Namazi, Pyetje-Përgjigje

Falja e namazit gjersa imami mban hutben e xhumasë

Pyetja:
Esselamu alejkum!
Hoxhë i nderuar, a më lejohet të falë sunetin e namazit të xhumasë, gjersa imami është duke mbajtur hutben, apo se duhet të ulem dhe ta dëgjoj atë?

Përgjigjja:
Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim

I nderuar, nga kushtet e namazit të xhumasë është edhe leximi i hutbes pas faljes së 4 reqateve sunet të xhumasë dhe para farzit të xhumasë. Në momentin kur imami apo vaizi ngjitet në Hutbe për të mbajtur ligjëratën, janë disa veprime që nuk lejohet të bëhen, apo më mirë me thënë dispozita e tyre është mekruhi tahrimen (Veprim i rrejtur që është afër haramit).  Nga veprimet që ndalohen gjatë leximit të hutbes janë:

–   Ecja nëpër xhami, apo më mirë thënë, kalimi mbi njerëzit për të kaluar në safët (rreshtat) e parë. Këtë e vërteton rasti kur njëherë Pejgamberi s.a.v.s. ishte duke mbajtur hutben e namazit të xhumasë dhe erdhi një njeri i cili kalonte mbi kokat e njerëzve, e Pejgamberi a.s. i shqetësuar, nga hutbeja, i tha: “Ulu se po bënë mëkat.”[1];

–  Gjithashtu gjatë hutbes ndalohet pazarllëku, gjegjësisht shitja apo blerja e sendeve derisa imami të jetë në hutbe;

– Ndalohet falja e namazit dhe fjalëve tw tjera, derisa imami apo vaizi është duke e mbajtur hutben. Kjo vërtetohet me hadithin e Pejgamberit s.a.v.s. ku ka thënë: “Kur dikush nga ju të hyjë në xhami, ndërsa imami është në hutbe, për të nuk ka namaz, e as fjalë tjera derisa të përfundojë imami (me hutben)”[2] Nga kjo nënkuptohet se personi i cili ka ardhur në xhami me vonesë ditën e xhuma, dhe e gjen imamin – vaizin në hutbe, ai menjëherë duhet të ulet dhe të dëgjojë fjalimin e hatibit, kurse sunetin e xhumasë e prolongon dhe e falë pasi të falë sunetin e fundit të xhumasë.[3]

–  Gjithashtu është mekruh (e urryer) që gjatë hutbes pas teshtitjes t’i thuhet tjetri “Allahu të mëshiroftë”,  ose dhënia dhe marrja e selamit.

–  Po ashtu, është e urryer që gjatë hutbes dikush të ngrihet nga vendi për t’ia liruar tjetrit vendin.

I nderuar mendoj se me këtë e keni të qartë se gjatë leximit të hutbes duhet dëgjuar dhe në atë kohë nuk duhet falur.

Allahu e di më së miri!

______________
[1] Ebu Davudi, Nisaiju
[2] Trasmeton Taberaniu nga Ibni Omeri.
[3] Dr. Ibrahim Salkini, El Fikhul Islami, Ahkamu es-salati 1/324.Universiteti i Damaskut, 1995 Damask.

______________
Jusuf Zimeri
26 Mars, 2011

Lini një Përgjigje

Maqedonisht