Imperativi dhe ndalimi (el emru ven-nehju)

Autor: Jusuf ZIMERI

Studiuesit e shkencës së usuli fikhut, e dinë mirë faktin se qëllimi final i kësaj shkence është nxjerrja dhe përfitimi i dispozitave (normave) juridike nga argumentet e detajuara si Kur’ani dhe Suneti, bazamente këto të cilat janë të shprehura në gjuhën arabe. Andaj, s’ka dilemë se, preciziteti i normës juridike, kryesisht varet nga njohja e thellë e shprehjeve për paraqitura në këto dy burime islame. Dijetarët e shkencës së Usuli fikhut normën e definuan: Fjalimi i Allahut xh.sh. që ka të bëjë me  veprat e të obliguarve në mënyrë imeprative ose alternative dhe vënduese (vcaktuese).[1]

Nga përkufizimi i normës vërejmë se  fjalimi i Allahut xh.sh. disa herë shprehet në formën urdhërore, kur personi i ngarkuar me veprim është i detyruar për veprim pavarësisht se imperativi vjen për veprim apo ndalim, dhe në këtë rast nuk lejohet që në mbështetje të logjikës së tij të veproj kundër urdhrit – imperativit. E drejta e urdhrit në islam është e drejtë ekskluzive e Ligjdhënësit (Allahut xh.sh.) andaj logjika nuk ka të drejtë të kundërshtojë urdhrin e Ligjdhënësit, sepse drejtues është urdhri e jo logjika, ajo mundet me qenë vetëm pasues i tij. Kjo vërtetohet me ajetin kur’anor ku Allahu xh.sh. thotë: “Vendimi i takon vetëm Allahut”[2], pastaj ajeti tjetër ku Allahu xh.sh. thotë: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër, pos që të më adhurojnë”[3] e adhurimi nuk mund të realizohet ndryshe nëse nuk jemi përfshirë në zbatimin e urdhrit për veprim dhe ndalim.[4] Në anën tjetër çdo urdhër mund të jetë, urdhër për veprim, dhe urdhër për mos veprim. Kërkesa për veprim[5] është urdhri-imperativi, kurse kërkesa për mos veprim është ndalimi[6]. Nga vetë shprehja kërkesë

Ky është edhe motivi që dijetarët e shkencës së usuli fikhut, bënë studime të thella dhe serioze në këtë lëmi, andaj shprehjen (fjalën) e kundruan nga disa aspekte, dhe të njëjtën e ndanë në disa ndarje. Çështja që neve do ta trajtojmë në këtë punim, është shprehja nga e cila përfitohet dispozitë juridike (normë e sheriatit).

Shprehja nga e cila përfitohet norma e sheriatit

Dijetarët e shkencës së usuli fikhut shprehjen nga e cila përfitohet norma e sheriatit (dispozita juridike) e ndanë kryesisht në dy lloje, që janë:

–  El Haber- Informatë, është shprehja – informata tek e cila mund të supozohet edhe e vërteta edhe gënjeshtra, nga këndvështrimi se ajo është informatë, e nëse e kundrojmë nga aspekti i jashtëm duke marrë parasysh edhe faktorin se kush është burimi i informatës, atëherë vihet në pah se shprehjet në Kur’an janë informatë nga Ligjvënësi suprem dhe në të nuk mund të paramendohet gënjeshtra.

–  El Insha –  shprehje konstruktive, është shprehja tek e cila nuk mund të supozohet e vërteta edhe gënjeshtra, që dijetarët e sulit këtë shprehje e ndajnë në shumë ndarje por nga më e rëndësishmja është imperativi dhe ndalesa.

Imperativi  dhe ndalimi (el emru ven-nehju)

Një nga llojet e shprehjes konstruktive (el Insha) është edhe çështja e imperativit (el emru) dhe ndalesës (en-nehju). Marrë parasysh rëndësinë e kësaj tematike, dijetari i famshëm nga shkolla juridike hanefite imam Serahsiu[7] thotë; “Çështja më prioritare që duhet të fillohet në sqarim është imperativi (el emru) dhe ndalimit (en-nehju), sepse çrregullimet më të mëdha në përfitimin e normës juridike, pikërisht na paraqiten në këto dy çështje. Pastaj me njohjen e mirë të këtyre dy çështjeve, imperativit dhe ndalimit, arrijmë të njohim normën e sheriatit dhe, përmes kësaj arrijmë të bëjmë specifikimin mes normës së lejuar (hallallit) dhe të ndaluarës (haramit)[8].

Imperativi-urdhri (el emru)
Para se të shtjellojmë çështjen e përfitimit të dispozitës nga imperativi (el emru), fillimisht të definojmë se çka është el-emru.

Nocioni “el emru” që në gjuhën shqipe nënkupton imperativ apo urdhër në terminologjinë e shkencës së usuli fikhut sipas dijetarëve të shkollës juridike hanefite dhe hanbelite definohet:[9] Shprehja e cila kërkon veprim dhe vjen nga lart poshtë [10].

Nga ky definicion kuptohet se imperativ konsiderohet urdhri i cili vjen nga lart poshtë, si psh, urdhri i Allahut xh.sh ku thotë: “falni namazin, jepni zeqatin dhe përmbahuni me Allahun se Ai është ndihmëtari i juaj”[11] në këtë rast nocioni “falni” pastaj “jepni” janë urdhra për veprim, dhe urdhri vjen nga Allahu xh.sh te njeriu, kurse urdhri i cili vjen nga poshtë lartë nuk konsiderohet imperativ porse lutje dhe kërkesë, si lutjet tona kur themi: “O Zoti ynë na jep neve të mira në këtë botë dhe në botën tjetër” në këtë rast shprehja “na jep” në aspektin gjuhësor kemi të shprehur mënyrën urdhërore, por meqë shprehja bëhet nga poshtë lart, kjo nuk konsiderohet urdhër porse lutje.

Dijetarët e më vonshëm të shkencës së usuli fikhut duke bërë analiza të detajuara rreth çështjes së imperativit dhe ndalesë, konsiderojnë se urdhri – imperativi mund të jetë dy lloje që janë:
– Urdhri i qartë (Sarih) dhe
– Urdhri jo i qartë apo i tërthortë (gajru sarih)[12].

Urdhri i qartë (Sarih)
Urdhër i qartë konsiderohet kërkesa e veprimit në të ardhmen, pavarësisht se forma e kërkesës vjen përmes formës së foljes urdhërore (vepro ose urdhëroj) siç është fjala e Allahut xh.sh. në Kuran ku thuhet: “Falni namazin dhe jepni zeqatën dhe faluni me ata që falen”[13] ose ajeti: “ O ju që besuat, zbatoni premtimet (obligimet)”[14] etj. Në këto dy shembuj vërejmë se imperativi vjen nga shprehja e foljes urdhërore si “ekiimu -Falni”, “ atuu- jepni”  dhe folja “Euvfuu –Zbatoni”.

Në disa raste urdhri nënkuptohet edhe nga folja e  kohës së tanishme apo kohës së ardhme që është e shoqëruar me shkronjën (Lam) që quhet lami urdhëror si psh. “e kush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë.”[15] Ose ajeti: ”Ai që është i pasur, le të shpenzoj sipas mundësisë së vet, e ai që është ngushtë nga pasuria, le të japë nga ajo që i ka dhënë Allahu..”[16] Nga ajetet e lartë përmendura vërejmë se urdhi vjen nga folja e kohës së tanishme e shoqëruar me lamin urdhëror “fe –l- jesumhu- le të agjërojë”, ose në ajetin tjetër folja e kohës së tanishme me lamin urdhëror “li-junfik –le të shpenzoj”.

Shembull tjetër nga hadithi i pejgamberit s.a.v.s kemi hadithin e transmetuar nga ebu Hurejra r.a. pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: ”Kush beson në Allahun dhe në ditën e gjykimit, mos ta dëmtojë fqiun e tij, e kush beson në Allahun dhe në ditën e gjykimit le ta nderoj mysafirin e tij, dhe kush beson në Allahun dhe në ditën e gjykimit le të flet të vërtetën ( të mirën) ose le të heshtë” [17]. Gjithashtu nga hadithi vërejmë se urdhri – imperativi përfitohet nga folja kohës së tanishme e shoqëruara me lamin urdhërues si; “fe-l-jukrim – le ta nderoj” pastaj folja “fe-l-jekul- le të thotë” dhe shprehja “li-jesmut-le të heshtë

  Urdhri jo i qartë apo i tërthortë (gajru sarih)
Urdhri jo i qartë përfitohet nga shprehjet të cilat në mënyrë të tërthortë apo indirekte japin të kuptojnë se bëhet fjalë për urdhër e nuk është qëllimi vetëm për informim. Ky lloj i urdhrit ndahet në tre lloje që janë:

1. Rastet kur informimi vjen në formën për të përforcuar dhe vërtetuar dispozitën[18] që nënkupton se kërkesa parashtrohet në formën e informatës. Ky imperativ arrihet edhe përmes:

  1. a.  Fjalisë foljore pra fjalive që fillojnë me folje, siç janë ajetet: “Agjërimi u është bërë juve obligim”[19] pra fjalia fillon me foljen “kutibe”, andaj edhe është fjali foljore, që vërteton dispozitën e obligueshmërisë së agjërimit, ose ajeti tjetër ku thotë: “Ne u caktuam atyre në te (teurat) kundërmasat ndëshkuese, njeriu mbytet për njeriun, syri për syrin hunda për hundën ..”[20]

 b. Fjalisë emërore. Në disa raste tjera imperativi përfitohet edhe nga fjalia emërore nga e cila është për qëllim kërkesa, siç është rasti me ajetin: “Nënat, ato që duan të plotësojnë gji dhënien, janë të obliguara tu japin gji fëmijëve të vet dy vjet të plota..”[21] Në këtë ajet nuk është për qëllim thjesht informimi se nënat duhet tu japin gji fëmijëve të tyre, por për qëllim është urdhri që ata tu japin gji fëmijëve të tyre[22]. Shembull tjetër kemi ajetin kur’anor ku Aallahu xh.sh. thotë: “Për hir të Allahut vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo..” [23]

Raste dhe shembuj të tillë kemi të shumtë edhe nga suneti i pejgamberit s.a.v.s.. që ne do të përmendim vetëm këtë: Transmetohet  nga ibni Abasi r.a. se ka thënë:  Na mbajti një fjalim i dërguari i Aallahut s.a.v.s. dhe tha: “O ju njerëz, u është bërë juve haxhi obligim..”[24].

2. Tekstet të cilat na informojnë duke parashtruar çështjen në formën e lavdërimit për veprimin konkret, ose për vepruesin, ose që përshkruajnë shpërblimin për vepruesin, ose që informojnë për dashurinë dhe kënaqësinë e Allahut xh.sh. për të. Shembuj nga rastet e tilla kemi të shumtë në Kur’an dhe në sunet, e ne do të përmendim vetëm disa prej tyre. Allahu xh.sh. në Kur’an thotë: “Aty ka burra që dëshirojnë të pastrohen mirë, e Allahu i do të pastrit” [25] pastaj ajeti: “ e nëse jeni mirënjohës ndaj Tij,  Ai e pëlqen atë për ju..”[26]

 Shembuj të tillë nga hadithet e pejgamberit s.a.v.s kemi hadithin përmes të cilit i dërguari i Allahut na lajmëron për informatë i cili njëkohësisht për ne është edhe urdhër, e që është: “(Thënia) la hauvle ve la kuv-vete il-la bil-lah, është thesar prej thesareve të xhenetit[27] Pra. Ajo që kuptojmë nga hadithi nuk është thjesht vetëm informimi se kjo fjali është thesar i xhenetit, porse fjalia ka për qëllim urdhrin që ne ta përsërisim sa më shumë këtë fjali.

3.  Urdhrin për veprim e kuptojmë edhe nga forma e fjalisë e cila e cila tregon se  çështja e urdhëruar është e varur nga një çështje tjetër. Kjo nënkuptohet nga rregulli ku thuhet: ajo pa të cilin nuk mund të kompletohet farzi pa të është farz.

Imperativi shpien në detyrim (obligueshmëri)
Shumica e dijetarëve shkencës së usuli fikhut janë të mendimit se urdhri obligon zbatimin e veprës së urdhëruar, që nënkupton se dispozita (norma) e përfituar nga urdhri është obligim (farz). Dispozita e përfituar nga urdhi që në esencë është obligative mund të zhvendoset në dispozitë tjetër, vetëm atëherë kur për të ekziston prezumim (argument), dhe norma nga farz shndërrohet në mendub.

 

Referencat
[1] Taxhedin Bislimi, hyrje në shkencën e sulin fikut f.178, botimi Shkup 2003.
[2] . Suretu El En’am : 57
[3] . Suretu Edh-dharijat : 56
[4] .Dr. Alij Mustafa Ramadan, el emru ven-nehju ve ma jetevekafu alejhi el matlub, Darul Huda 1981 Kajro.
[5] . Kërkimi për veprim mund të jetë dy lloje që janë:
1 Kërkesa e Allahut xh.sh. për veprim të një sendi në mënyrë të prerë dhe me argument të prerë, (kat’iju ethubut ve dilale) që dispozita e kësaj kërkese është detyrimore (farz) dhe
2. Kërkesa e Allahut xh.sh. për një veprim në mënyrë jo të prerë ose me argument jo të prerë (kat’iju ethubut dhanijue ed-dilale, ose dhanij-ju ethubut kat’iju ed-dilale), e që dispozita e këtij veprimi është Vaxhib.
[6] . Gjithashtu edhe kërkimi për mos veprim mund të jetë:

  1. Kërkim për mos veprim në mënyrë të prerë dhe me argument të prerë (kat’iju eth-thubut ved-dilale) që dispoziat e saj është ndalesa –Harami, dhe
  2. Kërkimi për mos veprimnë mënyrë jo të prerë ose me argument jo të prerë (dhaniju eth-thubut ved-dilale), që dispozita e saj është Mekruhi.

[7]. Imam Serahsiu (xxx-483h = xxx-1090m, është nga dijetarët më eminent dhe muxhtehid i medhhebit hanefij, i cili njihet si Fikhist, usulist, akaidolog dhe muhadith. Ishte i shquar me memuri të fortë saqë thuhet se mbante mend 12 mijë fletore të shkruara.
[8] . Sa’dudin mesÇud b. Omer Taftazani, Et-Telvih ila keshfi hakaiki Et-tenkih- Et-tevdih shehu et-tenkih nga Sadru esh-sheria eibni Mes’ud el Mahbubi 1/328, botimi i parë 1998, Bejrut-Liban, – Prof. Mahmur Shevket, Muhadirat fi usulil el fikhil islamij, f. 109, bitimi 1988.
[9]. Disa nga dijetarët e usuli fikhut imperativin e kanë definuar: shpalosja e dëshirës përmes shprehjes (fjalës), shkrimit apo sinjalit apo ngjashëm me to.
[10] .Dr. vehbe Zuhjeli, Usulu el fikhil ilamij 1/218, darul Fikr, Damaak- Siri. –[11] . Suretu el Haxh-xh : 87
[12] . Dr. Alij Mustafa Ramadan, el emru ven-nehju ve ma jetevekafu alejhi el matlubu, f.12, Darul huda Kajro.
[13] Suretu el Bekare : 43
[14] Suretu el Maide . 01
[15] Suretu el Bekare : 285
[16] Suretu Et-talak : 07
[17] Regjistruar nga imam Buhariu dhe Muslimi.
[18] . El Muvafekat 3/155
[19] . El Bekare : 185
[20] . Suretu el maide : 45
[21] Suretu el Bekare : 233
[22] .Dr. Vehbe Zuhejli, Usulu fikhil islamij 1/219, Darul fikri, Damask – Siri.
[23] . Suretu Ali Imran : 97
[24] . Regjistron Imam Ahmedi dhe të tjerë, Nejlul evtar 4/312
[25] .Suretu Et-teuvbe : 108[26] Suret  Ez-zumer : 07
[27] . Imam Buhariu

Lini një Përgjigje