Kur flitet për artin në islam, për të bukurën, kjo nuk nënkuptohet vetëm bukurinë dhe estetikën së jashtme, objektive apo subjektive qoftë ajo, por me të nënkuptojmë  “të bukurën absolute” që madhështia e kësaj bukurie reflektohet nga arti i krijimit në  gjithësi e që është e  dukshme kudo në univers.  E bukura nuk buron vetvetiu, por ajo buron nga Zoti, Krijuesi Absolut, andaj çdo gjë e cila është e bukur me vlera artistike dhe etike nuk është asgjë tjetër veç se manifestim i cilësive të Krijuesit Absolut. Thelbi i artit dhe boshti i saj është ndjenja e bukurisë, prandaj nëse pak meditojmë me mendje të kthjelluar vërejmë se Islami, respektivisht Kur’ani Fisnik jo vetëm që nxitë në të bukurën, por edhe apelon për të, ngase e bukura përveç se ngjallë ndjenjat e besimit, ajo krijon edhe rehatinë shpirtërore, shton stabilitetin qenjësor dhe nxitë në dashurinë fillimisht ndaj Krijuesit Absolut e më pas edhe ndaj çdo sendi që e rrethon njeriun në botën fizike.

Të nderuar të pranishëm.

Pejgamberi a.s. kur i definon nivelet e besimit, vërejmë se nivelin më të lartë e përshkruan përmes nocionit “El-Ihsan – mirësi” nivel ky ku përshkruhet metoda e adhurimit që është  “ të adhuruarit e Zotit sikurse ta shohësh, edhe pse ti nuk e sheh Atë, Ai të sheh ty”. Pra, e bukura është ajo e cila vendos lidhje ontologjike dhe estetike me Zotin. Cilësia e së bukurës në mënyrë të prerë përshkruhet edhe në krijimin e njeriut nga Allahu xh.sh. ku Kur’ani fisnik thotë: “Vëretë ne e kemi krijuar njeriun në formën e mirë, më të përsosur”.

Prandaj konsiderojmë se Njeriu është i krijuar në formën më të bukur, më estetike e në kuptimin më të gjërë nënkupton se edhe njeriu është vepër arti e Zotit në tokë. Për këtë arsye edhe njeriu por  dhe natyra e universi, ose njeriu dhe e bukura janë nga i njëjti burim, e ky është edhe motivi bërthamor që gjejnë prehje në njëri tjetri

Të nderuar të pranishëm,

Ne nuk mund ta përcaktojmë pozitën dhe qëndrimin e Islamit ndaj artit, përveç nëse e dimë qartë se çfarë nënkuptohet nga arti i cili përkufizohet  si model i shprehjes estetike, me intencën e ndikimit në emocionet njerëzore që mund të shprehen përmes, shprehjes, poezisë, prozës,  por mund të shprehet edhe përmes kombinimit të shumëfishtë të ngjyrave.  Prandaj, filozofia e artit në Islam mbështetet në ndjenjën e bukurisë që Allahu ka krijuar në horizont, në shpirtin e pastër që reflekton bukurinë në çdo lëvizje, në të gjithë universin dhe në vetë qenien njeri .

E  bukura si kategori estetike, të prek në emocion dhe krijon ndjeshmëri, sensibilitet, e ndodhur në çdo cep të sferës materiale dhe asaj jomateriale, në botën universale të artit. Me të bukurën në art, kuptojmë një vendosje të pakontestueshme të harmonisë, të pjesëve përbërëse të saj dhe të masës.

Pra, thelbi i artit dhe boshti i saj është ndjenja e bukurisë dhe shprehjes, prodhimi i arteve estetike nënkupton që individi ta ndjejë atë, dhe pastaj të shprehë diçka të bukur edhe kjo paraqet nxitje për besimtarët islam që sa më shumë të meditojnë dhe kultivojnë të bukurën të meditojnë në bukurinë Universit, bukurinë e qiellit e tokës, maleve fushave, bukurinë e bimëve e pse jo edhe në bukurinë e njeriut. Prandaj, kushdo që lexon Kur’anin e Shenjtë, sa më shumë që të lexojë aq më shumë gjen ajete që e alarmojnë atë dhe tërheqin vështrimin dhe mendjen e tij ndaj këtyre estetikave të transmetuara në të gjithë universin. Prandaj, konstatojmë se Islami solli në ekzistencë një qytetërim, në të cilin artet gjithmonë kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë – në atë masë sa ç’është i gjallë ai qytetërim – një vend me rëndësi qendrore.

Prandaj, të nderuar të pranishëm, të nderuar nxënëse të kësaj vatre edukativo arsimore, me rastin e ekspozesë suaj tradicionale e quajtur “Dora e Artë” nuk më ngelë asgjë tjetër vetëm se t’ju përuroj për suksese të mëtutjeshme në të gjitha sferat e jetës përfshirë këtu edhe sferën e kultivimit dhe zhvillimit të artit islam, sepse siç thonë të urtit “Arti edhe hekurin e bënë më me vlerë se Ari”.

 

Jusu Zimeri

Drejtor i Sektorit Fetaro arsimor pran BFI

Shkrime të ngjashme