E drejta e akuzimit të tjetrit me Kufr (pabesim)!

Shkruan: Jusuf ZIMERI

Ata që nuk mësojnë nga burimi, nuk mund të mësojnë as nga historia. Sa më i ulët të jetë niveli i edukatës dhe arsimimit aq më e lirë është gjuha e njeriut, dhe sa më e lartë të jetë injoranca aq më trima janë injorantët. Këtë fakt gjithnjë e më shumë po e dëshmon edhe praktika ku po jetojmë.

Islami është sistem hyjnorë i vendosur nga Ligjvënësi suprem,  krejt me qëllim që njeriu përmes këtij sistemi të menaxhojë jetën e tij në këtë botë dhe në këtë mënyrë të ruaj epërsinë e tij nga të gjitha krijesat në këtë univers. Ky sistem i kompletuar në strukturën e vet përfshinë tre elementet esenciale, pa të cilat njeriu do të mund të ishte çdo lloj krijese tjetër, por vetëm njeri jo. Këto tre elemente që janë: besimi, etika dhe veprimi,  janë thellë të gërshetuara në strukturën e sistemit islam, saqë nëse mungon njëri prej tyre, sistemi islam është jofunksional, si për individin ashtu edhe për shoqërinë islame.

Kohëve të fundit në shoqërinë tonë, bile edhe më gjerë, thuajse na janë bërë si dukuri të përditshme sikur ka kaluar në metastazë, që të dëgjojmë njerëzit, respektivisht besimtarët islam duke akuzuar njeri tjetrin me gjëra që nuk janë në kompetencat e tyre. Pra, nuk janë raste të rralla kur dëgjojmë njerëzit besa disa edhe të informuar me petkun e dijetarëve islamë të cilët fatkeqësisht në emër të islamit të mirëfilltë  të akuzojnë të tjerët me kufr (pabesim).

Këto akuza ndërtohen aq lehtë, pa kurrfarë kriteri jo vetëm shkencorë e islam, por as edhe logjik, saqë të mbushet mendja se, më sevap është ta akuzosh tjetrin me kufr (pabesim) se sa ta thuash një fjalë të mirë apo udhëzuese për të. Në realitet, këto akuza veç sa janë dëshmi për nivelin e ulët të besimit të akuzuesit, dhe dëshmi për paditurinë që e posedon akuzuesi mbi burimet e fesë islame dhe mbi përgjegjësinë e dispozitave islame.

Duke mos dashur që këtë çështje ta shtjellojmë nga këndvështrimi akaidologjik dhe etik, sepse nuk posedoj kompetenca të mjaftuara për këtë çështje, problemin do ta elaboroj vetëm nga këndvështrimi juridik islam.

Akuza me kufr, mëkat me pasoja fetare dhe juridike

Akuzimi tjetrin me pabesim (kufr), nuk është çështje e thjesht që mund të kalojë pa pasoja fetare dhe juridike, si në rastin kur vërtetohet akuza, ashtu edhe në rastin kur ajo nuk mund të vërtetohet por ngelë vetëm si akuzë. Kjo është fjalë e rëndë dhe detyrimisht pas veti bartë edhe përgjegjësi fetare, morale dhe juridike.

Transmetohet nga Abdullah b. Dinari, ky nga Abdullah b. Omeri All-llahu qoftë i kënaqur me ta, se vërtetë i Dërguari i Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ka thënë: “Kush i thotë vëllait të tij, o Kafir, tani më veç njëri prej tyre është i kapluar me te, nëse është ashtu si thotë, e nëse jo, atëherë kthehet tek ai. Buhariu dhe Muslimi.

Imam ibni Haxher Askalani duke shpjeguar këtë hadith, thotë: nëse i akuzuari i plotëson kriteret e kufrit, pra nëse vërtetë është kafir, atëherë akuza zen vend dhe ngelë tek ai, por nëse pala e akuzuar nuk i plotëson kriteret e kufrit, atëherë kjo shprehje kthehet te akuzuesi, realisht jo që ai konsiderohet kafir i vërtetë, por  tek ai kthehet mëkati kufrit dhe pasojat tjera.

Në anën tjetër vetë akuza ndaj një myslimani konsiderohet një lëndim shpirtërorë, një fyerje dhe një nënçmim që i bëhet atij. Pikërisht për këtë arsye Pejgamberi a.s. në një transmetim tjetër nga Ibni Mes’udi Allahu qoftë i kënaqur me te, thotë: Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ka thënë: “ofendimi-sharja e myslimanit është fisk, e vasja e tij kufr” Buhari dhe Muslimi

Dijetarët islam- fukahat duke u marrë me shtjellimin e këtyre haditheve konsideruan se sharja, ofendimi dhe nënçmimi i myslimanit përmes akuzave të ndryshme, konsiderohet Fisk, dalje nga disiplina islame, papajtueshmëri me etikën islame. Kurse disa dijetarë tjerë janë të mendimit se “sebab” nënkupton akuzat e pa vërteta, kur akuzon vëllain mysliman me gjërat të cilat nuk i posedon dhe nuk janë cilësi e tij.

Ajo që është shumë kontroverse me akuzuesit, është se, këto akuza në të shumtën e rasteve ndërtohen kinse mbi bazën e një islami të shëndoshë, mbi bazën e një islami burimor. Mirëpo, e vërteta është se ata injorojnë faktin se islami i mirëfilltë është larg pretendimeve të tyre, sepse nuk mund të jenë musliman të sinqertë ata që shqetësojnë dhe ofendojnë muslimanët . Këtë e vërteton edhe hadithi i Pejgamberit  a.s. i transmetuar nga Abdullah in Amri, se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Musliman  (i vërtetë- i denjë) është ai që myslimanët tjerë janë të shpëtuar (të qetë) nga gjuha dhe dora e tij, dhe emigrues i vërtetë është ai që largohet nga ndalesat e Allahut” Buhariu.

Prandaj çdo kush që e akuzon vëllain e tij mysliman me pabesim (kufr) ai ka kryer një veprim të rrezikshëm për të cilin detyrimisht sa më shpejtë detyrohet të pendohet para Allahut xh.sh.. Gjithashtu duhet ditur edhe një fakt shumë të rëndësishëm se në këtë rast për të qenë pendimi (teubeja) e vlefshme, detyrimisht duhet kërkuar ndjesë- falje edhe prej personit të cilin e ka akuzuar me kufr (pabesim), që ai t’ia falë.

Kujt i takon shpalosja e kufrit

Fillimisht dhe asnjëherë nuk duhet harruar një fakt të pa kontestuar se, Ligjvënës dhe përcaktues i normave islame është Allahu Fuqiplotë, përmes shpalljes e cila në këtë rast nënkupton Kur’anin dhe sunnetin e Pejgamberit a.s.. Prandaj, duke u mbështetur në argumentet autentike islame, me lehtësi konstatohet se dispozita e të qenit besimtar (Mu’min) apo pabesimtar (kafir) është krejtësisht kompetencë e Ligjvënësit absolut. Këtu nuk ekziston mundësia e ndërhyrjes së mendjes së njeriut apo ndonjë faktorë tjetër nga jashtë.

Pra, nëse është kështu, atëherë kush ka të drejtë të shpallë dikë për Kafir (të pa fe)? A e posedon këtë të drejtë ndonjë individ, dijetar qoftë apo jo, që të shpallë një individ, apo një shoqëri apo edhe në qeveri si të pa fe (kafir)?. A mund të besohet dhe njëkohësisht të tolerohet  që islam si sistem hyjnor, i cili ka ndërtuar qytetërime në shoqërinë njerëzore të ngrithet mbi parimet kaotike, duke ja lënë të drejtën e vendimit çdo njeriu që pretendon se është mysliman dhe dijetar?! Nëse po, atëherë cilat janë pasojat, e nëse jo, atëherë cili duhet të jetë qëndrimi i jurisprudencës islame ndaj personit që akuzon të tjerët me këtë dispozitë?.

E vërteta është se,  mosbesimi (kufri) në jurisprudencën islame është dispozitë ligjore, ashtu siç është dispozitë ligjore edhe besimi (imani) dhe detyrimisht si të tilla duhet trajtuar. Në bazë të kësaj konstatohet se kafir (i pa fe) konsiderohet vetëm ai njeri që, për të pa fe, e ka shpallur Allahu xh.sh. dhe i Dërguari i Tij, sepse dispozita ligjore e kufrit apo imanit është e drejtë e Allahut Fuqiplotë

Në këtë konotacion dispozitën e kufrit dhe imanit e shpjegon edhe dijetari i famshëm islam Kadi Ijadi, i cili në veprën e tij “Esh-shifa”2/1065, përveç tjerash thotë: “Kufri me fjalë vetëm sa shpalosë konfuzion, ngase kjo e drejtë është e Ligjdhënësit dhe, këtu nuk ka pozicion mendja e njeriut”.

I këtij mendimi ishte edhe juristi islam shejh Ibni Tejmije, i cili thotë, se nga tradita e dijetarëve të ehli sunnetit ishte që ata kundërshtarët e tyre në mendime, të mos i akuzonin me pabesim (kufr), nga arsyeja se kufri është dispozitë ligjore që është e drejtë e Allahut Fuqiplotë, andaj njeriu nuk ka të drejtë të akuzoj tjetrin me këtë dispozitë.

Gjykohet kështu ngase nuk lejohet ta akuzosh myslimanin që është vlerësuar si musliman me kufr (pa besim), i mirë qoftë ai, apo mëkatar, thjesht vetëm për shkak se ai ka rënë pre e një shprehje apo veprimi të kufrit. Nëse këtë çështje e hulumtojmë në veprimtarinë e Pejgamberit a.s. vërejmë se në një rast Pejgamberi a.s. pikërisht për këtë çështje qortoi njërin prej shokëve të tij. Pejgamberi a.s. shfuqizoi dispozitën kufrit që kishte shpalosur Usame in Zejdi Allahu qoftë i kangur me të, kur ai në një prej betejave kishte ekzekutuar një njeri. Meqë ishin në fushëbetejë njëri nga kundërshtarët kishte dëshmuar shehadetin para Usame ibn Zejdit, por Usameja në këtë rast duke përdorur ixhtihadin e tij duke menduar se ai ishte në fushëbetejë dhe se dëshmia e tij ishte vetëm sa për ti shpëtuar vdekjes se kinse është mysliman, e në realitet ai nuk ishte mysliman. Edhe pse kjo dilemë dhe ky dyshim në realitet ishte prezent, ai vendosi që ta ekzekutojë. Mirëpo, kur dëgjoi për këtë Pejgamberi a.s. edhe pse kishte shumë respekt ndaj Usames, ai zhvlerësoi dhe shfuqizoi gjykimin dhe vlerësimin e Usames, sepse nuk është e drejtë e askujt të shpallë dikë për të pa fe (qafir) përderisa ai dëshmon shehadetin.

Duke marrë parasysh rrezikun që vjen nga publikimi i kësaj dispozite dhe pasojat konsekuente nga ky rrezik i madh që goditin ummetin dhe shoqërinë dhe, që dëmtojnë fenë dhe jetën e tyre, Islami ka përcaktuar kritere dhe kushte të veçanta që bashkë me to të vërtetohen argumentet. Të gjithë e dimë se përballë kufrit qëndron imani. Imani i besimtarit islam vërtetohet me argumente të prera, e çështjet që argumentohen me argumente të prera nuk mund të shfuqizohen përmes dyshimit.

Andaj, askush nga individët apo nga shoqëria njerëzore, bile edhe nëse janë dijetar apo edhe muxhtehid nuk kanë në kompetencën e tyre që të sjellin vendim ligjor për kufrin (pabesimin) e tjetrit. Vlerësohet kështu ngase shpalosja e kufrit për dikë tjetër është çështje gjyqësore me të cilën duhet të merren vetëm gjykatësit e gjykatave penale të rënda të cilët kanë kompetenca që të merren me çështjet e gjykimit dhe vlerësimit të argumenteve.

Pra, ata të cilët kanë të drejtë të gjykojnë dhe kanë kompetenca që të shpallin individin, organizatën, shoqatat apo edhe qeveritë me dispozitën e kufrit (pabesimit) janë vetëm dijetarët e mëdhenj, që në duart e tyre kanë pushtetin gjyqësorë, pra gjykatësit. Vlerësohet kështu ngase shpalosja e kufirin si dispozitë është çështje gjyqësore, ngase pas sjelljes së këtij vendimi pasojnë dispozita dhe sanksione ligjore. Lidhje me këtë dijetari Sulejman b. Sehmani shpjegon me shumë fjalë solide dhe madhështore rreth faktit, se kush ka të drejtë të argumentoj dhe vërtetojë argumentin. Ai thotë: Unë mendoj, e Zoti e din më mirë, argumentet nuk janë të qëndrueshme, vetëm nëse janë në dorën e atij që ka kompetenca për vlerësimin e qëndrueshmërisë së argumentit (pra dijetarët-shkencëtarët-muxhtehidët). Ai që nuk  ka kompetenca për ngritjen dhe verifikimin e argumenteve, si xhahili i cili nuk i njeh dispozitat e fesë së tij e as nuk e di se çmendim kanë dijetarët rreth atij argumenti apo asaj çështjeje, ata nuk mund të ngritin e as të vërtetojnë argumentet.

Argumenti që i jep përkrahje kësaj procedure përveç tjerash është edhe  fakti kur  Kudame b. Medhuni dhe shokët e tij gjatë sundimit të Omer b. Hatabit Allahu qoftë i kënaqur me të e kishin lejuar alkoolin, por askush nuk i kishte shpallu si kafira (të pa fe), sepse ata kishin gabuar dhe kishin bërë te’vil (interpretim) rreth ajetit: “Ata që besuan në Allahun dhe kanë bërë vepra të mira, për ta nuk është mëkat për çfarëdo që e ushqehen, derisa të jenë të devotshëm dhe besimtarë”.

Pse në këtë rast nuk doli asnjë nga sahabët apo tabiinët e ti shpallë ata si kafira(të pa fe)? Sepse ata ishin të vetëdijshëm për rëndësinë e shpalosjes së dispozitë së kufrit, ata ishinnë udhëzim të vërtetë, por lënda u paraqit në gjykatën penale.  Halifja i besimtarëve Omer b. Hatabi Allahu qoftë i kënaqur mete, kërkoi nga ata që të pendohen dhe ata u penduan.

Kjo metodologji (që çdokush të shpallë për kafir tjetrin) është rrugë që të nxjerr nga uniteti i myslimanëve, nga uniteti i dijetarëve dhe udhëheqësve islam. Kjo nënkupton mospajtim dhe mos respekt ndaj gjykatës islame, ndaj dijetarëve të mëdhenj islam. Kjo është metodologjia e havarixhëve.

Shkrime të ngjashme