Dispozita e ngritjes së duarve gjat lutjes (duasë) pas namazit

Pyetja: Cila është dispozita e ngritjes së duarve gjatë lutjes pas namazeve farze, pasi të përfundohet me tesbihët? A refuzohet veprimi për atë që e bënë këtë vepër rregullisht? A ekzistojnë kundërthënie mes dijetarëve për këtë çështje? Allahu ju shpërbleftë.

Fetvaja

Falënderimi i takon Allahut xh.sh., salevatet dhe selamet mbi të Dërguarin e Allahut, mbi familjen  e tij, shokët e tij…e më pas.

Lutja (duaja) pas namazeve farze është veprim i ligjësuar, për shkak se vërtetohet nga Pejgamberi s.a.v.s. përmes shumë haditheve. Lidhje me këtë Imam Buhariu në Sahihun e tij ka një titull me emrin “lutjet pas namazit”. Hafidh (Ibni Haxher Askalani) në veprën e tij thotë: Në këtë kapitull u bëhet demant atyre që pretendojnë se lutjet pas namazit nuk kanë bazë në sheriatin islam. Këta pretendues supozimin e tyre e mbështesin në hadithin e regjistruar te Imam Muslimi, me transmetim nga Abdullah b. Harithi, e ky nga Aisheja r.a. e cila ka thënë: Pejgamberi s.a.v.s kur jepte selam (në namaz) nuk qëndronte më shumë se sa të thuhet fjala: All-llahum-me entes-selamu ve minkes-selamu tebarekte ja dhel xhelali vel ikrami”.

Përgjigja ndaj kësaj është se qëllimi me mohimin (nuk qëndronte) është se ai nuk qëndronte në atë pozicion që ishte para selamit më gjatë se sa thuhej kjo fjali. Kjo vërtetohet me faktin ngase është vërtetuar se Pejgamberi s.a.v.s. kur përfundonte me namazin, kthehej nga sahabët e tij- nga xhemati. Andaj, lutjet të cilat transmetohen se i ka bërë Pejgamberi a.s. i ka bërë duke qenë i drejtuar kah sahabët – xhemati.

Hafidhi regjistron edhe fjalët e Ibni Kajimit nga vepra “El hedju”, fjalë këto nga të cilat disa dijetarë kuptuan se ai absolutisht ka mohuar ligjësimin e lutjes pas namazit. Pastaj Hafidhi shpjegon se, pretendimi për mohimin e ligjësimit të lutjes pas namazit, absolutisht është e papranuar. Këtë ai e vërtetoi me disa argumente të transmetuara nga Pejgamberi s.a.v.s..

Në mesin e atyre argumenteve është edhe hadithi i Muadh b. Xhebelit të cilit Pejgamberi a.s. i kishte thënë: “O Muadh, pasha Allahun unë të dua, andaj pas çdo fundi të namazit mos e le pa e thënë: O Zoti im, më ndihmo mua në dhikrin Tënd, në falendërim ndaj Teje dhe në formën e mirë të adhurimit” Hadithin e regjistron Ebu Davudi, Nisaiju,kurse Ibni Hibani dhe Hakimi e kanë silësuar hadith Sahih.

Hadithi i Zejd b. Erkamit i cili ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. që lutej në fund të çdo namazi duke thënë: “O Zoti im, Ti je Zoti i jonë dhe Zoti i çdo senditEbu Davudi dhe Nisaiju.

Hadithi i Suhejbit i cili ka thënë se kur largohej nga namazi thonte: “ O Ztoti im, më përmirëso mua fenë time…”. Regjistroi Nisaiju kurse Ibni Hibani e cilësoi hadith Sahih.

Pastaj Hafidhi tha: nëse thuhet se me fjalën në fund të namazit është për qëllim afër fundit të tij, e që është teshehudi, pra brenda namazit, atëherë themi: Transmetohet në hadithe dhe potencohet për dhikrin –lutjen në fund të çdo namazi, e me këtë sipas konsenzusit është për qëllim pas namazit, andaj çështja ekziston kështu derisa të vërtetohet e kundërta e saj. Imam Termidhiu regjistron hadithin e transmetuar nga Ebu Umamete, se Pejgamberit s.a.v.s. i është thënë: O i Dërguari i Allahut, cila lutje është më e pranuar?. Pejgamberi a.s. tha: “ lutja në pjesën e fundit të natës dhe lutja pas namazeve farze”.

Hafidhi më pas shpjegon se atë që e thotë Ibni Kajimi, nënkupton se mohimi i ligjësimit të lutjes pas namazit ndërlidhet me vazhdueshmërinë e namazliut duke qenë në drejtim të kibles pas selamit, andaj nëse ai me fytyrën e tij kthehet kah xhemati, në këtë rast nuk i ndalohen lutjet-duatë. Përfundonjnë fjalët e Hafithit.

Pra, ashtu si u shpreh Hafidhi, se Ibni Kajimi pasi e mohoi ligjësimin e lutjes pas namazit ka thënë: Vetëmse, ekziston një moment i bukur, e ai është atëherë kur namazliu kur të përfundojë me namazin e tij, e përmend Allahun xh.sh. duke i thënë dëshminë,(shehadetin) pastaj Subhanallah 33 herë, Elhamdulilah  33 herë dhe Allahu Ekber 33 herë, me dhikre të ligjësuara, dhe sipas tij është e preferuar (mustehab) që ti dërgojë salevate dhe selame Pejgamberit s.a.v.s, e pas kësaj ai mund të lutet me lutje çfarë të dëshirojë, deri në fund të fjalës së tij.

Si përfundim i kësaj del fakti se lutjet -duatë pas namazit janë të ligjësuara, mirëpo edhe këto lutje sikur edhe sunetet tjera mund që ndonjëherë të lëshohen pa zbatuar, me qëllim që xhamti i thjeshtë të mos mendojë se këto lutje pas namazit kanë dispozitën obligative (vaxhib ose farz).

Andaj, nëse tani e ke të qartë se lutjet pas namazit kanë bazë në sheriatë, atëherë duhet të dishë edhe një fakt tjetër se parimisht lutësi duhet ti ngritë duart gjatë lutjes së tij.

Nga ky parim, pra ngritja e duarve gjatë lutjes, nuk mund të largohemi me përjashtim në rastet të cilat Pejgamberi s.a.v.s. praktikonte mos ngritjen e duarve para njerëzve, dhe njëkohësisht nuk ka transmetim se ai i kishte ngritur duart siç është rasti me lutjen gjatë namazit, me lutjen në Hutben e xhumasë etj.

Andaj në lutjet tjera ngritja e duarve është veprim i ligjësuar sipas Islamit. Kjo vërtetohet nga Pejgamberi s.a.v.s  me hadithe të shumënumërta. Në mesin e atyre haditheve është edhe hadithi i transmetuar nga Ebu Musa el Eshariu i cili është i regjistruar te Buhariu dhe Muslimi si dhe në Sahihat tjerë, ku thuhet: Pejgamberi a.s. kërkoi ujë, mori abdes e pastaj i ngriti duart dhe tha: “O Zoti im, fali robërit e ebu Amirit, derisa ia pashë të bardhën e nënsjetullës së tij”.

Hadithi tjetër i regjistruar te Imam Buhariu me transmetin nga Ibni Omeri r.a. për ngjarjen e Halidit kur kishte urdhëruar që secili të mbysë robin e tij të luftës. Kur Pejgamberi a.s. u informua për këtë rast, i ngriti duart dhe tha: O Zoti im, unë i jam pafajshem para Teje për atë që e ka bërë Halidi (dy herë).

Këto dy hadithi Imam Buhariu i ka përfshirë në koleksionin e tij, kurse në shpjegimin e këtyre dy hadithe Hafidh (Ibni Haxher Askalani) thotë: hadithi i parë i kundërshtonë ata që thonë se nuk ngriten duart kështu lartë vetëmse në lutjen për shi (istiska), kurse hadithi i dytë hedhë poshtë tezën e atyre që thonë se duar nuk duhet ngritur fare në lutje vetëmse në lutjen për shi (istiska).

Të vepruarit me hadithin Sahih i transmetuar nga Enesi i cili thotë: Pejgamberi a.s. nuk i kishte ngritu duart në asnjë lutje me përjashtim të lutjes për shi (istiska). Harmonizimi mes këtij hadithi dhe haditheve tjera të transmetuara në këtë lëmi, bëhet në formën se mohimi i ngritjes së duarve është cilësi e veçantë,  e nuk mohon ngritjen esenciale, e këtë e sinjalizuam te hadithi i cili flet për lutjen e shiut. Pra, ngritja e duarve te lutja për shi (Istiska) është ndyrshe nga ngritja e duarve në lutjet e rëndomta, sepse ngritja e duarve te lutja për shi bëhet në nivel të fytyrës, kurse te lutjet tjera duart ngriten në nivel në krahërorit. Çështja është e qartë sepse është vërtetuar në të dy rastet se Pejgamberi a.s. i ngrite duart derisa i dukej e bardha e nënsjetullës.

Pamja e të bardhës së nënsjetullës është më e mundur te lutja për shi se sa te lutja e rëndomtë, sepse te lutja për shi shuplakat e duarve janë të kthyera nga toka kurse te duat e rëndomta shuplakat e duarve janë të kthyera kah qielli.

Imam Mundhiriu thotë: harmonizimi mes haditheve është i arsyeshëm, porse aspekti i vërtetimit të ligjësimit të ngritjes së duarve është më i fuqishëm, e veçanërisht me numrin e  shumtë të haditheve që flasin për ngritjen e duarve gjatë lutjes. Pra imam Mundhiriu kishte tubuar shumë hadithe në këtë drejtim, dhe nga ai i kishte marrë Imam Neveviju në veprën e tij “El Edhkaru” dhe “fi shrhi mudhib” Gjithashtu hadithe të tilla ka koleksionuar edhe Imam Buhariu, që ne do të përmendim disa prej tyre.

  1. Hadithi i transmetuar nga Ebu Hurejreja r.a. i cili ka thënë: Erdhi Tufejl b. Amri te Pejgamberi s.a.v.s. dhe i tha: Vërtetë Devsi ka bërë mëkat, lutju Allahut xh.sh. për ta. Pejgamberi s.a.v.s., i ngriti duart dhe tha: O Zoti im, udhëzoje Devsin” Hadithi gjendet te dy Sahihat.
  2. Hadithi i Xhabirit r.a. i cili ka thënë: Tufejl b. Amri kishte emigruar, dhe i rrëfeu ngjarjen e një burri i cili kishte emigruar me të, e Pejgamberi s.a.v.s. i ngriti duart dhe u lut për ta. Hadithi është me sened Sahih i regjistruar te Imam Muslimi.
  3. Hadithi i Aishes r.a. e cila ka thënë: E kam parë të dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke u lutur me duar të ngritura dhe thonte: O Zoti im, vërtetë unë jam njeri…” Hadithi është me sende Sahih
  4. Nga hadithet e sahiha që i ka regjistruar koleksionuesi në titullin “pjesa në ngritjen e duarve” është edhe hadithi ku Pejgamberi a.s. kishte ngritur duart dhe ishte lutur për Othamnin r.a..
  5. Imam Muslimi ka regjistruar edhe hadithin e transmetuar nga Abdurrahman b. Semrete, në ngjarjen e nxënies së diellit ku thotë: Shkova te Pejgamberi a.s. e ai ishte duke u lutur me duar të ngritura.
  6. Ngjajshëm për këtë rast  transmeton edhe Aisheja r.a. e cila thotë: .. Pastaj i ngriti duart (Pejgamberi a.s.) dhe u lut..
  7. Hadithi tjetër i transmetuar poashtu nga Aisheja r.a. e cila flet për lutjen e Pejgamberit a.s. që e kishte bërë te varrezat Beki, dhe i kishte ngritur duart gjatë lutjes tri herë…
  8. Hadithi i gjatë i transmetuar nga Ebu Hurejreja r.a. me rastin e çlirimit të Mekës, ku thotë: Pejgamberi a.s. i ngriti duart dhe filloi të lutet..”
  9. Hadithi i transmetuar nga Ebu Humejdi i cili flet për ngjarjen e ibni Lutbijes ku thotë: Pastaj i ngriti duart aq lartë saqë ia pashë të bardhën e nënsjetullës së tij dhe tha: All-llahume hel bellegtu”.
  10. Hadithi i transmetuar nga Abdullah b. Amri se Pejgamberi a.s. përkujtoi thënien e Ibrahimit a.s. dhe Isas a.s., i ngriti duart dhe tha: All-llahumme ummetii
  11. Në hadithin e transmetuar nga Omeri r.a. ku thotë: Të dërguarit të Allahut s.a.v.s. kur i zbrite shpallja para fytyrës së tij ndihej një zhurmë sikur zhurma e bletës, andaj kur një ditë i zbriti shpallja atij, pasi u lirua nga gjendja e pranimit të shpalljes, u drejtua drejt kibles, i ngriti duart dhe u lut. Hadithin e regjistri Termidhiu, Nisaiu dhe Hakimi.
  12. Hadithi i transmetuar nga Usame i cili thotë: isha hypur pas Pejgamberit a.s. në Deve në Arefat, e ai i ngriti duart dhe u lut, andaj dukle ecur lakoi devja e tij, kurse freni i ra mbi qafë, e Pejgamberi a.s. me njërën dorë e kapi frenin derisa tjetrën e kishte të ngritur. Nisaiu me sened të mirë.
  13. Hadithi i transmetuar nga Kajs b. Sa’di i regjistruar te Ebu Davudi, ku thuhet: Pastaj i ngriti duart Pejgamberi a.s. dhe thonte: O Zoti im, selamet dhe mëshira jote le të jetë mbi famaialjen e Sa’d b. Ubedes. Senedi i mirë.

Në këtë drejtim ekzistojnë edhe shumë hadithe tjera. Sa i përket hadithit të regjistruar te Imam Muslimi me transmetim nga Amare b. Ruvejbete se ai e kishte parë Bishr b. Mervanin duke i ngritur duart, dhe e kishte qortuar ate duke i thënë: Unë vërtetë e kam parë të dërguarin e Allahut s.a.v.s. i cili nuk ngrite më shumë se këtë, dhe sinjalizoi për gishtin tregues. Imam Taberiu tregon se disa e kishin kuptuar hadithin vetëm sipërfaqësisht dhe thanë: Sunet është që thirrësi të ngritë vetëm një gisht. Mirëpo ai u përgjigjet atyre duke u thënë: Ky hadith transmetohet për ligjëruesin gjatë ligjërimit të tij, e kjo na bëhet e qartë nga konstrukti i hadithit, andaj ky hadith nuk ka të bëjë  me ndalesën e ngritjes së duarve gjatë lutjes, sepse ngritja e duarve është vërtetuar me argumente të shumtë, e veçanërisht me hadithin e regjistruar te Ebu Davudi dhe Termidhiu me transmetim nga Selmani ku Pejgamberi a.s. ka thënë: Vërtetë Zoti juaj është i gjallë dhe fisnik, ai turpërohet nga robi i Tij kur ai ngritë duart drejt Allahut që ta kthejë dorë zbrazët.

Në fund, pas tërë këtyre argumenteve me lehtësi konstatohet se lutja pas namazeve, është çështje e ligjësuar dhe e vërtetuar me argumente autentike islame. Gjithashtu vërtetohet se  ngritja e duarve gjatë lutjes është poashtu çështje e ligjësuar dhe e vërtetuar me argumente autentike, andaj secili që lutet pas namazeve le ti ngritë duart gjatë lutjes, e ajo që pretendonë dikush të mposhtë këtë duke thënë se ngritja e duarve është veprim i urrejtur, mposhtet me argumentet që i paraqitem deri tani.

Islamweb.net
Mevsuatul fetava
Numri i fetvas: 5340
Data e fetvas: 01, 06, 1999
Nga arabishtja: Jusuf  ZIMERI

Leave a reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *