Para se të kalojmë në elaborimin e dispozitës së zëvendësimit për ibadetet, për ta kuptuar sa më lehtë, fillimisht duhet të definohet nocioni “ar. Ibadet”, si në aspektin linguistik ashtu edhe atë terminologjik.

Autor: Jusuf ZIMERI

Nocioni (ar. Ibadet sh. ibadat) në aspektin gjuhësor rrjedh nga folja “abede” që do të thotë: adhurim, nderim, nënshtrim, respektim, falje,nënshtrim, bindje etj. Në enciklopedinë e gjuhës së juristëve islam, nocioni “el ibadetu” definohet: “Veprimet legjitime që kombinojnë përsosjen e dashurisë, frikës dhe nënshtrimit ndaj Zotit të Plotfuqishëm. Në fjalorin terminologjik të Usuli Fikhut, nocioni “El ibadetu” ka disa përkufizime, e në mesin e tyre janë: Nënshtrim apo përulje për Allahun e lartëmadhërishëm duke vepruar gjithçka që ka ligjësuar”. Në fjalorin enciklopedik islam, thuhet: Nocioni “El Ibadetu” nënkupton devotshmërinë e shprehur nëpërmjet zbatimit të ritualeve fetare.

Sipas parimeve të përgjithshme të jurisprudencës islame, të gjitha format e adhurimeve për nga forma dhe mënyra e zbatimit të tyre kryesisht ndahen në tre lloje që janë;

  1. Adhurimet që kryerja e tyre ka karakter trupor – fizik, siç janë namazi dhe agjërimi, në këto lloje të ibadetit dijetarët islam janë unik se nuk lejohet zëvendësimi, sepse qëllimi i këtij ibadeti është ndjeshmëria dhe lodhja fizike e kjo nuk arrihet me zëvendësim.
  2. Adhurimet që kryerja e tyre ka karakter të pastër ekonomik siç janë dhënia e zeqatit, kefareteve, kurbaneve, sadekave të ndryshme etj, dhe juristët islam janë unik në mendimet e tyre se zëvendësimi është i lejuar islamikisht në këto lloje të ibadeteve, sepse qëllimi i tyre është dobia e tjerëve, andaj me zëvendësim arrihet ky qëllim.
  3. Adhurime të cilat në kryerjen e tyre kombinohet elementi trupor fizik dhe ai ekonomik, siç është haxh-xhi, andaj edhe në kryerjen e këtij lloji të ibadetit lejohet zëvendësimi por me kushte të veçanta që do të përmenden më pas.

Është krejt e qartë dhe për këtë ekziston edhe konsensus mes juristëve islam se çështjet fetare – ibadetet që kanë dispozitën e Farzit personal (ar. Fardi ajn) e që janë adhurime trupore për të cilat nuk lejohet zëvendësim, si namazi, agjërimi etj, nuk lejohet që dikush të kryej këtë obligim për tjetrin, atëherë në këto veprime fetare nuk lejohet kurrfarë kontrate për këto çështje. Mirëpo, gjithnjë shtrohet çështja e trajtimit të atyre adhurimeve që janë obligative (ar. Fard) për individin, e për të cilat lejohet zëvendësim, siç është haxhi, zekati etj.

Shumica e juristëve islam nga medhhebi hanefij, shafij dhe hanbelij janë të mendimit se lejohet kryerja e haxhit për të vdekurin nëse ai nuk ka arritur të kryej haxhin që e kishte farz. Sipas juristëve të medhhebit hanefij, personit që i është bërë haxhi farz dhe nuk ju dha mundësia e kryerjes së këtij haxhi derisa ka vdekur, në momentin e vdekjes bie haxhi nga ai, dhe nuk kryhet haxhi për të, vetëm nëse për të ka lënë testament (porosi) dhe haxhi kryhet nga një e treta (1/3) e pasurisë së tij. Poashtu sipas këtij mendimi lejohet kryerja e haxhit për personin i cili kishte obliguar haxhin e tij përmes premtimit (ar. Nedhr) për kryerjen e haxhit dhe nuk kishte arritur ta kryej.

Sipas dijetarëve të medhhebit hanefij, personi të cilit i është bërë obligim (farz) haxh-xhi porse për zbatimin e tij praktik nuk ka mundësi fizike, për shkak të sëmundjes apo pleqësisë e ndoshta edhe vdekjes së tij, lejohet kryerja e haxhit për te nga dikush tjetër, pra të bëhet zëvendësimi. Nga kjo nënkuptohet se zëvendësimi lejohet vetëm në rastet e pamundësisë së zbatimit personalisht, kurse në rastet e mundësisë nuk lejohet zëvendësimi. Pra, që kryerja e haxhit të zëvendësohet me dikë tjetër kushtëzohet me pamundësinë që zgjatë deri në vdekje, dhe zëvendësimi për haxh-xh pas vdekjes i bazuar në testament.

Nga kjo që u tha deri tani nënkuptohet se haxhi bedel sipas fukahave hanefij mund të bëhet për personin i cili jeton dhe i ka plotësuar kushtet e obligueshmëris së haxh-xhit por nuk i plotëson kushtet e zbatimit të haxhit, që nënkupton se haxhi për te është farz, por zbatimin nuk mund ta përballoj, ose për personin i cili haxhi e ka pasur obligim – farz porse ka vdekur para se ta kryejë këtë obligim.

Argumentet e lejimit të haxhit bedel

Argument për lejimin e zëvendësimit të haxhit nga dikush tjetër që në terminologjinë e sheriatit njihet me termin Haxh-xhi Bedel është hadithi i Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme që e transmeton Abdullah Ibni Abasi r.a. ku thotë:

 “Erdhi një grua nga Hath’ami te i dërguari i All-llahut xh.sh. dhe i tha :O i dërguari i All-llahut vërtetë të atin tim e kishte nxënë obligimi i All-llahut xh.sh. Haxhi në moshën e vjetër, dhe nuk ka mundësi të rrinë në shpinën e devesë a mund që të kompensohet për te, të bëjë haxhin për te? Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme tha :Po. Kjo ishte në haxhin e lamtumirës.”

Poashtu hadithi tjetër i transmetuar nga Ibni Abasi r.a. thotë: “Kishte ardhur një grua te Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme nga Xhuhejni dhe i tha: ”Vërtetë nëna ime kishte premtuar që ta bënë haxhin, por nuk e bëri haxhin deerisa vdiq, a mundë që ta bëjë haxhin për te ? Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme i tha :”Bëre haxhin për te, si e shihni sikur nëna juaj të ketë pasur borxh a do ta kishit kryer-plotësuar atë, atëherë borxhi i All-llahut është më prioritar për plotësim”.

Këto hadithe të Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme në mënyrë të qartë na bëjnë me dije se kryerja e haxh-xhit për të tjerët pavarësisht se bëhet fjalë të moshuarin në moshë që nuk ka mundësi udhëtimi apo edhe për të vdekurin është veprim i lejuar sipas normave islame.

Kushtet e haxhit bedel

Dijetarët – fukahat e medhhebit hanefij për lejimin e haxh-xhit bedel dhe që ai të jetë i vlefshëm dhe të arrij frytin e tij përveç kushteve primare për çdo adhurim që janë Islami, mosha-puberteti dhe mendja, për haxhi bedel kanë kushtëzuar disa kushte shtesë që janë:

  1. Bedeli ta ketë kryer haxhin për vete. Shumica e dijetarëve që lejuan kryerjen e haxhit për tjetrin, kushtëzuan që personi i cili autorizohet të kryejë haxhin bedel, duhet të ketë qenë në haxh për vete, ngase sipas tyre, nuk lejohet të shkohet për tjetrin në haxh nëse ai haxhin nuk e ka kryer për vete. Ky është mendim që mbështetet në hadithin e transmetuar nga Ibni Abbasi r.a. ku thotë: Pejgamberi [Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme] e kishte dëgjuar njërin duke thënë “Lebejke an Shebrume” Pejgamberi e pyeti: Kush është Shebrume? Ai iu përgjigj: Një vëlla imi. Pejgamberi [Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme] i tha: “A e ke bërë haxhin për vete ? Tha jo. Pejgamberi [Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme] i tha: “Bëje haxhin për vete, e pastaj për Shebrumen.

Nga ky mendim i shumicës së juristëve islam, distancohen dijetarët e medhhebit hanefij të cilët nuk kushtëzuan shkuarjen në haxh për tjetrin pa e kryer këtë obligim për vete, edhe pse nuk e preferuan këtë veprim, ngase ky veprim është i urryer (ar. Mekruhi tahrimen). Dijetarët hanefij mendimin e tyre e ndërtojnë në përgjithshmërinë e hadithit të Hath’amit sepse Pejgamberi [Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme] i kishte thënë: “Bëje haxhin për babën tënd”, pa e pyetur se ajo kishte bërë haxhin për vete apo jo. Megjithatë edhe dijetarët hanefij këtë veprim nuk e preferuan, porse këtë veprim e lejuan me urrejtje të rëndë duke e afruar shumë afër haramit.

  1. Bedeli të jetë person që haxhi i tij është i vlefshëm. Nga kjo nënkuptohet se personi që shkon në haxh për tjetrin duhet të jetë mysliman, moshërritur, dhe psikikisht i shëndoshë.
  2. Haxhi të bëhet nga pasuria e atij që shkohet në haxh (mahxhuxhit). Nga kjo nënkuptohet se haxhiu që shkon bedel për tjetrin, haxhi detyrimisht duhet të bëhet me pasurinë e atij për të cilin shkon bedel. Prandaj, nëse bedeli vullnetarisht shkon në haxh nga pasuria e vet, për tjetrin, tjetri (mahxhuxhi) për të cilin shkohet në haxh nuk shkarkohet nga obligueshmëria e haxhit, sepse obligueshmëria (farzi) i haxhit ndërlidhet me pasurinë e tij. Ky kusht është i kushtëzuar nga juristët e medhhebit hanefij, të cilët kanë thënë: Sipas medhhebit hanefij, haxhi në esencë është i personit që e kryen haxhin, kurse personi për të cilin shkohet në haxh (mahxhuxhit) i takojnë shpërblimet- sevapet e shpenzimeve, e nëse ai nuk ka shpenzuar nga pasuria e tij për kryerjen e veprimeve të haxhit, ai nuk ka fituar asgjë nga haxhi. Kemal Ibni Humami thotë: Kusht i lejimit të këtij haxhi është që shumica e pasurisë të jetë nga urdhëruesi (mahxhuxhi) për haxh, edhe pse në esencë duhet të jetë tërë pasuria, mirëpo meqë kjo ndoshta shkakton vështirësi, atëherë duke u mbështetur në istihsanin themi se së paku të jetë shumica e harxhimeve nga pasuria e tij. Nëse haxh-xhi bedel kryhet në bazë të testamentit – vasietit nga i vdekuri, dhe për te ka përcaktuar pasuri dhe vendin prej ku duhet ti kryhet haxh-xhi, atëherë veprohet sipas testamentit, e nëse në testament nuk ka përcaktuar asgjë as për pasurinë e as për vendin, haxhi duhet ti kryhet nga vendi i të vdekurit dhe nga 1/3 e pasurisë së tij, ose nga vendi prej ku mjafton pasuria e tij për ta kryer haxhin. Nga kjo nënkuptohet se për haxhin bedel që është farz, ai duhet të kryhet nga vendi që i është bërë farz e jo nga ndonjë vend tjetër, duke u bazuar në analogjinë – Kijasin me namazin.
  3. Nijeti i haxh-xhit nga i autorizuari (bedeli) të bëhet për personin të cilin e zëvendëson, sepse i autorizuari (bedeli) haxhin e kryen për tjetrin e jo për veti, andaj patjetër duhet theksuar ” e bëra nijet haxhi për filanin” Ajo që më së paku plotëson kushtin në këtë rast është nijeti zemërorë. Personi i cili autorizohet me kryerjen e haxh-xhit bedel, duhet që haxhi ta kryej personalisht dhe nuk posedon të drejtën që për kryerjen e këtij haxh-xhi të autorizoj dikë tjetër, me përjashtim nëse për këtë e lejon autorizuesi. Në rastin e parë nëse i autorizuari pa lejen e autorizuesit e obligon dikë tjetër për kryerjen e këtij haxh-xhi, ky haxh-xh është i pa vlefshëm, kurse i autorizuesi bartë përgjegjësi fetare dhe morale si dhe pasojat materiale duke kompensuar harxhimet për autorizuesin e parë. I autorizuari për haxhi bedel, është i detyruar të kryej atë lloj të haxh-xhit me të cilin është autorizuar, andaj nëse është autorizuar të kryej haxhi Ifrad duhet të veproj sipas autorizimit, sepse nëse ai ka autorizim për ifrad dhe e bënë nijet për haxhi Temet-tu ose Kiran, ky haxh-xh sipas Ebu Hanifes është i pa vlefshëm dhe i autorizuari obligohet të kompensoj shpenzimet, sepse nuk i është përmbajtur porosis së autorizuesit. Megjithatë sipas mendimit të dy nxënësve të Ebu Hanifes, Imam Ebu Jusufit dhe Imam Muhammedit ky haxh-xh është i vlefshëm sepse vërtetë i autorizuari ka ndryshuar porosinë por ndryshimi është bërë në të mirë, andaj edhe haxh-xhi është i vlefshëm.Me qenë se haxh-xhi bedel, kryhet për tjetrin e jo për vete, atëherë i autorizuari për kryerjen e këtij haxh-xhi duhet në përpikshmëri ti përmbahet porosisë nga i cili autorizohet dhe nuk guxon të ndryshojë porosinë sepse po nuk iu përmbajt porosisë atëherë bartë përgjegjësinë morale dhe fetare si dhe pasojat materiale. Nga kjo nënkuptohet se personi i dëshiron të autorizoj dikë për kryerjen e haxh-xhit bedel, duhet të jetë vigjilent dhe të zgjedh personin i cili mirë i dinë rregullat dhe dispozitat e haxh-xhit bedel, të jetë i sinqertë dhe të dinë rolin dhe rëndësinë e përgjegjësisë. Këto çështje dijetarët islam i kanë elaboruar dhe shkoqitur në detaje, andaj edhe duhet përmbajtur këtyre rregullave.
  4. I autorizuari për haxhi bedel, duhet të bëjë nijet vetëm për një haxh-xh, pra nuk guxon të ketë më shumë se një bedel, andaj nëse një person autorizohet nga dy persona për kryerjen e haxh-xhit dhe i njëjti bënë nijetin për të dy, haxh-xhi i tyre është i prishur kurse i autorizuari patjetër duhet të bartë përgjegjësi dhe pasojat materiale duke ua kompensuar të dyve shpenzimet e haxh-xhit.
  5. Nëse haxh-xhiu që shkon bedel për tjetrin, gjatë haxh-xhit kryen ndonjë veprim që e prishë haxhi tërësisht, atëherë barra e përgjegjësisë bie mbi personin e autorizuar dhe i njëjti ka për obligim që shpenzimet ti kompensoj autorizuesit në mënyrë që ai të ketë mundësit a përsërisë atë. Gjykohet kështu ngase i autorizuari është autorizuar të kryej haxhi e plotë, e jo haxh-xh të prishur. Në anën tjetër nëse haxh-xhiu bedel bënë ndonjë veprim që dëmton haxhi dhe për përmirësimin e haxh-xhit, duhet therrë kurban apo ndonjë kefaret tjetër, bedeli është ai i cili kefaretet apo shpenzimet i bartë nga pasuria e tij.

Mëditja për kryerjen e Haxhit

Që në fillim të theksojmë se juristët islam janë të ndarë në mendimet e tyre rreth dispozitës së mëditjes për kryerjen e haxhit.

Mendimi i parë, i përfaqësuar nga shumica e juristëve hanefij, disa juristëve malikij dhe sipas një transmetimi nga medhhebi Hanbelij, nuk lejohet marrja e mëditjes për bedelin që shkon në haxh apo umre për tjetrin, por atij i jepen vetëm harxhimet që i bënë gjatë haxhit.

Argumenti ku këta dijetarë mbështesin mendimin e tyre është fakti se haxhi dhe umreja janë adhurime (ibadete) trupore dhe nuk lejohet marje të mëditjes për kryerjen e tyre duke bërë analogji me namazin dhe agjërimin për të cilat nuk lejohet marrje e mëditjes. Në anën tjetër, sipas këtij mendimi, haxhi dhe umreja janë veprime me të cilat njeriu afrohet te Allahu xh.sh., andaj nuk lejohet marrja e mëditjes për to, sepse nëse këto veprime (haxhi dhe umreja) bëhen me mëditje, për pagesë atëherë dalin nga esenca se janë adhurime, andaj nuk lejohet marrja e mëditjes për këto veprime.

Mendimi i dytë, i përfaqësuar nga shumica e juristëve islam, janë të mendimit se lejohet mëditja për kryerjen e haxhit dhe të umres për bedelin. Të këtij mendimi janë edhe disa nga juristët e mëvonshëm të medhhebit hanefij, siç është Ebu Nasri dhe Ebu Lejth Semerkandi.

Shumica e juristëve të medhhebit malikij i lejuan bedelit marrjen e mëditjes porse një veprim të tillë e konsideruan të urryer (mekruh). Imam Maliku thotë: ”Që njeriu të punojë me mëditje në punët fizike të ndryshme është më e dashur për mua se të punojë me mëditje ndonjë punë që bëhet për Allah. Në Medine nuk dimë ndonjë rast as nga koha e Pejgmberit [Alejhis-selam] që dikush ka shkuar në haxh për dikë tjetër, apo ta ketë lejuar një veprim të tillë. I këtij mendimi është edhe imam Shafiu dhe një transmetim nga Imam Ahmedi.

Argumentet ku mbështet ky mendim i dijetarëve janë: Gjithë përfshieshmëria e teksteve që flasin për kontratën e qirasë dhe dhënin e hakut qiramarrësit me kryerjen e punës së marrë me qira, e në këtë përfshihet edhe mëditja për kryerjen e haxhit bedel. Në anën tjetër haxhi dhe umreja janë veprime fetare të cilat lejohet zëvendësimi, atëherë lejohet edhe marrja e mëditjes për këtë veprim, duke bërë analogji me punëtorin me mëditje për grumbullimin dhe shpërndarjen e zekatit dhe sadekasë.

Shkrime të ngjashme