja, nuk varroset në varrezat e myslimanëve etj etj. Këto janë pasoja të rënda që duhet patjetër të respektohen. Andaj në kontekst të kësaj Imam Ibni Kudame në El-Mugni thotë: “Ne nuk dimë se në ndonjë kohë nuk është pastruar (larë) kufoma e atij që nuk e ka falë namazin, apo që nuk i është falë namazi i xhenazes, apo që nuk është varrosur në varrezat e myslimanëve, apo që nuk kanë trashëguar trashëgimtarët e tij për shkak të kësaj çështjeje, apo që ndonjëherë ka ndodhur që të jetë bërë shkurorëzimi mes dy bashkëshortëve për shkak se njëri prej tyre nuk e ka falur namazin dhe është shndërruar në qafir, edhe pse këso raste të mos faljes së namazit ka pasur shumë gjatë historisë islame.”

Në anën tjetër, ne nuk dimë ndonjë nga dijetarët që ka thënë të kundërtën e ixhmait (konsensusit) islam se, mos falësi i namazit patjetër të falë kaza atë namaz që i ka ngelur pa u falur. Sikur ai me mos faljen e namazit të shndërrohet në qafir (murted), atëherë nuk do ta kishte obligim ta falë namazin kaza, e as agjërimin ta bëjë kaza. Andaj të gjitha hadithet që flasin për këtë çështje kanë për qëllim rigorozitetin për mos faljen e namazit, ose faktin se me këtë veprim ata i përngjajnë qafirëve (jomyslimanëve) e nuk është për qëllim kufri i vërtetë, pra dalja nga Islami. Kjo vërtetohet me fjalët e Profetit s.a.v.s., i cili thotë: “Fyerja e myslimanit është fisk, kurse vrasja është kufër”; edhe pse vrasësi nuk kalon në kufër por mbetet një mysliman mëkatar.

V’Allahu a’lem!

Lini një Përgjigje

Maqedonisht