Jurisprudencë, Shkrime Autoriale

Ixhtihadi në periudhën e shpalljes

Shkruan. Jusuf ZIMERI

Ixhtihadi i pejgamberit a.s.

Që në fillim të theksojmë se juristët islamë dhe dijetarët e shkencës së Usuli fikut kanë bërë kërkime të shumta shkencore rreth çështjes së ixhtihadit në kohën e Pejgamberit dhe të ixhtihadit nga vetë pejgamberi a.s..

Një numër i dijetarëve islamë janë të mendimit se Ixhtihadi nuk është nga veprimtaria pejgamberit a.s. sepse ai mbështetej vetëm në shpalljen (vajin) kurse atë që dikush e konsideron ixhtihad të pejgamberit a.s. ajo konsiderohet shpallje e brendshme. Sipas këtyre ixhtihadi është i ligjësuar për njerëzit tjerë jashtë pejgamberit a.s., ngase ixhtihave vetvetiu përmbanë edhe mundësinë e gabimit, e një gjë e tillë nuk është e lejuar për pejgamberin a.s.

Shumica e dijetarëve tjerë, përfshirë këtu usulistat e katër shkollave juridike islame janë të mendimit se edhe për pejagmebrin a.s. ixhtihadi ishte i lejuar për çështjet që nuk ka tekst nga shpallja. Është e vërtetë se ixhtihadi vetvetiu përmbanë edhe opsionin e gabimit, por meqë ishte koha kur shpallja ishte në vazhdimësi, nëse eventualisht i Dërguari do të gabonte në ixhtihadin e tij, ai nuk do të lihej në gabim, por do të përmirësohej përmes shpalljes.[1] Argument ku këta dijetarë mbështesin mendimin e tyre se ixhtihadi ishte i lejuar edhe për Pejgamberin a.s. është ajeti ku Allahu xh.sh. thotë:pra merrni përvojë o ju të zotët e mendjes”.[2] Ky ajet sipas dijetarëve islamë është imperativ i përgjithshëm ku urdhëron që të tërheqim paralele mes çështjeve që dispozita e tyre nuk është përcaktuar, me çështjet që dispozita e tyre është e rregulluar e që kanë motivin e njëjtë[3].

Pastaj këta dijetarë mbështetën edhe në faktin se ixhtihadi ishte i lejuar edhe për pejgamberët tjerë siç ishte rasti me Davudin dhe Sulejmanin a.s., e kjo është vërtetuar me ajetin 78 dhe 79 të sures El Enbija, e kjo vërteton ligjësimin e ixhtihadit për pejgamberët përfshirë edhe Muhamedin a.s..

Në anën tjetër, vërtetohet se i Dërguari i Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme. gjatë jetës së tij kishte bërë ixhtihad në disa çështje islame, për të cilat nuk kishte shpallje për to. Në mesin e ixhtihadeve që kishte bërë Pjgamberi a.s. ishte edhe rasti kur një burrë nga fisi Hath’am kishte ardhur te Pejgamberi a.s. dhe e kishte pyetur duke i thënë: O i Dërguari i Allahut, vërtetë babai im është shumë i shtyrë në moshë, ai nuk mund t’i përballojë mjetit të udhëtimit, por haxhin e ka obligim, a të bëjë haxhin për atë? Pejgamberi a.s. e pyeti: A ti je fëmija më i madh i tij? Tha po. Pejgamberi a.s. tha: “Çka mendon sikur babai yt të kishte borxh, e ti t’ia shpaguash borxhin, a do të ishte e vlefshme kjo (a do të shkarkohej nga borshi ai)? Tha: po. Pejgamberi a.s. tha: “Kryeje haxhin për të”. Këtu vërejmë se pejgamberi a.s. përmes ixhtihadit të tij tërheqi paralele mes dy çështjeve, pra krahasoi haxhin me boxhin.

Gjithashtu kemi raste kur Pejgamberi a.s. kishte bërë ixhtihad për një çështje, pastaj e kishte përmirësuar Allahu xh.sh. ixhtihadin e tij përmes shpalljes. Rast të tillë kemi në vitin e dhjetë pas hixhretit kur Pejgamberi a.s. bënte përgatitjet për në betejën e Tebukit, dhe në këtë rast Pejgamberi duke parë rrethanat e kohës me ixhtihadin e tij lejoi që disa nga hipokritët të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, pra të mos i bashkëngjiten ushtrisë islame për në Tebuk. Në këtë ixhtihad të Pejgamberit s.a.v.s. Allahu xh.sh zbriti ajetin kur’anor ku thotë: “All-llahu ta fali ty (Muhammed) gabimin pse atyre ju dhe leje (të ngelin pa dalë) para se të bëhej për ty e qartë se cilët ishin të drejtë dhe t’i dije me kohë rrenacakët. [4]

Ixhtihadi i Sahabëve në kohën e Pejgamberit a.s.

Nëse me vëmendje hulumtojmë historinë e kësaj periudhe, vërejmë se me çështjen e ixhtihadit ishin marrë edhe disa nga sahabët që në kohën kur i dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte në mesin e tyre. Një veprim të tillë jo nuk ua kishte ndaluar Pejgamberi a.s., por për kundrazi kemi raste dhe momente kur Pejgamberi a.s. i nxiste dhe i përmbante në ixhtihad. Një rast të këtillë dhe shumë të qartë kemi kur i Pejgamberi a.s. e dërgoi Muadh b. Xhebelin në Jemen si mësues dhe gjykatës të tyre, e para se të nisej e pyeti: “Nëse të paraqitet një çështje për të gjykuar, si do të gjykosh? Muadhi tha: Do të gjykoj me librin e Allahut (Kur’anin). Por nëse çështjen nuk e gjen në Kur’an? Muadhi tha: Atëherë gjykoj sipas sunetit të të Dërguarit të Allahut. Po nëse nuk e gjen edhe në sunet. Muadhi tha: Bëjë ixhtihad me mendjen time, dhe nuk ngurroj. Muadhi tha: në këtë rast Pejgamberi a.s. më ra në gjoksin e tij me dorë e tij dhe tha: “Elhamdulil-lah, falënderimi i takon Allahut i cili e bëri të mundur që i dërguari i të dërguarit të Allahut të jetë në atë që është i kënaqur Allahu dhe i Dërguari i tij

Nga ky hadith qartë kuptohet se dispozita e përfituar mbi bazën e ixhtihadit për çështjen që nuk ka tekst nga Kur’ani dhe sunneti, është veprim që kënaqë Allahun xh.sh. dhe të dërguarin e tij.

Gjithashtu transmetohet se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. në një rast i kishte thënë Amr b. Asit që të gjykojë në një çështje. Amri i tha: O i Dërguari i Allahut, të bëjë ixhtihad, e ti të jesh prezent? Pejgamberi a.s. i tha: Po, nëse e qëllon do të kesh dy shpërblime, e nëse gabon do të kesh një shpërblim

Nga këto dy shembuj të theksuar, dhe shumë tjerë të pa përmendur në këtë rast vërejmë se ixhtihadi i sahabëve gajtë kohës së pejgamberit a.s., e në disa raste edhe në prezencën e pejgamberit a.s. është vetëm një ushtrim apo përforcim i metodologjisë së përdorimit të ixhtihadit për përfitimin e dispozitave juridike islame.


[1] Et-telvih ala et-tevdih 3/14.

[2] Suretu Hashr : 02

[3] Tarih Teshri, Rafet Othman

[4] Suretu Et-Teuvbe : 43.

Lini një Përgjigje

Maqedonisht