Ihtilafet (mospajtimet) e sahabëve në disa dispozita Islame

Shkruan: Jusuf ZIMERI

Në kohën e sahabëve dispozitat islame kërkoheshin fillimisht në Kur’an Famëlartë e pastaj në sunetin e pastër, e nëse nuk gjenin zgjidhje në këto dy burime atëherë përdornin analogjinë nga tekstet për të gjetur zgjidhje të problemit. Në këto raste, qëndrimet e tyre ndaj zgjidhjes së një çështjeje nuk ishin unike, sepse një çështje e tillë as që është e mundur logjikisht, sepse ndryshonin metodologjitë e tyre për të ardhur deri te përfitimi i dispozitës.

Nga kjo nënkuptohet se në mesin e sahabëve kishte prej tyre që në mungesë të argumentit nga Kur’ani dhe sunneti, zhyteshin në çështjet analitike duke kërkuar interesin e përgjithshëm në bazë të motivit, dhe mbi të ndërtonin dispozitat e islamit. Mirëpo disa nga sahabët nuk zgjeroheshin në çështjet e ixhtihadit, por ishin këmbëngulës që zgjidhjen ta gjejnë vetëm përmes teksteve autentike. Këto qëndrime të sahabëve shpinin drejt mospajtimeve apo qëndrimeve të kundërta të sahabëve për dispozitën e disa çështjeve.

Në rastet kur sahabët pajtoheshin për dispozitën e një çështjeje që ngritej në bazën e ixhtihadit të tyre, atëherë formohej ixhmai (konsensusi), por siç theksuma, në realitet kishte edhe raste kur sahabët nuk pajtoheshin mes veti për ndonjë çështje dhe secili ngelte në qëndrimin e tij të përfituar nga ixhtihadi i tij, normalisht i mbështetur në argumente.

Dijetari i famshëm Ebu Is’hak Esh-Shatibiu në veprën e tij kur flet për mospajtimet e sahabëve sjell një transmetim nga Ibni Vehbi, ky nga El Kasim b. Muhamedi i cili ka thënë: Më ka pëlqyer fjala e Omer b. Abdulazizit kur ka thënë: Unë nuk kisha dashur që shokët e Pejgamberit s.a.v.s. të mos kenë pasur mospajtime, sepse sikur ata të gjithë të ishin të një mendimi, atëherë njerëzit do të ishin në vështirësi. Ata janë prijatarët që ne i pasojmë, andaj nëse dikush vepron sipas mendimit të njërit prej tyre atëherë do të jetë i liruar.[1]

Para se të sjellim ndonjë shembull për këtë, fillimisht të shpjegojmë disa nga shkaqet e mospajtimeve të tyre mes veti, e që janë:

1. Ndodh që argumenti – teksti të jetë jo i prerë në formën e argumentimit (Dhan-niju ed-dilale). Dijetarët e shkencës së Usuli fikut na sqarojnë se teksti për nga fuqia e argumentimit për përfitimin e dispozitës mund të jetë i prerë në argumentim dhe jo i prerë.

Teksti i prerë në argumentim është ai tekst i cili në kuptimin e tij përmban vetëm një kuptim të qartë, dhe nuk lejon kurrfarë alternative të interpretimit tjetër. Si shembull i kësaj janë ajetet të cilat përmbajnë numra siç është ajeti i 11 i sures en-nisa ku thotë: “Juve ju takon gjysma e asaj (pasurie) që lënë gratë e tuaja, nëse ato nuk kanë fëmijë, por nëse ato kanë fëmijë juve ju takon një e katërta nga ajo që lënë ato, pasi të kryhet testamenti i tyre dhe pasi të lahet borxhi” Në këtë ajet përmenden numra konkret andaj askush nuk mund të interpretoj se me këtë numër është për qëllim diçka tjetër. Ngjashëm është edhe ajeti i cili përcakton sanksionin e shpifësit për femrën e martuar me 80 të rëna, pra këtu nuk mund të shtjellohet se janë për qëllim 81 ose 79. Ky tekst nuk pranon kurrfarë alternative tjetër.

Teksti jo i prerë është ai tekst i cili në kuptimin e tij përmban më shumë se sa një kuptim, siç është ajeti kur’anor ku Allahu xh.sh. thotë: “E ato gra që janë shkurorëzuar janë të obliguara të presin tre menstruacione[2]

Në këtë ajet përdoret nocioni “Kuru” shprehje kjo e cila është ambivalente, që ka dy kuptime të kundërta mes veti, e që janë.: Pastërti, pastrim dhe kuptimi tjetër menstruacion. Andaj ata që e nocionin “Kuru” e kuptuan në kuptimin e parë, janë të mendimit se gruaja pas shkurorëzimit idetin e saj duhet ta pres tre pastrime, kurse grupi tjetër që nocionin “kuru” e kuptuan si menstruacion, janë të mendimit se gruaja idetin e saj duhet ta presë tre menstruacione. Që të dy këto mendime kanë edhe argumentet e tyre, që ne nuk e shohim të arsyeshme tani të lëshohemi në ato argumente, por ajo që është me rëndësi është se këtu lindë mospajtimi mes dijetarëve islamë.

2. Mospajtimi i tyre i ndërtuar mbi interesin e përgjithshëm të njerëzve, pikërisht për shkak të mospajtimit të kushteve dhe rrethanave ku jetonin ata, sepse rrethanat që ishin në Medine, nuk ishin identike me ata që jetonin në Kufe apo në Sham.

Çështja e furnizimit dhe banimit për femrën e shkurorëzuar

Në çështjen se femrës së shkurorëzuar me shkurorëzim të përhershëm (bain) bashkëshorti i saj a është i detyruar t’i sigurojë furnizimin me ushqim dhe veshmbathje dhe banimin deri në kalimin e idetit, sahanët ishin ndarë në dy mendime, që janë:

Omer ibnul Hatab[3] r.a. ishte i mendimit se bashkëshorti është i detyruar që bashkëshortes së shkurorëzuar me shkurorëzim të prerë, gjatë idetit duhet ti sigurojë furnizimi dhe banimin. Ky mendim i Omerit dhe të tjerëve që përkrahën këtë mendim, mbështetet në ajetin kur’anor ku Allahu xh.sh. thotë: ”dhe mos i nxirrni ato prej shtëpive të tyre, e edhe ato të mos dalin ndryshe vetëm nëse bëjnë ndonjë vepër të keqe të vërtetuar”.[4]

Sipas këtij mendimi, ndalimi i daljes nga shtëpia qartë dëshmon se bashkëshorti është i detyruar për sigurimin e furnizimit e saj dhe banimit. Këtë e përforcon edhe ajeti tjetër ku Allahu xh.sh. thotë: ”Ato (gratë e lëshuara), sipas mundësisë suaj i vendosni në ndonjë vend ku banoni ju, e mos i ngushtoni ato për t’i detyruar (të dalin).[5]

Mendim të kundërt ka Ibni Abbasi[6], i cili thotë: bashkëshorti nuk është i detyruar të sigurojë as furnizimin e as banimin për bashkëshortet e shkurorëzuara me shkurorëzim bain. Ky mendim mbështetet në hadithin e transmetuar nga Fatime b. Kajsi e cila ka thënë: Më shkurorëzoi bashkëshorti im me tre shkurorëzime, e Pejgamberi a.s. nuk përcaktoi për mua as furnizim e as banim.[7]

Ky grup i sahabëve jo që kishin harruar ajetet e sipërpërmendura, por këto ajete ata i interpretuan se kanë për qëllim shkurorëzimin (rexh’ij) me të drejtë rikthimi, e këtë interpretim të tyre e mbështetën pikërisht në pjesën e fundit të ajetit të parë ku Allahu xh.sh. thotë: “Ti nuk e di, All-llahu pas asaj mund të të japë diçka rishtazi”. Andaj, këta u mbështetën në hadithin e transmetuar nga Fatimja bija e Kajsit.

Mirëpo, në anën tjetër, edhe Omer b. Hatabi, jo që nuk e dinte hadithin e transmetuar nga Fatimja, por Omeri r.a. kishte thënë: A të braktisim librin e Allahut dhe sunnetin e Pejgamberit a.s. për shkak të një thënie nga një grua e cila nuk dinë mirë se e ka mbajtur mend apo ka harruar rastin.


[1] Mustafa Ahmed Ez-Zerka, el fikhul islasmi ve medarisuhu, f.42 nga Shatibiu, El I’tisam 3/11

[2] Suretu El bekare : 228

[3] Këtë mendim e mbështesin edhe Omer b. Abdulazizi, Imam Thevriju, Ebu Hanifja, dhe shumë dijetarë tjerë nga Kufa.

[4] Suretu Et-talak: 01

[5] Suretu Et-Talak : 06

[6] Ky mendim u mbështet edhe nga Hasan Basriju, Atai, Sha’biju, Ibni Ebu Lejla, Evzaiju etj etj.

[7] Imam Muslimi

Shkrime të ngjashme