Namazi, Shkrime Autoriale

Falja e namazit Kaza

Shkruan: Jusuf  ZIMERI

Sigurisht se të ndikuar nga dijetarët islam si dhe nga terminologjia e jurisprudencës islame, popullata e jonë islame apo më mirë me thënë namazshumica e saj, e kanë të njohur termin “Kaza”, edhe pse ndoshta nuk kanë kapacitet shkencor islam për ta definuar atë mbi parimet e përgjithshme shkencore islame. Me çështjen e kazasë, në gjuhën arabe “el kadau” popullata jonë islame ka nënkuptuar kryerjen e një veprimi jashtë kohës së përcaktuar, respektivisht faljen e namazit që i ka ngelur pa e falur në kohën e përcaktuar për të, ose agjërimin e ndonjë dite të Ramazanit që nuk e kanë agjëruar në kohën e përcaktuar.

Shprehjen  “el kadau-Kaza” e kanë trajtuar dijetarët islamë që nga koha e shpalljes, pra nga koha e Pejgamberit s.a.v.s. e deri më sot. Ky nocion, nga juristët islam (fukahatë) e veçanërisht nga Usulistët është trajtuar aq në detaje si në aspektin etimologjik ashtu edhe në atë terminologjik të saj, në aspektin e elementeve përfshirës dhe pengues të tij, në aspektin bazës argumentuese mbi të cilën ndërtohet terminologjia e  kësaj shprehje dhe shumë elementeve tjera. Me një fjalë, ky term tani nuk është thjesht vetëm një shprehje popullore, por është një terminologji shkencore juridike islame e përkufizuar në detaje, e për këtë më së miri dëshmon literatura e shumtë e kësaj lëmie.

Shprehjen “El kadau-kaza” juristët islamë e definuan: “Kryerja e veprës së urdhëruar pas kalimit të kohës së përcaktuar për të nga ligjdhënësi” siç është rasti me faljen e namazit pas kalimit të kohës së përcaktuar[1]

Falja e namazit Kaza

Duke u mbështetur në burimet autentike islame m lehtësinë më të vogël konstatohet se vlera e namazit është nga esenca e islamit dhe se pasojat nga mosfalja e namazit janë të rënda dhe me pasoja të shumta që ndikojnë edhe tek individi edhe në shoqërinë më të gjërë, edhe në jetën e kësaj bote ashtu edhe në jetën e botës tjetër.

Andaj marrë parasysh rolin dhe rëndësinë e namazit dijetarët islamë këtë shtyllë islame e kanë trajtuar në detaje, jo vetëm si formë të jashtme, por si brendësi. Namazi është detyrim (farz) personal për çdo njeri që është mysliman, moshërritur dhe psikikisht i shëndoshë. Është detyrim që nuk mund të braktiset për asnjë arsye, përveç atyre arsyeve që ekziston tekst për to. Është detyrim që ka kohë të caktuar për kryerje sikur edhe shumë adhurime tjera islame siç janë agjërimi, haxhi etj.

Mirëpo, çfarë ndodhë me namazin nëse i obliguari nuk e ka kryer këtë obligim brenda kohës së përcaktuar, me apo pa arsye juridike islame, si pasojë e ndonjë goditje nga jashtë apo si pasojë e neglizhencës së tij. A ngelë si detyrim (borxh) ky ibadet edhe më tutje pas kalimit të kohës që duhet kompensuar, apo përfundon obligimi i këtij farzi me përfundimin e kohës së përcaktuar për të. Kjo është çështja që ne do të mundohemi të paraqesim mendimet e dijetarëve islam rreth dispozitës së kësaj çështje.

Fillimisht të sqarojmë se mos falja e namazit në kohën e përcaktuar mund të jetë njëra prej këtyre tri arsyeve, që janë:

  1. Mosfalja e namazit, duke kontestuar obligueshmërinë e saj. Kjo dispozitë përfitohet në mbështetje të argumenteve autentike islame prej ku dijetarët islamë kanë formuar konsensus se mosfalësi i namazit i cili njëkohësisht konteston obligueshmërinë e namazit konsiderohet i pa fe (kafir). Kjo vjen si rezultat i argumenteve të prera nga Kur’ani dhe Suneti për obligueshmërinë e namazit, sepse edhe argumente janë të prera e edhe mënyra e argumentimit është e prerë (Kat’iju thubut ved-dilale). Ekziston konsensus se për të dalë nga feja, mjafton që me vetëdije të kontestosh qoftë edhe një fjalë nga Kur’ani, apo një farz (detyrim) nga Islami që për bazë ka argumentin e prerë dhe mënyrën e argumentimit të prerë, siç është namazi, agjërimi, haxhi etj.
  2. Mosfalja e namazit si pasojë e harresës apo ndonjë veprimi që ka penguar falësin duke mos pasur për qëllim braktisjen e veprimit, siç është gjumi. Në anën tjetër, gjithashtu nuk ka asnjë mospajtim mes dijetarëve islamë, që nënkupton se sërish ekziston konsensus me dijetarëve islamë se personi i cili nuk e ka falur namazin në kohën e përcaktuar si pasojë e harresë, apo e gjumit, është i detyruar ta kompensojë, respektivisht ta falë kaza në momentin kur i kujtohet se nuk e ka falur namazin. Argumenti ku mbështetet ky mendim është hadithi i transmetuar nga Enes b. Maliki Radiall-llahu anhu se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:

أَنَسِ بْنِ مَالِكٍ عَنْ النَّبِيِّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ قَالَ مَنْ نَسِيَ صَلَاةً فَلْيُصَلِّ إِذَا ذَكَرَهَا لَا كَفَّارَةَ لَهَا إِلَّا ذَلِكَ وَأَقِمْ الصَّلَاةَ لِذِكْرِي

Kush e ka harruar namazin pa e falur. Le ta falë kur ti kujtohet, për këtë nuk kaefarte tjetër përveç kësaj” (Buhariu).

  1. Mosfalja e namazit si pasojë e neglizhencës, pakujdesjes dhe përtacisë duke  njohur obligueshmërinë e namazit, pra pa mos kontestuar atë. Kjo është tema të cilën do të mundohemi ta shtjellojmë në vazhdim.

Dispozita e faljes së namazit Kaza

Para se të lëshohemi në shkoqitjen e dispozitës së faljes së namazit kaza, pra pas kalimit të kohës, fillimisht të sqarojmë se falja e namazit në kohën e përcaktuar quhet Eda.

Nëse shtjellojmë literaturën përkatëse që trajton këtë lëmi, gjejmë se shumica dërmuese e dijetarëve të mirëfilltë islam janë të mendimin se kryerja e farzit është farz,[2] pa varësisht se kryhet në kohën e vet apo pas kohës së përcaktuar. Pra këta dijetarë janë të mendimit se nëse farzi nuk kryhet në kohën e përcaktuar për të, është obligim (farz) të kryhet Kaza, pas kohës së përcaktuar, pavarësisht se vonimi është bërë me apo pa arsyetim si është sëmundja, udhëtimi, harresa etj. siç është namazi, agjërimi dhe obligimet tjera[3]. Është interesant mendimi i dijetarit bashkëkohor Prof. Dr. El Haxhi Kurdi i cili thotë se, në çështjen se duhet apo nuk duhet të bëhet Kaza obligimi i pa kryer në kohën e përcaktuar, as që ishte temë e diskutimit ndonjëherë për  dijetarët e mirëfilltë islam.

Është me rëndësi të theksohet se disa nga dijetarët eminent islam, siç është Ibni Haxher el Askalani dhe Ibni Kudame etj rreth faljes së namazit kaza kanë bindje se ekziston konsensus nga dijetarët e mirëfilltë islam. Andaj  një mendim i tillë paraqitet edhe në fetvanë zyrtare të lëshuar nga Akademia e fetave në Egjipt më 08. 05. 2011 me nr. 3627, për çështjen e faljes së namazit kaza, përveç tjerash thuhet: Falja e namazit kaza është obligim sipas shumicës dërmuese të fukahave islame nga Selefi dhe Halefi, bile Imam Neveviju sjell konsensus për këtë çështje duke u mbështetur në mendimet e dijetarëve të thuktë islam dhe është i mendimit se ai që ndryshon këtë çështje, ai është larguar nga Ixhmai.[4]

Argumentet për kryerjen e namazit Kaza

Shumica e fukahave dhe Usulistëve Islam janë nga medhhebi hanefij dhe hanbelij si dhe dijetarët e hadithit janë të mendimit se edhe falja e namazit kaza obligohet me të njëjtin argument që obligohet Edaja (falja e namazit në kohën e vet, dhe nuk ka nevojë për argument të ri[5]. Argumentet ku mbështetën mendimin e tyre ky grup i dijetarëve janë;

– Imperativi (urdhri) për kryerjen e veprimit në këtë rast namazit ekziston, kurse shkaku (sebepi) për kryerjen e veprimit (namazit) që është hyrja e kohës, që është shenjë për veprim, pra për kryerjen e farzit. Andaj, derisa qëndron urdhri për veprim të këtij farzi (që është namazi) nënkupton se ky farz nuk mund të eliminohet ndryshe nga obligueshmëria vetëm nëse veprohet, pra zbatohet (falet namazi), e nëse i urdhëruari e kryen në kohën e përcaktuar është liruar nga përgjegjësia dhe nga borxhi, por nëse nuk e ka zbatuar farzin, nuk e ka falur namazin, atëherë nënkupton se ky njeri nuk është liruar nga përgjegjësia dhe se namazi i ka ngelë borxh i cili mund të eliminohet vetëm me kryerjen e tij kaza. Pra, kryerja e farzit në kohën e përcaktuar, është kryerje e plotë dhe eliminim i përgjegjësisë, kurse me kalimin e kohës farzi nuk eliminohet pa veprim, por për shkak se nuk është kryer në kohën e përcaktuar, tani ai kryhet kaza në mënyrë të mangët, andaj edhe pikërisht te kjo mangësi qëndron edhe përgjegjësia dhe mëkati i mos faljes në kohë. Këtë e vërteton edhe vetë kuptimi dhe definomi i nocionit Kaza, sepse sikur për kryerjen e Kazas të ketë argument të ri, atëherë veprimi do të ishte eda e jo kaza.

Kalimi i kohës dhe mos kryerja e veprimit të përcaktuar në të Eda, detyrimisht na jep tre alternativa dhe nuk mund të pranojë të katërtën, e që janë:

Alternativa e parë: Të falet- të lirohet nga detyrimi i tërësishëm dhe mos kryerja e namazin në kohën e vet të mos ngelë si borxh dhe të të ketë argument për mos kërkimin e tij. Kjo alternativë eliminohet menjëherë sepse nuk mund të falet pa veprim konkret, andaj edhe falja kaza është obligim sipas të gjithë dijetarëve pavarësisht se i takojnë mendimit se kazaja vërtetohet me argumentin e edasë, apo me argument të ri.

Alternativa e dytë: Të vërtetohet mëkati me vërtetim që nuk mund të ngritët ai mëkat pa kryerje të kazasë. Edhe kjo alternativë me automatizëm bie nga kombinimi, sepse mëkati nga mos falja e namazit në kohën e përcaktuar përmban dy mëkate që janë: mëkati i parë është vonimi i namazit nga koha e përcaktuar, e këtë nuk ka mundësi ta kompensojë njeriu në asnjë mënyrë, prandaj pendohet dhe kërkon falje nga Allahu xh.sh., dhe mëkati i dytë është mos kryerja e veprimit si farz, e ky mos veprim ka ngelur si borxh që mund të kompensohet me falje kaza.

Alternativa e tretë: Namazi të ngelë si borxh edhe pas kalimit të kohës, ashtu si ishte në borxh në kohën e vet.

Meqë eliminuam dy alternativat, të parën dhe të dytën, atëherë konstatohet se namazi ngelë borxh edhe pas kalimit të kohës së përcaktuar për të në formën si është ligjësuar në fillim.

Argument tjetër për faljen e namazit kaza kemi edhe hadithin më parë përmendur ku Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: Kush e ka harruar namazin pa e falur. Le ta falë kur ti kujtohet, për këtë nuk kefarete tjetër përveç kësaj” (Buhariu).

Mënyra e argumentimit me këtë hadith është se, përderisa Pejgamberi s.a.v.s. ka urdhëruar që personi i cili ka harruar ose e ka zënë gjumi dhe i ka kaluar koha e namazit pa e falur atë, është i detyruar ta falë kaza në momentin kur t’i kujtohet. Në bazë të këtij hadithi është formuar edhe ixhmai i fukahave se për shkak të harresë dhe gjumit namazi duhet të falet kaza. Andaj, përderisa ekziston argument nga suneti dhe konsensus (ithma) nga dijetarët islam për faljen kaza të namazit me harresë që konsiderohet arsyetim, atëherë falja e namazit kaza pa kurrfarë arsyetimi është edhe më me përparësi se kjo. Në anën tjetër, Pejgamberi a.s. përmes hadithi sqaron se ai që e ka harruar namazin, pa e falur në kohën e vet, ai lirohet nga përgjegjësia e mos faljes në kohë, por jo edhe nga përgjegjësia e mos zbatimit, andaj edhe kërkon zbatimin, kurse ai i cili nuk e ka falur nga neglizhenca, nga përgjegjësia e zbatimit mund të lirohet vetëm me zbatimin e veprimit, kurse nga përgjegjësia e mos faljes në kohë vetëm përmes pendimit. Për këtë arsye edhe Ibni Haxher el Asklani duke sqaruar këtë hadith thotë se Pejgamberi a.s. ka përmendur atë që është më e ulët, që të kuptohet ajo që është më e madhe. Kurse dijetarët e medhhebit hanefij këtë hadith e shpjegojnë edhe nga këndvështrimi i signifikacionit të shprehjeve përmes Dilaltu en-nasi, që nënkupton se përmendet një çështje më e ulët, e që vetvetiu ndalon apo lejon çështjet tjera që janë më të mëdha për rastin konkret. Rast konkret nga Kur’ani kemi ajetin kur’anor ku Allahu xh.sh. thotë: “dhe mos u thuaj atyre (prindërve) of.”  Nëse shkojmë në kuptimin sipërfaqësor të ajetit, siç po tentohet të kuptohet edhe hadithi që ka të bëjë me kazanë, atëherë nënkuptojmë se thesht është e ndaluar vetëm shprehja Of që ti thuhet prindërve, por maltretimi fizik ndaj tyre nuk qenka i ndaluar. Ky shpjegim në këtë formë nuk ka as shije racionale e as shije shkencore e të mos flasim islame, ngase Allahu xh.sh. ndaloi sjelljen e keqe ndaj prindërve qoftë ajo edhe vetëm një fjalë më e ulët që përbëhet prej dy shkronjave, e të mos flasim për veprime më të rënda.

Argument tjetër për obligueshmërinë e namazit kaza është edhe hadithi i Pejgamberit s.a.v.s. i transmetuar nga Ibni Abasi r.a. ku Pejgamberi a.s. thotë: “Borxhi i Allahut është më me përparësi që të shpaguhet”, e namazi është borxh që detyrimisht duhet kryer qoftë edhe Kaza.

Për në fund, çdo musliman që është i moshës madhore dhe psikikisht i mençur, ka për obligim që të plotësoj namazet e tij Kaza sa më shumë që është e mundur derisa të mendoj se nuk i ka ngelur asnjë namaz pa e falur.



[1]Dr, Vehbi Zuhejli, Usulu fikhil islami 1/56 Damask,

[2] Dr. Vehbi Zuhejli, Usulu fikhil islamij. 2/57 Darul fIkri 1998. Damask

[3] .Dr. Ahmed Haxhi el Kurdi, Buhuth fi ilmil usulil fikhi. Damask – Taxhedin Bislimi, hyrje në shkencën e suli fikut, f.189 Shkup 2003

[5] Dr. Ahmed Haxhi el Kurdi, Buhuth fi ilmil usulil fikhi. Damask .

Lini një Përgjigje

Maqedonisht