Klasifikimi i mes’eleve (çështjeve) në literaturën e medhhebit hanefij

Muhamed Tekij el Uthmani

Juristët islamë (Fukahat) nga shkolla juridike hanefite ashtu iç kanëFikh bërë klasifikimin e dijetarëve- fukahave, kanë bërë edhe klasifikimin e  literaturës ku janë përfshirë çështjet (meselet) e fikhut. Qëllimi i këtij klasifikimi është që ti mundësohet dhe lehtësohet Muftiut që në momentin kur ka kundërthënie mes transmetimeve, të ketë mundësi që të zgjedhë atë që është më e thukët dhe më precize. Këtë e ka sqaruar dijetari eminent Ibni Abdini në veprën e tij “sherh ukud resmil muftij”[1] si dhe në hyrjen e veprës “Ed-durrul muhar”, ku ka sqaruar se sipas dijetarëve nga medhhebi hanefij çështjet e fikhut janë përfshirë në tre kategori, respektivisht tre lloje të literaturës, që janë:

E para: Mesailil Usul (çështjet rrënjësore), të cilat në literaturën e shkollës juridike hanefite njihen edhe me emrin “Dhahiru Er-rivaje”. Këtu përfshihen çështjet (meselet) që janë transmetuar drejtpërdrejtë nga themeluesit e medhhebit, që janë: Imam Ebu Hanifja, imam Ebu Jusufi dhe Imam Muhamedi. Këta janë të njohur me nocionin, “tre dijetarët” kurse këtyre u bashkëngjiten edhe imam Zuferi dhe el Hasan b. Zijadi El-Lu’luiju, dhe dia të tjerë që fikun e kanë mësuar drejtpërdrejtë nga ebu Hanifja, mirëpo në të shumtën e rasteve në veprat e quajtura Dhahiru Er-rivaje, bëhet fjalë për mendimet e këtyre tre dijetarëve.

“Dhahiru Er-rivaje” është një kompleks librash të shkruara nga Imam Muhamedi, që në brendësinë e këtij nocioni përfshihen këto gjashtë libra: “El Mebsutu” “Ez-Zijadat” “El Xhamiu Es-sagir” “El xhamiu el kebir” “Es-sijeru Es-sagir” Es-sijerul kebir”. Për të gjitha këto në veçanti do të flasim më pas.

E dyta: “Mesailu en-nevadir” janë ato mesele (çështje) që janë të transmetuara nga dijetarët që i përmendëm në kategorinë e parë, por që nuk janë të regjistruara në gjashtë librat e mëparshme që quhen “Dhahiru Er-rivaje”. Këto çështje janë të regjistruara në vepra tjera nga ato që i përmendëm siç janë veprat:  “El kejsanijjat” ose  “El harunijjat” ose  “el Xhrxhanijjat” nga Imam Muhamedi,  apo vepra “ El Muxherred” nga el Hasan b. Zijadi, ose vepra “el Amali” nga imam ebu Jusufi dhe në disa vepra tjera.

E treta: “Fetvat dhe rastet e ndodhura” janë çështje që i kanë trajtuar dhe regjistruar muxhtehidët e mëvonshëm, në momentet kur janë pyetur për to dhe nuk kanë gjetur transmetim nga dijetarët që konsiderohen themelues të medhhebit.

“Mesailul Usul” ose “Dhahiru Er-rivaje”

Përmendëm edhe më parë se në këtë kategori bëjnë pjesë gjatë vepra e imam Muhamedit, që do ti shtjellojmë secilën në veçanti e që janë:

01.Mebsuti- nga Imam Muhamedi.

Libri i parë që është shkruar nga gjashtë librat nga Imam Muhamedi është libri “el mebsut” i cili njihet edhe me ermin “El Aslu”. Nocioni “El Aslu” donë të thotë “bazë”, e ky libër quhet El aslu pikërisht për arsyen se është libri i parë bazë që është shkruar. Është libri më i rëndësishëm, më i madh dhe që çështjet i trajton në mënyrë më të precizuar dhe më të zgjëruar. Quhet libri bazë, sepse është bazë edhe për librat tjerë që janë përshi në Dhahiru Er-rivaje.

Dijetari islam Haxhi Halife në veprën e tij “Keshfu Edhunun” thotë: Imam Muhamed Eshejbani i cili ka vdekur në vitin 189 hixhrije, është autori i librit “El Mebsut”. Ky është i pari i cili grumbulloi çështjet e namazit në një vend dhe i titulloi me emrin “Kitabu es-salati”- (Libri i namazit), pastaj grumbulloi çështjet që kanë të bëjnë me shitblerjen dhe i titulloi me emrin “kitabul bujti” (Libri i shitblerjes), e kështu me radhë edhe tematikat tjera.  Pasta të gjitha këto libra i bashkoi në një vend dhe u formua vepra “el Mebsut”. Nga kjo nënkuptohet se kur fukahat islam në veprat e tyre përdorin fjalën duke thënë: Imam Muhamedi ka thënë në librin e shitblerjes, psh, nënkuptohet se bëhet fjalë për librin “El mebsut”.

Imam El hatib el Bagdadi  duke u mbështetur në mendimin e  Ebu Alij el Hasan b. Davudit thotë: “ Banorët e Basrës lavdëroheshin me katër vepra që janë: vepra “el bejanu vet-tebjiin” nga Xhahidhi, vepra “Kitabul Hajvanat” po nga ai, vepra “Es-sibevejhi” nga Sibevejhi dhe vepra “el Ajnu”, kurse ne banorët e Kufes lavdroheshim me 29 mijë çështje (mesele) që kanë të bëjnë me hallalin dhe haramin që i ka regjistruar një kufelij që quhet Muhamed b. El Hasan Eshejbani.

Sheh Muhamed Zahid el Kevtheriju[2] thotë:  Kapitali më i madh që na ka arritur neve nga veprat e Imam Muhamedit është vepra “el Aslu” i cili njihet me emrin “el Mebsut”, ky është libri për të cilin thuhet se Imam Shafiu e kishte mësuar përmendësh, e pastaj shkroi veprën “El Ummu” duke u mbështetur në tregimet e veprës “El Aslu”. Thuhet se një nga filozofët që konsiderohej Ehlul kitab, kur e kishte lexuar librin “el Mebsut”, kishte pranuar islamin dhe kishte thënë: Ky është libri i Muhamedit tuaj të vogël,  e si do të ishte libri (vepra) e Muhamedit tuaj të madh Sal-lallahu alejhi ve sel-leme?!

Ky libër është në gjashtë volume, dhe secili volum prej tyre ka  diku rreth 500 fletë. Këtë libër e kanë transmetuar-ruajtur  një numër i konsideruar i dijetarëve nga shokët e imam M Muhamedit, siç është Ebu Sulejman El Xhevzexhani[3], Muhamed b. Semaa Et-temimi, ebu Hafs el Kebir el Buhari[4] etj.

Metodologjia e përpilimit të kësaj vepre, respektivisht e renditjes, është se në këtë veprë radhiten çështjet sipas medhhebit hanefij duke sjellur mendimin e Imam ebu hafifes dhe të imam Muhamedit duke sqaruar edhe mendimin e tij për çdo çështje. Ky metodologjinë e argumentimit dhe të sjelljes së argumentit nuk e paraqet sikur dijetarët tjerë të kohës së tij, por argumentin menjëherë e sjell te çështja që e sqaron.

Imam Muhamedi  në fillim të librit sqaron metodologjinë e tij shkencore në përpilimin e kësaj vepre, duke sqaruar mendimet e tre dijetarëve të mëdhenj të medhhebit hanefij, ku thotë: kam sqaruar për ju mendimin Ebu hafifes, pastaj pason mendimi i Imam ebu Jusufit e pastaj mendimi im, e për çështjet që nuk ka kundërshtime mes nesh, ajo është fjala e jonë e përbashkët.

Me shpjegimin kësaj libre janë marrë shumë fukara nga medhhebi hanefij, e në mesin e tyre Ebu Bekri i njohur me emrin Huvaherzade, dhe shpjegimin e tij e quan “Mebsutul Bekrij”, pastaj Shemsul kimeti El Halvanij etj.

 

2. El Xhami Es-sagir

Sipas të dhënave historike vërehet se imam Muhamedi veprën “el xhamius-sagir” e ka shkruar pasi kishte përfunduar me veprën el Mebsut.  Imam Abdulhaj El-Lekneviju në hyrjen e veprës që e shpjegon këtë libër, me transmetim nga Imam Shemsul Eimmeti Es-Serahsiju, ka thënë: Shkaku që e shtyri imam Muhamedin ta shkruaj këtë libër, është se pasi që përfundoi me librin el Mebsut, Imam ebu Jusufi kishte kërkuar nga ai që të shkruaj një vepër ku do të tubojë të gjitha transmetimet që i kishte dëgjuar nga Imam ebu Hanife. Imam Muhammedi e bëri këtë punë e pastaj ia dha imam Ebu Jusufit që ta sheh, e ai tha: Shumë bukur e paske mbajtur mend, përveçse paske gabuar në tri çështje (mesele). Imam Muhamedi tha: Unë nuk kam gabuar, porse ti paske harruar transmetimin.

Alij el Kummiju thotë se edhe pse Imam ebu Jusufi ishte nga dijetarët e mëdhenj, këtë libër asnjëherë nuk e kishte larguar nga vetja, me vete e barte jo vetëm kur ishte në vend, por edhe kur udhëtonte e merrte me vete.  Alij Er-Razi thotë: Kush e kupton këtë libër, ai është më dijetari nga ne, e kush e mëson përmendësh, ai është hafizi më i mirë. Dijetarët e vjetër nuk i jepnin leje asnjë dijetari të ushtrojë postin e gjykatësit islam për pa iu nënshtruar provimit nga kjo vepër. Nëse e dinte, e kishte mësuar përmendësh, atëherë i jepnin leje për të ushtruar postin e gjykatësit, e nëse jo e urdhëronin ta mësojë.  Dijetari i famshëm Shej El Halvani thotë: shumica e çështjeve të fikhut që janë te ky libër, gjenden edhe te Mebsuti, porse në këtë vepër, çështjet e fikhut ndahen në tri pjesë. Një pjesë e çështjeve është që transmetimi për to gjendet vetëm në këtë libër, pseja tjetër është që transmetimet gjenden edhe te librat tjera, por nuk tregohet tekstualisht se përgjigja është  Ebu Hanifes apo ndonjërit tjetër, e në këtë vepër kjo çështje citohet tekstualisht, kurse pjesa e tretë janë çështjet që janë përsëritur por me shprehje tjera. Ky ndryshim i fjalëve jep kuptime të dobishme që nuk ekzistonin në veprat tjera. Në këtë pjesë siç thotë dijetari i famshëm Ebu Xhafer El Hinduvani është për qëllim sqarimi i të mjegulluareve.

Imam El_lekneviju thotë: imam Kadihani në shpjegimin e kësaj vepre thotë:  Dijetarët kanë mendime të ndryshme rreth autorësisë së këtij libri “el Xhamis-sagir”. Disa thonë se këtë vepër e ka shkruar imam Ebu Jusufi dhe Imam Muhamedi si bashkautorë, disa thonë se e ka shkruar Imam Muhamedi.

Fukahat islam nga medhhebi hanefij këtë libër jo vetëm që e studiuar në detaje, por edhe e kanë shpjeguar nëpër shumë vepra tjera. Prej dijetarëve që e kanë shpjeguar këtë vepër të mimam Muhamedit është Imam Ebu Xhafer Et-Tahaviju (ka vdekur 321 h), Imam ebu Bekr El Xhesasi Er-Razi (ka vdekur 370h) Imam Ebu Amr Et-Taberij (ka vdekur340) Imam Edhahir el Belhij (ka vdekur 553), Imam Kadi Hani (ka vdekur 592) Ima Es-Sadru Eshehid (la vdekur 536), Ebu Nasr El At-tabij (ka vdekur 580), Ebu Lejth Es-Semerkandi (ka vdekur 373), Fahrul Islami el Bezdevij (ka vdekur 482) El Kadi el isbixhabi (ka vdekur 480) Ebu Xhafer el Hinduvani ka vdekur 362) Ebu Hasan el Kerhiju (ka vdekur 3401).

E gjithë kjo të kuptohet se sa ishte dhe ngeli vlera e këtij libri të shkruar nga Imam Muhamedi, Allahu e mëshiroftë.

Nga arabishtja

Jusuf ZIMERI

—- v a z h d o n –



[1] Ibni Abidin, sherh ukud resul muftij, f. 26-27.

[2] Muhamed Zahid el Kevtheriju është Muhamed Zahid b. Elk Hasan b. Alij el Kevtherij el Hanefij. Ka lindur në vitin 1296 hixhrije në një fshat afër Astanes, kurs me origjinë ishte Çerkez. Ishte i shquar në shkencën e hadithit dhe fikhut. Kishte ushtruar disa funksione të larta por me daljen në skenë të Ataturku, këtë e shpallën si të pa dëshiruar dhe deshën ta ekzekutojnë. Kevtheriu largohen nga Turqia për në Aleksandri ku një periudhë të gjatë jetoi në lëvizje Sham-Kairo.  Ishte njohës i mirë i gjuhës arabe, turke , persishte dhe gjuhës çerkeze. Ka disa vepra, kurse ka vdekur në kajro në vitin 1371 hixhrije.

[3] Imam Ebu Sulejman ebu Sulejman El Xhevezxhani .Fikhun e kishte mësuar nga Imam Muhamedi dhe kishte shkruar vepra, Ishte emruar për gjykatës në kohën e Me’munit, por nuk kishte pranuar një post të tillë. Ka vdekur pas vitit dyind hixhrije.(Shih fevaidul behje f.216)

[4] Ahmed b. Hafs b. Ez-Zuberkani, ebu Hafs el Kebir el Buhari, ishte nga nxënësit më të mëdhenj të imam Muhamedit. Ky është kthyer në Buhara, dhe atje ka polemizuar shumë me imam Buhariun.

Leave a reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *