Formimi dhe respektimi i shkollave juridike islame, hap gjigant për unitetin e myslimanëve.

Mr. Taxhedin Bislimi

Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim

Të nderuar të pranishëm, Fillimisht më vjen mirë që ky takim i joni sot, ka një karakter fetar dhe shkencor islam, andaj më lejoni që me këtë rast të përuroj jo vetëm botimin e këtyre titujve por edhe organizatorët e këtij manifestimi, dhe njëkohësisht ju përshëndes edhe juve të nderuar të pranishëm, me shpresë që këto takime shkencore e fetare të jenë më të shpeshta në trevat tona.

Të nderuar të pranishëm, në kohën e Pejgamberit Sal-lAllahu alejhi ve sel-leme  derti dhe përgjegjësia e islamit ishte e shpërndarë edhe në mesin e sahabëve, por padyshim se pesha kryesore e kësaj barre, rëndonte mbi të Dërguarin e Allahut Sal-lAllahu alejhi ve sel-leme, si burim dhe ligjvënës i normativës islame. Kjo përgjegjësi, pas vdekjes së tij, u bartë mbi supet e sahabëve si gjenerata e parë, e pas tyre gjeneratë pas gjenerate mbi dijetarët eminentë të sheriatit dhe shkencave islame.

Këta dijetarë nëpër shekuj, mirë kishin kuptuar amanetin e tyre dhe e zbatuan me përgjegjësi të dyfishtë morale, si dhe me shumë sakrifica, arritën që jo vetëm me pedanteri të kryejnë misionin e tyre të shenjtë, duke ju përgjigjur nevojave të kohës, por edhe duke lënë pas vete thesare të çmuara shkencore të cilat edhe sot e kësaj dite ne i kemi si bazament për studime të mëtutjeshme.

Në vazhdën e kësaj veprimtari, kam bindje se në bazë të mundësive dhe kushteve që diktonin nga koha në kohë e bënë edhe dijetarët tanë në trojet tona, të këtij nënqielli, si pjesë e pandashme e Ummetit.  Andaj, kam bindje se veprat e profesorit të nderuar që tanimë veç i keni në dorën tuaj janë vetëm një vazhdimësi e hallkave të dijetarëve të mëparshëm, e që vërtet shpresojmë që kjo hallkë të mos këputet deri në ditën e kiametit.

Të nderuar të pranishëm, para se të them diçka mbi këto botime, detyrimisht më duhet të shtjelloj një fenomen që shumë kush ose e ka harruar ose po dëshiron ta harrojë. Vigjilenca e dijetarëve eminent nga gjeneratat e para ishte se ata mirë kishin vërejtur se interpretimet dhe shpjegimet e teksteve autentike islame, jo rrallë herë kishin filluar të kuptohen në mënyra të ndryshme, dhe si pasojë e këtyre ineterpretimeve të shumta, filluan të shfaqen edhe kundërthënie të shumta. Për ti kanalizuar të gjitha këto interpretime, dijetarët islamë përcaktuar parime, rregulla, dhe metodologji shkencore për nxjerrjen e dispozitave islame nga burimet e sheriatit islam. Si rezultat i këtyre parimeve dhe metodologjive u formuan edhe shkollat juridike islame (medhhebet) të cilat me metodologjinë shkencore përcaktuan edhe kriteret e nxjerrjes së dispozitave dhe kush ka kompetenca të merret me këtë lëmi. Me këtë hap, nuk ishte qëllimi i ndarjes së Ummetit siç pretendon dikush, por ishte hapi më gjigand për bashkimin e ummetit dhe njëkohësisht ruajtjes së vlerave shkencore duke ruajtur edhe të drejtën dhe lirinë e mendimit të lirë, por mbi bazën e argumentit. Këto shkolla juridike islame që janë edhe përfaqësuese të ehli sunnetit këtë funksion e luajtën dhe po e ruajnë deri sot, andaj ai që i konteston këto shkolla juridike dhe veprimtarinë e tyre, ose është xhahil, ose egoist e kokëfortë.

E përmenda këtë fenomen të shkollave juridike islame, ngase autori i këtyre veprave ruan me fanatizëm dhe pedanteri këtë faktor. Me këtë autori përmes veprave të tij, përpjekjet të ruaj dy komponentë shumë të rëndësishëm për muslimanët e trevave tona, që janë:

  1. Që shpjegimet dhe elaborimet  e çështjeve që i trajton të ndërtohen mbi baza të shëndosha islame dhe shkencore,
  2. Ruajtja e unitetit të besimtarëve rreth çështjeve islame, duke flakur të gjitha elementet përçarëse në mesin e muslimanëve.

Të nderuar të pranishëm.

Autori në veprën “PËRMBLEDHJE PUNIMESH nga jurisprudenca islame” shtjellon apo trajton mbi 70 punime me tematika të ndryshme, por ajo që karajkterizon këtë libër është se autori bënë përpjekje që tematikat ti trajtoj nga këndvështrimi i jurisprudencës islame.  Karakteristikë tjetër e këtij libri, është edhe fakti se autori shtjellon disa çështje bashkëkohore si problematika me të cilat ballafaqohet popullata islame në vendin tonë.

Sa i përket veprës “PYETJE DHE PËRGJIGJE ISLAME”, mendoj se është edhe një simbolikë shumë e fuqishme që dëshmon bashkëpunimin me brezin e ri, duke zgjidhur disa problematika që e brengosin enkas gjeneratën e re. Andaj edhe kjo vepër trajton çështje të shumta dhe të përditshme që mendoj se janë në shërbim të gjeneratës së re në veçanti dhe muslimanëve në përgjithësi.

Pra, më lejoni që në këtë kontekst të tërheqim vetëm disa karakteristika të këtyre veprave, që sipas bindjes sime janë:

4  Shumë dijetarë të këtij nënqielli më parë u janë përgjigjur pyetjeve të ndryshme dhe të shumta, por fatkeqësia qëndron në faktin se shumica e atyre përgjigjeve kanë qenë vetëm gojore dhe si të tilla janë tretur me kohën. Vlerësojë se edhe prof. Jusufi, nuk ka qenë imun nga kjo metodologji gojore e sqarimit të çështjeve, ngase për këtë dëshmon aktiviteti i tij nëpër mediume të ndryshme elektronike dhe të shkruara, rrjete shoqërore, mexhlise të ndryshme,  por fatmirësisht se vigjilenca e prof. Jusufit ishte që në të shumtën e rasteve është përgjigjur me shkrim dhe kështu ka arritur t’i regjistrojë ato në sirtarin e veprimtarisë së tij dhe tonë. Me këtë veprimtari, autori nuk i ka shërbyer vetëm rastit konkret apo individit, por me këtë i shërben dhe do t’u shërbejë gjithë besimtarët shqipfolës nëpër kohë.

4  Profesori përgjigjet i ka shumë të qarta, e në rastet kur ndonjë nga pyetësit nuk ka mundur ta parashtrojë pyetjen në mënyrë të qartë, profesori me plot kujdes i përgjigjet duke thënë: “nëse është kështu, nëse ke për qëllim këtë, me sa e kuptoj”. Kjo lë të kuptosh se përgjigjja është valide vetëm për pyetësin dhe gjendjen e parashtruar, sepse në ndryshim të gjendjes ndryshon edhe përgjigjja.

4  Si në tërë veprimtarinë dhe punimet e tij shkencore,  edhe në këto vepra autori i përmbahet katër shkollave të jurisprudencës islame që përfaqësojnë Ehli Sunetin, por marrë parasysh se të gjithë muslimanët e Ballkanit i takojnë medhhebit hanefij, autori, është përgjigjur në mendimin medhhebin hanefij.

4  Autori, herë-herë nuk harron e as nuk lë pa përmend edhe mendimet dhe qëndrimet e shkollave të tjera juridike islame sa herë që kërkohej nevoja. Me këtë metodologji ai bën ndalimin e përçarjeve, pengon futjen e hutive në mesin e muslimanëve në lidhje me çështjet fetare, duke sinjalizuar se çdo përgjigje nga jashtë katër shkollave juridike konsideron si joserioze dhe tendencioze.

4  Punimet në fjalë dhe veprat tjera shkencore të tij, lënë të kuptojnë se autori është njohës i mirë i shkencave islame e në veçanti i jurisprudencës islame, ku me mjeshtri dhe në vend të duhur potencon argumentet e sheriatit islam mbi çështjet fetare. I njeh mirë parimet e përgjithshme islame, shkencën e  usuli fikhut si bazë për përcaktimin e dispozitave, e para së gjithash ka njohuri të mjaftuara mbi argumentet e duhura nga Kurani dhe Suneti i Pejgamberit (alejhi selam).

4  Për në fund lus Allahun fuqiplotë, që autorin për veprat e bëra ta shpërblejë në këtë botë dhe në botën tjetër. Marrë në konsideratë se autorin dhe aftësitë e tij shkencore i njoh mirë dhe për së afërmi, lus Allahun e Lartësuar që t’i japë shëndet dhe jetë të gjatë, që t’i përfundojë me sukses edhe veprat e tjera të cilat i ka në rrjedhë e sipër, dhe të gjitha veprat e tij të publikuara dhe ata të cilat janë në publikim e sipër, të jenë në shërbim të së vërtetës, në shërbim të besimtarëve dhe mbarë njerëzisë, ndërsa për profesorin e nderuar të jenë thesar dhe arkë e cila do të derdhet në llogarinë e tij, me të cilat do të vlerësohet para njerëzve në këtë botë, kurse me shpresë që Allahu  fuqiplotë për kontributin e dhënë në sqarimin dhe mbrojtjen e Islamit, ta shpërblejë me të mirat e Tij në botën tjetër.

 13 Dhjetor, 2014 – Kumanovë me rastin e promovimit të tre titujve nga prof. Jusuf Zimeri.

Shkrime të ngjashme