Koncepti i jetës dhe i sigurisë së njeriut sipas Kartës së Medinës

Koncepti i jetës dhe i sigurisë së njeriut  sipas Kartës së Medinës

Përmes Kartës së Medinës, i dërguari i Allahut (s.a.v.s.) njeriut si individ dhe shoqëri i sqaroi të drejtat e tij, prej të cilave asnjëherë nuk guxon të heqë dorë, qofshin të gjitha ose ndonjëra prej tyre, sepse ato konsiderohen vlera të detyrueshme për individin dhe shoqërinë në përgjithësi, pa të cilat nuk ka jetë e as siguri.

 Dr. Taxhedin ef.  BISLIMI – Ligjërues në FSHI- Shkup

Hyrje

Karta e Medinës[1] në vete përmban vlerat dhe parimet e larta hyjnore, të gërshetuara mes vlerave morale dhe juridike. Kjo kartë vuri themelet bazë për veprimtarinë njerëzore, e cila gjithsesi në spikamë kishte të drejtat individuale (personale) dhe ato shoqërore (të përgjithshme). Përcaktoi parime përmes të cilave i jep frymëmarrje jo vetëm jetës dhe sigurisë njerëzore, por edhe zhvillimit të jetës në harmoni dhe lumturi duke filluar nga individi, familja dhe mbarë shoqëria njerëzore, duke i siguruar të drejtat dhe detyrimet e çdo anëtari brenda shoqërisë njerëzore.

Karta e Medinës ishte një lëvizje që shkaktoi reforma praktike në zhvillimin e shoqërisë njerëzore në përgjithësi, pra jo vetëm asaj islame. Vuri kritere dhe përcaktoi sistemin i cili në mënyrë sistematike e çliron njeriun nga errësirat e padrejtësive. Karta e Medinës u definua në kohën kur skllavëria lulëzonte, kur zhvlerësoheshin vlerat njerëzore dhe etike, në kohën kur botën e tronditnin të fortët që bënin shtypje, represione dhe padrejtësi mbi të dobëtit, kur njerëzit krenoheshin në bazë të prejardhjes së tyre e jo në bazë të vlerave. Në këtë kohë, nuk dihej e as nuk respektohej ndonjë ligj me vlerë apo parim, kohë kjo kur gjakderdhja ishte krenari. Pikërisht Karta e Medinës[2] ishte ajo ku i dërguari i Allahut (a. s.) vuri themelet dhe njeriut ia sqaroi të drejtat e tij, kurse shoqërisë ia ktheu identitetin,përcaktoi kufijtë e integritetit personal si të drejta të pakontestueshme dhe si vlera që konsiderohen të detyrueshme për individin dhe shoqërinë në përgjithësi, pa të cilat nuk ka jetë e as siguri.

Natyrisht, Karta e Medinës konsiderohet kushtetutë, sepse kjo kartë i plotësonte të gjitha kriteret e një kushtetute moderne që njeh e drejta kushtetuese edhe sot e kësaj dite. Karta e Medinës konsiderohet edhe akti juridik më i lartë për themelimin e Shtetit Islam në Medinë, përcakton formën e funksionimit të shteti juridik duke u mbështetur mbi parimin e drejtësisë dhe të sigurisë së çdo individi pavarësisht se cilës shoqëri i takon.

Sikur edhe çdo kushtetutë tjetër në kohën bashkëkohore, edhe Karta e Medinës në veten e saj përmban brumin dhe materien bazë për ndërtimin e çështjeve ligjore dhe, si e tillë, reflekton se sistemimi i çështjeve të detajuara bëhet përmes akteve ligjore, përmes nën akteve, udhëzimeve ligjore etj.

Përveç faktit se kjo kartë konsiderohet akti më i lartë juridik që përcakton themelimin dhe funksionimin e shtetit islam, duhet pasur parasysh edhe një fakt tjetër, po ashtu shumë të rëndësishëm, e ai është ky: kjo është vepër e Pejgamberit (a. s.), apo, thënë më qartë, paraqet fjalët dhe veprat e Pejgamberit (a. s.) të bazuara në legjislacionin hyjnor, që vjen si rezultat i shpalljes nga Ligjvënësi Suprem – Allahu (xh. sh.). Por, në kundrim të vlerës së tij në jetën shoqërore dhe politike në shtetin e ri islam, ky tekst është i ndryshëm nga tekstet tjera, sepse, ky është një tekst i veçantë, nga fakti se nuk ka të bëjë vetëm me myslimanët, por me mbarë shoqërinë njerëzore, me udhëheqjen e shtetit, me sistemin, marrëdhëniet mes myslimanëve dhe jomyslimanëv edhe dispozitat e tij vlejnë dhe aplikohen edhe mbi jomyslimanët.

Të përmendim se ky dokument (Karta e Medinës) për bazë dhe burim ka tekstet e jurisprudencës islame, tekste këto të cilat në brendësinë e tyre përfshijnë fusha shumëdisiplinore juridike, kurse ne në këtë punim do të përqendrohemi vetëm në fushën që ka të bëjë me të drejtën e jetës dhe të drejtën e sigurisë.

1. E drejta e jetës

1.1. E drejta e jetës në legjislacionin (kodin) islam

E drejta e jetës është e drejtë e parë, esenciale dhe e padiskutueshme . Këtu fillon çdo e drejtë tjetër. Në ekzistimin e jetës aplikohen të gjitha të drejtat tjera dhe në mosekzistimin dhe mbarimin e saj nuk ekziston asnjë e drejtë tjetër. Në shikim të parë vërehet se e drejta e jetës është thjesht e drejtë e njeriut, por në të vërtetë Islami dhe jurisprudenca islame nuk ndalen vetëm këtu, por bëjnë edhe një hap të mëtutjeshëm, ngase të drejtën e jetës e trajtojnë si dhuratë nga Allahu (xh. sh.)që i është dhënë njeriut. Kjo nënkupton dy gjëra shumë të rëndësishme, që janë:

  • Njeriu nuk ka ndonjë meritë për ekzistimin e jetës, andaj:
  • Njeriu sipas konceptit islam nuk ka të drejtë të atakojë, të sulmojë apo të asgjësoj jetën, qoftë edhe mbi vetveten, sepse çdo veprim i tillë mbi jetën llogaritet krim, që bart përgjegjësi penale në këtë dhe në botën tjetër.[3]

E drejta e jetës është e drejtë e garantuar e çdo njeriu, andaj në bazë të kësaj përfitojmë shumë dispozita, e në mesin e tyre janë:

1.     Ndalohet mbytja (vrasja) e njeriut

Çdo lloj padrejtësie, tiranie, shtypje, sulmi dhe ataku ndaj tjetrit, është veprim rreptësisht i ndaluar sipas jurisprudencës islame, përveç në raste të veçanta dhe të caktuara, që konsiderohen aksidentale. Në raste të tjera, e drejta e jetës është jo vetëm e garantuar, por edhe e shenjtë.

Kjo vërtetohet me argumente tekstuale autentike, të prera, të jurisprudencës islame.[4] Për shkak se jeta është dhuratë nga Allahu (xh. sh.) dhe se Ai është i vetmi që e jep dhe që e merr jetën.

Allahu (xh. sh.) thotë:

وَلاَ تَقْتُلُواْ النَّفْسَ الَّتِي حَرَّمَ اللَّهُ إِلاَّ بِالْحَقِّ ذَلِكُمْ وَصَّاكُمْ بِهِ لَعَلَّكُمْ تَعْقِلُونَ

Dhe mos e mbytni njeriun, sepse mbytjen e tij e ndaloi Allahu, përpos kur është me vend. Këto janë porositë e Tij, kështu që të mendoni thellë.”(SurjaEl-En‘âm, 151)

وَالَّذِينَ لا يَدْعُونَ مَعَ اللَّهِ إِلَهًا آخَرَ وَلا يَقْتُلُونَ النَّفْسَ الَّتِي حَرَّمَ اللَّهُ إِلاَّ بِالْحَقِّ

Edhe ata që pos Allahut nuk lusin ndonjë zot tjetër dhe nuk mbysin njeriun që e ka ndaluar Allahu, por vetëm kur e meriton në bazë të drejtësisë.”(Surja El Furkan, 68)

2.     Ndalohet vetëvrasja

Jeta nuk është e drejtë e bartësit (pronarit) të saj, sepse ajo, në të vërtetë, është dhuratë nga Allahu (xh. sh.) dhe shpirti është amanet në dorën e pronarit të saj , prandaj në asnjë mënyrë nuk lejohet ataku dhe sulmi mbi këtë të drejtë. Njeriu nuk e fillon jetën e vet mbi bazën e dëshirës së tij, andaj as nuk mund ta përfundojë mbi bazën e dëshirës së tij. Mbi këtë parim ndërtohet edhe dispozita ligjore islame, se edhe vetëvrasja llogaritet krim i shëmtuar dhe i sanksionuar. Vetëvrasësi si autor i krimit të bërë ndaj vetvetes në këtë botë nuk mund ta marrë dënimin e merituar, porse ai për këtë vepër në botën tjetër do të dënohet me dënim të ashpër. Allahu (xh. sh.) thotë:

وَلاَ تَقْتُلُواْ أَنفُسَكُمْ إِنَّ اللَّهَ كَانَ بِكُمْ رَحِيمًا. وَمَن يَفْعَلْ ذَلِكَ عُدْوَانًا وَظُلْمًا فَسَوْفَ نُصْلِيهِ نَارًا وَكَانَ ذَلِكَ عَلَى اللَّهِ يَسِيرًا

Dhe, mos mbytni veten tuaj. Vërtet, Allahu është i mëshirueshëm për ju. Kush e bën këtë (që ndaloi Zoti) qëllimisht dhe tejkalon kufijtë, Ne do ta hedhim atë në një zjarr të fortë. Dhe, kjo është e lehtë për Allahun.”(Surja, En Nisa, 29-30)

3.     Ndalohet dhënia e lejes për vrasje (për mbytje)

Si rrjedhojë e asaj që njeriu nuk ka të drejtë të bëjë vetëvrasje, atij i ndalohet që tjetrit t’i japë lejen për t’ia marrë jetën. Për këtë çështje të gjithë dijetarët janë unikë në mendimet e tyre. Në këtë rast, edhe lejuesi edhe atij që shkon leja, që të dy, janë të barabartë në mëkat dhe në krim, nga fakti se, për shkak se askush nuk e ka këtë drejtë përveç Allahut (xh. sh.), i Cili e dhuron dhe e merr jetën.

4.     Ndalohet mbytja e fetusit (e fëmijës në barkun e nënës )

Abortimi i fëmijës pasi që t’i vijë shpirti është veprim i ndaluar, i cili në aspektin juridik është veprim penal, kurse në aspektin fetar – mëkat, prej mëkateve të mëdha. Allahu (xh. sh.) thotë:

وَلاَ تَقْتُلُواْ أَوْلادَكُمْ خَشْيَةَ إِمْلاقٍ نَّحْنُ نَرْزُقُهُمْ وَإِيَّاكُم إِنَّ قَتْلَهُمْ كَانَ خِطْءًا كَبِيرًا

Ju mos mbytni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë, se Ne ua sigurojmë furnizimin atyre dhe juve, e mbytja e tyre është mëkat i madh.”(Surja El Isra, 31)

5. Lejimi i konsumimit të sendeve të ndaluara, me qëllim të ruajtjes së jetës

Njeriu gjatë jetës ballafaqohet me sfida të ndryshme. Në rastet normale njeriu është i obliguar të konsumojë ushqime të lejuara, që janë hallall dhe të pastra, por në rastet aksidentale – siç është sëmundja – sipas jurisprudencës islame detyrohet të konsumojë të përdorë ilaçe të ndryshme, me qëllim që ta ruajë jetën, sepse në të kundërtën konsiderohet se ai vetveten e ka hedhur në shkatërrim. Në anën tjetër, nëse njeriut i kanoset rreziku për jetë, atij i lejohet të përdorë dhe të konsumojë edhe sendet e ndaluara, siç janë mishi i kafshës së ngordhur, mishi i derrit, pijet alkoolike etj.

6. Ndera dhe dinjiteti njerëzor

E drejta e jetës ndërlidhet edhe me dinjitetin njerëzor, andaj askujt nuk i lejohet që të adhurojë ndonjë njeri tjetër – dikush ta ndiejë veten se është i adhuruar (zot), kurse tjetri adhurues (rob) i tij, për shkak se adhurimi i takon vetëm krijuesit të gjithësisë, Allahut (xh.sh.). Allahu (xh. sh.) thotë:

وَلَقَدْ كَرَّمْنَا بَنِي آدَمَ وَحَمَلْنَاهُمْ فِي الْبَرِّ وَالْبَحْرِ وَرَزَقْنَاهُم مِّنَ الطَّيِّبَاتِ وَفَضَّلْنَاهُمْ عَلَى كَثِيرٍ مِّمَّنْ خَلَقْنَا تَفْضِيلاً

Ne vërtet i nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit), u mundësuam të udhëtojnë hipur në tokë e në det, i begatuam me ushqime të mira, i vlerësuam ata (i lartësuam) ndaj shumicës së krijesave që Ne i krijuam.” (Surja El Isra, 70)

Allahu (xh.sh.) çdo send që gjendet në tokë dhe qiej e bëri në shërbim të njeriut dhe të gjitha ato ia nënshtroi atij, e nderoi me dërgimin e pejgamberëve, për të zbriti librat (qitapët ), ia mësoi dispozitat e jurisprudencës, përmes të cilave ai lartësohet në piedestalin më të lartë dhe kështu e nderoi dhe e lartësoi nga të gjitha krijesat tjera. Nderën dhe dinjitetin njerëzor e vërtetojnë edhe hadithet dhe veprat e të dërguarit të Allahut (s.a.v.s.). Këtë më së mirë e përshkruan rasti kur një ditë pranë Pejgamberit (a. s.), në përcjellje të xhematit, kishte kaluar një xhenaze (kufomë). Pejgamberi (a.s.) në shenjë respekti ishte ngritur në këmbë. Të pranishmit i thanë: Kjo është xhenaze e një çifuti (hebreu)!; “Ai, a nuk është njeri?!”iu përgjigj Pejgamberi (a. s.) atyre.[5]

7. Ndalohet shfarosja, vrasja dhe shkatërrimi në masë i njerëzve

Sipas jurisprudencës islame, parimore është paqja, kurse lufta është aksidentale, në rastet kur nuk ka rrugë tjetër. Megjithatë, ajo duhet të jetë e komanduar, e organizuar dhe nuk lejohet shkatërrimi në masë as i bereqeteve, as i infrastrukturës, as i kafshëve dhe të mirave tjera, e të mos flasim për shkatërrimin në masë të njerëzve. Me përparimin e teknologjisë ushtarake, sot në botën bashkëkohore jo rrallë herë po shohim aleanca mes popujve dhe ushtrive të ndryshme dhe po krijohen blloqe dhe, si rezultat i atyre aleancave, po ndodhin luftëra të armatosura dhe të përgjakshme, me viktima të shumta të fëmijëve, pleqve dhe njerëzve tjerë të pafajshëm. Secila palë tenton ta shfaros tërësisht palën tjetër, e këto veprime janë të papranueshme dhe të ndalueshme sipas jurisprudencës islame.

8. Ndera dhe dinjiteti i të vdekurit

Islami njeriun e nderoi për së gjalli, por edhe pas vdekjes. Nderin dhe respektin e të vdekurit jurisprudenca islame e konsideroi obligim. Ligjvënësi islam obligoi të afërmit, shoqërinë dhe shtetin që të mbrojnë kufomën (xhenazen) e të vdekurit, ta varrosin në bazë të dispozitave të sheriatit islam, ndaloi nënçmimin dhe zhvlerësimin e të vdekurit. Ndaloi të masakrohet trupi i të vdekurit apo të vrarit në betejë, edhe nëse është prej anës së kundërshtarit dhe armikut.

Pejgamberi (a. s.) ka thënë:

كَسْرُ عَظْمِ المَيِّتِ كَكَسْرِهِ حَيًّا

 “Thyerja e ashtit të të vdekurit është e ngjashme me thyerjen derisa ka qenë gjallë.[6]

لا تبرز فخذك، ولا تنظر إلى فخذ حي ولا ميت.

Mos e zbulo (zhvesh) kofshën tënde, dhe mos shiko në kofshën e të gjallit e as të të vdekurit.[7]

Kështu,Islami urdhëroi që i vdekuri për në botën tjetër të përcillet me respekt dhe me nder. Madje, nuk lejohet as ulja mbi varrin e njeriut të vdekur.

Pejgamberi (a. s.) ka thënë:

لَأَنْ يَجْلِسَ أحدُكم على جَمْرَةٍ فتَحْرِقَ ثيابَه، فتَخْلُصَ إلى جِلْدِه؛ خيرٌ له من أن يَجْلِسَ على قَبرٍ

Sikur ndonjëri prej jush të ulet mbi ndonjë prush, t’i digjeshin rrobat dhe kjo t’i shkonte deri në lëkurë, kjo do të ishte më mirë për të sesa të ulet mbi varr.[8]

1.2. E drejta e jetës sipas Kartës së Medinës

Karta e Medinës ka përfshirë të drejtën e jetës për të gjithë bashkatdhetarët (qytetarët) e Shtetit Islam, pa dallim race dhe gjinie. Kjo e drejtë në mënyrë të drejtpërdrejtë kuptohet nga Neni 21: “Nëse dikush e vret besimtarin pa ndonjë bazë dhe pa arsye, mbi të do të aplikohet ligji i hakmarrjes, përveç nëse familja e të vrarit ia fal atij. Përndryshe, të gjithë besimtarët do të ngrihen kundër tij dhe janë të detyruar ta sulmojnë.

Po ashtu, Karta ka përfshirë të drejtën për jetë edhe në disa nene të tjera, edhe atë: ose në mënyrë direkte, ose tërthorazi (në mënyrë indirekte), siç janë dispozitat në vazhdim:[9]

Neni 14

ولا يقتل مؤمن مؤمناً في كافر ولا ينصر كافراً على مؤمن.

Besimtari nuk guxon ta vrasë besimtarin tjetër për shkak të jobesimtarit, e as ta përkrahë jobesimtarin kundër besimtarit.

Neni 16

وأنه من تبعنا من يهود فإن له النصر والأسوة غير مظلومين ولا متناصر عليهم

Hebrenjtë, të cilët lidhen me ne, fitojnë të drejtën e ndihmës dhe të përkrahjes sonë; askush nuk do t’i shtypë e as do t’i ndihmojë armiqtë e tyre.

Neni 25

وأن يهود بني عوف أمة مع المؤمنين لليهود دينهم وللمسلمين دينهم مواليهم وأنفسهم إلا من ظلم أو أثم فإنه لا يوتغ إلا نفسه وأهل بيته

Hebrenjtë e fisit benu avf formojnë një bashkësi me besimtarët. Ata ndjekin fenë e tyre, kurse myslimanët të veten, qofshin vetë ata apo miqtë e tyre, përveç atij që bën krime dhe mëkat, atij që dëmton veten dhe familjen e tij.

Neni 40

وأن الجار كالنفس غير مضار ولا آثم

Fqinji është si vetë personi; nuk guxon t’i bëhet atij asnjë dëm, as mëkat.

 

1.3. E drejta e jetës në kartat (konventat) ndërkombëtare

Kjo e drejtë gjatë historisë ishte prekur me të meta dhe defekte. Më herët, në periudha të ndryshme, disa ligje lejonin mbytjen e robërve. Kishte edhe ligje të tilla kur kryefamiljari, prijësi i fisit dhe mbreti e kishin të drejtën e jetës mbi personat që ishin nën mbikëqyrjen e tyre (të tij). Në periudhën para islame (në xhahilijet), tek arabët, prindi kishte të drejtën të mbyste vajzën e vet (ta varroste për së gjalli).

Më pas, qarqet dhe kartat bashkëkohore njeriut ia vërtetuan të drejtën e jetës. Këtë të drejtë ia vërtetoi Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, në nenin tre (3): Secili ka të drejtë të jetojë, të jetë i lirë dhe të ketë sigurinë e vet.

Po ashtu, Konventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike, neni i gjashtë (6), paragrafi një (1): “E drejta e jetës ёshtё e drejtë e lindur e njeriut. Kjo e drejtë duhet të mbrohet me ligj. Askush nuk mund tё privohet arbitrarisht nga jeta.

1.4. Krahasimi mes Kartës së Medinës dhe kartave të tjera ndërkombëtare

Në bazë të kësaj që shënuam më parë, mund të përfundojmë se, në disa segmente, këto karta kanë elemente të përbashkëta, por me disa të tjera dallohen nga Karta e Medinës:

-Parimisht, kartat ndërkombëtare pajtohen me Kartën e Medinës, sepse të gjitha e vërtetojnë të drejtën e njeriut për jetë.

-Ndërkaq, e drejta e jetës në Islam dallon nga marrëveshjet dhe kartat tjera në disa çështje; ndër to:

  1. Jeta në vizionin islam është dhuratë prej Allahut (xh.sh.). Kështu është te të gjitha fetë, andaj vlera juridike e saj është shumë e lartë; ajo është e drejtë e shenjtë dhe e denjë, duhet mbrojtur maksimalisht, ashtu që të arrihet qëllimi i kësaj dhurate. Kjo vlerë dhe kjo mbrojtje bazohet në shumë argumente tekstuale të jurisprudencës islame. Në mesin e tyre është ky hadith i Pejgamberit (a. s.):

 كُلُّ الْمُسْلِمِ عَلَى الْمُسْلِمِ حَرَامٌ دَمُهُ وَمَالُهُ وَعِرْضُهُ 

Çdo mysliman e ka të ndaluar gjakun, pasurinë dhe nderin e myslimanit.[10]

  1. Sheriati islam e ndalon mbytjen e fetusit dhe shfarosjen e tërë njerëzisë, për faktin se jeta është dhuratë e Allahut (xh.sh.).
  2. Islami njeriun e nderoi edhe në të gjallë, por edhe pas vdekjes .

2. E drejta e sigurisë

2.1. E drejta e sigurisë, begati prej begative të Allahut (xh. sh.)

Siguria konsiderohet njëra nga begatitë dhe nimetet më të mëdha të Allahut (xh. sh.). Allahu (xh. sh.) në Kuranin – qerim iu drejtua kurejshëve për t’ua bërë me dije vlerën, begatinë dhe rëndësinë e sigurisë.

أَوَلَمْ نُمَكِّن لَّهُمْ حَرَمًا آمِنًا يُجْبَى إِلَيْهِ ثَمَرَاتُ كُلِّ شَيْءٍ رِزْقًا مِن لَّدُنَّا وَلَكِنَّ أَكْثَرَهُمْ لا يَعْلَمُونَ

Po, a nuk u siguruam Ne atyre një vend të shenjtë e të sigurt, aty ku sillen frytet e çdo sendi si furnizim nga ana Jonë.Por, shumica e tyre nuk dinë.”(Surja El Kasas, 57)

لإِيلافِ قُرَيْشٍ . إِيلافِهِمْ رِحْلَةَ الشِّتَاءِ وَالصَّيْفِ . فَلْيَعْبُدُوا رَبَّ هَذَا الْبَيْتِ . الَّذِي أَطْعَمَهُم مِّن جُوعٍ وَآمَنَهُم مِّنْ خَوْفٍ .

Për hir të garantimit që e gëzojnë kurejshët. Garantimin e udhëtimit të tyre të lirë dimrit dhe verës. Pra, le të adhurojnë Zotin e kësaj shtëpie. I cili i ushqen pas urisë dhe i siguron prej çdo frike.” (Surja Kurejsh, 1-4)

Pejgamberi (a. s.) vlerën e sigurisë e kishte sqaruar në shumë hadithe. Sa për ilustrim të shënojmë këtë hadith:

مَنْ أَصْبَحَ مِنْكُمْ آمِنًا فِي سِرْبِهِ مُعَافًى فِي جَسَدِهِ عِنْدَهُ قُوتُ يَوْمِهِ فَكَأَنَّمَا حِيزَتْ لَهُ الدُّنْيَا بِحَذَافِيرِهَا

 “Kush gdhihet prej jush i sigurt në shpirtin (në veten) e tij (në familjen e tij), i shëndoshë në trupin e tij dhe ka ushqim për një ditë, është sikur t’i është dhënë krejt bota.[11]

Vërtet, siguria konsiderohet njëra nga shtyllat kryesore mbi të cilën shoqëria e ndërton stabilitetin dhe përparimin. Ajo është boshti kryesor për zhvillim dhe stabilitet. Është klimë e përshtatshme për investim dhe prosperitet. Andaj, ajo është njëra nga të drejtat esenciale të njeriut, së cilës Islami edhe përmes Kartës së Medinës i kushtoi rëndësi të veçantë.

2.2. E drejta e sigurisë sipas Kartës së Medinës

Ndër çështjet më me rëndësi që e shqetësonin shoqërinë e asaj kohe në Gadishullin Arabik, para hixhretit dhe para hartimit të kësaj karte, ishte mosekzistimi i sigurisë në tërë Gadishullin Arabik, e në mesin e atyre vendeve ishin edhe Meka dhe Medina. Gjithkund dominonte gjakmarrja dhe gjakderdhja. Në vend të funksionimit të shtetit të së drejtës, dominonte sistemi fisnor. Me ardhjen e Islamit, kishte filluar të ndryshojë gjendja e përgjithshme në ato vende dhe veçanërisht në Medinë. Pejgamberi (a. s.) bëri pajtimin dhe vëllazërimin mes njerëzve, zhduku armiqësitë dhe mosmarrëveshjet që kishim ata mes vete dhe në vend të tyre përhapi dhe rrënjosi dashurinë, respektin, sigurinë etj.

Hartimi i këtij dokumenti nga ana e Pejgamberit (a. s.) ishte ndryshim dhe flakje e traditave dhe ligjeve që dominonin para shkrimit të kësaj karte. Andaj, siguria sipas kësaj karte është siç vijon:

-Ndalohet padrejtësia, ndalohet ataku, tirania dhe shtypja ndaj të tjerëve.

Neni 13

وأن المؤمنين المتقين أيديهم على كل من بغى منهم أو ابتغى دسيعة ظلم أو إثماً أو عدواناً أو فساداً بين المؤمنين، وأن أيديهم عليه جميعاً ولو كان ولد أحدهم.

 “Të gjithë besimtarët e devotshëm patjetër duhet t’i kundërvihen tiranit ose atij që është i gatshëm për të kryer padrejtësi e krime, atij që i shkel të drejtat apo fut huti mes besimtarëve. Të gjithë bashkërisht le t’i kundërvihen atij; madje, edhe nëse është djali i ndonjërit prej tyre!”

-Ndalohet strehimi i kriminelëve.

Neni 22

وأنه لا يحل لمؤمن أقر بما في هذه الصحيفة وآمن بالله واليوم الآخر أن ينصر محدثاً أو يؤويه، وأنه من نصره أو أراه فإن عليه لعنة الله وغضبه يوم القيامة ولا يؤخذ منه صرف ولا عدل

 “Asnjë besimtari i cili e ka pranuar atë që gjendet në këtë dokument dhe i cili beson në Allahun dhe në Ditën e Gjykimit nuk i lejohet ta ndihmojë e as ta strehojë bidatçiun . Kush e ndihmon dhe e strehon atë, mbi të bie mallkimi dhe hidhërimi i Allahut në Ditën e Gjykimit dhe nuk pranohen prej tij dëmshpërblimi e as pendimi.

-Heqja e imunitetit (mbrojtjes) të kriminelëve,parim ky i cili rrënjos dhe përforcon sigurinë: Askush nuk gëzon të drejtën e imunitetit dhe të mbrojtjes nëse ka kryer ndonjë krim që prek sigurinë.

Ky parim vërehet qartë në Nenin 47:

وأنه لا يحول هذا الكتاب دون ظالم أو آثم، وأنه من خرج آمن ومن قعد آمن بالمدينة إلا من ظلم أو آثم، وأن الله جار لمن بر واتقى، ومحمد رسول الله.

Kush bën diçka jashtë kësaj, do t’i bartë vetë pasojat. Me të vërtetë, çdo gjë që është në këtë dokument Allahu e ka pranuar dhe miratuar, andaj kjo do të aplikohet edhe ndaj çdo shtypësi dhe krimineli. Kush dëshiron të dalë nga Medina, është i sigurt, sikurse edhe ai që mbetet në të, përveç atij që bën ndonjë krim apo tirani. Me të vërtetë Allahu është me atë që është vepërmirë dhe i devotshëm.Gjithashtu, edhe i dërguari i Tij, Muhamedi(a. s.).

-Ndalohen gjakmarrësia (hakmarrja), tradhtia dhe pabesia.

Neni 36

وأنه لا ينحجز على ثأر جرح، وأنه من فتك فبنفسه وأهل بيته إلا من ظلم وأن الله على أبر هذا.

Askujt nuk do t’i ndalohet të hakmerret për plagët e shkaktuara; sepse, kush e mbyt tjetrin, në fakt, ai e mbyt vetveten dhe familjen e tij, përveç atij të cilit i bëhet dhunë. Të gjitha këto Allahu m’i ka pranuar dhe miratuar.

Në fakt, ky nen është vazhdimësi e neneve 13 dhe 21, të cilat flasin për ndalimin e padrejtësisë, tiranisë, degjenerimit, tradhtisë, mbytjes etj.

Neni 36 përcakton dhe vendos se gjakmarrja (hakmarrja) aplikohet vetëm në raste të mbytjes, nga fakti se gjaku i njeriut është i shtrenjtë dhe në asnjë mënyrë nuk guxon të derdhet padrejtësisht. I vetmi që mund të derdhë gjakun e njeriut dhe të aplikojë dënimin me vdekje është gjyqi, edhe atë vetëm mbi dorasin, e jo mbi ndonjë anëtar tjetër të familjes së mbytësit.

-Përgjegjësia bie mbi vetë personin (dënimi aplikohet mbi kryerësin e veprës). Nga kjo kuptohet se dënimi aplikohet vetëm mbi atë që ka kryer krimin dhe nuk guxon të përfshijë edhe persona të tjerë, të cilët nuk janë involvuar në atë krim, pavarësisht se kush janë ata dhe sa janë të afërt me kryerësin e krimit.

Këtë në mënyrë të qartë e përmend Neni 25:

إلا من ظلم أو أثم فإنه لا يوتغ إلا نفسه وأهل بيته.

Përveç atij që bën krime dhe mëkat; ai dëmton vetëm veten dhe familjen e tij.

Neni 31

إلا من ظلم وأثم فإنه لا يوتغ إلا نفسه وأهل بيته

“Përjashtim bën ai i cili bën krime dhe mëkat, ai dëmton vetëm vetën dhe familjen e tij”.

Neni 36

وأنه لا ينحجز على ثأر جرح، وأنه من فتك فبنفسه وأهل بيته إلا من ظلم وأن الله على أبر هذا.

Askujt nuk do t’i ndalohet të hakmerret për plagët e shkaktuara; sepse, kush e mbyt tjetrin, në fakt ai e mbyt vetveten dhe familjen e tij, përveç atij të cilit i bëhet dhunë. Të gjitha këto Allahu m’i ka pranuar dhe miratuar.”

Neni 37

وأنه لا يأثم أمره بحليفه

Nuk do të dëmtohet personi për shkak të aleatit të tij.

Neni 46

وأن البر دون الإثم لا يكسب كاسب إلا على نفسه

Ata janë të përbashkët në të mira, por jo në mëkate.Çdo veprues nuk vepron vetëm kundër vetvetes.

-Mbrojtja e shtetit (të Medinës) është përgjegjësi dhe obligim i përbashkët. Në periudhën kur migroi Pejgamberi (a. s.) në Medinë, gjithandej vlonin problemet, mosmarrëveshjet, luftërat, urrejtjet mes fiseve dhe popujve që jetonin në atë periudhë në ato vende, me theks të veçantë në Medinë. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje, përkohësisht, në një mënyrë, këto probleme disi u eliminuan, ose, disi u zbutën. Kështu që Medina u shndërrua në vend të sigurt për myslimanët, për jehudët, për idhujtarët dhe për të gjithë ata që kërkonin strehim në Medinë nga fiset që gjendeshin rreth Medinës e më larg. Aty, pra, do të jetonin arabë dhe joarabë. Që nënkupton se për herë të parë shfaqet kuptimi i vendqëndrimit (vatanit, shtetit, atdheut) të përbashkët, ku të gjithë banuesit e tij do të jenë të barabartë, pavarësisht prejardhjes, kombit, fesë etj. Kështu, kjo kartë të gjithë i bashkoi pa dallim feje dhe të gjithë i obligoi që ta mbrojnë (vendin) prej armiqve të jashtëm.

Për këtë çështje flasin disa nene.

Neni 24:

وأن اليهود ينفقون مع المؤمنين ما داموا محاربين

Hebrenjtë duhet të ndajnë fonde së bashku me besimtarët, për aq kohë sa janë në luftë.

Neni 37:

وأن على اليهود نفقتهم وعلى المسلمين نفقتهم، وأن بينهم النصر على من حارب أهل هذه الصحيفة، وأن بينهم النصح والنصيحة والبر دون الإثم

Hebrenjtë në luftë do të marrin pjesë me pasuritë e tyre, edhe myslimanët me pasuritë e tyre. Ata do të ndihmohen mes tyre kundër atij i cili i lufton nënshkruesit e këtij dokumenti. Ata duhet të këshillohen mes tyre dhe të kenë marrëdhënie miqësore…”

Neni 38:

وأن اليهود ينفقون مع المؤمنين ما داموا محاربين

Hebrenjtë do t’i mbulojnë shpenzimet e luftës, së bashku me myslimanët, derisa janë në luftë.

Neni 44:

وأن بينهم النصر على من دهم يثرب

Dhe të gjithë do të ndihmojnë njëri-tjetrin kundër atyre që e sulmojnë Jethribin (Medinën).”

-Masa sigurie preventive, të veçanta (të jashtëzakonshme), për kurejshët. Kurejshët në atë periudhë ishin armiqtë e përbetuar të Pejgamberit (a.s.). Ata kundër Pejgamberit (a. s.) dhe kundër myslimanëve përdorën të gjitha mënyrat e shtypjes, të dhunës, të maltretimeve, të persekutimeve etj. me qëllim që të mos përhapet feja islame. Si pasojë e gjitha atyre, Pejgamberi (a. s.) u detyrua të bëjë hixhret për në Medinë. Karta e Medinës shpalli qartë se kurejshët janë armiku i përbashkët i shtetit të ri në Medinë, kështu që ndaloi çfarëdo marrëdhënie dhe bashkëpunimi me kurejshët.

Neni 20/b:

وأنه لا يجير مشرك مالاً لقريش ولا نفساً ولا يحول دونه على مؤمن

Asnjë jomysliman (idhujtar), që është palë e kësaj marrëveshjeje, nuk duhet të sigurojë strehim të jetës dhe të pronës së ndonjë kurejshi e as duhet të ndihmojë ndonjë jomysliman kundër një myslimani.

 Neni 43:

وأن لا تجار قريش ولا من نصرها.

Askush nuk duhet të garantojë mbrojtje për kurejshët e Mekës apo për ndonjë nga përkrahësit e tyre.

Duke marrë parasysh se kërcënimet nga ana e kurejshëve kundër Medinës sa vinin e shtoheshin, ky dokument qartazi ua ndaloi të gjithë banorëve të Medinës çdo aktivitet që ishte kundër bashkëpunimit, kundër fqinjësisë së mirë dhe se për ata që nuk e respektonin këtë nuk ka kurrfarë bese e as mbrojtje, nga fakti se shteti i ri ishte në gjendje të jashtëzakonshme dhe bënte përgatitje për luftë. Për këtë Pejgamberi (a. s.) e anuloi fqinjësinë e mirë që ishte më parë mes Medinës dhe kurejshëve.

-Masa preventive për lëvizjen e banorëve të Medinës. Ky shtet ishte ende i ri dhe në formim e sipër, andaj kishte nevojë për masa sigurie shtesë, me qëllim vëzhgimin e gjendjes së sigurisë, për shkak të ndonjë rreziku ushtarak të mundshëm. Pejgamberi (a. s.) deshi të dinte çdo lëvizje të jehudëve jo vetëm në aspektin ushtarak, por edhe në atë tregtar (ekonomik), masa këto të cilat janë të patjetërsueshme dhe të cilat janë të njohura dhe normale në gjendje lufte dhe te të gjitha shtetet. Kështu është vepruar dhe veprohet me qëllim që të mos barten lajmet dhe të mos bëhet spiunimi në dobi të armikut. Prandaj, karta vërtetoi se çdo lëvizje e banorëve të Medinës duhet të jetë me dijen dhe lejen e Pejgamberit (a. s.).

Neni 36:

وأنه لا يخرج منهم أحد إلا بإذن محمد

Asnjë prej tyre nuk mund të dalë(prej Medinës), përveç me leje të Muhamedit.

-Medina është vend i shenjtë.

Neni 39:

وأن يثرب حرام جوفها لأهل هذه الصحيفة.

I gjithë territori i Jethribit është i shenjtë (harem) dhe i pacenueshëm për të gjitha subjektet e këtij dokumenti.

Medina është vend i shenjtë (harem), nënkupton se brenda kufijve të haremit nuk guxon të bëhet luftë apo ndonjë gjakderdhje tjetër, porse haremi duhet të jetë i sigurt. Kjo nuk vlen vetëm për myslimanët, por kjo vlen për të gjithë ata të cilët janë banorë të këtij vendi -myslimanë, jehudë, idhujtarë etj. Me këtë nen garantohej siguria dhe ndalohej çdo lloj lufte mes banorëve të Medinës.

2.3. E drejta e sigurisë sipas kartave (marrëveshjeve) ndërkombëtare

Atë që e kishte shënuar dokumenti i Medinës në lidhje me të drejtën e jetës dhe të sigurisë, të njëjtën e ka vërtetuar edhe Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, në nenin tre (3): Secili ka të drejtë të jetojë, të jetë i lirë dhe të ketë sigurinë e vet.

Konventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike neni 3, paragrafi 1, ndërkaq, thotë: “Nё kohën kur njё rrezik publik i jashtёzakonshёm kёrcёnon ekzistencën e kombit dhe shpallet zyrtarisht si i tillё, shtetet-palё tё këtij Pakti mund tё marrin masa me të cilat shmangen detyrimet e parashikuara në këtë pakt, në vëllimin përpikërish të caktuar sipas kërkesave të situatës, me kusht qё këto masa të mos jenё nё mospërputhje me detyrimet e tyre të tjera sipas të drejtës ndёrkombёtare dhe tё mos ngatërrojnë, si pasojë, një diskriminim tё bazuar vetëm nё racё, ngjyrё, seks, gjuhё, fe, ose origjinë shoqërore.”

Po ashtu edhe Neni 9,paragrafi 1:Secili ka tё drejtën e lirisë dhe tё sigurisë të personit të tij. Askush nuk duhet tё jetë objekt i një arrestimi ose burgimi arbitrar. Askush nuk duhet të privohet nga liria, përveç për arsye dhe nё përputhje me procedurën e parashikuar me ligj.

Sa u përket masave për mbrojtjen e Medinës, që ajo të jetë e përbashkët dhe përgjegjësi kolektive e të gjithë banorëve të saj, shumë qarqe ndërkombëtare e kanë ndjekur po të njëjtin veprim. Kjo vërehet qartë në Konferencë e Tretë të Kombeve të Bashkuara, më temë“ Parandalimi dhe pengimi i krimit dhe mënyra e trajtimit të kriminelëve”, mbajtur në Stokholm në vitin 1965, ku mes tjerash është diskutuar edhe për rolin e masës (popullit), familjes dhe shkollës në mbrojtjen nga krimi.

Konferenca e Katërt e Kombeve të Bashkuara, e mbajtur në Kyoto në vitin 1970, ndërkaq, në pjesën e dytë,është debatuar në lidhje me këtë çështje më temë: ”Pjesëmarrja e masës për pengimin e krimit dhe vënia e kontrollit mbi të”. Kjo konferencë po ashtu ka vërtetuar rëndësinë e pjesëmarrjes së masës në luftën kundër krimit. E tërë kjo përputhet me Kartën e Medinës, e cila masën e konsideroi si bazë esenciale për ruajtjen e sigurisë së qytetit (të shtetittë ri tëMedinës).

Përfundime

Në bazë të kësaj që u shënua më parë, mund të përfundojmë që:

  1. E drejta e jetës është e garantuar në fenë islame. Këtë e vërtetojnë shumë argumente autentike nga Kurani-qerim, Sunneti, ndërsa në mesin e shumë argumenteve të tjera këtë të drejtë e vërteton edhe Karta e Medinës.
  2. Këtë të drejtë e vërtetojnë edhe të gjitha ligjet pozitive dhe qarqet ndërkombëtare, por ajo çka dallon në fenë islame është se:
    1. Jeta në vizionin islam është dhuratë nga Allahu(xh. sh.), andaj vlera juridike e saj është shumë e lartë; ajo është e drejtë e shenjtë dhe e denjë, duhet mbrojtur maksimalisht, ashtu që të arrihet qëllimi i kësaj dhurate.
    2. Sheriati islam e ndalon mbytjen e fetusit dhe shfarosjen e tërë njerëzisë, për faktin se jeta është dhuratë e Allahut (xh. sh.).
    3. Islami njeriun e nderoi edhe për së gjalli, por edhe pas vdekjes .
  3. Po ashtu, edhe e drejta e sigurisë është e garantuar me Kuranin-Kerim dhe me sunnetin e të dërguarit të Allahut (a. s.) dhe me Kartën e Medinës.
  4. Shoqëria e parë, respektivisht shteti i parë të cilin e themeloi Pejgamberi (a. s.) në Medinën e Ndritshme, ishte shtet në të cilin të gjithë banorët ishin të barabartë në të drejtat dhe obligimet e tyre.

Literatura

  • Ibni Hisham, Es-Siretun nebevije, Daru ihjaut turathul arabij, Bejrut, Liban.
  • Ibni Hisham, Biografia e Pejgamberit (a. s.) – version i shkurtër, i përgatitur nga Abdus-selam Harun, përktheu nga arabishtja: Miftar Ajdini, LOGOS-A, Shkup, Prishtinë, Tiranë, 2017.
  • Ibni Kethir, Elbidaje ven nihaje, Mektebetul mearif, Bejrut,1980.
  • El-Buti, Dr, Muhamed Seid Ramadan, Fikhu sire, El-Matbaa xhedide, Damask, 1983-1984.
  • Es-Sulejman, Salih Sulejman, Hukukul insan fi vethikatil medinetil munevere, Daru xhamiatu naif lilneshr, Rijad, 2015m-1437h.
  • El-Isavi, Xhasim Muhamed Rashid, El-Vethikatul en-nebevijeti vel ehkamush sheriatil mustefadeti minha, Daru sahabet, Sharika, Emiratet e Bashkuara Arabe.
  • El-Gamidi, Dr, Abdulatif ibni Seiid, Hukukul insani fil islami, Akademia Naif el-arabije lilulumil emnije, Rijad, 2000 m- 1421h.
  • Ez-Zuhajli, Dr, Muhamed, Hukul insani fil islami, Daru Ibni kethir, Damask- Bejrut, 1429.
  • El-Gazali, Muhamed, Fikhu sire, Daru daëve, Aleksandri (Egjipt), 1989m-1409h.
  • El-Mubarkfuri, Safijurrahman, Er-Rehikul mehtum, Darul beshir, Tanta (Egjipt), 1994m-1415h.
  • Hasan, Dr. Hasan Ibrahim, Tarihul islami, Daru ihjaut turathul arabij, Bejrut, 1964.
  • Shasivari, Dr. Jeton, E drejta kushtetuese, Libri I (Botimi i parë), Furkan ISM, Shkup.
  • *http://www.kolegji-juridica.org/;
  • (http://www.fon.edu.mk) Editor-in-Chief, International Social Sciences Magazine “VISIONS” www.visionsmagazine.org; (nazmimaliqi@hotmail.com).

[1] Kjo marrëveshje, respektivisht ky dokument, në literaturën dhe historinë islame emërohet me disa emra, ndër to: “Es-Sahife”(letër, akt)- ky emërtim vjen nga ajo se në disa nene kjo marrëveshje është përshkruar dhe emëruar me këtë emër dhe ky është emri më i njohur dhe më i përhapur në mesin e historianëve; “El-Kitab” (libër, shkresë) – shumë dijetarë dhe historianë islamë e kanë emëruar me këtë emër; “El-Vethika”(dokument, kartë)- me këtë emër ky dokument është njohur në periudhën më të vonshëm dhe te dijetarët e periudhës bashkëkohore; “Ed-Destur”(kushtetutë) – shumë dijetarë bashkëkohorë e emërojnë me këtë emër.

[2] Në lidhje me datën dhe historikun e shkrimit dhe redaktimit të këtij dokumenti dijetarët islamë kanë kundërthënie dhe disa mendime:A. Kjo marrëveshje, në esencë, është një dokument i cili është shkruar në vitin e parë të hixhretit, para Luftës së Bedrit. B. Kjo marrëveshje, në esencë, përbëhet prej dy dokumenteve: njëri, i shkruar para Luftës së Bedrit, kurse tjetri pas Luftës së Bedrit. C. Kjo marrëveshje, në esencë,përbëhet prej disa dokumenteve, të cilat më vonë janë bashkuar dhe kanë krijuar një dokument. Sipas studiuesve të kësaj karte, mendimi i parë është më i saktë: që do të thotë seKarta e Medinës është një dokument dhe është shkruar para Luftës së Bedrit (shih: Es-Sulejman, Sulejman, Hukukul insani fi vethikatil Medine, 59-75).

[3] Ez-Zuhajli, Muhamed, Hukukul insan fil islam, fq. 138.

[4] Es-Sibai, Mustafa, fq. 61.

[5] Transmetojnë Imam Buhariu në Sahihun e tij, nr. i hadithit 1312; Imam Muslimi në Sahihun e tij, nr. i hadithit 961.

[6] Transmetojnë Ibni Maxheh, Ebu Davudi dhe Imam Ahmedi.

[7] Transmetojnë Ebu Davudi, Ibni Maxheh dhe Imam Ahmedi.

[8] Transmetojnë Muslimi dhe Imam Ahmedi.

[9] Kjo kartë paraqitet në versione prej 47, 52 ose 70 neneve. Në këtë punim jemi bazuar në versionin që është prej 47 neneve, pas të cilit qëndrojnë shumica e studiuesve – në mesin e tyre është edhe Dr. Muhamed Hamidullah. Ky transmetim është transmetimi më i saktë, të cilin e shënon Muhamed ibni Is’haku (Siret ibni Hisham).

[10] Transmeton Muslimi (ky hadith është pjesë e hadithit nr. 2564).

[11] Transmeton Tirmidhiu.

Leave a reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *