I’tikafi, normë Islame

Shruan: Jusuf ZIMERI

  Shprehja “I’tikaf” në kuptimin gjuhësor do të thotë: qëndrim, ndejtje, mbyllje, izolim dhe vazhdimsi në një send pa marrë parasysh se është vepër e mirë apo keqe. Kurse shprehja “I’tikaf” në terminologjinë e jurispudencës islame nënkupton: ”Qëndrimi (ndejtja) në xhaminë në të cilën falet namazi me xhematë duke qenë agjërueshëm, me qëllim Itikafi“. Nga ky definim e shprehjes itikaf nënkuptojmë se itikafi është ibadet, i cili realizohet me izolimin nëpër xhami ku ka të emëruar imam dhe muezin, përkatësisht ku falen pesë kohët e namazit me xhemat.

Se ittikafi është rregull, ibadet dhe afrim te All-llahu xh.sh. vërteton Kur’ani Falëlartë dhe sunneti i pastër. All-llahu xh.sh. ka thënë:

وَ لاَ تُبَاشِرُوهُنَّ وَ أَنْتُمْ عَاكِفُونَ فِي المَسَاجِدِ

  “Mos iu afroni atyre kur jeni të izoluar në xhamia“.136         

Argument nga hadithi për ligjëzimin e itikafit kemi hadithin që e transmeton Abdullah  ibni Omeri, i cili ka thënë:

قَالَ كَانَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ يَعْتَكِفُ الْعَشْرَ الْأَوَاخِرَ رَمَضَانَ:

Pejgamberi a.s. izolohej (hynte në itikaf) dhjetë ditët e fundit të muajit të Ramazanit.“138

Urtësia e ittikafit

Ittikafi më i vlefshëm është ittikafi në xhaminë Bejtullah (Qabe), në Meke, pastaj në xhaminë e Pejgamberit a.s. në Medine, e më pas në Xhaminë e Aksasë në Kuds, kurse itikafi nëpër të gjitha xhamitë tjera është i njëjtë pavarësisht se ku gjendet ajo xhami.

S’ka dyshim se itikafi konsiderohet adhurim dhe afrim tek All-llahu xh.sh., andaj si i tillë ai ka edhe dobitë dhe urtësitë e tij, e që ne në këtë rast do të prekim disa nga to: Ittikafi konsiderohet pastrim shpirtëror, zemëror dhe pastrim i mendjes nga anomalitë aksidentale me të cilat njeriu ballafaqohet gjatë jetës së kësaj bote. Distancimi nga interesat e jetës së kësaj bote dhe përqendrim të plotë në adhurim dhe dashurinë ndaj All-llahut xh.sh. duke shprehur gatishmëri të plotë që të zbatojë urdhrat e All-llahut xh.sh., vetëm për hir të dashurisë dhe respektit ndaj Krijuesit të tij.

Gjatë izolimit në ittikaf të jeper rastiqë të përjetosh Natën e Kadrit, natë kjo, e cila është shpëtim dhe paqe për besimtarët islamë dhe më e dobishme se sa njëmijë muaj, natë kjo në të cilën bëhet lidhshmëria e sferës së tokës me sferat qiellore.

Shprehje gatishmërie që të sakrifikojë çdo gjë me interes të kësaj jete, vetëm për të arritur dashurinë dhe kënaqësinë e All-llahut xh.sh.

Në këtë kontekst mjafton të përkujtojmë fjalët e imam Ata bin Ebi Rebah-tabiij, nxënësi i Ibni Abbasit dhe në anën tjetër njëri ndër mësuesit e Ebu Hanifes, i cili kur flet  për dobinë e itikafit veç tjerash thotë: “ Shembulli i personit, i cili është në Ittikaf është sikur shembulli i një personi, i cili qëndron para portës së një sunduesi, apo imami për të kërkuar  ndonjë dëshirë që ka mundësi për t’ia plotësuar. Për këtë person flet gjuha e gjendjes së tij edhe nëse nuk flet me gjuhën, e cila shpreh fjalë. Kurse imam Ez-Zahidiju thotë:“Është çudi për njerëzit si e kanë braktisur( harruar) itikafin, kur dihet se Pejgamberi a.s. disa vepra i bëri gjithëherë e disa nuk i veproi asnjëherë, porse itikafin nuk e braktisi asnjëherë prej se erdhi në Medine e derisa vdiq. “

 Kushtet e ittikafit

Për t’u arritur qëllimet finale nga ittikafi duhet plotësuar këto kushte :

1. Personi, i cili hyn në itikaf patjetër duhet të jetë musliman, sepse itikafi i jomuslimanit nuk është i kërkuar e as i vlefshëm.

2. Të jetë psikikisht dhe fizikisht i shëndoshë dhe mos të jetë  fëmijë i vogël.

3. Itikafi të bëhet në xhaminë në të cilën ka imam dhe muezin, respektivisht në xhaminë në të cilën falen xhematë pavarësisht se a falen pesë kohët e namazit, apo jo. Sipas mendimit të imam Ebu Jusufit ittikafi vaxhib, nuk lejohet të bëhet në xhamitë që nuk kanë të caktuar imam dhe muezin për faljen e pesë kohëve të namazit, kurse për itikafin nafile lejohet edhe në mesxhide.

4. Nijeti është kusht i ittikafit, sepse itikafi është adhurim dhe afrim te All-llahu xh.sh., andaj pa nijet itikafi nuk është i vlefshëm dhe nuk e plotëson premtimin pa të.

5. Pastrimi nga papastërtia.

  6. Lirimi nga menstruacioni (hajzi dhe nifasi), e kur është në pyetje itikafi i premtuar (vaxhib), është kusht i vlefshmërisë.

7. Itikafi i femrës pa lejen e bashkëshortit është i pavlefshëm, pavarësisht se për cilin lloj të itikafit bëhet fjalë, për atë të premtuar (vaxhib)  apo për atë  sunnet. Nëse bashkëshorti i jep leje bashkëshortes së tij për itikaf, nuk posedon më të drejtën që t’ia ndërprejë ittikafin. Femrat ittikafin e tyre e bëjnë në shtëpinë e tyre, përkatësisht në dhomën në të cilën e kanë veçuar për namaz, e nëse hyn në itikaf në xhami, itikafi i saj është i vlefshëm, porse është mekruhi tenzihen, ngase itikafi i saj në shtëpi është më prioritar.

Dispozitat e ittikafit

pas  dijetarëve të shkollës juridike hanefite, llojet e ittikahit janë tri e ato janë :

1. Ittikafi i premtuar, e që dispozita e tij është vaxhib.

2. Ittikafi në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit,e që dispozita e tij është sunneti i fortë (muekked) i mjaftueshëm, që do të thotë: nëse e veprojnë disa shkarkohen të gjithë të tjerët nga ky sunnet.

3. Ittikafi në kohët tjera që dispozita e tij është Mustehab.

1. Ittikafi vaxhib (i premtuar)

Itikafi vaxhib është itikafi i premetuar me apo pa ndonjë rast mjafton të thotë: Vendosa që të hyj në itikaf tri ditë për hir të All-llahut xh.sh. Imam Buhariu për itikafin e premtuar në koleksionin e tij përmbledh hadithin e transmetuar nga Abdullah b. Omeri që babai i tij Omer b. Hatabi kishte pyetur Pejgamberin a.s. dhe i kishte thënë :

عن عَبْدِاللَّهِ بْنِ عُمَرَ عَنْ عُمَرَ بْنِ الْخَطَّابِ رَضِي اللَّهُ عَنْهُ أَنَّهُ قَالَ يَا رَسُولَ اللَّهِ إِنِّي نَذَرْتُ فِي الْجَاهِلِيَّةِ أَنْ أَعْتَكِفَ لَيْلَةً فِي الْمَسْجِدِ الْحَرَامِ فَقَالَ لَهُ النَّبِيُّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ أَوْفِ نَذْرَكَ فَاعْتَكَفَ لَيْلَةً

 “O i Dërguari i All-llahut, kam premtuar në injorancë që një natë të bëj itikaf në Bejtullah (Qabe), e Pejgamberi a.s. i tha : “Plotësoje-zbatoje premtimin tënd, dhe bëre një natë në itikaf. “139

 

Dispozita e agjërimit gjatë ittikafit të premtuar (vaxhib)        

 

Të gjithë dijetarët, fukahatë islamë, janë të një mendimi: nëse personi ka premtuar që të bëjë ittikaf dhe gjatë itikafit do të agjërojë, për të qenë ittikafi i tij i vlefshëm patjetër duhet që itikafin ta shoqërojë me agjërim, dhe se në të kundërtën ittikafi i tij është i pavlefshëm. Çështja për të cilën dijetarët islamë kanë mospajtime është: kur personi ka premtuar të bëjë ittikaf, porse nuk ka premtuar asgjë për agjërim. Sipas mendimit të dijetarëve të medhhebit hanefij agjërimi është kusht140 i vlefshmërisë së itikafit të premtuar. Të këtij mendimi janë edhe fukahatë e Medinës dhe shumica e malikive.

Argumenti se agjërimi është kusht i vlefshmërisë së itikafit është hadithi që e transmeton Aisheja r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë :

 لاَ اِعْتِكَافَ إِلاَّ بِصَوْمٍ “

“ Nuk ka ittikaf pa agjërim. 141

Koha me e ngushtë me të cilën plotësohet ittikafi vaxhib është një ditë, ngase në të kushtëzohet agjërimi.

.

2-Ittikafi sunnet.

 

Ittikaf sunet i fortë i mjaftuar është ittikafi në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, ittikaf ky që e praktikoi Pejgamberi a.s. deri sa vdiq, kurse pas tij e kishin praktikuar edhe bashkëshortet e tija, sahabët etj. Transmetohet se Pejgamberi a.s. në fillim kishte hyrë në ittikaf në dhjetëshin e mesëm  të muajit të Ramazanit, e pasi ishte liruar nga ittikafi kishte ardhur Xhibrili a.s. dhe i kishte thënë :Vërtet, atë që e kërkon është para teje, do të thotë natën e Kadrit, atëherë hyn në itikaf në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit. Nëse shtrohet pyetja se pasi që Pejgamberi a.s. nuk e ka braktisur asnjëherë ittikafin, atëherë ky ittikaf duhet të jetë vaxhib e jo sunnet ? E vërteta është se ky ibadet është sunet, ngase Pejgamberi a.s. nuk e qortoi askë që e braktisi këtë ibadet, e sikur të ishte vaxhib do t’i kishte qortuar braktisësit .

 

3-Ittikafi mustehab

 

Ittikaf mustehab konsiderohet çdo itikaf  jashta itikafit të premtuar dhe atij sunnet në Ramazan. Në ittikafin mustehab nuk është kusht agjërimi. Ittikafi mustehab është i pakufizuar në kohë, që do të thotë se edhe një qëndrim i shkurtë me nijet itikafi konsiderohet itikaf.

 

Gjërat që e prishin  itikafin

 

Gjërat që e prishin itikafin janë:

1. Marrëdhëniet seksuale, edhe nëse ato bëhen pa ejakulim dhe pavarësisht se bëhen gjatë ditës apo natës, gjithashtu edhe nëse bëhen me harresë. gjatë qëndrimit në itikaf, All-llahu xh.sh.ka ndaluar mardhëniet seksuale me ajetin kur’anor ku thotë:

وَ لاَ تُبَاشِرُوهُنَّ وَ أَنْتُمْ عَاكِفُونَ فِي المَسَاجِدِ

“E kur jeni të izoluar (në itikaf ) në xhami, mos t’u afroheni atyre (për marrëdhënie imtime )“143 

Sipas hanefijve ejakulimi i spermës nuk e prish itikafin nëse ajo bëhet vetëm me parafytyrim, apo vetëm me shikim dhe ëndërr.144

2. Dalja nga xhamia. Sipas mendimit të Ebu Hanifes dalja nga xhamia pa arsyetim një orë (disa çaste) e prish itikafin, ngase rukni – shtylla e itikafit është qëndrimi i vazhdueshëm në xhami, andaj nëse del nga xhamia itikafi prishet ngase humbet rukni, e pa rukn nuk ka ibadet siç është rasti me agjërimin, po të hash pak apo shumë prishet agjërimi, kurse sipas mendimit të imam Muhammedit dhe imam ebu Jusufit ittikafi prishet, nëse del nga xhamia më shumë se gjysma e ditës, e këtë dispozitë e përfitojnë nga koha e nijetit gjatë agjërimit.

3. Alivanosja dhe çmenduria. Nëse personi, i cili është në itikaf alivanoset, apo sëmuhet psikikisht dhe një gjendje e tillë zgjat shumë ditë, prishet ittikafi i tij.145

4. Hajzi dhe nifasi (menstruacioni) Femërave u prishet ittikafi gjatë kësaj kohe dhe këto ditë i bëjnë kaza pas pastrimit të tyre.

5.Të ngrënit dhe të pirit gjatë ditës së itikafit me qëllim sipas mendimit të atyre dijetarëve që kushtëzojnë vlefshmërinë e itikafit me agjërimin, kurse ngrënia dhe pirja me harresë nuk e prish ittikafin, ngase nuk e prish as agjërimin

. 6. Largimi nga feja (renegati). Nëse personi, i cili është në ittikaf largohet nga feja islame, prishet itikafi i tij. Këtë e vërteton ajeti kur’anor, ku thotë

لَئِنْ أَشْرَتَ لَيَحْبَطَنَّ عَمَلُكَ

Nëse i bën shok (All-llahut), veprat tua janë të asgjësuara”146

Nëse prishet itikafi vaxhib, atëherë duhet bërë kaza me përjashtim, nëse itikafi prishet me anë të largimit nga feja-renegati nuk obligohet me kaza. Nëse itikafi ka qenë i pa përcaktuar sikur të ketë vendosur të rrijë në itikaf dhjetë ditë, atëherë bën kaza ditët e ngelura, sepse itikafi nuk  ripërsëritet nga fillimi.

Është Mekruh tahrimen heshtja në itikaf duke menduar se heshtja është ibadet dhe afrime te All-llahu xh.sh., sepse  heshtja nga mekatet e gjuhës është ndër ibadetet më madhështore.

Gjithashtu është mekruh që në itikaf të sillen artikujt e tregtisë, kurse blerja e artikujve për të cilët ka nevojë  ai, apo familja e tij pa e sjellë në vend nuk është e urrejtur me përjashtim të kontratës së shitblerjes, e cila nuk lejohet..

Gjatë qëndrimit në ittikaf, personi që ka hyrë në të është mirë që të fletë vetëm fjalë të mira dhe të dobishme, të merret sa më shumë me leximin e Kur’anit dhe hadithit, me ibadet  etj.



 

138 Përmbledh Buhariu Nr:1885

139 Përmbledh Buhariu Nr:1901

140 Sipas mendimit të medhhebit shafij dhe hambelij dhe disa dijetarëve tjerë ittikafi i premtuar-vaxhib mund të bëhet dhe të jetë i vlefshëm edhe pa agjërim, ngase agjërimi nuk është kusht i vlefshmërisë, nëse ai vetë nuk e ka kushtëzuar.

141 Përmbledh Bejhekiu, Darulkutnij 2/199

143 El Bekare :187

144 Sipas malikive prishet itikafi, nëse bëhet ejakulimi vetëm me parafytyrim dhe shikim qoftë natën apo ditën, me qëllim apo me harresë.

145 Sipas mendimit të malikive alivanosja nuk e prish ittikafin, ashtu siç nuk e prish edhe gjumi.

146 Ez-zumer : 65

Leave a reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *