Gradeci me xhami por, pa xhematë

Autor: Jusuf ZIMERI

Të bësh një shëtitje në pjesën e Maqedonisë lindore si bie fjala në Shtip, Radovish, Koçan Berovë Vinicë etj. dhe vetëm të shikosh shenjat e komunikacionit ku janë të shënuar emrat e fshatrave dhe vendbanimeve, me automatizëm nënkupton se në këto vende jetojnë myslimanë apo më mirë thënë kanë jetuar mysliman. Dikur por jo shumë larg në këtë pjesë të Maqedonisë lindore jetonin me dhjetëra e ndoshta edhe me qindra fshatra të banuara me mysliman, kurse sot nga ato fshatra dhe vendbanime myslimane kanë ngelur vetëm toponimet e disa vendbanimeve që qartë nënkuptojnë se këtu dikur kanë jetuar myslimanët. Kjo gjendje faktike aktuale menjëherë na përkujton në elaboratin e Vaso Çubruloviçit që për herë të dytë e kishte nxjerrë në skenë më 03.11.1944, ku parashihej që ndaj myslimanëve duhet të përdoren të gjitha format e presionit dhe përdhunimeve vetëm e vetëm që të shpërngulen nga këto troje, pavarësisht nga çmimi.

Kësaj radhe nuk kemi ndërmend të merremi me çështje historike, porse kemi fjalën vetëm për rastin konkret që është dëshmi e gjallë se çfar ka ndodhur me myslimanët e këtyre trojeve në këtë nënqiell të Ballkanit. Pra, kemi fjalën për një fshat rrëzë malor në Komunën e Vinicës i cili quhet Gradec, fshat ky që dikur në te kishin jetuar mbi pesëqind familje myslimane, e për shërbimet e tyre ditore fetare kishin të ndërtuara tri xhami me minare përmes së cilëve ezani Muhamedije buçiste brigjeve të fshatit në njërën anë dhe në anën tjetër luginës së Vinicës, kurse tani në këtë fshat nuk jeton asnjë familje myslimane.

Për ata që kanë jetuar dhe përjetuar sistemin monist, fare mirë e kanë të qartë se për çka bëhet fjalë, kurse tani për gjeneratën më të re në mënyrë të habitshme shtrohet pyetja se çfarë ka ndodhur me ata mysliman, ku kanë shkuar dhe kujt ia kanë lënë pasurinë e tyre.

Dikur në këto troje ishin të ndërtuara me qindra xhami, teqe dhe me dhjeta medrese, hane hamame dhe objekte tjera të cilat i ishin të dedikuara interesit të përgjithshëm të myslimanëve. Mirëpo me shpërnguljen e myslimanëve sigurisht se jo me dëshirën e tyre por për shkak të presioneve që vazhdimisht ushtroheshim mbi to, e tërë kjo infrastrukturë e çmueshme islame kishte ngelur në duar e pamëshirës së presionuesve, andaj ajo që ka ngelur prej tyre mund të numërohen në gishta, saqë prej qindra xhamive në vitet e tetëdhjeta kanë ngelur vetëm 4-5 xhami. Argument më të fuqishëm se ata mysliman nuk janë shpërngulur nga vullneti i tyre, porse nga presioni është pllaka memoriale në qendër të fshatit Gradec, ku regjistrohen emrat e viktimave që e kanë bërë përpjekje për ta ruajtur vendlindjen dhe fshatin e tyre nga okupatori nazist gjerman. Kjo pllakë në qendër të fshatit është përplot emra të myslimanëve dhe fletë qartë se myslimanët e këtij fshati janë viktimizuar për mbrojtjen e vendlindjes dhe kësaj ia dolën me krye, por lirinë e fituar me gjak nuk patën të drejtë ta gëzojnë ngase ishin të detyruar për shpërngulje.

Pra, strategjia e humbjes së gjurmëve islame nga këto vende ka vazhduar në kontinuitet në sistemin totalitar monist, përmes procesit të nacionalizimit, eksproprijimit dhe formave të ndryshme të uzurpimit të pronave të myslimanëve dhe të vakëfit.

Në hulumtim dhe me qëllim të konstatimit faktik nga gjendja e vakëfit të ngelur si pronë e BI,  më 19 Shkurt, një delegacion i BI në koordinim me Muftininë e BI në Shtip vizitoi këto vende më konkretisht qytetin e Vinicës dhe fshatin Gradec.  Gjendja faktike ishte se Xhami e cila ishte në qendër të fshatit ishte e rrënuar deri në themel, e për rreth themeleve të saja kishte ngelur vetëm minarja e lartë e cila qëndronte në këmbë pa u përkulur. Në të njejtën parcelë ku kish qenë e ndërtuar xhamia viteve të nëntëdhjeta Ministria e shëndetësisë kishte rrënuar objektet ndihmëse të xhamisë dhe kishte ndërtuar ambulantë për shërbime mjekësore të fshatarëve. Në hyrje të këtij objekti qëndronte një mbishkrim ku thuhej: këtë objekt e ka financuar qeveria e Maqedonisë dhe qeveria e Tajvanit. Mirëpo, sigurisht se shërimi nuk u bëri hajr dhe ambulanca nuk funksiononte.

Në qytetin e Vinicës nga besimtarët e pakët në Vinicë mësuam se në qendër të qytetit ka një parcelë e cila quhet varrezat e turqve, kurse pushteti lokal është i interesuar ta pronësoj dhe të ndërtojë objekt. Vajtëm në vendin e ngjarjes, vërtetë parcela ka pozicion strategjik dhe në te ka varreza të vjetra, ku gjurmët e varrezave akoma janë aktuale. Pas nxjerrjes së fletëpronësimit nga Kadastra e Vinicës dhe certifikata e planit që sqaron planin gjeneral urbanistik të qytetit, shihet se këshilli komunal me vendim nr. 07-757/2 pa pyetur fare dhe pa u konsultuar me askënd kishte paraparë që në këtë parcelë, më saktësisht mbi eshtrat e myslimanëve të ndërtohet objekt fetar – Kishë ortodokse.

Këtë akt vandal dhe jo civilizues, Bashkësia Islame në RM e ndjeu si provokim të rëndë dhe nënçmues, e sidomos kur bëhet fjalë për integrime euroatlantike të Maqedonisë. A nuk është kjo edhe një vazhdimësi e provokimeve ndaj BI, nga qarqe të ndryshme pavarësisht se ato dalin nga pushteti qendror apo ai lokal, ose nga ndonjë institucion tjetër në RM.

Bashkësia Islame menjëherë ka reaguar në këto vendime dhe kërkon që ky vendim i qeveris lokale në Vinicë, menjëherë të anulohet, sepse jemi këmbëngulës në ruajtjen e pronës sonë. Për këtë kemi informuar edhe instancat më të larta shtetërore por edhe faktorin ndërkombëtarë. Për çështjet pronësore juridike të BI kurrë nuk do të ketë kompromis në dëm të saj dhe në dobi të dikujt tjetër.

Leave a reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *