(Ky ka qenë fjalimi i recensentit Hfz. Irfan ef. Abazi me rastin e promovimit të librit “FIKHU ISLAM Dispozita na namazi, agjërimi, zeqati dhe haxhi” të autorit Jusuf Zimeri, mbajtur më 23. 11. 2012 në Kumanovë)

Të respektuar të pranishëm, ndihem i nderuar që sot para jush të japë mendimin tim rreth veprës “FIKHU ISLAM- dispozita nga namazi, agjërimi, zeqati dhe haxhi” të autorit Jusuf ef. Zimeri.

Të nderuar, nëse librin e shikojmë nga aspekti tematik që trajton,  mund të themi se nuk janë tema të pa njohura për muslimanët e këtij nënqielli, sepse për hir të së vërtetës duhet theksuar se këto tematika janë shtjelluar nga shumë autor vendas, mirëpo, nëse këtë botim e shikojmë nga aspekti përmbajtjesor dhe nga aspekti i mënyrës së argumentimit të dispozitave të shkencës së fikhut, atëherë mendoj  se dallon nga botimet tjera të kësaj lëmie për shumë aspekte.

Fillimisht t’ju njoftojë se Libri është ndarë në gjashtë kapituj kryesorë, duke filluar nga kapitulli i parë që autori fillon me definimin e shkencës së fikut ndarjen e saj, burimet e kësaj shkence, shkollat juridike, etapat e zhvillimit të kësaj shkence, metodologjia e përfitimit të dispozitave juridike islame e deri te terminologjia e fikut nga shkolla juridike hanefite.  Pastaj në kapitullin e dytë, autori  kalon te pastërtia fizike dhe ajo shpirtërore, duke përfshirë edhe mjetet dhe metodat e pastërtisë. Në kreun e tretë autori fletë për namazin si shtyllë esenciale islame, përfshirë këtu të gjitha kushte dhe shtyllat e namazit, si dhe shumë dispozita tjera rreth namazit. Në kreun e katërt autori flet për shtyllën tjetër të islamit që është agjërimi, pastaj kreu i pestë i përkushtohet zeqatit dhe kreu i gjashtë i përkushtohet haxhit si postullatë islame.

Të nderuar të pranishëm, jo rastësisht thashë më parë se nga aspekti tematik kjo libër nuk dallon shumë nga librat tjerë që shtjellojnë këtë materie, por unë që pata nderin të jem si recensent i këtij libri, e për këtë e falënderoj autorin, sot para jush do të mundohem të paraqes  veçoritë që e dallojnë këtë libër nga librat tjerë, e që janë:

  1.  Kapitulli i parë është karakteristika më kryesor që e dallon këtë libër nga të gjitha librat tjerë në gjuhën shqipe. Themi se është karakteristikë e kësaj vepre, sepse  autori me plotë seriozitet dhe përgjegjësi ka bërë një studim mjaft të detajuar, konciz dhe të saktë në definimin e kësaj shkence. Gjithashtu autori fletë edhe për etapat e zhvillimit të kësaj shkence, për formimin e shkollave juridike islame (medhhebeve) dhe mënyrën e funksionimit të këtyre shkollave e me theks të veçantë për funksionimin e medhhebit hanefij që autori shpeshherë e përshkruan edhe me nocionin akademi. Është shumë interesant se si autori Jusuf Zimeri në këtë vepër paraqet edhe rangimin e dijetarëve të medhhebit hanefij në bazë të kritereve shkencore dhe literaturën bazë të kësaj shkolle juridike islame.

Me këtë kapitull autori jep shumë mesazhe për lexuesin, dhe bënë shumë sqarime për myslimanët tonë, se kjo shkencë është kultivuar nga dijetar të ngritur nëpër shekuj, dhe në këtë mënyrë i mposhtë shumë zëra që pa ndërprerë po paraqiten në skenë si këpurdhat pas shiut, se kinse islami, dituria dhe shkenca e fikut po lind me këta, e para tyre ishte errësirë.  Këto të dhëna shkencore të nderuar të pranishëm, keni rastin ti lexoni në këtë vepër që e dallon nga veprat tjera.

2. Karakteristikë tjetër që e dallon këtë vepër të Jusuf Zimerit nga veprat tjera të fikhut në gjuhën shqipe, është edhe mënyra e argumentimit të dispozitave islame. Autori në këtë vepër në mënyrë të shkëlqyeshme paraqet mendimet e dijetarëve islam, duke i mbështetur në argumente autentike islame. Andaj ka bërë përpjekje maksimale që për çdo mendim të paraqitur, menjëherë ti bashkëngjisë edhe argumentin.

3. Edhe pse kjo vepër konsiderohet se është vepër e fikhut ku çështjet i paraqet sipas medhhebit hanefij, ashtu si deklaron edhe vetë autori në parathënien e librit dhe këtë e arsyeton me fakte, sërish nuk ka nguruar që shpeshherë të paraqes edhe mendimet nga dijetarë të shkollave tjera që përfaqësojnë Ehli Sunnetin. Me këtë autori sikur dëshiron të përcjell mesazh te lexuesi, se ekzistimi i mendimeve të shumta të argumentuara, nuk është përçarje e as mosmarrëveshje mes dijetarëve islam, siç po tenton ti paraqes dikush, por kjo paraqet lirinë e të menduarit, respektin ndaj mendimit të tjetrit, dhe në fund të fundit është një thesar i madh që është dhuratë nga Allahu xh.sh. , sepse me këtë mposhte teoria e njëmendësisë që nuk ka të bëjë me islamin.

4. Karakteristikë shumë e theksuar e kësaj vepre në krahasim me librat tjerë të fikhut, është se autori në këtë vepër, vëmendje të veçantë i përkushton çështjeve të cilat çdo ditë e më shumë po bëhen pika të ndarjes dhe përçarjes së myslimanëve në trevat tona, deri në atë nivel saqë po humbet edhe estetika e adhurimit dhe islamit. Dilemat që kohëve të fundit po shpalosen në opinion nga individë të pa licencuar apo me licenca të rrejshme, autori i varros përmes argumenteve të fuqishme që dijetarët islam i elaboruan përmes shkencës së Usuli Fikhut, që konsiderohet si filtri kryesor për pastërtinë, kristalizimin dhe vlefshmërinë e dispozitës.

Të nderuar të pranishëm, nga çështjet e tilla që autori Jusuf Zimeri i trajton në mënyrë të veçantë  e që e karakterizojnë këtë vepër, do të kisha theksuar: çështja e leximit të Fatihas në namaz dhe dispozitat që ndërlidhen me të, çështja e leximit të kur’anit për të vdekurit tanë, çështja e lutjeve pas namazit, çështja e faljes së namazit të teravisë 20 rekate, çështja e faljes së katër suneteve para farzit të xhumasë,, çështja  e faljes së namazit të drekës pas namazit të xhumasë, çështja e faljes së namazit Kaza etj etj çështje këto që katër shkollat juridike islame që përfaqësojnë Ehli sunetin janë unik  në mendimin e tyre për ligjësimin e këtyre veprimeve, kurse ata të cilët kontestojnë këto çështje në emër të jomedhhebizmit janë nga fraksione të ndryshme që nuk duhet të kenë vendin në mesin tonë. Tërë këto çështje autori i këtij libri i vërteton në baza shkencore dhe mposhtë interpretimet sipërfaqësore nga individë të pa ngritur shkencërisht.

5. Karakteristikë tjetër që dallon këtë libër nga librat tjerë të fikut në gjuhën shqipe, është edhe një risi që e përdorë autori disa herë në libër, ku shpjegon çështje të shpërndara të fikhut, që vështirë është të gjenden në libra tjerë.

6. Autori jep sqarime shumë koncize dhe të qarta edhe në lëmin e agjërimit zeqatit dhe haxhit.

7. Gjatë shpjegimit vërehet se autori nuk është ithtar i fanatizmit sepse me plotë vullnet dhe dashamirësi e respekt aty ku ndihej nevoja autori sjellë edhe mendime të dijetarëve eminent bashkëkohor pavarësisht nga cili medhheb i takojnë, por autori nuk ngatërron çështjet e mendimit të medhhebeve sepse ato i sqaron pastër dhe rrjedhshëm.

Në fund të nderuar të pranishëm, libri ka edhe shumë karakteristiak tjera që e dallojnë nga librat tjerë të fikhut, por në mungesë të kohës bëra përpjekje të veçoj disa më kryesore prej tyre. Anadaj vlerësoj se ky libër është domosdoshmëri të gjendet në çdo familje islame, sepse udhëzon besimtarët islam drejti ibadeteve në rrugën e shëndoshë.  Dhe krejt në fund, i falënderoj autorit dhe këshillit organizativ të këtij promovimi që ma besoi vlerësimin e librit, dhe juve ju falënderoj për durimin që patët të më dëgjoni, kurse autorit i dëshirojmë suksese, shëndet dhe të mira në jetë, kurse ne  shpresojmë që kjo vepër të mos jetë vepra e fundit e tij, por edhe më tutje të na freskoj me punime shkencore islame. Allahu e bekoftë, ves-selamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu

Shkrime të ngjashme