Ejup ef. Salihu (Myftiu i Gerajve) (1880-1945)

  Shkruan: Irfan ef. ABAZI

Tradicionalisht në fshatin Geraj mësimet islame janë ndjekur nga një numër i konsideruar i të rinjve, e kjo i dha mundësinë që një numër i mirë prej tyre të ndjekin studimet islame edhe nëpër qendra të ndryshme shkencore. Në mesin e atyre dijetarëve islam që gravitojnë nga ky fshat dhe më i njohuri i tyre ishte hoxha i madh dhe shumë i njohur jo vetëm në luginë por edhe më gjerë ishte edhe myderrizi i nderuar Myftiu, Ejup ef. Salihu, i shquar me epitetin Myftiu i Gerajve.

Ky dijetar i shquar ka lindur në fshatin Geraj të Preshevës në vitin 1880. Rrjedh nga një familje e ngritur me vlera të larta fetare dhe kombëtare. Ejup efendiu duke qenë si fëmijë i fshatit Geraj, si edhe shumë të tjerë, mësimet e para i kishte marrë te hoxha i fshatit. Duke qenë si fëmijë, tek ai u vërejtën shenjat e zgjuarsisë, prandaj ai i ndikuar nga mësimet e para te hoxha i fshatit, si dhe me përkrahjen e pa rezervë të familjes, Ejupi i ri, i etur për dituri mori rrugën e kërkimit të qendrave më të larta shkencore të kohës për të studiuar. Për realizimin e kësaj dëshire kishte shkuar në Stamboll, ku atje arriti të regjistrohet në Medresenë e Sulltan Fatihut, që ishte një nga Medresetë më të njohura të kohës. Mulla Ejupi në Stamboll kishte studiuar afër 20 vite pa ndërpre, derisa kishte arritur të pajiset me diploma (ixhazetet) më të larta të kohës. Gjatë studimeve përveç se ishte mjaft i disiplinuar në studime, ai me kapacitetin e tij dhe me punën e pa lodhshme që bënte në studime, arriti të jetë në mesin e studentëve më elitë të kësaj qendre edukativo-shkencore islame. Pas përfundimit të studimeve, Ejup ef. kthehet në vendlindjen e tij, pra në fshatin Geraj, për të dhënë kontributin e tij islam dhe shkencor. Me kapacitetin e tij intelektual, me përgatitjen profesionale, Ejup ef. pas kthimit në vendlindje, menjëherë filloi që të lë gjurmë të pa shlyera në mesin e myslimanëve, kurse shpjegimet e tij filluan të shpërndahen anembanë popullatës shqiptare.

Në një vendim të lëshuar nga Ministria e Financave e Republikës Popullore Serbe – Beograd, protokolluar me nr. 48393 të datës 7 Maj 1946, vendim ky që vlen për dhënie të pensionit tanimë bashkëshortes së tij, vërtetohet se Ejup Efendiu kishte punuar si Myfti-gjykatës IV/1 në gjykatën e sheriatit në rrethin e Preshevës. Në pikën 1 të këtij vendimi thuhet: Duke u mbështetur në raportin e Ministrisë së Drejtësisë së Republikës Popullore Serbe nr. 14197/45 si dhe zyrës së nekrologjisë në Preshevë nr. 146, si dhe në bazë të vendimit  nga Ministria e Drejtësisë nr. 90087/29 dhe rekomandimit nr. 2763/33, dhe në bazë të vendimit Ministrisë së Fesë i datës 17. 04. 1924 me nr. 7307/24, vërtetohet se Ejup Salihu ka punuar si zyrtar nga  korriku i vitit 1914, kurse në Janar të vitit 1933 është avancuar dhe ka punuar si gjykatës i sheriatit Islam.

S’do mend se tërë kjo veprimtari e hoxhës dëshmon qartë për vlerat e tij profesionale. Mulla Ejupi ka vdekur më 15 Janar 1945.

Mulla Fejzullahu kishte mësuar te myftiu Mulla Ejupi deri sa kishte përfunduar me Mulla Xhaminë.

(Shkëput nga libri “Mulla Fejzullah ef. Salihu, myderriz i luginës”)

Shkrime të ngjashme