Zeqati në mallra tregtie

Autor:Jusuf ZIMERI

Mallra tregtarë konsiderohet ajo pasuri e cila është përgatitur për tregti. Në mallrat tregtarë sipas mendimit të shumicës së dijetarëve nuk bëjnë pjesë ari, argjendi, dhe monedhat, por bëjnë pjesë të gjitha pasuritë tjera. Dhënia e zeqatit në mallra tregtarë sipas mendimit të dijetarëve të medhhebit Hanefij duhet t’i plotësojë këto kushte:

1. Që vlera e pasurisë për tregti të arrijë nisabin e arit apo argjendit. Nëse nuk e arrin nisabin e njërit atëherë llogaritet me nisabin e tjetrit. Vlera e tyre llogaritet me çmimin e nisabit të arit dhe argjendit në vendin që gjendet pasuria.

2. Të kalojë një vit (çmimi i saj), prej ditës në të cilën është bërë pronë e pronarit me qëllim tregtie.

3. Në momentin kur pronari e blenë atë pasuri kushtëzohet që pronari atë ta blejë me nijet tregtie. Në rastet kur personi ka blerë një mall por jo me nijet tregtie, e më pas e vendos që ajo pasuri të jetë pasuri tregtie, konsiderimi i Havlit llogaritet nga dita e cila ka vendosur që ajo pasuri të jetë pasuri tregtie.

Tregtari për dhënien e zeqatit duhet të llogarisë kapitalin, fitimin, rezervat e pastaj të hollat në përgjithësi dhe për të gjitha këto jep 2.5% nga zeqati. çmimi i llogaritjes për dhënien e zeqatit llogaritet në momentin e obligueshmërisë së dhënies së zeqatit e jo në momentin e blerjes së asaj pasurie.

Zeqati në borxh. زكاة الدَّيْنِ

Zeqati jepet edhe në pasurinë të cilën e ka dhënë dikush borxh dikujt tjetër. Dijetarët e medhhebit Hanefij, çështjen e zeqatit në pasurinë e dhënë në borxh, e shtjelluan në detaje, dhe për t’ë sqaruar më mirë, borxhin e ndanë në tri kategori :

 1. Borxhi i lehtë
Borxhi i lehtë është borxhi i cili rrjedh nga obligimi i cili nuk bëhet me këmbimin e pasurisë, do të thotë nuk ka lidhje me ndërrimin e ndonjë pasurie, siç është rasti me borxhin e Mehrit,[1] pastaj borxhi i Hul’it,[2] etj. Në këtë lloj borxhi nëse plotësohet nisabi, atëherë duhet patjetër të jepet zeqati, por pasi të kalojë një vit nga dita e realizimit të borxhit, respektivisht nga dita e marrjes së borxhit.

 2. Borxhi i mesëm
Borxhi i mesëm është borxhi që nuk është borxh tregtie, siç është borxhi i shtëpisë për banim, rrobe etj. Në borxhin e mesëm zeqati obligohet vetëm, atëherë kur plotësohet nisabi psh nëse ka borxh 500 dërhem, obligohet me zeqatë vetëm atëherë kur të ketë pranuar 200 dërhem që të jep 5 dërhem. Nisabi i këtij borxhi llogaritet nga dita e plotësimit të tij, e jo nga dita e pranimit të pasurisë.

 3. Borxhi i rëndë
Borxhi i rëndë, është kur borxhliu ka marrë pasuri ose tregtinë për veresi dhe borxh marrësi e pranon atë si borxh. Në këtë lloj borxhi dhënia e zeqatit është obligim edhe për vitet e kaluara. Zeqati jepet aq sa pranon nga borxhliu, por me kusht që të pranoj me vlerë prej 40 dërhemëve. Nëse pranon 40 dërhem, atëherë jep zeqatë një dërhem. Shembull nëse një preson ka pasuri borxh te dikush tjetër 300 dërhem që i ka marrë para tri viteve. Pas 3 viteve, ka marrë nga borxhi 200 dërhem, në këtë rast menjëherë obligohet të paguaj zeqatin për një vit prej 5 dërhemëve që do të thotë 2.5%. Mirëpo nga kjo pasuri ka të paguaj zeqatin edhe për dy vite tjera, që duhet llogaritur si vijon: Kur kemi paguar 5 dërhem prej 200 kanë ngelur edhe 195 dërhem. Atëherë, për pagimin e zeqatit të vitit të dytë veprohet sipas principit 40 dërhem 1 dërhem. Nga kjo del se për vitin e dytë paguan 4 dërhem, e po ashtu edhe për vitin e tretë paguhen vetëm 4 dërhem. Rrotullimi i vitit te borxhi i rëndë konsiderohet nga dita e plotësimit të nisabit e jo nga dita e dorëzimit të pasurisë.

Referencat
[1] Mehri është pasuria e caktuar që bashkëshorti ia paraqet-jep bashkëshortes së tij. Ky është obligim i bashkëshortit të cilin e meriton femra me përfundimin e lidhjes së kurorës së vlefshme, ose, pas gjerdekut me kontratë të prishur (Fasid). (Shih librin “E drejta familjare në Islam”)
[2] El Hul’u është lloj shkurorëzimi me marrëveshje që gruaja t´i kompenzojë diç nga pasuria e saj bashkëshortit i cili e pranon dëshirën e saj për shkurorëzim, e që tërë procedura përfundon me ixhab dhe kabull (kërkesë dhe pëlqim) – ky lloj shkurorëzimi quhet MUHALEA. (Shih librin “E drejta familjare në Islam”)

Leave a reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *