Jurisprudencë, Shkrime Autoriale

Kontrata e ortakërisë

 Shkruan: Jusuf ZIMERI

Nga format që definoi dhe sistemoi e drejta kontraktuese islame, me qëllim të nxitjes së njeriut drejt investimeve kapitale dhe, për ta venduar pasurinë në lëvizje të përhershme në shërbim të shoqërisë dhe qenies njerëzore në përgjithësi, është edhe sistemimi i kontratës së ortakërisë. Me nocionin ortakëri (esh-sherike) në të drejtën kontraktuese islame, nënkuptojmë: kontratën (marrëveshjen) mes ortakëve-partnerëve që rregullon dhe sistemon investime me kapitalin e tyre dhe në fitim që vjen nga investimi.

Juristët Islamë – fukahatë, duke u mbështetur në argumentet autentike islame, konstatuan se ngrirja dhe mbyllja e kapitalit dhe pasurisë, sipas parimeve konceptuale islame është veprim i ndaluar, sepse pasuria duhet që gjithnjë të jetë në lëvizje dhe në shërbim të njeriut, e nëse është e ngrirë, atëherë nënkupton mbylljen e së drejtës njerëzore për të realizuar interesin e tyre në këtë botë. Kapitali shikuar nga këndvështrimi islam, konsiderohet vetëm mjet në dorën e njeriut i cili është i obliguar që të menaxhojë me të në bazë të drejtësisë, sepse realisht pronar i vërtetë i tërë pasurisë në rruzullin tokësorë është Allahu xh.sh.. Andaj, me qenë kjo pasuri fitohet në pronën e Allahut xh.sh. dhe njeriu është vetëm mbikëqyrës dhe menaxhues i saj, ai me vete bartë detyrime dhe përgjegjësi për formën e menaxhimit të kësaj pasurie. Pra, pasuria e jetës së kësaj bote është e dobishme vetëm me një menaxhim të drejtë dhe të mirëfilltë i konceptuar sipas jurisprudencës islame, sepse vetëm kështu njeriu arrin të lirohet nga koncepti i robërisë ndaj pasurisë, dhe të mos shndërrohet në adhurues i pasurisë, që të humbë vlerën e vërtetë të kësaj begatie.

Me qenë se shpërndarja e pasurisë si begati nuk është e barabartë te të gjithë njerëzit, dhe se pamundësohet që secili individ të investojë me kapitalin e tij, e drejta islame parasheh edhe formën e bashkimit të pasurisë, me qëllim të investimeve të dobishme dhe ndërtimit të jetës në këtë botë. Bashkimin e pasurisë për investime dhe punë, përmes marrëveshjeve apo kontratave juridike, Islami jo vetëm që e njeh legjitimitetin e saj, por edhe i nxitë njerëzit në këtë veprim. Allahu xh.sh. në një ajet Kur’anor thotë:

إِنَّ كَثِيراُ مِنَ الخُلَطَاءِ لَيَبْغِي بَعْضُهُمْ عَلَى بَعْضٍ إلاَّ الَّذِينَ آمَنُوا و َ عَمِلُوا الصَّلِحَاتِ ..

Është e vërtetë se shumica prej ortakëve i bëjnë padrejtë njëri tjetrit, me përjashtim të atyre që kanë besuar dhe punuar vepra të mira

Nga ky ajete kur’anor qartë nënkuptohet se partneriteti është i lejuar në esencë, porse për të qenë funksional dhe profitabil dhe që të llogaritet si veprim i mirë dhe i lavdëruar nevojitet që partneritet të ndërtohet mbi bazën e besimit islam, devotshmërisë dhe drejtësisë, sepse Allahu xh.sh. na tërheq vëmendjen se, kontrata e ortakërisë e ndërtuar vetëm mbi bazën dhe parimin e interesit individual, shkakton padrejtësi ndaj palës tjetër, e një veprim i tillë është i ndaluar Islamit.

Në një hadith të transmetuar nga Ebu Hurejra r.a. që e regjistron Ebu Davudi në sunenin e tij, ekziston se Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ka thënë: “Allahu xh.sh. thotë: “Unë jam i treti i dy ortakëve (në ruajtje dhe ndihmë) derisa nuk e tradhton njëri tjetrin, e kur e mashtrojnë ortakët njëri tjetrin, atëherë largohem (largojë ndihmën Time) prej atyre dyve

Gjithashtu i Dërguari i Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme në një një hadith tjetër ka thënë: “Përkrahja e Allahut është mbi dy ortakët deri sa njëri nga ata nuk e tradhton shokun e tij, e kur ta tradhtojë, Allahu xh.sh. e ngre dorën (përkrahjen e Tij) nga ata”.

Nga këto argumente autentike qartë nënkuptohet se bashkimi i pasurisë mes dy e më shumë ortakëve-partnerëve, me qëllim të investimit dhe ndërtimit të rruzullit tokësorë, mbi bazën e drejtësisë dhe mirëkuptimit, është punë e bereqetshme dhe si i tillë aty qëndron edhe ndihma e Allahut xh.sh. përderisa ekziston drejtësia dhe ndihma e partnerëve mes veti, e në momentin kur bëhen padrejtësitë dhe tradhtitë, ngritët ndihma dhe bereqeti i Allahut xh.sh. dhe zakonisht këto ortakëri janë të gjykuara me dështim dhe pasoja si në jetën e kësaj ashtu edhe në jetën e botës tjetër.

Llojet e ortakërisë.

Juristët islam – fukahatë duke bërë analiza të detajuara mbi tël drejtën kontraktuese islame  konstatuan se ortakëria ndahet në dy lloje që janë:

1. Ortakëria në pronë (sheriketul emlak)

Ortakëria në pronë konsiderohet kur dy apo më shumë subjekt posedojnë një pronë të caktuar për të cilën nuk kanë kontratë ortakërie, porse deri te kjo pasuri kanë ardhur, ose përmes trashëgimisë, ose përmes kontratës së shitblerjes. Ky lloj i ortakërisë mund të jetë:

Ortakëria sipas dëshirës dhe vullnetit. Kjo ortakëri është atëherë kur dy e më shumë subjekt vijnë te posedimi në pronësi të një prone, përmes kontratës së shitblerjes, apo përmes së drejtës trashëgimore, mirëpo ajo që e karakterizon këtë rast është se ekziston mundësia e ndarjes fizike të pronës, si p.sh të jetë kopsht, arë livadh, apo ndonjë parcelë tjetër tokë. Në këtë rast ndarja fizike është e mundur dhe nëse dëshirojnë pronarët mund ta ndajnë, e nëse dëshirojnë mund të vazhdojnë menaxhimin e përbashkët.

Ortakëria e imponuar, apo e domosdoshme. Ky lloj i ortakërisë, është partneriteti në pasurinë që ndarja fizike e pronës nuk është e mundur pa e dëmtuar pronën, si p.sh, posedimi i një pusi- bunari i cili nuk mund të ndahet, ose mjetet e punës etj. Edhe kjo ortakëri mund të ketë ardhur si pasojë e trashëgimisë së pronës apo blerjes së saj.

Ajo që duhet patjetër theksuar në këtë rast është se, dispozita juridike islame e që të dy këtyre llojeve, është se çdonjëri prej ortakëve konsiderohet pronar në pjesën e tij dhe në të njëjtën kohë konsiderohet edhe i huaj në pjesën e tjetrit, dhe për këtë arsye sipas normave juridike islame nuk lejohet asnjë veprim tjetërsimi apo edhe menaxhimi me tërë këtë pronë vetëm nga njëri ortak pa lejen e ortakut tjetër, që nënkupton se menaxhimi dhe qeverisja me këtë pronë patjetër të bëhet me lejen dhe pajtimin e të gjithë ortakëve.

2. Ortakëria në kontratë (Sheriketul akdi)

Ortakëria në kontratë konsiderohet marrëveshja mes dy apo më shumë subjekteve për të bashkuar pasurinë e tyre për tregti dhe investime, dhe në fitim. Sipas dijetarëve të shkollës juridike hanefite kjo kontratë mund të jetë tre lloje, e që secili lloj prej tyre sërish ka edhe nga dy nënllojet e veta, që janë:

 

2.1. Ortakëria në pasuri.

Ortakëria në pasuri konsiderohet marrëveshja mes dy e më shumë subjekteve që të bashkojnë pasurinë e tyre për tregti dhe fitimin ta ndajnë mes veti sipas marrëveshjes së kushtëzuar në kontratën e ortakrisë- prtneritetit. Ky lloj i partneritetit mund të jetë:

Ortakëri me dallim që është kur dy apo më shumë subjekte me kapitalin e tyre janë pjesëmarrës në tregti dhe fitim. Në këtë lloj kontrate të ortakërisë, nuk kushtëzohet që participimi me pasuri- kapital të jetë i barabartë mes partnerëve, e gjithashtu edhe fitimi. Pra nëse njëri nga ortakët ka deponuar mjete më shumë se tjetri, normalisht se edhe fitim është më i madh për të. Megjithatë, në këtë rast vjen në shprehje edhe falimentimi, sepse edhe nëse vjen deri te bankrotimi apo falimentimi, ai humbë më shumë. Edhe pse kjo është praktika më e shpeshtë e tregtarëve, në këtë lloj të kontratës ekziston edhe mundësia që pjesëmarrja me mjete të jetë e barabartë, por jo edhe fitimi dhe anasjelltas. Gjykohet kështu ngase themelimi i kësaj kontrate bëhet me shprehje dhe me kushte të veçanta, dhe ajo duhet zbatohet sipas kushteve të parapara në kontratën e ortakërisë për derisa ajo është themeluar me pëlqimin e palëve pa kurrfarë imponimi.

Ortakëria e barabartë. Ortakëri e barabartë konsiderohet marrëveshje mes dy apo më shumë subjekteve që pjesëmarrja me kapitalin e tyre të jetë e barabartë si dhe fitimi i barabartë, e në ndërkohë edhe detyrimet dhe të drejtat të jenë të barabarta mes tyre. Në këtë lloj ortakërie secili nga partnerët menaxhon dhe qeverisë me tërë pasurinë pavarësisht nga partneri tjetër, por edhe fitimi edhe humbja është në mënyrë të barabartë.

Dallimi mes këtyre dy llojeve të ortakërisë është se, në ortakërinë e barabartë për dallim nga ortakëria me dallime, kushtëzohet që çdo njëri nga partnerët të jetë i barabartë me tjetrin, dhe të ketë të drejtë të plotë në sigurimin e pasurisë. Gjithashtu barabarësia konsiderohet në moshë, pra që të gjithë të jenë moshrritur (pubertet) të jenë të shëndoshë psikikisht, të jenë të lirë, dhe të jenë të një feje. Këto janë elementet që e dallojnë partneritetin e barabartë nga partneriteti me dallime.

2.2. Ortakëria në punë.

Ortakëria në punë konsiderohet marrëveshja apo kontrata mes dy e më shumë subjekteve apo ndërmarrjeve të ndryshme, pavarësisht se janë të një profili apo të ndryshme për një punë të përbashkët. Edhe ky lloj i ortakërisë mund të jetë:

Ortakëria me dallim, është kur ortakëria bëhet në mënyrë që njëri nga ortakët të kryejë punë më shumë se tjetri si p.sh të kryej 2/3 e punës e tjetra 1/3 e saj. Në këtë rast edhe fitimi edhe humbja pra përgjegjësia ndahet sipas participimin në punë.

Ortakëria e barabartë, është atëherë kur partnerët në punë marrin pjesë në mënyrë të barabartë, andaj edhe fitimi edhe humbja eventuale janë të barabarta, dhe secili prej partnerëve patjetër të jetë garancë edhe e partnerit të tij.

2.3. Ortakëria në autoritet.

Ortakëria  në autoritet është kur dy apo më shumë subjekt nuk posedojnë pasuri- kapital por posedojnë autoritet, andaj me autoritetin e tyre që posedojnë kanë mundësi që të marrin mallra hua nga tregtarët me afat të pagimit të tyre, dhe atë që e fitojnë nga ato mallra e ndajnë mes veti. Edhe ky lloj i ortakërisë ndahet në dy lloje që janë ortakëri me dallim dhe ortakëri e barabartë.

Lini një Përgjigje

Maqedonisht