Koncepti Terrorizëm në të drejtën e Sheriatit Islam

Shkruan: Dr. Shaban SULEJMANI

Hyrje

Feja është burim mirësie për individët në shoqërinë ku jetojnë, për këtë dhe botën tjetrën, e cila pos që rregullon marrëdhëniet e individëve mes tyre, në mëynrë të shkëlqyeshme rregullon raportin mes shoqërisë dhe Krijuesit të Gjithmëshirshëm.Ajo kryen edhe një detyrë plotësuese në organizmat[1] ku anëtarësimi në to bazohet mbi pakicat hiearkike, siç është rasti i komuniteteve islame te ne në Maqedoni dhe në shtetet e tjera evropiane.

Nuk është e vërtetë dhe as e pranueshme lidhja mes fesë islame dhe terrorizmit ku ky i fundit është një dukuri botërore që nuk kufizohet vetëm në vendet islame pasi vetë Evropa, në shekullin e kaluar madje edhe në kohën e sotme, ka dëshmuar një varg sulmesh terroriste, grupet, të cilat i kanë kryer ato e akoma vazhdojnë të jenë aktive duke i kryer këto sulme nën perden e fesë e megjithatë, asnjë nuk bën lidhje mes fesë krishtere dhe aktivitetit terrorist të këtyre grupeve.

Pretendimet se feja islame ka lidhje me sjelljen kriminale me preteksin se ajo kontribuon në krijimin e disa tipeve kriminale apo shton në mesataren e disa prej tyre është i pa saktë.

Kjo bindje e ka fillin e vet në lidhjen e gabuar mes islamit dhe terrorizmit[2] e se sikur bota u zgjua papritmas për të parë veten para një feje të re që ka për qëllim terrorizimin e botës.

Kjo bindje e gabuar bazohet gjithashtu edhe në disa veprimeve të kryera nga disa individë të cilët i përkasin islamit. Këta implikohen me fenë, të cilën e kanë si slogan të veprave të tyre, duke krijuar kështu mendime e ide ekstremiste si dhe bindje të gabuara të parimeve dhe bazave të islamit.

Për sa i përket problemit të ekstremizmit[3] fetar ai shfaqet në formë më të madhe e në mënyrë specifike në rajonet arabe dhe muslimane ku qëllimi kryesor i grupeve ekstremiste përfaqësohet në marrjen e pushtetit.

Me këtë rast lind pyetja përse grupet terroriste dhe bandat shtetërore, në planifikimin e komploteve të tyre, përqëndrohen në dimensionin fetar?![4]

I përgjigjemi kësaj duke theksuar se vlerat fetare luajnë një rol të madh dhe përbëjnë një bosht të rëndësishëm dhe aktiv në ndikimin tek popujt në zhvillim në mënyrë të veçantë, dhe ato të pazhvilluara në përgjithësi e kjo, duke i konsideruar ato si një nga mjetet e rëndësishme të presionit social.

Grupet terroriste përpiqen pra të implikohen në ketë fe sipas dëshirave të tyre personale dhe përpiqen të fshihen pas saj për të realizuar qëllimet e tyre.

1.      PËRKUFIZIMI I NOCIONIT TERRORIZËM

Përkufizimi i nocionit terrorizëm, në këndvështrimin e disave, është vërtetë një problem që vështirë është të zgjidhet.[5] Kjo i referohet faktit se është e vështirë të mund të mbërrihet në një përcaktim të thjeshtëzuar për terrorizmin pa futur elementë të jashtëm për të që përfaqësohen në mendime e opinione të ndryshme rreth legjitimitetit apo jolegjitimitetit të organizatave dhe aktivitetit të tyre.

Ndërkohë që këto organizime konsiderohen kombëtare në këndvështrimin e disave, veçanërisht kur ka për qëllim çlirimin e tokave të saj, të tjerë i konsiderojnë ato organizata terroriste.

Vështirësia e përkufizimit paraqitet gjithashtu në ndryshimin e interesave të shteteve dhe përpjekjen e çdo grupi për të imponuar këndvështrimin e tij në përputhje me parimet dhe interesat e veta.[6]

Kësaj i shtohet përzierja e formave të ndryshme të dhunës me terrorizmin ku ndarja mes tyre dhe mes formave të tjera të krimit është e paqartë.

Është e natyrshme të shtrohet problemi i përkufizimit të terrorizmit. Të kufizohesh në përcaktimin e veprimeve të caktuara dhe shtimi i atributit terrorizë atyre, është diçka që nuk mund të pranohet kurrsesi përderisa nuk njihen kriteret dalluese të këtij atributi, përshkrimi.

Njëkohësisht, përkufizimi është i domosdoshëm kur ka lidhje me bazat objektive apo proceduriale të veçanta që zbatohen ndaj kriminelëve terroristë.

Për të mos u stërgjatur, po paraqes vetëm përkufizimin e nocionit terrorizëm që i ka bërë Konventa e Organizatës së Konferencës Islamike[7] për luftë kundër terrorizmit në n. 1 pika 2 thotë se “me terrorizëm nënkuptohet çdo vepër e dhunshme apo kërcënuese e cila, pa marrë parasysh synimet dhe motivet e saj, paraqet plane kriminale të individit apo grupit, me synim të nxitjes së frikës dhe kërcënimit ndaj njerëzve, dëmtimi, rrezikimi i jetrave, nderit, lirisë, sigurisë dhe të të drejtave ose kërcënimit me dëmtimin e mjedisit, të të mirave dhe pasurisë së përgjithshme dhe private të njerëzve, me qëllim të frikësimit, përvetësimit, rrezikimit të disa prej burimeve kombëtare apo infrastrukturave ndërkombëtare, ose kërcënimin e stabilitetit, integritetit territorial, unitetit politik ose pamvarësisë të shteteve të pavarura.” Kështu, me këtë veprim, de jure anëtarët e konferenca islamike proklamuan seriozitetin e tyre të luftës së sinqertë kundër kobit tmerrues të kohës.

2.      PËRKUFIZIMI GJUHËSOR I NOCIONIT TERRORIZËM

Analiza shprehimore i termave gjuhësorë, në përgjithësi bazohet në tiparet gjuhësore të cilat dëftojnë origjinën e fjalës dhe kuptimin e saj në gjuhën përkatëse. Le të trajtojmë analizën shprehimore të termit në gjuhën shqipe, franceze, angleze dhe arabe.

Në fjalorin e gjuhes shqipe[8] shprehja terror sqarohet si “dhunë e egër, e pamëshirshme që zbaton një regjim shtypës a një organizatë reaksionare e kundër revolucionare ndaj popullit e ndaj kundërshtarëve të vet politik, për t’i frikësuar, për t’i nënshtruar e për t’i asgjësuar këta edhe fizikisht”. Pra, ai “që përdor terrorin për të arritur qëllimet e veta, pjesmarrës në veprime terroriste quhet terrorist”.

Në gjuhën franceze, fjala terrorizëm në fjalorë nënkupton trembjen, frikësimin, trishtim dhe tmerrimin.[9] Origjina gjuhësore e fjalës në gjuhën latine është folja terror-terrorizoj me kuptimin lëvizje në trup që tremb të tjerët.

Ndërsa në gjuhën angleze, infinitivi i fjalës terrorizëm është folja latine ‘Ters’ që vjen nga fjala Terror dhe kuptimi i saj është tmerri ose frika e madhe.

Fjalori anglez i Oksfordid e përkufizon terrorizmin si “Përdorimi i dhunës dhe frikës në mënyrë të veçantë për të realizuar qëllime politike”.[10]

Fjala terror në gjuhën arabe është infinitivi i foljes ‘erhebe’ që do të thotë trembi dhe tmerroi. Për këtë është thënë: ‘Të trembësh është më mirë se të mëshirosh’.[11]

Asambleja e gjuhës arabe, në fjalorin el-Vesit,[12] ka përcaktuar se terrorist është një përshkrim që i jepet atyre që ndjekin rrugën e dhunës dhe terrorit për realizimin e qëllimeve të tyre politike.

Fjala rahbafrikë përmendet edhe në Kuran me disa kuptime, prej tyre drojë, devotshmëri ndaj Allahut siç përmendet në ajetin Kuranor: “Ata nxitonin për vepra të mira dhe Na luteshin, me shpresë e frikë[13]; dhe ajeti tjetër “Në zemrat e tyre ata kanë më shumë frikë nga ju sesa nga Allahu, ngaqë ata janë popull që nuk kuptojnë[14].

Kjo fjalë përmendet edhe si frikë si në ajetin Kuranor “Shtrëngoje krahun pas vetes që të çlirohesh prej frikës![15]. Përmendet edhe me kuptimin zbrapsje, që njihet sot tek ne në forcat ushtarake, në ajetin Kuranor “Përgatisni kundër tyre kuaj dhe forcë për luftë sa të mundni, që të tmerroni armikun e Allahut dhe armikun tuaj[16].

Disa[17] cekin se frika me përulësi në gjuhën arabe zakonisht përdoret për të shprehur frikën të përzier me respekt, ndryshe nga terrori i cili nënkupton frikë dhe trembje që rezulton nga kërcënimi i një fuqie materiale apo natyrore. Si e tillë, përkthimi i fjalës terrorizëm e përdorur në gjuhën arabe me kuptimin trembje, është një përkthim jo i saktë nga ana gjuhësore sepse frika nga vrasja, plagosja, rrëmbimi, shkatërrimi i institucioneve, ndërtesave dhe pronave që janë akte që kryhen nga grupet terroriste, nuk shoqërohet me respekt e përulësi por shoqërohet me tmerr.

Përkthimi i saktë i kësaj fjalë do të ishte tmerrim dhe jo ndjellje frike të përzier me respekt. Megjithëatë, e përhapur është tani është që këto akte të njihen me fjalën terror. Elita gjuhësore[18] ka vendosur përdorimin e kësaj fjale me këtë kuptim.

Nga sa u përmend më lart, del se për realizimin e kuptimit gjuhësor të fjalës terror duhet të sigurohen dy gjëra:

1)    Një veprim konkret nga autori i veprës

2)    Pasojë psiqike e veprimin mbi viktimën që manifestohet në ndjenjën e frikës dhe tmerrit.

3.      KONCEPTI I TERRORIZMIT NË SHERIATIN ISLAM

Vështrim hyrës

Para mëse katërmbëdhjetë shekuj legjislacioni i cili në mënyrë të rrept luftoi terrorizmin si dukurinë më makabë që ka njohur dhe njeh shoqëria njerëzore, duke përshkruar elementet themelore, dënimin për kryesit e saj, ishte e drejta e sheriatit islam. Ndonëse me këtë emërtim nuk e ka njohur, por plotësisht përputhet me përkufizimet e sodit që i janë bërë nocionit të terrorizmit, por aktivitet e dhunshme janë ato të cilat e bëjnë të dallohet ajo nga shumë vepra kriminale të ngjajshme me të.[19]

Teoria e mendimit islam ka sqaruar dy lloje të veprimeve kriminale, ku qartë pasqyrohen aktivitete kriminale të cilat janë të drejtuara kundrejt sistemit shoqërorë dhe pushteti politik. Kurani si aktivitete kriminale të tilla cek elHarabe-çrregullim dhe prishja e rendit publik me veprime të dhunshme dhe elBegëju-rebelizmi.

Që të mos largohemi nga objektivi për të cilin jemi përcaktuar, në mënyrë konçize[20] në vijim do të sqarojmë veprën kriminale të harabe-s, që plotësohet kështu edhe mozaiku i legjislacioneve, ai i derivuar nga Sovrani Apsolut dhe ato të sajuara nga njeriu, që në mënyrë permanete kanë luftuar e luftojnë këtë akt kriminal të shëmtuar.

2.1. Terrorizmi dhe elHarabe – çrregullimi dhe prishja e rendi publik me veprime të dhunshme

Nga veprat më të rënda kriminale të cilat rezikojnë sigurinë dhe stabilitetin shoqërorë duke zhvilluar kështu aktivitetin e tyre dhunshëm kundër pushtetit konsiderohet elHarabe. Gjatë këtij aktiviteti mes tjerash shkaktohet një frikë e tmerrshme, trishtuese që bën të ndjehen njerëzit të pasigurtë për pasurinë dhe jetën e tyre.

Kryesit e kësaj vepre janë individ kriminel të cilët tmerrojnë me veprimet e tyre qytetarë duke rrezikuar siguroinë e tyre dhe aktivitete të dhunshme rrezikojnë, shkatërrojnë pasurinë dhe jetën e tyre. Aktivieti i tyre përshkruhet qartë në fjalën e Allahut ku thuhet se ata ”… luftojnë (kundërshtojnë) Allahun dhe Profetin dhe bëjnë shkatërrime çrregullime në tokë …”.[21]

3.1.1.     Përkufizimi i nocionit elHarabe

Nga literatura profesionale juridike islame mund të hasen përkufizim i madh në lidhje me definicionin e kësaj vepre, të gjitha përafërta me njëra tjetrën. Elementi i cili theksohet tek të gjithë definicionet është manifestim i forcës dhe fuqisë gjat aktivitetit të dhunshëm që manifestohet publikisht e me atë rast shkatërrohet, rezikohet apo merret pasuria e tjetrit, ose dhunohet[22] liria e tjetrit e kërcënohet jeta, apo mbillet frikë, trishtim e shqetësim i madh në popullatë në përmasa të gjëra.[23]

3.1.2.     Elementet esenciale të veprës penale el-Harabe

Po të i referoemi teksteve të Kuranit dhe thënieve të Muhammedit a.s. qartë do të mund të konsttojmë se elementet themelore të kësaj vepre penale janë tri, që do të i përmesim në vijim.

3.1.2.1.    Elementi i parë: haptas dhe publikisht të ndërpresin rrjedhën normal të jetës në shoqëri

Shumica e juristëve islam vlerësojnë se terroristët aktivitetin e tyre e ushtrojnë publikisht para masës, pa mos ngruruar fare për ndërmarrje e një veprimi kriminel si marrja e pasurisë së tjetrit dhunshëm dhe duke ushtruar forcë, qoftë dhe presion psiqik. Kjo vepër kriminale ushtrohet nga një numër i kryesve penal të cilët të bashkuar krijojnë një forcë dhe fuqi trishtuese. Ajo forcë e përqendruar tek ata bën që tek popullata të ngjallet ndjenja e frikës, trishtimit e shqetësimit të thellë. Kjo nuk don të thotë se kjo vepër penale nuk mund të kryhet edhe nga një person i vetëm.[24]

Që vepra të kualifikohet si harabe nuk ka rëndësi territori dhe periudha kohore e ditës se kur ajo kryhet, por që aktet duhet të jenë të dhunshme, të shkaktohet frikë, tmerr e trishtim dhe të bëhet çrregullim në tokë.[25]

3.1.2.2.    Elementi i dytë: Praktikisht të shkaktohet frika dhe trishtimi

Juristët islam kushtëzuan që vepra panle e harabes të kualifikohet si e tillë nevoitet që të jetë shkaktuar frikë, trishtim e pasiguri në shpirtërat e njerëzve të viktimituar. Nuk ka rëndësi që kryesi i kësaj vepre penale duhet që ta bën ate me mjet luftarak, apo me mjete që zakonisht shkaktojnë vdekjen, siç janë mjetet e forta e të ngurta si gurrë, hekur e të ngjajshme. E rëndësishme është që gjatë këtij aktiviteti kriminal, veprimet që bën ai të jenë të tmerrisht të dhunshme.

Kusht është që të ndjellet frigë tmerruese tek të tjerët, duke koncentruar me ate rast tërë forcën dhe fuqinë fizike dhe materiale.

3.1.2.3.    Elementi i tretë: Qëllimi kriminal

Juristët kanë arritur koncenzus mes tyre se kryesi i kësaj vepre penale duhet q të ket qëllim kriminal për kryerjen e veprës penale të harabe-s të mbjelljes frikë dhe shkaktimit të çrregullimit në tokë. Për ta shpall kryesin  fajtor për këtë vepër penale nevoitet që ai të jetë me aftësi të plotë juridike, që nënkuptohet se ai duhet të jetë mentalisht i shëndoshë dhe i moshës madhore. Nëse pra, ai nuk është me atësi të plotë juridike, mungon elementi i qëllimit kriminal nuk mund të ngarkohet fëmiu, i çmenduri me përgjegësi penale për këtë vepër penale.[26]

Nuk ka rëndësi motivi që i ka nxit këta kryes të kësaj vepre penale të merren me këtë aktivitet kriminal, por siç thonë juristët islam nëse ata kanë paur qëllim kriminal të shkaktojnë çrregullim dhe të shkaktojnë frikë tmerruese e trishtim tek popullata, sanksion merritore për ta është i përcaktuar në ajetin Kuranorë që cekëm më sipër.

4.      Mbi sanksionet e parapara për veprën penale të harabe-s

Ashtu siç është e përshruar kjo vepër penale në kuran, njështu po në të njëjtin ajet është përshkruar edhe sanksioni për këtë vepër penale ku thuhet se ata duhet ” … të vriten ose të gozhdohen, ose (të gjymtohen) t`u priten duart dhe këmbët tërthorazi, ose të përzihen prej andej …”.[27]

Në bazë të ajetit mund të konstatohet se për këtë vepër penale janë të parapara katër lloje dënimesh:

a)   vrasje

b)   kryqëzim

c)   amputim nga një prej ekstremiteve të kundërta të trupit

d)  internimi (deportimi)

Nga teksti në gjuhën arabe vëreht qartë se këto sanksione kur përmenden rradhiten me lidhësen ’ev’. Në gjuhën arabe, rradhitja e mundësive njëra pas tjetrës e ofruar me këtë lidhëse ka për qëllim përzgjedhjen në kaudër të atyre mundësive, apo llojllojshmërinë e mundësive që ofrohen për zgjedhje.

3.1.  Llojet e sanksioneve varsisht nga lloi i veprës penale të kryer gjatë aktit kriminal të harabe-s

Varësisht se çfar pasoje shkaktohen gjatë aktit kriminal të harabe-s, ndaj kryesit penal, juristët islam vlerësojnë se parashihen disa mundësi të shqiptimit të sanksionit, varësisht se çfar vepre penale është kryer gjatë këtij aktiviteti kriminal.[28]

a)     Vrasje e kryer gjatë aktit krminal të harabe-s

Nëse gjatë aktit kriminal të harabe-s kryhet ndonjë vrasje, ndaj kryesit penal ekzekutohet elhadd-i.[29] Me këtë rast nuk ka rëndësi përkatësia fetare e viktimës.[30]

b)     Marrje e pasurirsë gjatë këtij aktiviteti kriminal

Në rast se merret pasuria e tjetrit, në bazë të fjalëve të kuranit kryesit i amputohet njëra dore, për shkak marrjes së pasurisë në mënyrë të paligjshme, dhe amputimi i këmbës në anën e kundërt të dorës së amputuar, për shkak të aktivitetit kriminal të harabe-s. Njëashtu edhe me këtë rast nuk ka rëndësi përkatësia fetare e atij që i është marrë pasuria.

c)      Të shkaktohet vrasje dhe marrje e pasurisë gjatë aktit kriminal të harabe-s  

Qendrimet e juristëve[31] janë të ndarë në lidhje me këtë rast. Kështu, një grup juristësh vlerësojnë se ata o do të vriten o do të vehen të kryqëzuar. Juristët hanefitë vlerësojnë se imami përzgjedh sanksionin ndaj kryesve të këtillë, që të i amputojë ekstremitetet e trupit të anëve të kundërta, pastaj të i vras apo të i vë në pozicion të kryqëzuar. Liri e plotë i lehet atij që pas të gjitha analizave të jap vlerësimin se ata të vriten apo të vehen duke qendruar në pozicion të kryqëzuar.

ç)    Të shkaktohet vetëm panikë, frikë e tmerr gjatë këti akti kriminal 

         Juristët islam vlerësojnë se individi/ët i cili gjatë këtij aktiviteti kriminal nuk vret dhe nuk merr pasurinë e tjetrit, por vetëm se ndjallë trishtim, frikë dhe e tmerron popullatën, atij i shqiptohet masë e dënimit deportim nga vendi.

3.2.   Mundësia e shlyerjes së dënimit elhadd të paraparë për këtë vepër kriminale

Me rastin e kryerjes së kësaj vepre kriminale, mund që kryesi penal gjatë aktivitetit të tij kriminal të kryej disa vepra penale. Nëse gjatë atij akti kryen vepra penale për të cilat dënimi është taksativisht i përcaktuar elHadd,[32] e drejta penale islame, duke iu referuar ajeteve kuranore ku përshkruhet kjo vepër dhe sanksionet penale për te, sqaron një mundësi të shlyerjes së dënimit për kryesin penal të këtyre veprave penale. Në fjalën Kuranore ku thuhet ‘… pos atyre që pendohen para se të kapen …’, jep të kupton se kryesit penal të cilët, para se organet e ndjekjes ti kapin, vullnetarisht paraqiten para organeve të ndjekjes pranojnë fajsinë ndaj tyre dënimi elHadd nuk ekzekutohet.[33]

Për të mos u larguar nga qëllimi për të cilin jemi përcaktuar në këtë punim, do të mjaftohemi me këto sqarime të dhëna në lidhje me këtë vepër penale, që sipas studijuesit bashkëkohorë arab dr. I. H. Ataulla e vlerësuar se plotësisht i përngjan veprës penale të terrorizmit në epokën bashkëkohore.[34]

 

PËRFUNDIM

Feja konsiderohet një çështje e domosdoshme për shoqërinë njerëzore dhe për të mirën e individëve, në të duja botërat. Ajo llogaritet si një sistem social që sistemon marrëdhëniet e individëve mes tyre nga njëra anë, si dhe marrëdhëniet e individëve dhe shoqërisë me Krijuesin nga ana tjetër. Pra, terrorizmi nuk mund të jetë, nuk është dhe nuk do të jetë produkt islam. Islami është feja e butësisë dhe mëshirës ndaj çdo njeriu.

Terrorizmi dhe ekstremizmi fetar ka kontribuesit e tij të jashtëm të përfaqësuar në mbështetjen financiare dhe ndihmën që marrin nga organizata dhe drejtime të jashtme të cilat kanë lidhje me grupet ekstremiste në vende të ndryshme. Organizatat fetare ekstremiste kanë karakteristika të caktuara në rekrutimin e elementëve të saj prej të rinjve të cilët zotërojnë disa cilësi personale të pëlqyera për ta si p.sh. injorancën (joarsimimin), personalitet të dobët, persona me gjendje shpirtërore dhe sociale të paqëndrueshme të cilët zotërojnë cilësitë e dhunës, ata që bartin ndjenja urrejtje dhe pakënaqësie për jetën dhe shoqërinë e tyre, rastet e përçarjes familjare etj. E rëndësishme është që këto cilësi, në një etapë të mëpasshme të mund të shfrytëzohen, stërviten dhe përgatiten për të kryer akte dhune brenda shoqërisë. Qëllimi i tërë kësaj është të preket stabiliteti politik në të cilin jeton vendi. Kjo, në fund do të thotë se ne nuk përballemi me grupe fetare që kanë orientime dhe qëllime fetare, por përballemi me grupe politike që kanë një çështje politike dhe jo fetare, qëllime politike që nuk kanë lidhje me asnjë fe apo etni.

Legjislacioni islam nuk lejon në asnjë mënyrë trembjen e një adhuruesi në faltoren e tij, as murgut në faltoren e tij, nuk e lejon vrasjen e të plagosurit e as gjymtimin e kufomës së të vrarit duke i njohur njeriut të drejtën e tij humane. Ai e ka konsideruar krim përdorimin e dhunës në marrjen e pushtetit nëpërmjet vrasjes, plagosjes e rrahjes si në rastin e harabës duke e konsideruar këtë të fundit si një prej formave të terrorizmit social i cili synon terrorizimin e njerëzve dhe frikësimin e tyre haptaz dhe kryeneçësi.

elHaraba është një prej krimeve të shëmtuara dhe një prej mëkateve të mëdha dhe të dënueshme. Protagonistët e këtij krimi Kurani i ka cilësuar si luftëshpallës kundër Allahut dhe të dërguarit të Tij, dhe i ka cilësuar ata si njerëz prishës mbi sipërfaqen e Tokës, pra lëvrues mbi të duke u mburrur me fuqinë dhe armatimin e tyre me qëllim shkatërrim në Tokë e përfaqësuar kjo me terrorizimin e njerëzve, përhapjen e panikut ndër ta, mossigurimin e sigurisë për jetën dhe pasurinë. Pikërisht për këtë ai afrohet me krimet e terrorizmit. Muhammedi a.s. ka mohuar përkatësinë e këtyre kriminelëve dhe kusarëve të rrugës përkatësinë e tyre në islam ku ka thënë për ta: “Kush shfaq haptazi armën nuk është prej nesh”.


Literatura e konsultuar

A., Abdulkadër, et-Teshriul xhinail islami-mukaren bil kanunil vedëij, bl.1, Kairo 1977.

A., dr. Muhammed Selim, Fi Usulin-nidham el-Xhinail Islami, Darul mearif, Kairo 1978.

A. dr. Muhammed , el-Mendhurud-dini vel kanuni lixheraimil irhab, Kairo 1999.

D., Eric, Le terrorisme en droit international-définition, incrimination, epression, Edition de l’universite de Bruxelles, Bruksel 1977.

El-Maverdi, el-Ahkam es-sulltanije evil vilaje ed-dinije, Dar Ibni Kutejbe, Kuvajt 1989

F. Paul, Mjaft me heshtje-Përballë imazhit të gabuar të Amerikës mbi Islamin, Furkan ISB, Shkup 2009

H. Joyce M., Oxford Universal Dictionary, Oxford University Press, Oxford, 1981.

H., dr. Mustafa Amir, el-Harabe-dirase fikhije mukarene, Bejrut 1987.

H., Samuel P., The Clash of Civilization and the Remaking of World Order, New York 1997.

I., Dr. Ahmed Xhelal, el-Irhab vel unf es-sijasi, Darul hur-rijje, Kairo 1986.

I. Dr. Zeki, Fid-dini vel muxhtemea, el-Metbuat el-xhedide, Kairo 1989.

I. Abidin, Hashijetu redul mukhtar sherh tenvirul ebsar, Mustafa el-Babil halebi, Kairo 1386 h.

Muxheme’a lugal arabije, El-Mu’ëxhem el-Vesit, bl. 1, Daru ed-De’ave, Kairo 1972.

M. Bejumi, Ilmul ixhtimaid-dini, Darul mearefe el-xhamiëijje, Kairo 1981.

M., Pierre, L’introuvable acte de Terrorisme et La Réflexsions sur La définition et La Repression du Terrorisme, Edition de l’universite de Bruxelles, Bruksel 1977.

M, dr. Ahmed ebu Mustafa, el-Irhab ve muvaxhehetuhu xhinaijjen, el-Fetëh lit-tiba ven-shër, Kairo 2007.

K., dr. Abdulfetah M., el-Harabe fil fikhil islami, Daru et-Tiba’ëa el-muhammedije, Kairo 1987.

R. Muhammed bin Ebi Bekr bin Abdul Kadir, Mukhtaru sihah, Mektebe Lubnanije, Bejrut 1989.

R., Pettit, Dictionnair alphabetic analogique de la longue Français par Paul Robert, Paris 1977.

          Web faqe:

www.al-islam.com

www.oicun.org

http://www.oxforddictionaries.com/definition/terrorism

 



[1] Dr. Zeki Ismail, Fid-dini vel muxhtemea, el-Metbuat el-xhedide, Kairo 1989, fq. 9; njëashtu shih studimin e bërë nga dr. M. Bejumi, Ilmul ixhtimaid-dini, Darul mearefe el-xhamiëijje, Kairo 1981, fq. 240.

[2] Me të drejtë konstaton publicisti amerikan dhe protagonist për mbrojte të të drejtave themelore të njeriut P. Findley kur thotë se “kiminilët identifikohen rëndom sipas përkatësisë kombëtare dhe jo asaj fetare, përveç rasteve kur ndodh që të jetë mysliman. Të krishterët e dhunshëm nuk shihen si diskreditues të krishterimit … përfundimisht, mund të themi se kemi të bëjmë me zbatim të qartë standardesh dyfishe … që ushqejnë stereotipin më të përhapur dhe më të turpshëm për Islamin. Është fjala për stereotipin që i lidh muslimanët me terrorizmin …“, shih më gjërësisht Paul Findley, Mjaft me heshtje – Përball imazhit të gabuar të Amerikës mbi Islamin, Furkan ISM, Shkup 2009, fq.78.

[3] Është interesant fakti që profesori i shquar zviceran Urs Altermatt theskon se “… fundamentalizmat janë produkt i botës moderne .. ku në shoqëritë e industrializuara perëndimoire lindën fundamentalizmat, që kërkojnë siguri të reja nëpërmjet kthimit të vlerave në dukje të afirmuara … vlerësim ky vlen edhe për islamizmin.” Shih më gjerësisht Urs Ultermatt, Etnonacionalizmi në Europë, Phoenix 2002, fq. 107-09.

[4] Në mjetet e informimit perëndimor zhvillohej dhe vazhdon të zhvillohet një propagandë kundër muslimanëve dhe islamit, lidhja mes tyre dhe dhunë, ekstremizmit dhe terrrorit, duke vë theksin se burimi i vetëm i terrorizmit në botë është sheriati islam. me plot përgjegjësi themi se këto pretendime aspak nuk janë të sakta e as të vërteta. Nuk duhet të ngatërrohet fakti me aktet kriminale që i kryejnë disa pjestarë apo ithtarë të islamit. Ata të cilët nuk ia dojnë të mirën islamin, shfrytëzojnë momentin dhe pohojnë se veprimet e tyre ekstreme të tyre dhe aktet terroriste që i bëjnë janë islamikisht të justifikuara. Përkundrazi, feja e pastër islame ngritet mbi parimet të shkëlqyeshme të cilat rrefuzojnë çfardo lloj ekstremizmi, dhune, presioni, shkatërrimi e vrasje ngase islamikisht konsiderohet se “… nëse dikush vret dikë, i cili nuk ka vrarë askë, ose nuk ka bërë në tokë turbullira – sikur ka vra tërë njerëzinë …” (sure el-Maide, ajeti 32).

[5] Pierre Merten, L’introuvable acte de Terrorisme et La Réflexsions sur La définition et La Repression du Terrorisme, Edition de l’universite de Bruxelles, Bruksel 1977, fq. 29-30.

[6] Eric David, Le terrorisme en droit international-définition, incrimination, epression, Edition de l’universite de Bruxelles, Bruksel 1977, fq. 10.

[7] www.oicun.org/7/38/

[8] Prof. Androkli Kostallari (kryeredaktor), Fjalor i gjuhës së sotme shqipe,  Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Tiranë 1980, fq. 1988-89.

[9] Shih fjalorin terminologjik të gjuhës frenge Pettit Robert, Dictionnair alphabetic analogique de la longue Français par Paul Robert, Paris 1977.

[10] Shih Joyce M . Hawkins, Oxford Universal Dictionary, Oxford University Press, Oxford, 1981, fq. 736; poashtu http://www.oxforddictionaries.com/definition/terrorism

[11] Muhammed bin Ebi Bekr bin Abdul Kadir er-Razi, Mukhtaru sihah, Mektebe Lubnanije, Bjerut 1989, fq. 227.

[12] Mexheme’a lugal arabije/Asambleja e gjuhës arabe në përbërje Dr. Ibrahim Mustaf, Ahmed Zijat dhe të tjerë/, El-Mu’ëxhem el-Vesit, bl. 1, Daru ed-Deave, Kairo 1972, fq. 376.

[13] Kurani Famëlartë, sure el-Enbija, ajeti 90.

[14] Kurani Famëlartë, sure el-Hashër, ajeti 13.

[15] Kurani Famëlartë, sure Kasas, ajeti 32.

[16] Kurani Famëlartë, sure el-Enfal, ajeti 60.

[17] Dr. Ahmed Xhelal Iz-zud-din, el-Irhab vel unf es-sijasi, Darul hur-rije, Kairo 1986, fq. 21-2.

[18] Muhmmed el-Hivari, el-Irhab el-Mefhum vel esbab ve  subul ‘ëilaxh, fq. 4-5, shih www.al-islam.com

[19] Një vlerësim të kundërtën me këtë që thamë shih Samuel P. Hantington: The Clash of Civilization and the Remaking of World Order, New York 1997, fq. 80.

[20] Në mënyrë të hollësishme dhe të detajizuar në lidhje me këto vepra kriminale të cilat legjislacioni islam i ka trajtuar shih studimin, e mrrekullueshëm në fushë krahasimtare me të drejtën positive, të juristit të shquar dr. Abdulkadër Aude, et-Teshriul xhinail islami-mukaren bil kanunil vedëij, bl.1, Kairo 1977, fq. 657 e tutje.

[21] Sure el-Maide, ajeti 33.

[22] ‘Manifesti i pamëshirshëm dhune me preteks marrjen e pasurisë, vrasje apo tmerr duke e bërë ate me forcë dhe larg syve të pushtetit’, është një nga definicionet që mund të i lexojmë në literaturën juridike të shkollës Shafite, dhe më gjërësisht shih juristin shafit el-Maverdi, el-Ahkam es-sulltanije evil vilaje ed-dinije, Dar Ibni Kutejbe, Kuvajt 1989, fq. 312 e tutje; ndërsa nga shkolla juridike hanefite definicioni ështe më i ngurtë, kështu veprën kriminale të harabes ata e përkufizojnë ‘dalje në rrugë kalimitarrëve me qëllim të marrjes së pasurisë, duke e bërë këtë veprim në mënyrë publike, me çrast pamundësohet kështu qarkullimi i lirë i individëve për shkak të musqarkullimit të lirë nëpër rrugë’, më gjërësish shih literature nga shkolla juridike hanefite Muhammed Emin, i njohur vetëm me nofkën Ibni Abidin, Hashijetu redul mukhtar sherh tenvirul ebsar, Mustafa el-Babil halebi, Kairo 1386 h., fq. 63 dhe 214 e tutje.

[23] Shih më gjërësisht shih punimin e jashtëzakonshëm të studijuesit e mirënjohësit islam dr. Muhammed Selim el-Ava: Fi Usulin-nidham el-Xhinail Islami, Darul mearif, Kairo 1978, fq. 123.

[24] Ibid., fq. 125.

[25] U zhvilluan shum diskutimeve të gjata mes juristëve islam se kjo vepër mund të kryhet vetëm në vendet urbane apo edhe ato rurale ku pushteti rënd e ka të ushtron plotësisht pushtetin e tij. Çrregullimi i cili shkaktohet nga kjo vepër penale, pa varësisht periudhën kohore të ditës, kulaifikohet vepër e ndalur ligjërisht e ndëshkuar, me çrast nuk ka rëndësi vendi dhe kohë e kryrjes. Shih më gjërësisht dr. Mustafa Amir Hasenejn, el-Harabe-dirase fikhije mukarene, Bejrut 1987, fq. 32 e tutje.

[26] Dr. M. S. el-Ava, vep. e cit., fq. 125.

[27] Sure el-Maide, ajti 33.

[28] Nga juristët islam vetëm imam Maliku ndan qendrimin se imami-kryetari i shtetit bën përzgjedhjen e një sanksioni, të përmenduar në ajetin kuranorë, e i cili sanksion do të jap efektin e tij duke mos patur nevojë të shqiptohen njërin sanksion pas tjetrit.

[29] Sipas së drejtës penale islame për vrasjen me paramendim katlul ‘amd  parashihet dënimi el-Kisas-gjakmarrje. Mirëpo në këtë rast, dënimi është kapital vrasje si lloj dënimi elhadd-taksativisht i përcaktuar për të.

[30] Ekzistojnë dallime mes qendrimeve të juristëve në lidhje me përkatësinë fetare të viktimës. Mirëpo, për vrasjen e kryer gjatë këtij aktiviteti kriminal, kryesi penal ekzekutohet me vrasje pavarësisht përkatësinë fetare të viktimiës, musliman qoftë ai apo edh-Dhimmijj-jomusliman resident i shtetit islam.

[31] Këtë zgjidhje e ofrojnë juristët shafitë dhe hambelitë të cilët japin sqarime dhe më të hollësishme në lidhje me këtë problematikë. Duke mos u zgjëruar për më tepër shih më gjërësisht në lidhje me këtë vepër penale dhe qendrimet e të gjithë juristëve, punimin e mrrekullueshëm të dr. Abdulfetah M. Kaid, el-Harabe fil fikhil islami, Daru et-Tiba’ëa el-muhammedije, Kairo 1987.

[32] Gjatë këtij aktiviteti kriminal kryesi mund të kryej vepra penale të cilat sipas së drejtës penale islame për to është paraparë denim el-Kisas-gjakmarrje, dënime këto të cilat shqiptohen ekskluzivisht kur shkilet një e drejtë e individit. Ky lloj dënimi në asnjë mënyrë nuk mund të shlyhet nëse të dëmtuarit, familjarët e viktimës nuk ia falin, apo nuk pajtohen apo merren vesh që të i kompenzohet dëmi që i është shkaktuar. Shih më gjërësisht dr. A. Aude, vep.e cit. fq. 658.

[33] Për më hollësisht në lidhje me këtë problematikë shih studimin e mrrekullueshëm të juristit të shquar arab në këtë fushë dr. Muhammed A. Abdulkhalik, el-Mendhurud-dini vel kanuni lixheraimil irhab, Kairo 1999, fq. 120-22.

[34] Mendim të kundër ka dr. Ahmed, i cili vlerëson se sipas së drejtës penale islame e cila ka inkriminuar veprën penale elBegëju-rebelizmi si vepër kriminale, i përngjan shum veprës penale të terrorizmit në kohën e sodit. Kryesit e veprës penale të begëjit sulmojnë pushtetit, jo që të shkaktojnë dëme material e të plaçkisin por qëllimi i tyre është të marrin pushtetin në duart e tyre. Pra, kanë qëllime politike dhe jo qëllime tjera. Shih dr. Ahmed M. ebu Mustafa, el-Irhab ve muvaxhehetuhu xhinaijjen, el-Fetëh lit-tiba ven-shër, Kairo 2007, fq. 62.

Shkrime të ngjashme