Fjala e recensentit Mr. Taxhedin Bislimi

(Ky ka qenë fjalimi i recensentit Mr. Taxhedin Bislimi me rastin e promovimit të librit “Hyrje në të drejtën penale islame” të autorit Jusuf Zimeri, mbajtur më 23. 11. 2012 në Kumanovë)

Të nderuar të pranishëm !

Kam nderin që sot para këtij auditoriumi të paraqes mendimin dhe pikëpamjen time rreth botimit të parafundit të prof. Jusuf Zimerit me titullin “Hyrje në të drejtën penale islame”. Kjo vepër ashtu edhe siç kuptohet nga vetë titulli i veprës, i takon fushës jurisprudencës islame, më saktësisht kodit penal islam. Para së gjithash patjetër më duhet të theksoj që në fillim se kjo fushë është shumë pak e përpunuar në gjuhën shqipe, andaj kjo është një karakteristikë që i jep vlerë të veçantë kësaj vepre në gjuhën shqipe.

Vepra “Hyrje në të drejtën penale Islame” është mjaft kapitale, e përpunuar profesionalisht dhe shkencërisht, me një gjuhë të pastër dhe qartë që dëshmon për profesionalizmin e autorit.

Të nderuar të pranishëm, autori i kësaj vepre Prof. Jusuf Zimeri, përmes këtij punimi shkencor thyen edhe disa tabu në qarqet shkencore dhe intelektuale të vendit tonë. Thyen bindjen e shumë njerëzve që në intelektin e tyre kishin formuar bindje se islami është vetëm çështje individuale, fe që shërben vetëm për adhurim për qetësimin e brendshëm shpirtërorë, dhe se islami nuk ka kapacitet të bëjë strukturimin e shoqërisë njerëzore dhe të sigurojë harmoninë, qetësinë, sigurinë, paqen dhe rendin. Autori përmes kësaj vepre qartë demanton këto teori hipotetike dhe, me argumente shumë bindëse e shkencore nxjerr në shesh, se Islami krahas fakti se është besim dhe adhurim, në vete ngërthen edhe  normativën e vet që rregullon dhe sistemon në detaje sjelljet e individit në raport me veten e tij, me familjen dhe mbarë shoqërinë, dhe raportet e një shoqërie me shoqërinë tjetër. Thënë shkurt autori përmes kësaj vepre jurisprudencën islame e paraqet si sistem funksional juridik, ekonomik, politik, shoqërorë etj, i cili është i ngritur mbi parimin e vlerave hyjnore, dhe si i tillë është i vlefshëm për çdo kohë, vend dhe popull.

Poashtu autori përmes kësaj vepre thyen edhe tabun që është ndërtuar në opinion se kodi penal islam është i pa përshtatshëm për arsye se sanksionet penale në këtë sistem janë shumë brutale dhe nuk përputhen me zhvillimin dhe civilizimin e shoqërisë njerëzore. Autori demanton këtë tezë duke elaboruar se sipas parimit islam dhe atij juridik rëndësia e sanksionit patjetër të jetë konformorm peshës së veprës penale, sepse në të kundërtën vjen në shprehje padrejtësia që sipas jurisprudencës islame vatevetiu paraqet veprim penale. Autori përmes kësaj vepre nuk ka anashkaluar pa shpjeguar edhe karakteristikat që dallojnë jurisprudencën islame në përgjithësi dhe kodin penal islam në veçanti nga ligjet tjera pozitive, ku qartë shihen edhe arsyet e vlefshmërisë dhe epërsisë së jurisprudencës islame.

Të nderuar të pranishëm, vepra “Hyrje në të drejtën penale islame” nga autor Jusuf Zimeri që sot e kemi në duart tona, edhe pse mëton të jetë vepër që sqaron dispozitat e kodit penal nga shkolla juridike islame hanefite, në brendësinë e saj autori plotë me kujdes dhe respekt e vigjilencë nuk len pa shtjelluar edhe mendimet e shkollave tjera juridike islame, normalisht nga Ehli Sunneti, andaj mendoj se kjo vepër e tejkalon kufijtë e një medhhebi dhe zgjerohet në fushën e veprave kopmorative islame.

Një karakteristikë tjetër që kam mundur ta vërejë gjatë leximit të kësaj vepre, është edhe fakti se autori në të, dispozitat islame i shtjellon jo vetëm nga aspekti praktik i kodit penal islam, por të njëjtat i shpjegon edhe nga aspekti fetar, shpirtëror islam. Kjo i ndihmon lexuesit që të kuptojë se kodi penal islam nuk është materie e thatë, por para së gjithash është edhe një freski shpirtërore që ndihmon në implementimin praktik të legjislacionit islam.

Gjithashtu autori përmes kësaj vepre, ve në spikamë edhe implementimi i kodit penal, se nuk është çështje individuale e njerëzve, por kjo është përgjegjësi e institucioneve në shoqërinë islame. Pikërisht në drejtim të kësaj, autori shkurtimisht flet edhe gjykatat që drejtpërdrejtë ndërlidhen me procedimin dhe sjelljen e vendimeve për ekzekutimin e sanksioneve penale.  Kur jemi këtu, patjetër të theksojmë se autori paraqet edhe një sqarim të mirë edhe për gjykatën e pleqësisë, gjykatë kjo e cila zgjidhë shumë probleme në shoqërinë islame, e veçanërisht në shoqërinë islame ku jetojnë si minoritarë.

Të nderuar të pranishëm përmes kësaj vepre, autori na rikthen në memorien tonë edhe disa veprime që thuajse në jetën tonë të përditshme janë bërë të natyrshme saqë shpeshherë edhe i quajmë si aftësi personale të një individi, por që të njëjtat kanë trajtim penal në jurisprudencën islame, siç janë gënjeshtra, mashtrimi, dëshmia e rrejshme, fjalët e rrejshme etj etj.

Për në fund të nderuar të pranishëm, edhe pse jam i bindur se vlerësimi i këtij libri kaq me vlerë për lexuesin tonë nuk mund të bëhet vetëm për disa minuta, kam bindjen se edhe  autori ndanë të njëjtin mendim me mua, nëse them se kjo tematikë duhet shtjelluar edhe më, e ajo që më bindë për këtë, është edhe vetë titulli i librit “Hyrje në të drejtën penale Islame” që autori len të kuptojë se kjo nuk është e tëra që duhet të thuhet, por ngelë që kjo fushë të jetë në epiqendër studimi edhe nga shumë hulumtues të ri.

Si do që të jetë, mendoj se kjo vepër është një fondament i mjaftueshëm për t’i hapur shtigje studiuesve të ri, në njërën anë, e në anën tjetër është edhe një dëshmi tjetër për vullnetin e autorit që të merret me studime dhe punime nga lëmi e jurisprudencës islame. Andaj, duke njohur mirë autorin dhe mundësinë e tij intelektuale e shkencore, jemi shumë të bindur se kjo nuk do të jetë vepra e tij e fundit, por ai do të vazhdojë të kontribuoj në këtë lëmi për myslimanët shqipfolës. Autorit i dëshirojmë shëndet të mirë dhe suksese në jetën e mëtutjeshme.

Ves-selamu alejkum.

Shkrime të ngjashme