Fjala e recensentit Jusuf Zimeri

(Ky ka qenë fjalimi i recensentit Jusuf Zimeri me rastin e promovimit të librit “Medreseja Medah e Ataullah ef. dhe nxënësit e saj” të autorit Mr. Taxhedin Bislimi, mbajtur më 23. 11. 2012 në Kumanovë)

Të nderuar të pranishëm, ndihem privilegjuar që më është dhënë rasti të them disa fjalë për rreth vlerësimit të kësaj vepre, por njëkohësisht ndihem edhe i emocionuar kur kam parasysh veprën e madhe të protagonistëve gjigant që autori paraqet në këtë vepër.

Vepra “Medreseja Medah e Ataullah ef. dhe nxënësit e saj, e autorit Mr. Taxhedin Bislimi, për lexuesin shqipfolës, jo vetëm që ndriçon një periudhë të errët të zhvillimit dhe kultivimit fetar dhe kombëtar në këto troje, por njëkohësisht autori përmes kësaj vepre, përmes fakteve, argumenteve dhe dokumenteve, baltos edhe shumë teza e teori që u kultivuan dekada me radhë në këtë nënqiell. Andaj, mendoj, se autori i këtij teksti kur kishte vendosur ti qaset këtij studimi, ishte në shkallën më të lartë të vetëdijesimit dhe përgjegjësisë morale, islame, kombëtare e atdhetare, gjithnjë duke përfillur kriteret shkencore, edhe pse mirë i dinte peripecitë dhe sfidat me të cilat do të ballafaqohej me to. Ai ishte i vetëdijshëm ashtu se, siç thotë vetë ai “të flasësh për dijetarët, kolosët, veprimtarët, atdhedashësit që sakrifikuan për ruajtjen e islamit, kombit dhe atdheut është përgjegjësi morale,, më pas autori me shumë kujdes nënvlerëson heshtjen kur thotë: “kurse heshtja dhe mos ndriçimi i veprimtarisë së tyre është krim dhe tradhti”.

Autori në këtë vepër flet për veprimtarinë e kolosëve, dijetarëve dhe atdhetarëve që kishin lindur nga nënat shqiptare myslimane, që ishin bij të kësaj toke, kishin dalë nga ky popull, ishin rritë dhe edukuar në gjirin e këtij populli, vepronin dhe jetonin me këtë popull, kishin absorbuar nga nektari i dashurisë së atdheut, andaj, këta dijetar burra me plotë kuptimin e fjalës dhe atdhetar, promovonin vlera dhe bindjen se ky truall, ky popull dhe vetë ata si pjesë e pandashme e tyre mund të frymojnë lirshëm vetëm atëherë kur janë në vatanin e tyre, me fenë e tyre, me idealin e tyre, për të cilin vlen të jetohet vetëm me te, ose të vdiset për te.

Protagonistët e kësaj vepre, siç paraqet autori i librit Mr. Taxhedin Bislimi, parajsën e kësaj bote e shihnin vetëm në vendin dhe atdheun e tyre si kopsht ku kultivohet dashuria, paqa, sinqeriteti, vëllazëria, humanizmi e toleranca, si vend ku do të rrezatonte dituria, shkenca, kultura, atdhedashuria dhe vlerat tjera morale dhe njerëzore. Këtë ide në shpirtin e tyre e bartnin si amanet nga gjeneratat e kaluara dhe si përgjegjësi për ta bartur te gjeneratat e reja. Këtë ndoshta më së miri do ta dëshmonte fjalia e mësuesit të tyre Ataullah ef, ku para nxënësve të tij dhe mbarë opinion, pa ndërpre përsëriste refrenin e tij duke thënë: “Turqia nuk është Parajsë, por këto toka shndërroni në parajsë duke i kultivuar ndjenjat fetare, patriotike, arsimore, edukative, kulturore, tregtare etj. Mos braktisni këto vende të cilët paraardhësit tanë i mbrojtën me gjak”.

Ataullah ef. i pa kënaqur me gjendjen e popullit të tij veçanërisht pasi që mbretëria SKS që nga shtatori i vitit 1919 kishte filluar kolonizimin e tokave shqiptare, fillimisht i bashkëngjitet patriotëve të kohës përmes Xhemijetit (që ishte formuar si parti politike më 18 dhjetor 1919, pastaj përmes Lëvizjes Kombëtare për Çlirim e Bashkim. Qëllimi i kësaj lëvizje ishte që t’i bashkojnë të gjitha viset shqiptare dhe të jetojnë nën një pushtet, ata nuk mundën as të paramendojnë e jo më të pranojnë një shtet shqiptar i cili në të gjitha anët e saj të kufizohej me vetveten. Ideja se edhe Shkupi dhe qytete tjera jashtë trungut të Shqipërisë janë shqiptare ishte parim i kësaj lëvizje. Lëvizja Kombëtare për Çlirim e Bashkim (LKÇB) për të shprehur mllefin e tyre, në mbledhjen e mbajtur në Bojali Han në Shkup vendosi që më 10 Maj 1941 në Shkup organizojnë demonstratën nën Moton: edhe Shkupi e Kumanova janë Shqiptare. Edhe pse dikush tentoi që këto ti paraqes si turq, demonstruesit në kokë mbanin plisa të bardhë, e në këtë demonstratë morën pjesë edhe nxënësit e Medresesë së Isa Beut në krye me hoxhën e tyre Bedri ef. Hamidin që ishte nxënësi e Ataulla efendiut.

Ataullah ef.  dhe nxënësit e tij, assesi nuk mundën ta durojnë Shkupin me frymëmarrje sllave, e këtë më së miri e shprehi Ataullah ef. duke thënë: “Mos më daltë shpirti pa e parë flamurin shqiptar duke valëvitur mbi kalanë e Shkupit”.

Të nderuar të pranishëm nëse tërheqim një paralele mes vizionit të atëhershëm të Ataullah ef. dhe asaj që sot po ndodhë në Kalanë e Shkupit, qartë na del në sheh, se neas për së afërmi nuk i kemi qëndruar besnik fjalëve të atij vizionari të asaj kohe.

Të nderuar të pranishëm!

Nxënësit e Medah Medresesë ishin në luftë të përhershme edhe me idenë komuniste që përhapej nga dita në ditë. Këtë e konfirmojnë shumë fakte, por të njëjtë e konfirmoi edhe Komiteti Qendror i Partisë Komuniste (KQPK) më 25. Maj. 1946, ku grupin e Ataullah ef. e quajti si grup reaksionar. Përderisa nxënësit e Medah Medresesë si dhe shumë hoxhallarë tjerë, që atëherë e kishin kuptuar shumë mirë se kjo epidemi e quajtur komunizëm nëse nuk merren masa parandalimi shumë shpejtë do të shndërrohet në metastazë, e cila do të sjellë komplikime të paparashikuara, disa shqiptarëve tjerë që silleshin nën këmbën komunizmit si bolla e vrarë, e që i akuzonin dhe etiketonin atdhedashësit si njerëz të pa ditur, pa arsimuar, të prapambetur e shitës të vendit, atyre iu desh të kalojnë plotë pesë dekada për tu bindur se komunizmi është pjellë joshqiptare dhe nuk zgjidhë as çështjen kombëtare as fetare. Këtë që e thamë, autori e paraqet në mënyrë shumë të qartë përmes shkrimit të tij, kur paraqet veprimtarinë e nxënësve të Medah Medresesë.

Këta burra, në mesin e shumë burrave tjerë patriotë, për tu mbrojtur nga kjo epidemi, për të dekontaminuar vatanin e tyre nga gjurmët e komizmit dhe komunistëve, formuan edhe Organizatën Nacional Demokratike Shqiptare me qendër në Shkup. Kjo organizatë e themeluar nga intelektualë dhe patriotët e kohës funksionoi në Shkup, Prishtinë, Podujevë, Ferizaj, Kamenicë, Kumanovë, Gjilan e gjetiu, që autori i veprës me plotë besnikëri në këtë libër sjell fakte dhe dëshmi për veprimtarinë e tyre. Anëtarësimi në këtë organizatë bëhej duke u betuar në: Kur’an, flamur dhe armë, ndërsa përfundonte me moton “Shqipëria shqiptarëve vdekja tradhtarëve

Mendoj se motoja e betimi të tyre në Kur’an, flamur dhe armë nënkupton. Betim në diturinë sepse Kur’ani është libri i Allahut, që është jo vetëm simbol por edhe prijatar i diturisë dhe shkencës, kurse betoheshin në flamur, ngase flamuri është simboli i lirisë dhe pavarësisë së shtetit shqiptar, kurse betoheshin në armën, për të shprehur gatishmërinë e tyre se fenë dhe atdheun do ta mbrojmë edhe me armë.

Të nderuar të pranishëm !

Autori i këtij libri, që e kemi në promovim,  përmes këtij punimi me shumë modesti paraqet se të gjithë nxënësit e kësaj Medreseje ishin anëtar aktiv të kësaj lëvizje ishin thuajse, si Feta ef. Raufi, Mehmed ef. Sadiku, Xhemail ef. Emini, Ferat ef. Hirda, Mefail ef. Grushina, Haki ef., Sermaxhaj. Mulla Hajdari e shumë e shumë të tjerë.

nderuar të pranishëm !

Para se të përfundoj, patjetër të them edhe një fakt se, Autori i librit, “Medreseja Medah  e Ataullah ef. dhe nxënësit e saj”, Mr. Taxhedin ef. Bislimi, në vazhdim paraqet në përpikëri edhe veprimtarinë e nxënësve të kësaj Medreseje, si:  Feta ef. Raufin, i cili komunistëve iu përgjigj duke thënë: kur të gjithë të tjerët kanë të drejtën të mësojnë, pse edhe ne të mos kemi të drejtë të mësojmë, pastaj flet për Mehmet ef. Sadikun i cili për veprimtari antikomuniste si pjesëmarrës në luftën e karadaket të Kumanovës nën komandën e Bacit Sul, u privua nga liria 1947, pastaj flet për Sadulla ef. Selamin, për Shaban ef. Saliun. Selim ef., Memedin, Bedri ef. Hamidin, njëri nga organizatorët e demonstratave për bashkimin e trojeve shqiptare, për Ferat ef. Hirda, për Mulla Xhemën, etj etj.

Ajo që më ka lënë përshtypje në këtë libër, e që në mënyrë eksplicite mund të them është, se autori një respekt të veçantë ka paraqitur për një djalosh të ri të asaj kohe, që ishte nxënës i Medah Medresesë, i zellshëm, i urtë por trim dhe atdhedashës të cilit asnjëherë nuk iu tremb qerpiku ku ishte në pyetje feja dhe atdheu. Ai ishte Mulla Haki ef. Sermaxhaj nga Hogoshti i Kamenicë. Mulla Haki Sermaxhaj edhe ishte stimulues i ideal patriotik fetar e kombëtar te shokët e tij, te shqiptarët në përgjithësi, por edhe më tutje për shumë gjenerata do të ngelë personalitet i shquar nga i cili kemi mësuar idealin fetar dhe kombëtar.

Motoja e veprimit të Mulla Haki sermaxhaj, të nderuar të pranishëm ishte: “Për Kosovë kam lindë dhe për Kosovë do të vdes”. Në Vitin 1946 në Gjilan e arrestuan Komunistët e asaj kohe, e maltretuan siç ditën komunistët të maltretojnë duke e bartur nga vendi në vend, Shkup, Ferizaj Gjilan etj. Në fund e dënuan me 18 vjet burg të rëndë, kurse për mbajtjen e burgut e dërguan Sremska Mitrovicë, i cili pas nëntë muajve qëndrimi në spitalin e burgut vdiq më 27 janar 1948 në moshën 33 vjeçare. Ai shpirtërisht ishte i përgatitur, andaj aspak nuk ishte pishman për atë që e bënte, andaj gjithnjë thoshte: “Për atdhe duhet të flijojmë gjithçka, pasurinë evladët, jetën. Vetëm liria e atdheut i ka rrënjët në gjak, vetëm sakrifica e bijve të tij e rritë atë (atdheun)”.

Në fund të nderuar të pranishëm, po e përfundoj duke thënë, sado që të kemi oratori të madhe për të folur për këta burra që i përshkruan autori në këtë vepër, sërish ngelim të vegjël para veprës së tyre. Andaj, mendoj se leximi i kësaj vepre për ne e veçmas për gjeneratën më të re është imperativ fetar, kombëtar e moral. Krejt në fund i lutemi Allahut Fuqiplotë që të gjithë këta dhe të tjerët që sakrifikuan çdo gjë për fe e atdhe, Allahu xh.sh. ti ketë përfshirë nën mëshirën e Tij.

Wes-selamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu

Lini një Përgjigje