Falja e sunnetit para namazit të Xhumasë

Autor: Jusuf ZIMERI

(Qasje fikhore)
Gjatë leximit një ditë hasa në një mendim shumë interesant nga Shejh Albani i përforcuar edhe Shejh Ibn Bazi, e që të dy të mbështetur te thënia e Ibni kajim El Xhevziut, se nuk ekziston namaz nafile para farzit të xhumasë. Të them të drejtën ky mendim që në fillim mu duk kontraverz, andaj nuk munda ta tejkaloj çështjen aq lehtë, andaj më detyroi të bëjë një studim pak më të thellë në literaturën islame për të parë se si e kanë shpjeguar fukahatë e mirëfilltë islamë këtë çështje. Para se të filloj të paraqes rezultatet e hulumtimeve që i bëra në literaturë, po paraqes mendimin e Shej Ibn Bazit, Shej Albanit dhe Ibni Kajimit (rahimehumull-llah).

Thotë Ibn Kajim El-Xheuzij: “E kush mendon se ata (sahabet) pasiqë ka përfunduar Bilali (radijallahuanhu) me ezanin, janë ngritur të gjithë dhe i kanë falur nga dy rekatë, ai është njeriu më injorantë ndaj sunnetit”. (kjo është kështu porse askush nuk ka thënë, e as që praktikohet tek ne, se pas ezanit të dytë duhet të falen dy apo më shume rekate, andaj kjo është e qartë)

Thotë Shejh Albani (rahimehullah): Dhe të gjitha hadithet që kanë ardhur se ai (salallahualejhiveselem) ka falur sunnet para farzit të xhumasë, secili transmetim prej tyre është më i dobët se tjetri.

Thotë Shejh Ibn Bazi (rahimehullah): Nuk ka sunnet para farzit të xhumasë, ngase kjo nuk është vërtetuar prej Pejgamberit (salallahualejhiveselem), e as prej sahabeve.[1]

Unë nuk jam i prirë e as i thirur të komentoj apo shpjegoj mendimet e këtyre dijetarë, por vetëm paraqita mendimin e tyre, kurse në vazhdim do të paraqes rezultatet nga hulumtimi shkencor në këtë çështje duke u mbështetur në mendimet dhe metodologjinë shkencore që e kanë përdorur fukahat islam deri te konkluza për faljen e namazit sunnet para farzit të xhumasë, sepse sigurisht këtë nuk e kanë bërë nga Hamadja e tyre por nga bazat autentike islame.

Në trevat tona si dhe në mbarë rruzullin tokësor ku jetojnë muslimanët është i njohur fakti te besimtarët islamë se namazi i xhumasë zëvendëson namazin e drekës ditën e xhuma, për ata që plotësojnë kushtet ebligueshmërisë së namazit të xhumasë. Nga kjo nënkuptohet se namazi i xhumasë falet në të njëjtën kohë kur falet edhe namazi i drekës, dhe ata që falin namazin e xhumasë shkarkohen nga obligueshmëria e namazit të drekës, me përjashtim të atyre që nuk plotësojnë ndonjë nga kushtet e namazit të xhumasë siç është sëmundja, seferia, femrat etj, që duhet të falin namazin e drekës. Kur themi se namazi i xhumasë zëvendëson namazin e drekës nuk nënkupton edhe formën e namazit sepse për ndryshe nuk do të quhej namazi i xhumasë por i drekës. Ky është mendimi i të gjithë dijetarëve –fukahave islam nga të katër shkollat juridike islame (medhhebeve). Gjithashtu dihet fakti se farzit të drekës i bashkëngjiten namaze sunnete si para tij ashtu edhe pas. Por cili është qëndrimi i dijetarëve islam rreth namazit të xhumasë, respektivisht farzit të xhumasë, a ka namaze sunnete para dhe pas këtij farzi apo jo?  Në lidhje me këtë do të paraqesim mendimet e dijetarëve islamë nga shkolla të ndryshme dhe argumentet e tyre.

Sunnetet para farzit të xhumasë.

Fukahatë e medhhebit hanefij[2] dhe të medhhebit Shafiij[3] janë të mendimit se sunneti para xhumasë është identik me sunnetin para farzit të drekës si në dispozitë, në kohë dhe në numër. Mendim pak a shumë identik kanë edhef fukahat e medhhebit Hanbelij[4]  të cilët janë të mendimit se para farzit të xhumasë nuk ka sunnete që ndërlidhen me farzin, pra që ne i quajmë (sunnetu revatib) që ndërlidhen me farzin e xhumasë por, sipas tyre është e rekomanduar (mustehab) që para farzit të falen katër rekate namaz sunnet nafile të lira pa i identifikuar me sunnetin e xhumasë. Nga kjo nënkuptohet se këta fukaha nuk e kanë temë diskutimi ekzistimin apo mos ekzistimin e namazit sunnet para farzit të xhumasë, siç e paraqet Shej Ibn bazi dhe Shejh Albani, porse temë e diskutimit të tyre është  çështja se ky namaz sunnet para farzit të xhumasë a është sunnet i xhumasë, apo është sunnet i lirë i pa përcaktuar në kohë, andaj mendoj se dallimi mes këtyre dy çështjeve është esencial në këtë temë.

Dijetarët – fukahat islamë që mbështesin dhe mbrojnë mendimin e tyre se para farzit të xhumasë ekziston namaz sunnet që duhet falur, mbështetin në këto argumente:

  1. Transmetohet nga Ibni Mes’udi r.a. i cili i falte katër rekate para namazit të xhumasë dhe katër rekate pas farzit[5]. Dijetarët na e sqarojnë se ky ishte qëndrim i Pejgamberit s.a.v.s. e nuk është nga Ixhtihadi i tij. Por, edhe sikur të ishte nmha Ixhtihadi i tij meqë ky Sahabij jo vetëm që ka jetuar bashkë me Pejgamberin a.s. por ishte edhe afër tij, e sikur të kishte qenë qëndrim i gabuar sigurisht se Pejgamberi a.s. do ta përmirësonte nga gabimi, e për një gjë të tillë nuk kemi të dhëna, andaj konsiderohet se për këtë veprim është dhënë pëlqim nga Pejgamberi s.a.v.s.
  2. Në thënien e Pejgamberit s.a.v.s. se mes çdo dy ezaneve ka namaz, këtë e ka thënë dy herë e herën e tretë tha: për ata që dëshirojnë.[6] Këtu nuk është për qëllim dy ezanet ditën e xhuma, por është për qëllim mes ezanit dhe ikametit, sepse në kohën e Pejgamberit ditën e xhuma thirrej vetëm një ezan.
  3. Transmetohet nga Abdullah b. Zubejri r. a. hadithi që është “Merfu” ku thuhet: nuk ka ndonjë namaz  farz e që para duarve të mos ketë dy rekate sunnet.[7] Në këtë hadith paraqitet formna e gjithëpëtfhsieshmërisë që nënkuptonë se në të  përfshihen të gjitha farzet përfshirë edhe farzin e xhumasë. Ibni Haxheri r.a. gjatë shpjegimit të kësaj çështje ka thënë: Argumenti më i fuqishëm ku dijetarët islamë mbështesin mendimin e tyre për ligjësimin e sunnetit para farzit të xhumasë është hadithi që Ibni Hibani e konsideron sahih i transmetuar nga Abdullah b. Zubejri.[8]
  4. Transmetohet nga Ibni Abbasi r.a.  i cili ka thënë: Pejgamberi i Allahut s.a.v.s. para namazit të xhumasë i falte katër rekate dhe nuk i ndante me asgjë (pra me një selam)[9] Edhe pse këtë hadith dijetarët e kanë cilësuar si të dobët, këtë hadith e vërtetojnë hadithet tjera që janë sahiha e që i përmendëm më parë. Pras nëse nëse një hadith vlerësohet i dobët, por i njëjti hadith transmetohet nga rrugë tjera, për tematikë të njëjtë, e veçanërisht hadithet kur janë sahiha, rritet fuqia e hadithit të dobët. Në fund të fundit hadithi Daif (i dobët ) nuk nënkupton të mos veprohet me të vetëm se është i dobët, dhe nuk ka argument tjetër që mohon të vepruarit me atë hadith. Mendoj se dijetarët kanë dhënë sqarime të thukta se kur mund të përdoret hadithi Daif si argument.
  5. Transmetohet nga Ibni Omeri r.a. se ai e zgjate namazin para xhumasë dhe falej pas farzit dy rekate në shtëpinë e tij, dhe tregon se kështu ka vepruar edhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s.[10] Që nënkuptonë se Ibni Omeri në këtë çështje ka vepruar sipas sunnetit të Pejgamberit s.a.v.s.
  6. Transmetohet nga Xhabiri r.a. i cili ka thënë: derisa Pejgamberi s.a.v.s. ishte duke mbajtur hutben ditën e xhumasë, erdhi një njeri në xhami dhe u ul, e Pejgamberi s.a.v.s. i tha: A je falur o Filan? Jo tha ai. Pejgamberi a.s. i tha: Çohu dhe fali dy rekate.[11] Ky hadith na paraqitet i komentuar në transmetimin e Ibni Maxhes nga Ebu Hurejreja r.a. i cili ka thënë: Derisa i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte duke ligjëruar në hutbe erdhi Sulejk El Gatafani dhe i tha atij: A i ke falur dy rekate para se të vish këtu? Tha jo. Pejgamberi a.s. tha: Fali dy rekate dhe tejkaloj ato.[12]. Mendoj se nga ky hadith qartë nënkuptohet se Pejgamberi a.s. e ka pyetur për faljen e sunnetit para farzit të xhumasë sepse e kishte pyetur a është falur para se të kishte ardhur në këtu në xhami, e nuk kishte për qëllim namazin për nderë të xhamisë (tehijjetul mesxhid), sepse këtë e kishte të qartë Pejgamberi a.s. ngase e kishte parë që në hyrje të xhamisë.
  7. Koha e namazit të xhumasë është koha e namazit të drekës, andaj edhe sunnetet e xhumasë janë ngjashëm me sunnetet e drekës. Kjo ishte edhe arsyeja që e shtyri Imam Buhariun që në sahihun e tij regjistrojë titullin “namazi pas xhumasë dhe para tij”, e pastaj e përmendi hadithin e Ibni Omerit r.a. se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. para farzit të drekës i falte dy rekate sunnet e edhe pas farzit dy rekate, pas farzit të akshamit dy rekate në shtëpinë e tij e edhe pas namazit të jacisë dy rekate, pastaj nuk falej pas farzit derisa kthehej dhe i falte dy rekate.[13]. Nga kjo nënkuptohet se Imam Buhari është i mendimit se namazi i xhumasë është i ngjashëm me namazin drekës edhe pse Ibni Omeri në transmetimin e tij kishte theksuar faljen e dy rekateve pas farzit të xhumasë e nuk kishte theksuar asgjë për namazin para farzit. Sepse imam Buhariu është i mendimit se ajo që përmendet para namazit të drekës e njëjta vazhdon edhe për namazin e xhumasë, andaj e titulloi këtë temë “namazi pas xhumasë dhe para tij”.

Në saje të të gjitha këtyre argumenteve nga sunneti i Pejgamberit s.a.v.s. , nëse me seriozitet kësaj tematike i bëjmë një studim më të hollësishëm përfshirë elaborimet dhe mendimet e fukahave si dhe argumentet e tyre, konstatojmë se të gjitha medhhebet (Hanefij, Malikij, Hanbelij dhe Shafij) janë të mendimit se para farzit të xhumasë ekziston namaz nafile dhe një namaz i tillë është i ligjësuar dhe ka bazë në islam, që praktikisht falet para se imami të ngjitet në hutbe që nënkupton se hedhen poshtë të gjitha dilemat e mosekzistimit të namazit sunnet para farzit të xhumasë. Pra ajo që e përm,endëm edhe më parë është fakti se ndryshimet e mendimeve për të cilat polemizuan dijetarët islamë është trajtimi që i jepet këtij dispozitës së këtij sunneti, a thua është namaz nafile i pa kushtëzuar me kohë siç mendojnë dijetarët e medhhebit Malikij dhe Hanbelij që falet para ezanit të dytë, apo këto rekate namaz nafile kanë trajtimin e sunneteve që i bashkëngjiten farzit të xhumasë e që falen para farzit të xhumasë siç mendojnë dijetarët e medhhebit Hanefij dhe Shafij. Kjo është edhe konkluza e përfituar nga argumentet autentike islame që e kanë përfituar dijetarët e mirëfillt islam nga shkollat juridike islame.

Për në fund para se të përfundoj të paraqes edhe mendimin e  disa dijetarëve eminent nga kjo sferë siç është Ibni Rexhebi r.a. i cili thotë: Namazi pas kalimit të zevalit (zenitit) ditën e xhuma është i rekomanduar, për këtë nuk dimë se ka ndonjë mendim tjetër në mes të dijetarëve, dhe askush nga dijetarët nuk ka thënë se namazi nafile para farzit të xhumasë është i urrejtur, bile të thuhet kështu është largim nga ixhmai (konsensusi) e kjo nuk është e lejuar. Për këtë ai ka sjellur argumente të shumta nga sahabët – shokët e Pejgamberit s.a.v.s.. Ai thotë se për këtë dijetarët islamë kanë polemizuar vetëm për faktin se namazi nafile para xhumasë a është nga sunnetet që i bashkëngjitet farzit të xhumasë siç është sunneti i drekës, apo është sunnet i preferuar siç është sunneti para iqindisë. Porse sipas tij shumica e dijetarëve islam janë të mendimit se ky sunnet është nga sunnetet që i bashkëngjitet farzit të xhumasë. Të këtij mendimi janë Imam Evzaiu, Imam Ebu Hanifja bashkë me dijetarët tjerë hanefij, Imam Thevriju, Imam Ahmedi, dijetarët e  medhhebit Shafij etj.

Ibni Kudame në veprën e tij El Mugni  thotë: Sa i përket namazit para farzit të xhumasë, unë nuk di tjetër vetëmse tranmsmetimet se Pejgamberi s.a.v.s. i falte katër rekate para farzit të xhumasë. Ibni maxheh. Transmeton Amr  b. Seidi b. Asi nga babai i tij i cili ka thënë: Unë i takoja shokët e Pejgamberit s.a.v.s. e kur kalonte dielli nga zeniti, ata ngriheshin dhe i falnin nga katër rekate.

Sa i përket sunnetit pas farzit të xhumasë nuk është çështje dikutavile andaj edhe mjafton vetëm të përmendim një qëndrim të shkurtë. Të gjithë dijetarët islam nga të gjitha medhhebet janë unik në mendimin se pas farzit të xhumasë ekzistojnë edhe sunnete të xhumasë. Kjo dispozitë mbështetet në hadithin e Pejgamberit s.a.v.s. ku ka thënë: “Ku ndonjëri nga ju të falë namazin e xhumasë, pas farzit le ti falë katër rekate”.[14]


[1] Teksti është marrë në përkthim në gjuhën shqipe nga O.Berisha.

[2] El Ihtijar 1/2228

[3] El Minhaxh 1/216

[4] Shih Nejlul Mearib 1/70, El Kafi 1/300,

[5] Termidhiu 2/399 nr. 523

[6] Imam Buhariu nr. 627

[7] Ibni Hibbani në Sahihun e tij nr. 2488

[8] Fet’hul Bari, 3/351.

[9] Ibni Maxheh nr. 1129

[10] Suneni i Bejhekiut 2/349 dhe Sahihu i Ibni Hibbanit 6/220.

[11] Buhariu nr. 888 dhe Muslim nr. 875.

[12] Ibni Maxheh 1114

[13] Buhariu nr. 895

[14] Imam Muslimi  nr. 2073

Shkrime të ngjashme